“Forcat më të errëta të fashizmit, të udhëhequra nga Kisha Serbe po kthehen në Mal të Zi”
Në ceremoninë e shugurimit të Mitropolitit të Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi, Joanikije priftërinjtë kënduan një këngë, në tekstin e së cilës thuhej “kur ushtria kthehet në Kosovë”.
Në një situatë të tensionuar në Cetinje, policia po përdorte gaz lotsjellës para manastirit ndaj qytetarëve që po protestonin paqësisht. Lidhur me këtë kanë ardhur edhe reagimet nga politikanët e Kosovës.
Ish-ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj me një shkrim në Twitter ka thënë se, kjo këngë është bërë nga Rusia dhe se është interpretuar nga përfaqësuesit e tyre në Mal të Zi.
“Forcat më të errëta të fashizmit, të udhëhequra nga Kisha Serbe po kthehen në Malin e Zi! Kënga për kthimin e ushtrisë serbe u bë nga Rusia dhe u interpretua nga përfaqësuesit e tyre në vend”, ka reaguar Hoxhaj.
Kurse, ish-udhëheqësja e Grupit Negociator, Edita Tahiri ka thënë se Serbia po synon destabilizimin e vendeve fqinje dhe se presidenti Aleksandar Vuçiç po merr pjesë në agjendën hegjemoniste të ndërtuar nga Slobodan Milloshevic.
“Nuk ka fund ndërhyrja e Serbisë në vendet fqinje. Akti i sotshëm i agresionit në Mal të Zi përmes Kishës Ortodokse Serbe në Cetinje, në kryeqytetin e Kishës Ortodokse Malazeze, synon destabilizimin. Aleksandar Vuçiç po merr merr pjesë në agjendën hegjemoniste të Millosheviçit”, ka shkruar Tahiri në Twitter.
Sipas Veton Surroit, të bekuar janë edhe robokopët, sipas versionit të Kishës Ortodokse Serbe. Trazirat në Cetinje për shkak të fronëzimit të Mitropolitit po vazhdojnë që nga dje, dhe ato vazhduan herët në mëngjes.
Ndërkohë qytetarët vazhduan të protestojnë edhe pse kurorëzimi kishte mbaruar.
Duhet kujtuar se organizatat dhe shoqatat kombëtare malazeze, pothuajse e gjithë opozita dhe Komuna e Cetinje kërkuan nga Kisha Ortodokse Serbe që të zhvendoste fronëzimin e Mitropolitit në disa tempuj në qytete të tjera malazeze.
Comments