top of page

Fletëza eseistike


Prend BUZHALA: POEZIA DHE KËRKIMI I QETËSISË (Fletëza eseistike), 5

Kundrimet, meditimet dhe bashkëbisedimet e poetit për qetësinë dhe lumturinë, shtrihen horizontit të pasionit të kërkimit dhe depërtojnë thellësive të këtij pasioni, si përvojë misteresh, si grishje e vetvetes tek humb këtyre thellësive dhe shtrirjeve, ...deri te një dritë që i shkëndijëzon tek vegimet, tek koka dhe udha e shpirtit...

1. Poezia dhe kërkimi i qetësisë. E pra, POEZIA DHE KËRKIMI I QETËSISË janë vlera të shpirtit, të papërsëritshme. Paradoksalisht: kundërshtari yt është edhe ndihmësi yt më i mirë!!! Sa e sa herë është theksuar se në heshtje qetësia e shpirtit e gjen rrugën në një dritë më të qartë... Jeta është një kërkim i gjatë dhe i rëndë për të vërtetën. Mahatma Gandhi thotë se "Në kohën e duhur qetësia ka elokuencë më shumë se të folurit". Në qetësi njeriu e ruan më lehtë qenien e tij, shpirtin e tij, integritetin e tij, ...pas një dite të mërzitjes e gjithë nervozë... Por, të mos harrojmë: tjetri që përballet me ty, ai i forcon nervat tua, e bën më mendjemprehtë e më të shkathtë aftësinë tënde: "Nervoza tek ne është e përsosur" e thotë këtë mahnitshëm edhe poeti... Gjithsesi, poeti është për të dy sfidat: sfidën e përballjes dhe sfidën e qetësisë... Poezi nga DRITËRO AGOLLI (1931-2017):

QETËSIA

Sythi s’dëgjohet kur del nëpër pemë, del qetësisht; Molla s’dëgjohet kur skuqet në degë, skuq qetësisht.

Gruri s’dëgjohet kur mbin nëpër arë, mbin qetësisht. Drita s’dëgjohet kur vjen në dritare, vjen qetësisht.

Nata s’dëgjohet kur zbret nëpër male, zbret qetësisht; Jeta s’dëgjohet kur humb dalëngadalë, humb qetësisht…

2. Në krijim kjo qetësi botëkrijuese na ligjëron që atë duhet ta kërkojmë në valët e frymëzimit, brenda vetes, në ritmin krijues të natyrës, në ritmin e lumturisë... “Qetësia e përsosur në brendinë tënde, konsiston në rregullimin e mirë të mendjes, në mbretërinë e vetvetes”( Marcus Aurelius). Poeti zgjedh qetësinë ose shqetësimin poetik. Madje, e zgjedh të arën, edhe kur krejt bota përreth mbërthehet nga trazirat. Poezia është energji që krijon fuqinë e kësaj qetësie. Ti e kërkon atë qetësi mu në mesin e furtunës. I dorëzohesh këtij besimi, natyrës, paqes së brendshme, aty ku ti jo vetëm që do të jesh vetvetja, por edhe do të qëndrosh në vatrën e zemrës sate. Aty e gjen çelësin, ndërkohë që të pasutrit, bie fjala, do të jenë vazhdimisht në ankth apo në stres. Qetësia (agolliane e mësipërme) është drejtpeshimi i natyrës, qenies dhe jetës. I mendjes dhe frymëzimit. Do të jesh në paqe me veten, natyrën, kozmosin, jetën, krijimin. Kurse poeti e ka atë forcë për të dhuruar paqe e qetësi, me besimin që ka krijuar te lexuesi apo te njerëzit.

26 views0 comments

Kommentare


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page