FLETËZA NGA DITARI I PËRZHITUR (8)
NË SHTËPINË E DJEGUR VJEDHJA DHE DJEGJA E LIBRAVE
Kur lufta nisi të ketë shtrirje gati në gjithë hapësirën e Kosovës, edhe këndej pari, në mos më shpejt, se i përkisnim territorit Drenicë, ku ishte epiqendra e kundërvënies me aksione me armë, të pushtetit serb.
Na lajmëruan në mëngjesin e 8 majit 1998, se nga Gryka e Llapushnikut janë nisur hordhitë armike serbe. Me shpejtësi mblodhëm ato të domosdoshmet dhe, me të shpejtë morëm rrugën për Lagjen e xhamisë, që ishte rrëzë Bjeshkës së Berishës, ku, në rast nevoje edhe mund të merrnim malin përpjetë.
Atë natë bëmë konak tek një i njohur aty e të nesërmen, për ta hetuar gjendjen e vërtetë, njëri djalë ishte future vjedhurazi në lagjen tonë, përkatësisht në shtëpi. Ç’të shihte aty?! Deri ishte thyer dhe e hapur. Në dhomën time të fjetjen në katin e parë, të cilën e kisha kthyer njëkohësisht edhe në një bibliotekë dhe dhomë pune, ku gjithë muret, anë e mbanë, i kisha veshur me lëpiza për radhitjen e librave, nga fundi e deri në plafonin e dhomës.
Duhej thënë se e kisha një bibliotekë relativisht të pasur, e cila kishte fillnisjen që nga fëmijëria ime. Unë, lojërat e para, në mungesë të lodrave aso kohe, ishte shtatori i 1947-tës, e bëja me disa libra që nuk di nga i kishte siguruar babai im, Islam Gashi (1920-1998) mësues veteran, radhitur në dhomën e gjumit. Me to mbaroja ‘shtëpi’, ‘ura’, ‘kulme pojate’ e tjerë. Ato, në të vërtetë vonë e kupova se ishin libra të rralla, të botuara kryesisht në vitet e ’30 të shekullit XX, si: “Visaret e Kombit”, në disa vëllime, Shkodër 1937, “Lahuta e Malcis” e Gjergj Fishtës, Shkodër 1937, “Nevruzi” roman i Mehdi Frashërit, Tiranë 1926, tragjedia në vargje “Naimi poeti - njeri” e Gjergj Komninos, botuar në Firenze 1943, vëllimi më tregime poetike “Lule dhe gjemba” e Stavro Th.(oma) Frashërit, Tiranë 1944, “Kosova djep i shqiptarismit” e Hamit Kokalarit, Tiranë 1943, “Shqipërija e vërtetë - Nëna Kosovë” e V.(asfi) Smim Visokës, Tiranë 1943, “Besa a fea e shqiptarëve të vjetër” e Ll.(azar) Siljanit, Sofje 1907, “Shqiptarët” e George Fred Williams (shqipëruar nga Shaban Balla), Tiranë 1934, romani “Burgu“ i Haki Stërmillit, Tiranë 1935, “Hitoria e Shqypnis” e D.(om) N.(doc) N.(ikaj), Bru(k)sel 1902, “Mallkimi i shkronjave shqipe dhe çpërfolja e shqiptarit” e Petro N.(ini) Luarasit, Manastir 1911, Martin Camaj “Nji fyell ndër male”, Prishtinë 1953 dhe ”Kanga e vërrinit”, Prishtinë 1954, “T’nnollunat e Scypniis” prej gni Geget qi don vennin e vet, Skenderie 1898, “Lulet e pasosme” poezi nga Nikollë Ivanaj, Tiranë 1944, “Familja Curi” e Niman Ferizit, Konstancë 1935, “Jerina ose mbretnesha e maleve” e Gj. Fishtës, Shkodër 1941, “Juda Makabe” tragjedi e Gj. Fishtës 1914, Louis Arbanas “Deutsch-albanisches und albanisch-deutsches Wörterbuch” - Wien-Lajpzig, 1916, e tjerë.
