top of page

Fragmente nga monografia “Zejtarët e Pejës”


Sejdi BERISHA


Sejdi BERISHA: ZEJTARËT E PEJËS

-M O N O G R A F I- Botimi i Dytë

Zejtaria e ka zemrën dhe shpirtin e popullit. Pra, pse të mos shtrohet kjo sofër në këtë libër, ashtu siç është, e pasur dhe e ngrohtë.

Atë e kanë madhështuar dhe e madhështojnë me dëshmitë e tyre njerëzit që tani nuk janë në mesin tonë, por edhe ata që mburren e gjallërojnë sot, të cilët kanë përjetuar shumëçka duke u përplasur nëpër periudha e etapa dhe duke u përballur me ngjarjet që ua kanë sjellë motet...

A u t o r i



Në vend të prologut

NËSE NDONJËHERË

KTHEHËSH NË PEJË

Panoramë e qytetit të Pejës

Të lutëm

Nëse do, ndonjëherë

Të më takosh

Kthe në Pejë

Po të shkosh atje

Do hasësh

Frymën dhe hijen time

Do të lagësh me lotin tim

Mos harro

Në Pejë të shkosh

Edhe pse s’do të jam

Do të kesh

Shumë mall

Për shtëpinë e gjyshit

Për gjuhën e nënës

Të lutëm

Kthe në Pejë

Në Shatërvan

Pi ujë të freskët

Dhe shfletoje historinë

E qytetit

Atë do ta gjesh

Ditë e natë

Në Çarshinë e Gjatë

Të lutëm

Kthe në Pejë

Kapeshnica ka ndryshuar

Edhe Jarina

Edhe Kakariçi

Edhe Karagaçi

Edhe Puhovci

Kthe në Pejë

Për ta kujtuar historinë

Për ta kënduar këngën

Sa do të përmallohesh

Duke shëtitur

Pa ditur asnjë rrugë



HYRJE

Duke pasur parasysh rëndësinë jo vetëm historike të zejtarisë dhe të zejeve në përgjithësi në zhvillimin ekonomik dhe shoqëror, por edhe të ruajtjes dhe zhvillimit të vlerave shpirtërore dhe kulturore, gjithnjë është mirë, por edhe e udhës që të shndriten ato dhe të shkruhen libra, vepra, monografi dhe shkrime shkencore e historiografike për zejet si thesar dhe faktor i zhvillimit të një mjedisi. Po ashtu, duke pasur për bazë rëndësinë historike të këtyre vlerave në komunën e Pejës, por edhe më gjerë, këtu e pesëmbëdhjetë vjet më parë pata vendosur që të vë një gur interesant në murin e përjetësimit të vlerave tona kulturore dhe historike, duke shkruar një vepër kushtuar zejeve dhe zejtarisë pejane mbase edhe të asaj më gjerë, e cila është e para e këtij lloji në Kosovë, dhe kështu me botimin e librit-monografisë “Zejtarët e Pejës” në vitin 1995, dukshëm provokova por edhe sensibilizova opinionin për ta çmuar por edhe për ta ditur e ruajtur thesarin e paçmuar të zejtarisë. Isha i vetëdijshëm se një punë e tillë ishte e rëndë dhe me përgjegjësi, por edhe e llojit që asnjëherë, edhe sikur të shkruhen dhjetëra e dhjetëra libra, të gjithë nuk do të kënaqeshin, sepse, përbrenda librit nuk është e mundur të futen të gjitha të dhënat e ecurive zhvillimore dhe historike të zejeve, por edhe as të gjithë emrat e atyre që janë pjesë e kësaj ecurie, mund të jetë edhe të një numri që ndoshta kanë qenë bartës me rëndësi të zhvillimit të të gjitha zejeve. Andaj, edhe në këtë aspekt kam qenë dhe jam edhe tash i vetëdijshëm se do të ketë mangësi të kësaj natyre, por të cilën gjë, nuk e bëj për ndonjë arsye apo shkak që ka ngjyrë të hezitimit, të së keqes, apo edhe të ndonjë prapavije negative.

Me gjithë këtë barrë, që ndonjëherë keqinterpretohet apo që edhe veprës përpiqet t’i jepet ndonjë vlerësim i qëllimshëm apo i paqëllimshëm negativ, kjo, në asnjë mënyrë dhe në asnjë formë nuk mund ta dëmtojë rolin dhe rëndësinë historike të materialit që ka qenë dhe do të jetë edhe tash në librin “Zejtarët e Pejës”.

