top of page

Filozofia e prozës së shkrimtarit Kristaq Turtulli


Kristaq Turtulli

Filozofia e prozës së shkrimtarit Kristaq Turtulli

Dr Fatmir Terziu


Duke patur rastin që të lexoj disa nga krijimet e shkrimtarit Kristaq Turtulli, pata arsye të “ndikohem” nga një mënyrë tipike komunikimi lexues-autor, një lloj komunikimi që vjen nga mjeshtëria e një fjalie të shkurtër. Një fjali e shkurtër, që shton vlerën narrative mes një monologu, që thuajse ndihet i njëjtë në të gjithë romanet e tij. Ky monolog herë-herë filozofik kumton një mesazh të kultivuar bukur. Më saktë e gjen atë si një grupfjalësh komunikues, tipik dhe i ri në këtë lloj të shkruari. Çfarë e bën këtë lloj një sipar të ri të monologut, është e mundësuar dhe shpjeguar nga Lakan, ku vihet në teorinë e tij në theks dhe në thelb si procedurë gjuhësore, aspekti i psikoanalizës. Pozicioni i tij është përmbledhur më së miri në esenë e Frederik Jamesonit, “fiktivja dhe simbolika në teorinë e Lakan: Kritika Psikoanalitike, dhe Problemi i subjektit.” Vizatuar nga Piaget dhe Melanie Klein, sipas teorisë së Lakan, kjo shihet si një aspekt i lëvizjes të tranzicionit nga fiktivja simbolike në fazën më vendimtare të dhënies së mesazhit narrativ, duke e parë atë si aspekt të zhvillimit të psikikës, ku monologu komunikues është një aspekt i zinxhirit që mbërthen treshen lexues-kritikë-autor. Në këtë aspekt, ku fjala është një arsye e plotësimit të kuptimit, që vjen nga kjo treshe dhe nga lidhja zinxhir e shprehjeve dhe fjalive, artikulimi kompozohet si një tërësi. Një tërësi konceptuale që kërkon përkushtim. Tek autori Kristaq Turtulli, nuk është ky artikulim një prognozë për të rrjeshtuar krijimtarinë e tij të bollshme në prozë dhe poezi, por një fakt që vjen nga procedura gjuhësore për të rrokur aspektin e psikoanalizës. Autori i disa romaneve si “Vetmia e zërave” (2006), “Ç’është jeta a një njeriu” (2003), “Hani me dy Porta” (1997), “Hija e ariut” (1996), “Dëgjo floriri im” (2009), “Puthje e pamundur” (2010), “Syri i Rirës” (2011), “Në trenin e linjës 16” (2010, “Tulipani i Koresë” (2012), “Pianisti” (2013), “Zhgënjimi” (2015), “Ikje prej vetes” (2016), “Ati dhe fati” (2016), “Misteret e Parisit të vogël” (2017), “Ëngjëlli i Koresë” (2018), etj., si novela dhe tregime, mund të lexohet ndjeshëm duke afishuar në siparin lexues pikërisht psikoanalizën dhe tërsinë që rreket mes kësaj teorie si individualitet i suksesshëm dhe në syrin e lexuesit që ngjashëm pëlqen stile të tilla. Kjo krijimtari kaq e madhe numerike, po aq dhe narrativi dhe temat që trajton autori e bëjnë këtë teori më kuptimplote në lidhje me arsyen logjike që ndërlidhet me krijimtarinë e tij.

