top of page

Fishta përtej leximit nga “e ftohta” e shkrimeve




At Gjergj Fishta

Fishta përtej leximit nga “e ftohta” e shkrimeve

Dr Fatmir Terziu



Fishta është aq filozofik, aq poetik, aq shqiptar, sa është sharë në tre “derivat-variantet” pa e kuptuar ndonjëherë atë në leximin e qetë, jo me emocion dhe intonacion të ftohtë. Kohët e fundit, kam qenë duke lexuar, madje duke shënuar me laps në dorë, mbi dy ose tre prej shkrimeve të dedikuara Fishtës, nga studiues apo njerëz me grada shkencore, pa përjashtuar dhe disa shkrime si të përshtatshme për përvjetorin e tij të vdekjes (23 tetor 1871 - 30 dhjetor 1940), dhe jam goditur mes shkrim-leximit nga një ton kurioz, mes një shkrurame të ftohtë ndaj tij, në pothuajse të gjitha qasjet, qofshin dhe ato lartësore, sipërore, apo derë-hapur kontradiktore kur vlerësojnë në ajër vetëm mes hamendësimit. Një poet mund të shkruajë një poezi të mirë për të vërtetën, ose për një gënjeshtër të sajuar, por mjaft vështirë për një hamendësim të shkruar në formën e bazuar “ligjore” (përsa i përket normave dhe ligjësive letrare), traditore, rrjedhore (nga rrjedhat e jetës apo të tjera të arsyeshme) apo dhe në formate të ngjashme (Chesterton, 1939: 219). Kjo është pak a shumë dhe forma mizantropike që ka rekomanduar shkrimtari dhe studiuesi anglez, Chesterton. Forma mizantropike, ose më saktë forma e të shkruarit kur një poet, një person i cili ka antipati njerëzimin dhe shmang shoqërinë njerëzore, nuk është e vërteta, por është një nga gënjeshtrat më të pavdekshme brenda vetë tentativës për të bërë poezi dhe vetë asaj për të relaksuar një shkrim-shënim për poetin apo vetë poezinë. Tani kjo është me të vërtetë një gjë shumë e veçantë. Është e tillë se është Fishta, sepse është një rast “i ftohtë” për merita mjaft të shkëlqyera dhe të padiskutueshme letrare. Nëse Fishta për këtë shkruramë “të ftohtë” ishte një poet i madh unë nuk do të diskutojë. Unë e kuptoj se dikush duhet të presë disa vjet para se të kuptojë për të diskutuar se, dhe kritika ime e vetme kundër printerave dhe shkrimeve të tilla është se ata, pra shkruesit dhe hamendësuesit, nuk do të presin më aq gjatë sa pritën ta masakronin trupin, emrin, veprën dhe vlerën e Fishtës edhe për periudha shumë më të shkurtra se sa janë vetë hamendësimet e tyre “të ftohta” edhe kur shfaqen në formën më superlative, edhe kur e masakrojnë akoma pa kuptuar se e ftohta e tyre “pasionante’ është thjesht një hamendësim pasionant. Por që Fishta ishte një poet i madh, është e fortë dhe e sigurtë, jashtë dhe brenda hamendësimit, është aq sa është një kodifikim më vete tek libri i John Kimmey’t “The Poet in the Code Room” (Poeti në dhomën e kodit) (Kimmey; 2012: 73-78). Madje, në këto çështje të artit ka disa diskutime të mira në lidhje me shijet, pjesërisht për shkak se disa nga shijet janë përtej mosmarrëveshjeve me piskama “të ftohta” hamendësimesh. Në qoftë se dikush më thotë se:

“Vall, ç’ piskati n’hije t’blinit,

N’ato mrize t’Ljubotinit,

Qi ushtoi vigma ashtû zallís?”

ose kjo:

“Sa qi n’fushë as në zabel

Mos të lehë mâ qên në stel,

Mos t’këndojë as pulë as gjel...”