Ky libër, i cili, si botim i dytë do të jetë identik me botimin e parë, por i begatuar dhe i zgjeruar me shënime të reja, të cilat, do të janë veçmas ato të kohës së luftës në Kosovë, nga e cila jo vetëm që u shkatërruan shumë dyqane, por u dëmtuan, u dogjën dhe u vodhën shumë prodhime dhe eksponate, të cilat janë reflektuar edhe në punën dhe ekzistimin e mëtejmë të vlerave zejtare, e sidomos të atyre që i takojnë periudhës së kaluar, e që në qytetin e Pejës jetonin si mohikanë të fundit të vlerës dhe të peshës së trashëgimisë kulturore dhe shpirtërore, por edhe si vlerë e filleve dhe bazave të zhvillimit ekonomik dhe kulturor.

Duke u mbështetur në të gjitha këto që i theksova, por edhe në kërkesat e shumta të qytetarëve që këtë libër ta kanë në sirtarët dhe bibliotekat e tyre si histori, ushqim shpirtëror dhe si begati historike, me gjithë vështirësitë materiale dhe të natyrave të tjera, vendosa që ta ribotoj monografinë “Zejtarët e Pejës”, dhe se botimi i dytë le të jetë edhe ky si ushqim, kënaqësi, por edhe po ashtu si provokim për të bërë vepra edhe më të mira jo vetëm për zejtarinë, por edhe për të gjitha ecuritë e kombit. Sepse, vepra të tilla ende janë të pakta, dhe po ashtu ende mungojnë në numër të duhur për t’i kompletuar dëshmitë historike, shkencore dhe kulturore tek ne dhe më gjerë në trojet gjithëshqiptare.

Edhe pse kanë ndërruar rrethanat e përgjithshme shoqërore, historike, zhvillimore por edhe të ato ekonomike dhe kulturore si dhe dinamika e tyre, megjithatë, kujtoj se kjo vepër do të jetë mesazh i pakontestueshëm për t’i mësuar, ruajtur dhe afirmuar vlerat e tilla, të cilat me fanatizëm i mbron dhe i ruan çdo vend dhe çdo popull kudo në botë.

Për çfarë, kështu pata thënë në botimin e parë, si njoftim apo si hyrje që lexuesi ta ketë sa më afër arsyeshmërinë dhe mirëkuptimin për ta kuptuar dhe përqafuar shtruat, drejtë dhe sa më ngrohtë rëndësinë e librit “Zejtarët e Pejës”.

Pamje nga Peja

Kjo pjesë e shkrimit që tani pason, ishte prezantuar me sinqeritet dhe dëlirësi shpirtërore në botimin e parë. Andaj, si i tillë, edhe tani e ka peshën dhe vlerën edhe për librin-botimin e dytë, por, edhe për lexuesin, i cili shpresoj se të gjitha të dhënat do t’i mësojë e do t’i kuptojë si synim për afirmimin e vlerave të kombit, shumë prej të cilave, ndonjëherë i mbulon pluhuri, harresa, papërgjegjësia, naiviteti, mbase, fatkeqësisht edhe dheu!:

“Zhvillimi i civilizimit, çlirimi shpirtëror dhe ekonomik, për një popull, gjithmonë ka pasur rëndësi të madhe për të mbijetuar dhe për tu bërë zot i vetvetes e faktor me rëndësi në zhvillimin e gjithëmbarshëm të një mjedisi por edhe të shoqërisë së civilizuar dhe të botës në tërësi. Në këtë aspekt, rol me rëndësi ka pasur e do të ketë edhe më tutje zhvillimi i zejtarisë dhe i degëve të saj. Përmes kësaj dege të ekonomisë dhe kulturës, shprehet fort edhe karakteri e niveli i zhvillimit të një mjedisi, të një populli dhe i kulturës së tij.

Karakteri i shpirtit të një populli, më së miri njihet nga ajo që është normale në te. Andaj, edhe këtu shprehet e madhërishmja dhe e bukura që krijojnë jetën, thotë Imanuel Kant. Zejtaria është një segment monumental i

zhvillimit të përgjithshëm të një populli dhe të një mjedisi, përmes së cilës gërshetohen vlerat jetësore dhe historike. Mu për këtë, pas një kohe të gjatë hamendjeje e mendimi vendosa t"i hyj këtij shkrimi, respektivisht, të vej në shesh aq sa ka mundësi e material, zhvillimin e zejtarisë pejane, e cila, jo vetëm që është interesante përmes periudhave që tregojnë edhe jetën e këtij mjedisi, por është edhe faktor me rëndësi të dorës së parë për zhvillimin e gjithëmbarshëm shoqëror, ekonomik dhe kulturor jo vetëm të rajonit të Pejës, por edhe të tërë Kosovës dhe më gjerë, për çfarë do të argumentojë edhe materiali i radhitur në këtë libër”.