Shkurtimisht mes krijimtarisë dhe teorisë në fjalë

Ëngjëlli i Koresë” (2018), e rrek psikoanalizën mes një shtrirjeje të gjerë veprimesh në një teatër shumë të gjerë gjeografik, por jo vetëm nga pikëpamja gjeografike, edhe nga determinimi filozofik i kohërave, si shembull në komunizëm nga pikpamja e sistemit politik, në varfëri nga pikëpamja e nivelit ekonomik, në diktaturë nga pikpamja e qeverisjes, në persekutim, nga pikëpamja e lirive dhe të drejtave të njeriut. “Misteret e Parisit të vogël” (2017), teoria cek problemet shoqërore dhe historike të kombit, të cilat së bashku krijojnë një të vetme, që ka emrin mbijetesë kombëtare dhe fisnikëri e familjeve të mëdha. “Ati dhe fati” (2016), është më shumë një lidhje psikoanalitike dhe filozofike. “Ikje prej vetes” (2016), është një prozë e fuqishme, meditative, artistike, filozofike e ditëve të sotme. Tema është marë nga realiteti i sotëm shqiptar, ku jepet me forcë dhe vërtetësi pasqyra reale dhe gjendja në Shqipëri. Trajtohet kriza e familjes së sotme, shoqërisë, fati i artistit dhe njeriut të ndershëm në krizën e sotme sociale. Psikoanaliza e romanit “Zhgënjimi” (2015), gjen se kudo është shurdhëri, shkretëtirë. “Puthje e pamundur” (2010), shkon në një mënyrë disi më të thellë psikoanalitike të gjërave, të njeriut vetë jetës. Mësojmë nga romani se “Në jetë luajnë të qetë vetëm ata që nuk kanë asnjë rol. Ndërsa tek ne gjithçka qëndron ndryshe. Jemi aktorë dhe regjizorë njëherësh, veçse në miniaturë. Dëshirojmë të luajmë, por ngatërrojmë batutat, skenat, lëvizjet risillen përmbys. Atëherë gërhasim, fajësojmë, kërleshemi. Kjo kërleshje ka vite dhe vite. Dekada dhe dekada, që zhvillohet brenda vetes. Kërleshjen fillimisht e pranuam si lodër fëmijësh, si një dhuratë të vogël simbolike, por tunduese. E përtypëm me ngut, gjithë dëshirë, e cila zbriti rrëmbyeshëm, ashtu e patretur mirë në stomak. Lënda e qulltë, u përzje me acidërat e stomakut dhe, në mënyrë të rrufeshme u përhap në gjithë qenien. Trupi e pranoi dhe s’e nxori jashtë...” E kështu me radhë deri tek romani tjetër i autorit, “Vetmia e zërave” (2006), ku “Mistrecët gjithmonë argëtohen me rekrutët e rinj. Mbijetesa e tyre, servilizmi. Eh, është një nga elementet bazë të rekrutërisë. Servilizmi s'të lë kurrë në baltë. Servilizmi. Oh po servilizmi, mbulon me mjeshtëri tymtajën ogurzezë të mendimeve dhe qëllimeve. Servilizmi është i lashtë sa vetë jeta. Servilizmi është fillesa e fillesave. Servilizmi u përket të gjithëve dhe gjithçkaje. Bota pa servilizmin do të ishte e mjerë. Servilizmi është petku i artë, i purpurt i përbaltë, i kameleonët. Më dëgjove? Më mirë mos dëgjo. Fola për servilizmin. Mos beso. S'ka servilizëm, s'ka asgjë. Eh, kush e njeh servilizmin, kush e di. Të gjitha janë pallavra. Disa flasin për hipokrizinë. Të gjitha njeriu i ka krijuar dhe për njeriun janë. Mendjet e ditura?! S'dihet, mbase mendjet tmerrësisht të djallëzuara, të çartura ose të rrokullisura. Ndoshta është fasadë. Mbase diçka e parathënë, e parabërë, e paraparë...” Tek të gjithë, por tek disa nga shkrimet dhe romanet e autorit, domosdoshmërisht pikas origjinaliteti i fjalisë së shkurtër.

Origjinaliteti i fjalisë së shkurtër

Tek romani “Vetmia e zërave” origjinaliteti i fjalisë së shkurtër paraqet njërin aspekt të psikoanalizës. Paraqitja e shkurtër, arsyeja e rekrutimit të fjalës dhe racionimi i saj natyrshëm të shpien në një proces lehtësues. Kur lexon ekstraktin e këtij romani natyrshëm pas fjalisë së shkurtër vjen filozofia e tij: “... Mistrecët gjithmonë argëtohen me rekrutët e rinj. Mbijetesa e tyre, servilizmi. Eh, është një nga elementet bazë të rekrutërisë. Servilizmi s'të lë kurrë në baltë. Servilizmi. Oh po servilizmi, mbulon me mjeshtëri tymtajën ogurzezë të mendimeve dhe qëllimeve. Servilizmi është i lashtë sa vetë jeta. Servilizmi është fillesa e fillesave. Servilizmi u përket të gjithëve dhe gjithçkaje. Bota pa servilizmin do të ishte e mjerë. Servilizmi është petku i artë, i purpurt i përbaltë, i kameleonët. Më dëgjove? Më mirë mos dëgjo. Fola për servilizmin. Mos beso. S'ka servilizëm, s'ka asgjë. Eh, kush e njeh servilizmin, kush e di. Të gjitha janë pallavra. Disa flasin për hipokrizinë. Të gjitha njeriu i ka krijuar dhe për njeriun janë. Mendjet e ditura?! S'dihet, mbase mendjet tmerrësisht të djallëzuara, të çartura ose të rrokullisura. Ndoshta është fasadë. Mbase diçka e parathënë, e parabërë, e paraparë.”