Pastaj unë kisha radhitur afro dy mijë libra të blera ndër vite, duke filluar nga enciklopeditë e Larousit, ato të Entit Enciklopedik të Jugosllavisë, veprat shumëvëllimëshe të Erik Maria Remark, Franc Kafkës, Fjodor Dostojevskit, Sergej Jesenjinit, Vladimir Majakovskit, kolanën prej dhjetëra librash me titullin e përbashkët “Knjizevnost i civilizacija”, kompreletin e K.G. Jungut, Johann Volfgang Goethe-es, veprat e Erich Fromit, Fridrich Nische, Arnold Hauzer e shumë autorë të tjerë. Po ashtu aty radhiteshin edhe kompletet e veprave të rilindësve shqiptarë (Naim Frashri, Sami Frashëri, Fan S. Noli, Asdreni, Gjergj Fishta, Mihal Gramenos, Shtjefën Gjeçovit, etj.). pastaj kompleti i Petro Markos, Sterjo Spasses, Ismail Kadaresë, e tjerë, botime këto të “Rilindjes” së Prishtinës, duke i radhitur edhe qindra vepra të tjera teke të krijuesve botërorë dhe shqiptarë, qofshin edhe në gjuhën serbokroate, të cilën e njihja deri diku. Pasonin edhe fjalorët një gjuhësh dhe dy gjuhësh. Biblioteka ime krijonte edhe një veçanti, ngase kishte periodikun shqiptarë të Kosovës, nga revista letrare “Jeta e re” që nga nr. 1/1949, pastaj revista shkencore “Përparimi”, siguruar nga babai im që nga fillimi.
Kur nisi paksa njëfarë liberalizimi dhe marrëdhënie mes Shqipërisë dhe Jugosllavisë, parapagova dy organe të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, revistën prestigjioze njëmujore “Nëntori” dhe gazetën javore “Drita”, për disa vite. I kisha siguruar të gjitha botimet e revistën letrare-shkencore “Jehona” e Shkupit dhe shumë periodik të përzgjedhur, sipas tematikave me interes, të botimit jugosllav.
Ne dhomën r gjumit – bibliotekë personale- studio pune, kisha vendosur në kënd një tavolinë me shumë sirtarë. Kisha edhe një makinë shkrimi të markës “Biser” të Bugojnos.
Kisha lidhur në formë dispense, pasi i kisha shtypur me makinë dhe i kisha formatizuar si libër, dy vëllimet e mia poetike: “Kosovarçe” dhe “Gjithmonë mbetet diçka e pathënë”. Po ashtu bëra gati për botim vëllimin me ese, titulluar “Traseja e mendimit” dhe, më kryesorja, bërë gati për ta mbrojtur disertacionin e doktoratës “Formacionet stilistike të poezisë së viteve ‘30”, pas një pune dy vjeçare, aprovuar nga Këshilli shkencor i Fakultetit Filologjik në Prishtinë, të cilët edhe kishin emërtuar komisionin shkencor për mbrojtje.
Ndërkohë na duhej të ndërronim lokacion, ngase ushtria serbe veçsa kishte formuar pikat pozicionale në dy anët e lagjes sime, kah ana e varrezave, prej ku bëhej kontrollimi i lëvizjeve në aksin rrugor Rahovec – Prishtinë, dhe tjetra karshi lagjes sime, te rrushnat, ku vështrohej gjithçka nga lëvizjet në lagje dhe më tej.
Sido që të jetë, meraku ishte më i madh se gjithçka tjetër, që motivonte edhe sakrificën shpesh me arsye të verbër, duke rrezikuar vetëm sa për ta parë shtëpinë dhe gjendjen e brendshme të saj pas ndërhyrjes apo edhe shpëtuar ndonjë dorëshkrim, që nuk bëhej më.
Një djali im kishte vendosur ta vizitonte shtëpinë duke bërë desantin, me lëvizje të matura, herë tej një shkurre e herë pas një bregu, sa për të arrirë cakun.
Në shtëpi ai pa vetëm një ndryshim, jo pa çudi: biblioteka ishte vjedhur me përgjysmim. Të gjitha librat kapitale me vlerë nga krijuesit botërorë të përkthyera në gjuhën serbokroate, që ishin blerë shumë shtrenjtë, ishte vjedhur të tëra, ndërsa aty mungonte edhe makina e shkrimit…
Një mbrëmje, duke shikuar nga maja e Berishës kah lagja ime, përmes dylbive që i kishte një fshatar, pamë që shtëpia digjej e tëra në flakë, pasi që dukeshin fillimisht gjurmët e granatimit. Tashti shpresa për gjithçka kishte brenda u shuajt.
***
Kur u kthyem, pas mbarimit të luftës, në shtëpinë e djegur gjetëm vetëm një grumbull shpuze letre nga librat e grumbulluar stivë mes dhomës dhe, mbi to, qenë i ngordhur i shtëpisë, i djegur me to, që kundërmonte erë të keqe tërë oborrit.
Ato ishin gjithçka, nga fletët, dorëshkrimet e mundit tim profesional e krijues me përkushtim, e deri të të gjitha ato vlera letrare e shkencore të letërsisë shqiptare dhe të huaj.
Piromanët nuk kanë tjetër mision dhe tjetër kënaqësi, vetëm të asgjësimi i vlerave njerëzore e kulturore.
Legjenda:
1. Disa nga veprat e vjetra të bibliotekës ë babait tim
2. Shtëpia e grasatuar nga larg pastaj e djegur e tëra
Comentarios