Komiteti i Ekspertëve merr vendimin: Fluturimet me Britaninë, të pezulluara deri më 1 shkurt
Komiteti Teknik i Ekspertëve ka vendosur të mos hapë fluturimet me Britaninë e Madhe. Lajmin e dha ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, e cila theksoi se fluturimet me Britaninë do të jenë të pezulluara deri më 1 shkurt, për shkak të përhapjes së koronavirusit të ri në këtë vend.
“Fluturimet me Britaninë e Madhe do të mbeten të pezulluara deri më 1 shkurt. Më pas do të kemi një rivlerësim mbi këtë vendim”, tha Manastirliu.
Në fjalën e saj specialistja e ISHP-së, Silva Bino u shpreh se ditët e fundit është vënë re rritje e rasteve me Covid-19 në grupmoshën 15-24 vjec.
“Është vënë re rritje e rasteve me Covid në grupmoshën 15-24 vjec, grupmoshë që ka patur një qëndrueshmëri gjatë kësaj kohe. Karakteristikë për këtë periudhë. Pavarësisht rritjes që vëmë re edhe në grup mosha të tjera.
Kjo lidhet me shumë faktorë, mes tyre edhe festat e fundvitit, por kërkon sa më shumë kujdes. Është një grup që frekuenton edhe shkollat e mesme, është një situatë që kërkon kujdes.” u shpreh Bino, ndërsa theksoi varianti i ri i Sars Cov 2, nuk është evidentuar deri më tani në vendin tonë.
“Sa i përket variantit të ri të Sars Cov 2, i evendentuar në Britani, kemi gjurmuar raste po nuk na kanë rezultuar me këtë variant. ISHP mund të dallojë nëse kemi të bëjmë me këtë variant të ri apo jo. Natyrisht do vijojmë të gjurmojmë të rinj apo persona me histori udhëtimi.”- tha Bino.
Comments