DISA KARAKTERISTIKA HISTORIKE DHE ZHVILLIMORE TË PEJËS

Njëra ndër qendratmë të njohura dhe më me ndikim në Kosovë dhe në rajon, ishte dhe është Peja, e cilanjihet me lashtësinë e saj, me pozitën gjeostrategjike dhe me klimën e përshtatshme që ka, të cilat elemente, së bashku kushtëzojnë zhvillimin e hovshëm kulturor dhe ekonomik të këtij rajoni me ndikim dhe rëndësi të veçantë në Kosovë dhe jashtë saj.


Pjesa e qytetit mbi Hotelin “Korzo” deri tek Ura e Zallit në vitet e 40-ta të shek. XX-të

E kaluara historike e saj, dëshmohet dhe argumentohet me vendosmërinë për qëndrueshmëri dhe stoicizëm të popullit. Në të gjitha periudhat e luftërave, të ndërrimeve politike e historike dhe të lëvizjeve të ndryshme, banorët e këtushëm qëndruan dhe u flijuan për mbijetesë, për çlirimin kombëtar dhe shpirtëror.

Periudha e viteve 1912, e para kësaj, Lidhja e Pejës, Kronika e Lugut të Baranit, shkatërrimet dhe tronditjet në Luftën e Dytë Botërore, por edhe të gjitha lëvizjet dhe luftërat e mëvonshme, mbështesin argumentet për qëndrueshmërinë e popullatës së këtushme, por edhe begatinë shpirtërore të tij, që janë pjesë e rëndësishme e së kaluarës, e historisë së përgjithshme kombëtare.


Peja me syrin e fotoamatorit-1959

Peja, para dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore, por edhe deri në ditët e sotme, duke përfshirë këtu edhe Luftën për Çlirimin e Kosovës të vitit 1998-1999 por edhe më herët dhe deri më sot, dallohet dhe njihet si qendër e zhvillimit të kulturës dhe të vlerave shpirtërore. Kjo qendër e Rrafshit të Dukagjinit, qysh atëherë, në periudhat e përmendura më lartë, dallohet dhe bëhet e njohur me shoqëri të ndryshme kulturo-artistike, me grupe e klube të shumta sportive të të gjitha llojeve.

Sa për ilustrim, të përmendim Orkestrinën e Mandolinave, e cila, me aktivitetin dhe me vlerat e larta artistike dhe muzikore ishte e mirënjohur edhe jashtë Pejës dhe kufijve të

Kosovës. Pastaj, ishte Orkestra Frymore, që, të këtij lloji pak kush e kishte jo vetëm në Kosovë. Ishte atëherë Teatri i Qytetit, i cili me aktivitetin e vet në fushën e artit skenik tejkaloi vlerat komunale, të Kosovës, të Serbisë, dhe në Jugosllavi zuri vendin e parë me shfaqjet e veta teatrore. Të gjitha këto dhe format tjera të aktiviteteve kulturore, këtij qyteti ia vënin vulën e perspektivës të kulturës me vlera afirmative dhe të nivelit në rajon. E tërë kjo rrjedhë e punës dhe e sukseseve vazhdoi edhe pas Luftës së Dytë Botërore. Më detajisht. Në komunën e Pejës, atëbotë veprojnë më se dhjetë

Shoqëri Kulturo-Artistike, Teatri i Qytetit, i cili padyshim se ishte çerdhja dhe burimi kryesor i kuadrove më të mirënjohura të artit skenik në Kosovë dhe më gjerë. Pastaj, dallonin edhe manifestimet e ndryshme tradicionale muzikore dhe letrare, si bie fjala, “Netët e Dukagjinit”, “Mitingu i poezisë revolucionare” dhe Festivali Rajonal i Teatrove amatore.

Vepronin më se dhjetë klube futbollistike, disa prej të cilave garonin në rangun më të lartë të futbollit si dhe shumë shoqëri e klube të tjera të hendbollit, basketbollit dhe atletikës dhe boksit.


