top of page

Fjalori frazeologjik anglisht-shqip i prof.dr Eshref Ymerit si një shërbesë e vyer


Mira Meksi

Fjalori frazeologjik anglisht-shqip i prof.dr Eshref Ymerit si një shërbesë e vyer për gjuhën shqipe.


Shkrimtari dhe Fjalori


Në nëntor të vitit 2019 u vu në qarkullim nga botimet “Bota shqiptare” fjalori frazeologjik anglisht-shqip i prof.dr Eshref Ymerit, i cili mban kaluar 25mijë shprehje frazeologjike. Kushdo që merret sadopak me gjuhësi, apo është thjesht një lexues i mirë, e kupton se bëhet fjalë për një vepër nga më madhoret në këtë lami, nga ato që kërkojnë për t’u hartuar domosdo një dituri të jashtëzakonshme të fushës, një përvojë të shumëgjatë dhe po aq të jashtëzakonshme sa dituria, një vullnet titanësh dhe një jetë pothuaj asketësh, - me pak fjalë kërkojnë një hero me gabaritin mitologjik që të bëjë një nga “punët e Herkulit”. Apo thjesht një të “marrosur gjenial”pas gjuhës shqipe, që e ka shpallur atë nënë e atë. Nuk është asfare e habitshme, autori i kësaj mega pune I ka të gjitha këto cilësi, është një shkencëtar i mirënjohur në fushën e filologjisë, por edhe në atë të përkthimit.

Shërbimi që i ka bërë gjuhës shqipe ky Herkul modern, përpos asaj ndaj punëtorëve që operojnë me gjuhën, është nga më të çmuarit: ka qëmtuar, ka nxjerrë, ka vlerësuar, ka matur peshën dhe forcën që ruajnë në kohën e sotme njësitë frazeologjike, të cilat mbajnë të ngërthyer në thelbin e tyre tërë historinë kulturore të shqiptarëve, qytetërimin e tyre. U ka rënë fort këmbanave të hulumtive të tij, që jehona e tyre etimologjike të dëgjohet e qartë në kohën e sotme; në fund të fundit, i ka mbrojtur nga Harresa. Ka shkuar, gjithësesi, shumë më larg në punën e tij për t’i përshkruar, për të ndikuar dhe për të ndërhyrë në paraqitjen e tyre – ka dhënë raportin midis gjuhës shqipe dhe njërës prej gjuhëve më të rëndësishme të njerëzimit në ditët e sotme, asaj që e konsiderojnë si lingua franca, që ndikon te të gjitha gjuhët e botës, gjuhës angleze. Nëpërmjet njësive frazeologjike, fjalëve të urta apo proverbave. Nëpërmjet barabitjes së tyre, nëpërmjet gjetjes, shpesh të paimagjinueshme për nga saktësia, të barasvlerësve…


I mirënjohuri prof.dr Hajri Shehu, në parathënien që i ka bërë këtij Fjalori të jashtëzakonshëm me rreth 1300 faqe, mijëra njësi frazeologjike, fjalë të urta e proverba angleze dhe mijëra barasvlerës shqip, ka shpjeguar shumëçka, duke e ndihur mrekullisht përdoruesin e fjalorit apo thjesht lexuesin e tij, të kuptojë çdo hallkë dhe syth të thurimës së tij të pazakontë. Ka shkruar:

“ Me këtë Fjalor, frazeologjia shqipe dhe leksikologjia shqipe barabiten denjësisht me frazeologjinë angleze dhe leksikografinë angleze”.


Shkrimtari dhe fjalori


Kur flitet për një fjalor gjuhësor, apo një fjalor të veçantë frazeologjik, sidomos të këtyre përmasave, përmendet dobia e madhe që ai i sjell përkthyesve, studiuesve të gjuhës, deri edhe studentëve dhe askush nuk përmend shkrimtarin. E vërteta është se uniteti shkrimtar-fjalor është simbiozë. Shkrimtari pi ujë në fjalor, ndërkohë që ky i fundit ushqehet me ujin e burimit të veprës së shkrimtarit.

