top of page

FJALA E POETIT AGIM SHEHU: NË VITIN E PARË TË PAVARËSISË


Agim Shehu

NË VITIN E PARË TË PAVARËSISË


Agim Shehu, Gjenevë


Kosova mbushi një vit e Pavarur. E besueshme nga e drejta e saj Njerëzore e Ndërkombëtare; e pabesueshme nga ankthi me të cilën e ka pritur gjatë sipër gjakut të saj ku djepet qenë aq afër arkivolëve dhe frymëmarrjen e bënte përmes plagëve. Vështirë të gjesh popull në botë të jetë prerë aq dhunshëm nga Fuqitë e Mëdha duke e ndarë me aq cinizëm nga trungu i vet mijëvjeçar. Më tepër se krim ndaj saj, qe krim ndaj njeriut dhe Zotit, shënuar me gjak të pafaj në ballë të qytetërimit europian. Qe tragjedi e rëndë që riprodhonte vetveten nga një brez te tjetri.

Arësyeja njerëzore e Europës e ndriçuar fuqishëm nga gjykimi i panjollosur amerikan i lirisë, më në fund ndreqi fajin historik duke shpëtuar një komb e duke nderuar vetveten. Kosova është ngritur tanimë më këmbë si shtet sovran dhe po ecën me dinjitet përpara, me mundimet e njeriut që ngrihet nga një gjumë i rëndë me ëndra të trazuara. Është tepër e brishtë ende, por në trup i peshojnë shumë drama që s’e lënë të lëkundet drejt rënies. Beogradi, pushtues këmbëngulës, vazhdon i rri përpara si hije ogurzezë duke thurur metastaza të reja robërimi. Nuk bindet se me Kosovën e rëndë në shpinë i merren këmbët në udhën drejt Europës. E zgjuar me diell lirie në sy, Kosova e sheh botën me gëzimin e rilindjes, duke vështruar andje-këndej herë me shpresë se bota do ta njohë shpejt e gjitha; herë me një lloj trishtimi kur ndjen se në njohjen e saj është dhe «tregëtia» politike! Ajo është e vogël si shtet dhe e brishtë si e lirë që të ngarkojë pazare të rënda për fatin e saj. Të gjithë shohim me sy absurdin, që njohja e Kosovës, pas miratimit vendimtar të shteteve më të rëndësishëm të Europës dhe SHB-ja, më tej bëhet ngadalë, e rralluar si pikat e rralla të shiut në verë. Para mikrofonëve të OKB-së të gjithë trumbetojnë të drejtat e njeriut e të Lirisë(!), kurse praktikisht, te një popull martir me shekuj ngurojnë, apo i druhen Moskës e Beogradit në politikën e tyre. Kisinger thotë saktë se «politika gjeostrategjike e një shteti bëhet sipas përvojës - ngjashmërisë historike dhe interesit kombëtar». Përvoja dhe ngjashmëria historike e popujve me politikën sllave flet për të drejtën e Kosovës kur Beogradi, jo njëherë, ka krijuar plagë e shqetësime. Mirëpo këtë të drejtë të një populli, për fat të keq e zbeh dhe e lë pas interesi brënda çatisë së tyre i vëndeve të caktuara. Në këto ngurime shtetesh për njohjen e Kosovës kërkon shkakun, dhe arësye e vetme të del mungesa e arësyes! Aq më keq kur logjikën e mban lidhur  mosmirënjohja. Aq sa kanë mundur në histori, shqiptarët kanë bërë për të tjerët ndoshta aq sa ata nuk bënin dot për vete, gjer duke u flijuar për ta, dhe këtë e kanë bërë nga shpirti i tyre, pa asnjë llogari shpërblimi. Dijetari francez Citien Robert që më 1852 shkruan se «shqiptarët kanë qënë paracaktuar të formonin bulevardet e fundit të lirive greko-sllave ». Edhe më tej shkrimtari francez V. Berard te «Turqia dhe helenizmi bashkëkohor»,1893: «Në Siujdhesën ballkanike gjëndet një popull i cili nuk ka jetuar kurrë vetë dhe as për vetveten, por roli i tij në tërë shekujt ka qënë të furnizojë parreshtur kombet fqinjë me lëndë të parë njerëzore».