Qendra administrative dhe hoteliere-turistike e Pejës(1970)

Të gjitha këto dhe veprime të tjera kulturore, bën që Peja të mos mbetet anonime dhe e panjohur. Por, përkundrazi, ajo u bë qendër me ndikim, e mirënjohur dhe shumë e respektuar për tërë Kosovën, por edhe për ish Jugosllavinë dhe për tërë rajonin. Andaj, vullneti dhe devotshmëria për të arritur edhe më shumë rezultate dhe zhvillime të reja, gjithnjë vinte duke u rritur, duke u fisnikëruar dhe duke u shndërruar në vatër të mirëfilltë kulture e sporti. Këto të arritura, drejtpërsëdrejti ndikonin edhe në intensifikimin e zhvillimit të të gjitha degëve ekonomike e më vonë edhe të atyre industriale. Duket ndoshta anakronike, por e tërë kjo ishte kënaqësi për atë kohë, bazament e përgjegjësi për të ecur më tej edhe sot, edhe nesër. Pra, kjo është një vlerë e cila nuk mund të peshohet.

Të gjitha këto, padyshim se kanë kushtëzuar edhe zhvillimin e segmenteve të tjera, që njeriun dhe shoqërinë e bëjnë të lumtur dhe gjithnjë e më të pavarur. Në saje të angazhimit të popullatës së këtushme, por, gjithnjë edhe në kuadër të vargonjve të gjerë të ekonomisë kosovare, Peja, veçmas në njëzetë vitet e fundit (mendohet për vitet 1970-1990), bëhet faktor me rëndësi për zhvillimin e gjithëmbarshëm shoqëror dhe ekonomik të Kosovës, por edhe të rajonit dhe të një pjese të Evropës.

Për tërë këtë, më së miri tregojnë kapacitetet dhe rezultatet prodhuese të Fabrikës së pjesëve të automobilave, të Kombinatit të lëkurë-këpucëve, Kombinatit bujqësor-industrial, Kombinatit të drurit, të Fabrikës së konstruksioneve të rënda metalike, të Fabrikës së biçikletave, të Fabrikës së tjegullave, dhe shumë organizatave të tjera prodhuese, në të cilat, atëbotë ishin të punësuar mbi dhjetëmijë punëtorë.


Hoteli “Metohija” (tash “Dukagjini”) ishte një prej hoteleve më reprezentativ dhe atraktiv në Kosovë dhe jashtë saj

Përveç kësaj, mbi tridhjetë shkolla fillore dhe pesë shkolla të mesme e një e lartë (tash Fakulteti i Biznesit), ishin rrjedhë dhe pasqyrë më reale për arsimimin cilësor të popullatës, dhe kështu, edhe për sigurimin e kuadrove profesionale dhe të nevojshme për organizatat ekomomike, prodhuese, por edhe për fusha të tjera të zhvillimit të gjithëmbarshëm. Pra, Peja, në atë periudhë e kishte të zhvilluar industrinë metalo-përpunuese, industrinë për përpunimin e lëkurave dhe për prodhimin e këpucëve, industrinë e drurit dhe industrinë ushqimore, të cilat, padyshim se fillet i kanë në zhvillimin e zejeve të ndryshme në këtë komunë, zejet që ishin bazë e themel për këto degë ekonomike dhe industriale, për çfarë do të flitet më gjerësisht në këtë libër.

Edhe në aspektin e zhvillimit të turizmit dhe të hotelerisë, Peja shquhet (shquhej) si një prej qendrave më të njohura në këtë pjesë të Ballkanit dhe të Evropës. Për këtë, më së miri flasin, apo më mirë të themi, e vulosin epitetin e qendrës turistike, Bjeshkët e Nemuna, hotelet dhe motelet dhe shumë objekte të tjera hoteliere, të cilat, në ato kohëra (para luftës në Kosovë dhe para suprimimit të autonomisë së Kosovës nga ana e okupatorit), kurorëzuan zenitin e shërbimeve hoteliere dhe turistike anë e kënd ish-Jugosllavisë.

Qysh në kohën e sundimit turk, por edhe më vonë, në këtë qytet kanë punuar shumë kateteri, pastiqeri, kuzhina dhe hotele, të cilat, pastaj, qytetin rrëzë Grykës së Rugovës e bënë bartës kryesor të hotelerisë dhe të turizmit kosovar.