Në botën e artit, përgjatë shekullit që lamë pas dhe shekullit të ri, përherë e më qartë po duket se detyra e shkrimtarit është të marrë pjesë në jetën e gjuhës. Ajo që e dallon nga pjesa tjetër e artit, që e bën të veçantë shkrimtarin, në një kohë kur ekziston përballë tij një konkurrencë e ashpër me televizionin dhe kinemanë përsa i përket ngjarjeve, personazheve, apo edhe pikëpamjeve mbi botën dhe shprehjes së ndjenjave, është pikërisht shkrimi, shkrimësia, puna e tij me gjuhën. Puna e tij vetiake me gjuhën dhe për gjuhën.

Nuk e kam fjalën këtu për ata shkrimtarë që e përdorin gjuhën thjesht si një mjet komunikimi, gjuhën për hir të gjuhës, për të rrëfyer histori a ngjarje. Këta mund të jenë gazetarë të zotë, skenaristë të mirë, apo edhe krijues trillerash interesantë. E kam fjalën për shkrimtarët që e përdorën gjuhën ndryshe. Për shkrimtarët që për hir të poetikës apo simbolikës, por edhe për hir të rrëfimit, narrativës, e zhbëjnë dhe e ribëjnë thurimën e gjuhës, e përpunojnë dhe e ripërdorin për nevojat e tyre krijuese, të detyruar apo nën presionin e asaj që duan të thonë dhe të shprehin. E kam fjalën për ata shkrimtarë që kanë si mjeshtëri krijimin e veprave origjinale të bazuara tërësisht te fjalët, enët e kuptimit. I kanë quajtur “rojtarët e jetës” së gjuhës, sepse janë pikërisht ata që ndodhen më pranë burimit të saj. Janë shkrimtarët ata që i përdorin fjalët duke patur parasysh dhe duke e shprehur, prejardhjen e tyre. Gjuha është e gjallë, është përherë në lëvizje, në ndryshim. Gjuha është polemos, luftë, thotë Herakliti. Fjalori, në një farë mënyre, mban dhe përfaqëson gjuhën, një pjesë të madhe të gjuhës, leksikun e saj. Që këtu buron edhe lidhja e shkrimtarit me fjalorin. Fjalori përmbledh edhe raportin e gjuhës që përfaqëson me gjuhët e tjera, me huazimet, përshkruan vlefshmërinë apo prestigjin e një fjale në kohë si edhe vendin e saj në aktualitet. Shkrimtari luan rol të veçantë në krah të specialistëve të gjuhës, në lidhje me gjuhën dialektore përkundër gjuhës së normës ( sot ka në letrat shqipe shkrimtarë që po përdorin me sukses gjuhën dialektore), neologjizmave apo përzierjeve gjuhësore, të cilat e pasurojnë gjuhën.

Prof.dr. Eshref Ymeri

Po le t’i kthehemi Fjalorit frazeologjik anglisht-shqip të prof.dr. Eshref Ymerit. Që kur nisa ta shfletoja përpara tre muajve, e “qava me lotë” mungesën e tij kohës së gjatë kur shkruaja romanin e vështirë “Mallkimi i priftëreshave të Ilirisë”. Romani në fjalë, përpos trillëzimit të mundimshëm që i bën ngjarjeve historike, por edhe personazheve që gjallojnë në to, aq të largëta në kohë, aq të padokumentuara e të humbura në mjegullinat e kohërave, sa që shpesh marrin trajtën e gojëdhanave, është ndërtuar si një bllok i tërë i bazuar në fjalët e një gjuhe që mund të përfytyrohet si shëmbëlltyra e shqipes parake, e protoshqipes, e paprekur nga ndikimet e gjuhës së pushtonjësve përgjatë dymijë e dyqind vjetëve. Njëkohshëm, një gjuhë brenda kohës së sotme, brenda normave gjuhësore, Një ndërmarrje fort e vështirë. Ndërkohë që Fjalori i sipërpërmendur, ku gjendet forma e brendshme e njësive frazeologjike, kuptimi i tyre etimologjik, si shpirti i gjuhës, i papërzier me kuptimin aktual, kuptimi konkret që i shpëton rrjedhës së pamëshirshme të kohës, do të kish qenë një instrument magjik në punën time.

Në poçarinë time të sotme me baltë krijuese ende të paformë: në të majtë kam përherë Fjalorin e Gjuhës së Sotme Shqipe, si një mik të rrallë që “më shpëton jetën”sa herë mbytem nga dyshimet, që më tregon kuptimin e vërtetë, kur idengulitje shpesh absurde “më helmojnë” ekzistencën, që më ndihmon të vërtetoj një intuitë, ta konkretizoj dhe ta zhvilloj gjatë procesit të shkrimësisë; që pasuron me ngjyresa kuptimore teksin tim të fillimit, për ta rafinuar dhe lartësuar…Si një autoritet i sigurtë. Është heroi im.