      Dihet se shqiptari i madh Mehmet Ali Pasha me luftëtarët e tij bashkëkombas krijoi Egjiptin e Ri së pari duke e liruar nga zinxhiri otoman; dinastia e tij shqiptare gjatë 150 vjetëve ringjalli emrin dhe vlerat e lashta faraonike drejt qytetërimit modern. Nuk është pak. Tani Egjipti nguron që kombit shqiptar t’i njohë ringjalljen e vet me Pavarësinë e Kosovës ku sundimi serb qe më i përgjakshëm se ai osman. Ngjashmëria historike për mirënjohje dhe detyrim të ndërsjelltë nuk mungon. Mirëpo në kandarin vetiak të Kairos rëndon tjetra. Te Zoti Mubarak vajti dhe Z. Berisha për t’i kërkuar, siç u tha,  njohjen e Kosovës. Mirëpo edhe pse kryeministri ynë i qe regjistruar në Konferencën e tyre Islamike duke shkelur dhe Kushtetutën e vëndit të tij, Egjipti ende nuk është bindur. S’ke ç’u bën. Shqiptarët e dinastisë Gjika (11 princër) e ku shkëlqeu aq lart iluministja europiane Dora D’Istria apo shkrimtari Viktor Eftimiu, bij Shqipërie, e udhëhoqën ndritshëm Rumaninë për rreth dy shekuj. Për lirinë e saj arbërori V. Tudoresku (në s’gaboj emrin) u hodh në erë brënda një kambane të madhe kishe si flijim lirie për rumunët kundër osmanëve. Sot Rumania në llogari të saj ende nguron për Kosovën shqiptare! S’ke ç’i bën. Indisë kombi shqiptar i ka dhënë xhevahirin e rrallë, shenjtoren Nënë Tereza. Siç dihet, të atin e saj e helmuan shovenët serbë, vrasës në vazhdimësi të shqiptarëve. India ende nuk e njeh Pavarësinë e kombit të Shenjtores së saj më të madhe me të cilën nderohet aq shumë në botë. Pa dashje, ajo u bën shërbim vrasësve të Shenjtores së vet, vrasës edhe të mëtejmë mbi popuj të tjerë rreth tyre. Paradokse me shtete të mëdha, por mbi përpjekje më të mëdha tonat, u dashka bërë edhe durim i madh! Shqipëria dikur guxoi, e para fuqive aq të mëdha, dha e para mendimin që Kina të hynte në OKB. Qe kush qe në fuqi ahere, e bëri kush e bëri, atë e ngarkonte në shpinë me tërë pasojat e kohës populli shqiptar, e këtë sigurisht që Kina e madhe dhe e fuqishme sot nuk besojmë se e harron. Mirëpo asaj llogaria ende nuk i del që shqiptarëve t’u njohë Kosovën e Pavarur. Punë e tyre dhe do pritur, sigurisht dhe duke ua kujtuar herë herë. Është po aq habi me Izraelin. Gjatë genocidit nazist kombi shqiptar kudo ndodhej rrezikoi veten e ata i shpëtoi si askush. Ish kryeministri Nediç i shkruante i lumtur Hitlerit se Jugosllavia më në fund është «Juden frei» (pa judej); kurse shqiptarët me qeverinë e tyre të kohës në Kosovë  bënë çmos që të shpëtonin gjer hebreun e fundit. Mbreti Zog i pati dhënë Letër-Njoftim shqiptar gjer Ajnshtajnit me të cilën të ikte jashtë Gjermanisë. Izraeli i mënçur e kupton vetë si shtet nëse këto i ka harruar, apo sot, për interesat e veta të ditës s’ua kthen mirënjohjen dhe detyrimin moral!

