FLETËZA NGA DITARI I PËRZHITUR (4)
REFUZIM I SË SHËMTUARËS PËRMES KULTURËS
Nga Sinan GASHI
Në këto vite të rënda, për t’i motivuar nxënësit nnë mësim sa dhe për t’i larguar paksa nga atmosfera emocionale e tendosur, u mendua që të bëjmë ndonjë aktivitet jashtë mësimor, brenda atyre mundësive që krijonte ambienti shkollor dhe situata e krijuar.
Fillimisht u hartua një program, ku u radhitën aktivitetet që duhej të bëheshin radhë-radhë, duke filluar nga orët letrare, si dhe me krijuesit mysafirë, që kjo çështje do të krijonte një seriozitet dhe njëkohësisht paksa një relaksim.
U fillua me poetin kombëtar Gjergj Fishta, pastaj me Naim Frashërin e tjerë, kur punimet e tyre i lexonin pastaj edhe krijuesit e rinj. Ndërsa, në bashkëpunim me shoqatat e tjera jashtë shkollës, organizohen manifestime me rëndësi, që në të vërtetë zbërthenin edhe disa enigma gjatë historisë. Kështu, në bashkëpunim me degën e Forumit të Intelektualëve Shqiptarë, u organizua një sesion shkencor për Luftën e Drenicës dhe Shaban Polluzhën, ku u lexuar dhjetëra punime shkencore nga historianë, studiues letrarë, me pjesëmarrës nga Instituti Albanologjik, Instituti i Historisë së Kosovës, nga dega e Historisë së Fakultetit Filologjik të Prishtinës e tjerë. Me atë rast titullar shkencorë, me tema edhe hulumtuese, nxorën në pah shumë të vërteta për atë ngjarje të veçantë kombëtare, të cilat ishin anashkaluar apo edhe zhdukur dekada më parë. Ajo luftë antikomuniste, dhe njëkohësisht antisllave, u vështrua nga kënde të ndryshme, madje edhe në atë të folklorit, i cili ruajti diçka nga historizmi në tekstet e këngëve.
Pastaj, po sipas atij programi, po në sallën e bibliotekës së shkollës, u mbajt edhe një orë e madhe letrare, ku morën pjesë shumë anëtarë të Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës si dhe krijues të tjerë, duke filluar nga Rifat Kukaj, Zeqir Gërvalla, Flora Brovina, Ajri Begu, Frrok Kristaj, Hajro Ulqinaku, Arif Demolli, Rushit Ramabaja, e të tjerë.
Brenda forcave shkollore, në orën për Gjergj Fishtën, për jetën dhe krijimtarinë e tij, mbajti një fjalë Sinan Gashi, ndërsa që diskutuan edhe Ymer Krasniqi e Sahit Berisha, profesorë në këtë gjimnaz. U vijua me recitimin e fragmenteve nga veprat e Fishtës. Ishte me interes edhe diskutimi për anatemimin e poetit për dekada të tëra. Ajo që dukej simpatike ishte pjesëmarrja në diskutime e nxënësve, të cilët u pa se kishin njohuri të sakta dhe qartësi për ideologjinë antishqiptare, që ishte instaluar edhe në arsim.
Edhe një aktivitet u duk se motivoi suksesshëm nxënësit që të bëjnë gara të heshtura për të qenë më të mirët në mësim. Mu për këtë, në ditën e shkollës, 22 prill, nxënësve që ishin dalluar me suksesin e shkëlqyeshëm, me disiplinë dhe me aktivitete të tjera në shkollë, u ndaheshin ‘Falënderime’ nga drejtoria e Gjimnazit, në mënyrë ceremoniale.
Edhe pse në rrethana të papërsëritshme më, kur pushteti serb synonte të zhbënte gjithçka njerëzore e veçmas kombëtare në Kosovë, aktivizimi i rinisë shkollore sikur ua forconte besimin se nuk do të ndalojmë në asnjë formë, për ta ruajtur gjuhën, shkollën dhe vendin e tyre.
Mbase edhe kjo ndikoi më vonë, që po ata nxënës të shihen me uniforma ushtarake në sheshin e luftës, duke sakrifikuar edhe jetën për pavarësi.
Legjenda:
1.Ndarja e Falënderimeve nga drejtori i gjimnazit
2. Kujtim pas ceremonisë
3. Shkrimtarët Hajro Ulqinaku, Frrok Kristaj dhe Sinan Gashi
Comments