ZEJTARIA E KA MBAJTUR GJALLË POPULLATËN

DISA ASPEKTE PËR ROLIN E ZEJTARISË NË ZHVILLIMIN E RAJONIT, KOSOVËS DHE MË GJERË I THEKSON Prof. SALIH LIKA

Me këdo që flet për rolin dhe rëndësinë e zejtarisë pejane, ata me admirim por edhe me fanatizëm theksojnë të arriturat në këtë fushë. Kështu mund të flasin të gjithë qytetarët e të gjitha profesioneve, e lëne më ata që zhvillimin historik të Pejës e kanë studiuar


Prof. Salih Lika, njohës i rrethanave historike të Pejës

dhe shënuar e kujtuar gjithnjë, siç janë intelektualët, e në veçanti krijuesit dhe punëtorët e arsimit. Njëri prej tyre është edhe profesori i gjeografisë, Salih Lika, i cili është njohës i mirë i rrethanave historike dhe i të gjitha rrjedhave në Pejë.


Në kohën kur kemi biseduar me këtë punëtor të devotshëm të arsimit, pra, para pesëmbëdhjetë vitesh, atëherë kur e grumbulluam materialin për botimin e parë të “Zejtarët e Pejës”, me admirim priste të fliste për të gjitha që i dinte ai, por edhe për ato që i kishte dëgjuar e mësuar nga më të vjetrit, të cilat të dhëna vetëm sa e madhështojnë dhe e begatojnë materialin për historikun pejanë, për çfarë, veçmas në arkiva ka pak material me bazë meritore për të pasqyruar saktësinë e rrjedhave të zhvillimeve të zejeve dhe të zejtarisë e të fushave të tjera përgjithësisht.


Monedha të vjetra

Megjithatë, ai shpalosi një pjesë të kujtesës së tij, por edhe të asaj që kishte mësuar e studiuar për Pejën. Të flasësh për Pejën dhe zejtarinë pejane, thotë prof. Salih Lika, me siguri se duhet kohë por edhe nevojitet të sigurosh material e dëshmi. Duhet tubuar të dhëna. Prandaj, kushdo që flet, është e pamundur të jetë komplet dhe të mos lëshojë diçka pa thënë, pa theksuar. E, ndoshta ndonjëherë, edhe të dhënat më të qenësishme, më të rëndësishme. Për këtë arsye, siç thatë edhe ju, vazhdon profesori, edhe në këtë libër është e pamundur të përfshihen të gjitha. Por, kjo le të jetë bazament dhe një dokument i cili do të provokojë edhe krijues të tjerë për t’i hyrë këtyre gjërave kapitale për kulturën, por, para se gjithash për historinë tonë, për historinë e Pejës.

Mungesa e të dhënave, e të cilat, eventualisht nuk përfshihen në këtë libër, në asnjë moment nuk duhet të konsiderohen si mangësi apo si zvetënim i veprës. Përkundrazi. Një vepër e tillë madhështon dhe përjetëson vlerat tona për të ecur më me sukses drejtë ndriçimit të së kaluarës dhe drejtë zhvillimit të mirëfilltë të vendit. Sepse, duke qenë njohësh i mirë i rrethanave kohore jo vetëm në Pejë dhe për zejtarinë pejane, prof. S. Lika, si në trajtë almanaku, vë në spikamë shumë karakteristika për të na kujtuar begatshmërinë historike dhe vlerat e mëdha dhe të pamohueshme shpirtërore dhe kulturore:

S’ke bërë gjë pa qenë n’pazar të Pejës!

Gjithmonë thonë se në Pejë është bërë Pazar i mirë. Për këtë, në këtë qytet janë dy ditë pazari. Ditën e shtunë, është Pazari i Madh, kurse ditën e mërkurë, është Pazari i Vogël!

Andaj, çdo njeri, po nuk e vizitoi pazarin e Pejës, kanë thënë se asgjë nuk ka bërë, ...për asgjë nuk është i informuar,..., nuk di fare se ç’është pazari as tregu!...

-Monedhat e gjetura në gërmadhat e vendit të quajtur Gradinë, ose, Ara e Turjakëve, tani, respektivisht, atëherë ku gjendej Fabrika e Baterive Industriale, të cilat monedha janë të kohës së Justinianit, tregojnë dhe dëshmojnë se Peja ka qenë vendbanim i qytetëruar që nga kohërat e lashta, që nga kohët shumë të hershme...