nuk është poezi “fine”, dhe jam gati ti respektojë të gjithë duke u thënë se do ta pranojë që bari i sapodalë në bjeshkë nuk është i gjelbër, nuk është jeshil, nuk është ... aq natyral, ose vetë nuk jam më duke e parë atë me sytë e tyre të hamendësimit. Dhe mbi të gjithë Fishta është dhe mbeti edhe në këtë pikë kënaqësia e leximit, vetë leximi i kënaqësisë, sinqerisht kënaqësisë poetike më të madhe të leximit. Dhe këtu nuk ka një arsye më shumë, as më pak për të rënë si i apasionuari i leximit të Fishtës, se sa për të rënë në arsyen e leximit të Fishtës, jashtë mizantropisë dhe më së shumti hamendësimit që e rimasakron akoma këtë emër të madh të poezisë dhe letrave shqipe. Dhe ne këtu nuk shkojmë përtej vizionit të Fishtës, nuk është nevoja e këtij vizioni për hamendësimin, e bukura është e padiskutueshmja, në poezinë e tij, aq sa dhe në leximin e poezisë së tij, si leximi në sytë e një femre të bukur. Pikërisht këtu janë këto shkrurama të sotme dhe të djeshme, që veç entuziazmit nuk kanë tjetër pikëtakimi me hamendësimin në zverdhjen e pakuptueshme të vlerave të Fishtës në tërë dimensionin e tij, për të cilin Robert Elsie dhe Janice Mathie-Heck kanë thënë shpjegime të qarta mes publikimit dhe përkthimit të “Lahutës së Malsisë” (2005). “Lahuta e Malsisë” është libri “fin”, por jo vetëm kaq thjesht sa për ta thënë, sepse ai shihet si majaja e tërë pasardhjes letrare shqiptare. Të tjerat, plot vera të Fishtës, janë parë nëpërmjet një syri kolektiv më të avancuar tek “Modernizmi: Riprezantimi i Kulturës Kombëtare: Diskursi i Identitetit Kulturor në Evropën Qendrore dhe Juglindore 1770-1945 Tekste dhe Comentime, Vëllimi III/2” (Modernism: Representations of National Culture: Discourses of Collective Identity in Central and Southeast Europe 1770–1945: Texts and Commentaries, Volume III/2) nga autorët Ahmet Ersoy, Maciej Górny, Vangelis Kechriotis (Central European University Press, 2010). Dhe thelbi është i qartë, se Fishta mes leximit, gjatë leximit dhe jashtë perceptimit dhe hamendësimit është ai që la një fond të madh jo vetëm në poezi, por mes saj një arkivë të madhe në sfondin e një galerie të papërsëritshme “piktureske” Kombëtare. Ndaj toni, i të gjithë shkruramave, qofshin dhe të detajuara “studimore” parë mes leximit të Fishtës, dhe kur këto shkrime janë moderniste apo moda të vjetra, janë dhe mbeten kryesisht “të ftohta”.

Do të mundohem të shkoj më tej “duke kërkuar leje” të përgjigjem për këtë “të ftohtë” duke ndryshuar subjektin papritur dhe madje brutalisht. Ndoshta shënimet dhe mbështetjet e mia, duken joefikase madje dhe jo në frontin e duhur, më tej do të sqaroj pse ndodh ndryshe mes shkrimit. Në shfletimin e një prej shkrimeve të tilla për Fishtën, sytë e mi kapën këtë fjali: “I gjetur ashtu mes adhuruesve të pasionuar dhe kundërshtarëve të pasionuar, në të vërtetë i gjetur në shtjellë pasionesh ideologjike dhe politike të dy anëve të papajtuara, Fishta është bërë viktimë intelektuale e të kundërtave, e pikëpamjeve...” (Qosja, 1998: 50). Kjo është një qasje tipike, ku parashihet qartazi se nuk ka asgjë dhe nuk rreket askurgjë në lidhje me poezinë e Fishtës, aq sa është dhe mbetet pikërisht aty ku “e ftohta” acarron më shumë me stigma “pasionesh ideologjike dhe politike”, shkurt hamendësimesh. Do të ishte më mirë, vërtet mjaft mirë, nëse poezia, vërtet poezia e Fishtës do të lexohej, madje mjaft thellë në dimensionin e saj, dhe pastaj të shkruhej për të, vetëm për poezinë e tij, jo më të rifutej ajo stigmë që anashkalon mes “të ftohtës” derivative vlerën e saj, që është tejshkruar në “bosh’. Në anglisht fjala “bosh” është ndoshta kuptimi më i mirë se tingëllima thuajse adekuate në gjuhën e bukur shqipe. Kësisoj kjo “bosh” do të ishte “e pakuptimta” ose “mbeturina” jashtë asaj që duhej të ishte tek vetë vlera poetike. Tani le të pyesim më qartë dhe më seriozisht, a mund të besohen akoma sot shkrime të tilla, që kanë një “bosh” në vetvete pa asnjë bosht të mbështetur tek poezia e Fishtës?