Për Greqinë, mosmirënjohja dhe detyrimi ndaj shqiptarëve tanimë dihet. E vetmja në NATO që nuk pranoi bombardimin e Millosheviçit, sot natyrshëm, e fundit në Bashkimin Europian, nuk njeh ende Kosovën e Pavarur; (ajo do ta njohë atë kur ta ndjejë se humbet më shumë nga mosnjohja se me njohjen). Llogaria greke është e përsosur: nga një dele nxjerr shtatë lëkurë. Për një pranim MSA-je të Shqipërisë nguli varrezat e pushtuesve grekë në Shqipëri. Është pohuar nga gjithë bota se shqiptarët Greqisë i dhanë lirinë. Nga 13 prijës-Kapedanë, 12 qenë arbërorë. Greqia i harron këto. Më e keqja është se të dy anët e politikës shqiptare e mbajnë për «Aleat Strategjik»(!) kur Athina rri në fund të njohjes së Kosovës. Politikët tanë, pa dinjitet shqiptari e përgjegjësi kombëtare, shpallin se «me Athinën kemi marrëdhënie të shkëlqyera»(!). Ish Presidenti Mojsiu, me një egzaltim puthadori tha se «nga marëdhëniet shumë të mira me Greqinë duhet të marrin shëmbull tërë fqinjët»(!). Me logjikën e derëshuarit e vulëhumburit tonë në krye, tërë shtetet fqinjë, nën shëmbullin e Greqisë duhet që ende të mos e njohin Pavarësinë e Kosovës; kanë bërë gabim ata që miratuan sulmin e NATO-s mbi Beogradin; ç’kanë refugjatë në vëndet e vet, të mos i legalizojnë por t’i shtrydhin te «7 lëkurët» e t’i kthejnë në stanin e tyre. Ka bërë gabim Italia pa marrë shembullin e Greqisë, që ende pas 5 shekuj, të ketë arbëreshë me shkollat e tyre!..  

        Mendoj se te shteti-amë, më sigurt nga qeveritë, Kosova ka popullin e saj të një gjaku e të një ëndëre, që është gati me çdo tejmundim t’i zgjatë supin për t’u mbështetur në të papriturat. Pavarësia asaj iu dha, po për fat të keq iu vu dhe mbi peshore tregu. Beogradi u lejua që mbi trojet shpallur «të pavarura» të afrohej përsëri me thikë në dorë, si në gosti të përbashkët! Me gjithë arritjet, krerët politikë në paqe s’iu përgjigjën plotësisht meritës historike të luftëtarëve në luftë. Ndoshta ulur ëmbël në karriket s’iu dha të zgjateshin më këmbë, se ç’po ndodh më larg me Kosovën dhe lirinë e saj! Ndoshta besuan nga bota më tepër sa duhej! Zgjidhja e tragjedisë duhej nisur nga rrënjët, nga kish filluar në Vranjë, Kurshumli, Toplicë si një e vërtetë unike, pavarësisht ç’do bënte diplomacia botërore. Një diplomaci e mënçur e një shteti hapat mund t’i hedhë me taktikat e rrethanave të ditës, por sytë duhet të mos i shkëputë nga strategjia e interesave të saj kombëtare. Bëhen shumë vlerësime për lirinë e arritur - kush e shkrepi e nga kush erdhi-?! Por mbetet i qëndrueshëm vlerësimi me lavdi të veçantë historie i USHTRISË ÇLIRIMTARE TË KOSOVËS. Nuk mohohet rëndësia vendimtare e NATO-s me në krye Shtetet e Bashkuara. Por bijtë më të mirë të Kosovës morën armët me alternativën: «Më mirë një fund të tmerrshëm se një tmerr pa fund». Pas kësaj vendosmërie kur një popull më në fund vendos gjer në vetëflijim kolektiv, liria mbetet çështje kohe.  Në këtë vizion, pavarësisht hapave sipas rrethanave të diktuara dhe nga jashtë, udhëheqja e Kosovës, ciladoqoftë, ka detyrë historike dhe kombëtare të patjetërsueshme që të mos e shmangë Betimin e shenjtë të luftëtarëve të UÇK-së «Betohem se do luftoj për çlirimin e tokave të pushtuara të Shqipërisë dhe bashkimin e tyre; do jem përherë besnik, luftëtar i denjë i lirisë;..pa kursyer as jetën të luftoj për t’i mbrojtur interesat e shenjta të Atdheut…e nëse tradhëtoj, qoftë i humbur gjaku im. Betohem!». Tepër bukur.