U bënë tre muaj që pranë dorës së djathtë mbaj Fjalorin frazeologjik anglisht-shqip të prof.dok. Eshref Ymerit. Iu avita atij së pari si lexuese, e rrëmbyer nga një pasion leximi i pavetëdijshëm, faqe pas faqeje. S’do ta kisha besuar kurrë se mund të lexoja kësisoj një fjalor. Për kënaqësinë e leximit. Më mrekulluan, veç të tjerash, edhe historitë e prejardhjes së njësive frazeologjike apo proverbave. Një enciklopedi e tërë. Me siguri s’do të ndalesha gjer në faqen e fundit, sikur ky proces të mos më bënte të ndalesha me dhjetra e dhjetra herë në shtyllat e gjuhës shqipe përbri njësive frazeologjike në anglisht dhe të përsiatesha gjatë. Shtyllat e shqipes përbënin fjalorë të vërtetë sinonimikë. Kishte raste që shtyllat kishin mbi 40 njësi. Një pasuri e vërtetë gjuhësore ndodhej aty. E mrekullueshme, e jashtëzakonshme. Një pasuri që më vinte në lidhje edhe me letërsinë e madhe të botës, me autorët e mëdhenj të gjuhës angleze, me vetveten dhe me intertekstualitetin. Admirova ditë pas dite gjuhën tonë! Përveçse shumë e lashtë, gjuha e Arbërit është tejet e pasur! E pasur sa gjuhët e mëdha të botës, të cilat lashtazi lëmonin vargjet e soneteve të tyre, kur shqipes i duhej të përleshej me dhëmbë e kthetra me zhbërësit e saj ndër shekuj, që të mbijetonte. Admirova zhvillimin e madh të frazeologjisë së shqipes, të letërsisë sonë, të kulturës sonë. Dhe njohjen e pafund të përpiluesit të Fjalorit, “gjuetarit të frazeologjisë”, njeriut të mijëra skedave gjuhësore që i ka gjurmuar, ndjekur dhe vjelë frazeologjitë, fjalët e urta, proverbat në mijëra e mijëra faqet e letërsisë së shkrimtarëve të gjuhës sonë.

Pasuria e madhe e frazeologjisë së gjuhës shqipe e ndryrë në këtë Fjalor rrezikonte të më merrte përnjëmend frymën. E ndjeva peshën e saj të madhe si trysni, kur iu avita si lexuese. Si shkrimtare gjeta aty një burim të madh frymëzimi, ushqimi, dinamizmi: lexoj sinonimet, zbuloj të panjohura, shijoj dhjetra e dhjetra shembuj, nuanca të holla, rizbuloj shpirtin e gjuhës, të historisë, dhe imazhe krijohen në përfytyrimin tim, ndjesi, aromëra…

Ide krijuese me rrënjë të thella në frazeologjinë e gjuhës sime marrin jetë. Dhe balta në poçarinë time të shkrimësisë zë e merr formë.


67 views1 comment

1 comentário


Prof Dr Fatmir Terziu
Prof Dr Fatmir Terziu
18 de fev. de 2020

Prof Dr Eshref Ymeri: E nderuara Zonja Mira,

Jam mrekulluar me magjinë e stilit të fjalës Suaj në analizën që i keni bërë Fjalorit tim. Fjalët e Esesë suaj më kujtuan Konicën e Madh kur fliste për ligjin themelor të stilit, i cili është “arti për të prekur ndjeshmërinë e lexuesit nëpërmjet mënyrës origjinale të autorit”.

Esenë Tuaj kam shumë dëshirë ta karakterizoj përsëri me fjalët e Konicës, i cili, lidhur me studimin që kishte botuar në vitin 1904 në Francë për gjuhët natyrale dhe gjuhët artificiale, në një letër që i dërgonte Profesorit danez Holdger Pedersen më 7 qershor 1906, i shkruante: “… është një studim që qëndron kaluar midis letërsisë dhe filozofisë gjuhësore…”.

Pra, Ju, Zonj…

Curtir

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page