Dhe ky “bosh” i shkrimeve “të ftohta” duket se ishte vetëm një arsye e një “hamendësimi” që u pasua nga “ftohja” e vlerave të tij në një kohë “të ftohtë”, kur dihej mjaft mirë se në vitet 1937-1944 Atë Gjergj Fishta kishte arritur në kulmin e lavdisë poetike. Koha që i dha Fishtës të gjitha meritat për tërë veprën e tij, posaçërisht, për Lahutën e Malcís natyrisht kaloi mes kësaj “të ftohte’ të mëvonshme, që ushqeu dhe ndikoi vetë “të ftohtën” dhe anatemimin e veprës me staturën e poetit, apo me “kontradiktën” e kuptimeve me stigma “pasionesh ideologjike dhe politike”. Periudha e lavdishme që e quajti Fishtën “Poet Kombëtar i shqiptarëve”; “Orfeu i Shqipërisë” apo “Tirteu shqiptar”, natyrisht kërkon ripozitën e saj, pasi vepra e tij, Lahuta, njihet si kryevepër e papërsëritshme e letërsisë shqipe e si Bibël kombëtare. Jo më kot Lasgush Poradeci, jashtë të ftohtës e quan Fishtën “Shkëmb i tokës e shkëmb i shpirtit shqiptar”, “meditans et militans”.

Emra të tjerë si Daniel Gjeçaj, Martin Camaj, Atë Zef Valentini, Sabri Hamiti, Persida Asllani, David Luka duket se janë paksa jashtë kësaj “të ftohte” dhe u përkojnë disi shkrime që pasuan gjatë tri vjetëve (1941, 1942, 1943) për poetin, tanimë të vdekur, kur u botuan plot 180 shkrime në shtypin periodik vendas e të huaj, shifër krejt e pazakontë për gjithë historinë e letërsisë shqipe. Mjafton të kujtojmë botimin e numrit përkujtimor “Atë Gjergj Fishta”, nën kujdesin e atë Benedikt Demës (1941) dhe “Gjergj Fishta”, nën kujdesin e revistës “Shkëndija”(1941). Fishta, edhe pse i vdekur, po korrte frytin shumëvjeçar, që kishte mbjellë gjatë gjithë jetës. Mirëpo në Shqipëri si çdo dukurie shoqërore, të veçantë nga të tjerat, i ngjitej pas një bisht politik. Thënies lapidare të Poetit të shprehur mjeshtërisht në vargjet satirike, ku deri më sot s’ka mundur ende t’ia kalojë kush: “Unë jam át Gjergj Fishta/ qi i njes gjithkuj bishta/ kush e ka, ia pres/ kush s’e ka, ia njes//, nuk i shpëtoi as ai vetë. Në librin “Historia e Letërsisë Shqiptare 1” thuhet shkoqur se Fishta i mbaroi ditët e jetës si akademik i Italisë fashiste. Nuk ka si të mos na duket tejet e çuditshme akuza, që i bëhet në atdhe poetit, po të lexojmë me vëmendje vlerësimin në nekrologjinë, botuar nga gazeta italiane “Corriere della Sera”2, më 31 dhjetor 1940, një ditë pasi mbylli sytë. Titullohet “Vdekja e Gjergj Fishtës, Poetit kombëtar shqiptar”. Meshtari-Poet vlerësohet tejet lart për veprën e tij, që i dha hove të reja zgjimit të ndërgjegjes së shqiptarëve, në luftën për liri e pavarësi. Përmendet fjala françeskan. Poet. Akademik. Po asgjëkundi fjala fashizëm e fashist. E pra jemi në vitin 1940! Në Italinë fashiste!

Pastaj periudha (1945-1990) është më shumë vetë dështimi i epokës, se sa ftohtësia dështake e veprës së Fishtës në tërë dimensionin e saj. Ai edhe në ftohtësi, dhe në heshtjen e detyruar, edhe jashtë shkrimbve të ftohta mbeti par exelence, poeti i vlerave kombëtare, jashtë mjegullimve të qëllimta e të paqëllimta mes shkrimve të ftohta dhe atyre padashje ftohanake. Por Fishta është aq i përsosur mes leximit si poet aq sa pëlqej të them se ai ende “shkruan” duke na “diktuar” vetë se si një poet mund të rezistojë, edhe mbi re të tilla, në leximin e vërtetë poetik dhe vetëm mes leximit. Mes këtij leximi fjalët lapidare të Camaj për Fishtën duket se qasen më së miri tek ky subjekt: “Me Fishtën nxente fill zhvillimi i gjuhës së shkrueme shqipe tue u nisë drejtpërdrejt nga bazat e të folmes popullore.”


24 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page