Kjo, mund të jetë edhe përgjigjja se Peja, si qendër e civilizimit, por edhe si qendër tregtare, daton që nga kohët e hershme. Mu për këtë, edhe roli i zejtarisë në zhvillimin e përgjithshëm është i pamohueshëm.

-Arsye tjetër, është se Peja ka një pozitë shumë të përshtatshme gjeostrategjike, sepse, ajo gjendet në veriperëndim të Rrafshit të Dukagjinit. Kështu që, nga veriu, lidhet me Sanxhakun përmes Qafës së Zhlebit, ose, të Padalishtes me Tutinin, Sjenicën dhe me Rozhajën.

Ndërkaq, nga perëndimi, përmes Grykës së Rugovës, lidhet me Qafën e Qakorrit, respektivisht, me Qafën e Diellit, me Plavë, Guci, e nëpërmjet kësaj treve, me Lugun e Pejës me Malësi të Shqipërisë, që të shpie për në Shkodër.

...Gjatë ndërtimit të Hotelit “Oniks” në Banjë të Pejës, vlen të përmendet se janë gjetur dy varreza, në të cilat janë zbuluar gjëra prej argjendi dhe qelibari. Kjo tregon se këtu ka ekzistuar një qendër tregtare dhe banja shëruese, në të cilën kanë ardhur për tu shëruar dhe për tu kuruar tregtarë të mëdhenj dhe të njohur.

Atëherë, shumë zeje, të cilat sot janë shndërruar në industri të tëra, jo vetëm se kanë luajtur rol të madh në zhvillimin ekonomik, por ato kanë pasur edhe ndikim të veçantë në zhvillimin e shumë sferave shoqërore, por edhe të segmenteve të administratës dhe të pushtetit. Kështu, tabakët kanë qenë “pushtet”, sepse përpunimi i lëkurës ishte zeje shumë e zhvilluar dhe me rëndësi strategjike.

Ndër tabakët e parë ishte, Avdyl Bajraktari. Në atë kohë, tabakët kishin rregullore dhe statut të vetin, me të cilat ndihmonin dhe ndikonin edhe në rregullimin shoqëror, respektivisht në rregullimin e rendit “legjislativ” tek popullata. Kështu thotë, Zija Shkodra, përpilues i librit mbi esnafët në Shqipëri dhe Kosovë.

Që nga herët, Esnafi i tabakëve, ka qenë organi më i afirmuar, përmes të cilit janë rregulluar rrjedhat jetësore dhe marrëdhëniet ndërnjerëzore.

Peja, në atë kohë, respektivisht në shekullin e XVIII-të, kishte afro pesëdhjetë dyqane tabakësh, gjë kjo e cila qartë tregon për peshën e kësaj zejeje dhe për zhvillimin e zejeve të tjera më vonë, të cilat bëhen hallkë e kësaj të parës për zhvillimin e gjithëmbarshëm.

Se sa ka qenë zejtaria e zhvilluar, dëshmojnë dhe na tregojnë edhe datat, gjegjësisht vitet kur edhe janë djegur pazaret dhe dyqanet e zejtarëve të këtij qyteti. Pazari-Tregu i Pejës është djegur në vitin 1851, 1863, dhe në vitin 1881.


Xhamia e Shatërvanit me dyqane zejtarësh përreth (Një ditë tregu në vitet e 40-ta të shek. XX-të)

Po ashtu, edhe në vitin 1936 zhduken nga flaka e zjarrit shumë dyqane zejtarësh, kurse, në kohën e Luftës së Dytë Botërore, në vitin 1943, janë djegur të gjitha dyqanet përreth Shatërvanit bashkë edhe me Xhaminë, në të cilën kthenin zejtarët dhe shumë tregtarë nga rajoni dhe më gjerë për t’i bërë shërbesat fetare dhe për t’iu lutur Zotit për paqe e mirëqenie. Po në këtë vit, janë djegur edhe dyqanet përbri jazit, ku sot gjendet objekti i Shoqatës së Zejtarëve “Iliriana”.

Do theksuar se, zhgunaxhinjtë, terzinjtë, saraçët, këpucëtarët, rrobaqepësit, bukëpjekësit, berberët, zdrukthëtarët e shumë të tjerë, përbënin tërësinë e civilizimit, të kulturës dhe të historisë së zhvillimit të gjithëmbarshëm të Pejës me rrethinë.

(Vijon)


137 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page