Me Mitrovicën që orët e para s’duhej lejuar asnjë tregëti a mëdyshje për ta lënë jashtë syrit. Nëse «tryeza» u shfaq plot për zyrtarët, deti ende s’qe bërë kos për shqiptarët! Nëse krerët ndjeheshin të pafuqi, të thirrnin vullnetin e Popullit gjersa hekuri qe i nxehtë. Vetvendosja me Referendum si parim ndërkombëtar në fuqi duhej të qe «pushteti» i parë pas të cilit të vinte çdo pushtet tjetër. Kjo mefshtësi aq dëmprurëse çoi në rimarrjen e vetes nga Serbia, dhe ndodhi paradoksi: nga Gjyqi i Hagës ku viktima çoi vrasësin, vrasësi po e çon viktimën në Gjyqin e Strasburgut! Kohët e fundit Akademia e Beogradit botoi librin e ri me shtrëmbërime të reja historie: «Ilirët - paraardhësit e rremë të shqiptarëve». Ata janë mjeshtër të shpifjes sa dhe mjeshtër në zgjedhjen e kohës për të shpifur. Para Konferencës së Londrës (1913) Vlladan Gjorgjeviçi famëkeq nxori veprën «Fuqitë e Mëdha dhe Shqiptarët» duke e shpërndarë të përkthyer në shumë metropole të botës. Siç dihet, me paturpësinë e një rrugaçi «akademik» duke u nisur nga një përrallë mitologjie shqiptare, thotë se shqiptarët janë «njerëz me bisht», «majmunë që mbahen në pemë me anë të bishtit»!..Mit’hat Frashëri, ende pa shtet e pa Akademi zyrtare, i dha përgjigjen aq dinjitoze e të merituar. Në një darkë diplomatësh europianë dikush thumboi me humor Ismail Qemalin për «shqiptarët me bisht» e ky, duke kapërcyer fisnikërinë e Tij ia ktheu me ironi gjeniu: «Po, shqiptarët kanë «bisht» dhe të saktë, veç pak më tutje nga sa thotë zotnia»(!). Poeti Esad Mekuli në një poezi të mënçur ironizon po ashtu akademikun shpifës serb, se shqiptarëve të vuajtur në Jugosllavi bishtin e sqeparit të punës që u duket pas te brezi ua marrin për «bisht»! Më tej, Zoti Ahtisari rrëfen me ironi se dikur Karaxhiç i vajti duke tundur në duar ca harta të sh. 13 ku Kosova tregohej Serbi»(!). Me dëshmitë e vërteta të pakundërshtueshme që kanë shqiptarët (e këto nga dijetarë të huaj), ata do bëheshin gazi i botës në mes të ditës. Por ata s’kanë turp e frikë të shpifin, kurse historianët e akademikët tanë me aq Pr, Dr, e F.C-ra përpara druhen a përtojnë të thonë të vërtetën! Kërrejnë aq harta nga antikuare, e i futin prapë në sirtare, kur ato kundërshtarin shpifës sot duhet ta shoqërojnë në Gjyqin e tyre të Strasburgut, siç përgatiten dhe ata nga ana e vet.

Lexime tepër të hidhura për historinë të ndërthurur me gëzimin për Pavarësinë, e këto i themi nga dhimbja për rreziqet që i vinë rrotull jashtë dhe i mbijnë keq brënda saj. Kur flasim për Kosovën flasim për kombin shqiptar. Askush nuk ka më shumë të drejtë se Kosova që të thotë se «jam Shqipëri»! Me Kosovën e Pavarur Shqipëria hap portën e idealit më të madh e më jetik të shqiptarëve, Bashkimin Kombëtar në trojet etnike. Është amaneti i të parëve të ndritur, i pandërprerë e i paftohur kurrë. Këtë detyrë e lexojmë tepër hijshëm në ballin e Kosovës së lirë. Ëndëra merr atë fuqi që solli Pavarësinë e saj. Për këtë, siç thoshte Mit’had Frashëri, «të gjithë jemi para gjyqit të historisë». Shërbëtorët sllavo-grekë ngrohurr brënda dosjesh për t’iu kundërvënë këtij misioni, tek i shohin shqiptarët më këmbë, struken më keq se krimbat.

Një vit Pavarësi, e Kosova rri më këmbë me dinjitet. Plagët e marra nga historia i japin bukuri e i dëshmojnë vitalitet. Ajo rri modeste për to, duke vështruar udhët e saj që do bëjë. Kush vallë veç Prometeut do përballonte aq tragjedi e do ngrihej përsëri më këmbë kaq hijshëm e kaq frymëzuese për kombin e lashtë e të ri të saj!?   


40 views1 comment

1 Comment


Timo Merkuri Pamflet dinjitoz. Duhet rilexuar e mesuar me themel.

Like

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page