Kjo filozofi e gatuar me fjalën e zgjedhur, natyrshëm i jep romanit një rjedhë leximi poetik. Një poetikë e rrjedhshme dhe një lidhje domethënëse e fjalive që plotëson të tërën. E tëra që vjen nga komunikimi shpjegues, tërheqës dhe eseistik i rrjedhës. Po të shihet nën këtë pikë natyrshëm shihet edhe ‘lakimi’ komunikativ i lexuesit me fjalën “servilizëm”, ku shpjeguesja pas fjalëve “e pathënë”, “e parabërë”, “e paraparë” është disi një shtesë e mbiemrave “të djallëzuara”, “të çartura” dhe “të rrokullisura” që lidhet me nocionet e përfishë tek “mendjet”.

Përshkallëzimi figurativ si argument shpjegues

Kështu ndodh edhe me romanin “Ç’është jeta a një njeriu”, ku përshkallëzimi figurativ vjen si një argument shpjegues. Fjala e sqaruar paraprihet, dhe pasardhësja dominon dhe kërkon pasuesen. Sërrish në një zinxhir Lakanian vjen nocioni i procedurës gjuhësore. Këtu paraqitja dhe logjika e ardhur nga nevoja e kuptimit të rrjedhës formon të veçantën, nënprecedentin ndryshe të ardhur nga stili i autorit: “Në jetë luajnë të qetë ata që nuk kanë asnjë rol. Ndërsa tek ne gjithçka qëndron ndryshe. Mundohemi të jemi aktorë dhe regjisorë njëorësh, veçse në miniaturë. Dëshirojmë të luajmë, por ngatërrojmë batutat, lëvizim, skenat risillen përmbys. Atëherë fajësojmë, gërhasim, kërleshemi. Kjo kërleshje ke vite dhe vide. Dekada dhe dekada, që zhvillohet brenda vetes. Kërleshjen fillimisht e pranuam si lodër fëmijësh, se një dhuratë e vogël simbolike, por tunduese. E përtypëm me ngut, gjithë dëshirë, e cila zbriti rrëmbyeshëm, ashtu e patretur mirë në stomak. Lënda a qulltë, u përzje me aciduat e stomakut, u përhap në mënyrë të rrufeshme të gjithë qenien. Trupi e prani dhe s’e nxori jashtë....” E gjithë kjo shkëputje nga ky roman lexohet këndshëm dhe natyrshëm paraqet arsyen e sistematikës dhe kërshërisë për t’iu kthyer tërë romanit.

Grupfjalëshi që luan rol dominues

Tek romani “Hani me dy Porta”, prezantimi vjen disi më ndryshe. Në këtë prezantim është kompleksi i grupfjalëshit që luan një rol dominues: “… Në pështjellimin e zërave dhe të klithmave të qytetit, kërkohet zëri i lemerisur. Ngrihej rrufeshëm nga fundi i dheut. Ai zë fillimisht niste zë ulet, i ngadalë, si një qarje a lehtë, me pas merrte hov dhe oshtinte me lebeti. Me kujë to fortë, aq sa trondiste muret si tërmet...” Kështu ndodh edhe me romanin e këtij autori “Hija e Ariut”, ku akstrakti i mëposhtëm e pasqyron qartë atë: “…Të kërkosh nga vetja, me të gjitha mënyrat s’është mëkat. Dikur, babai i kishte folur për Hijen a Ariut. Ka hije të rëndë Ariu, të madhe, lemeritëse, shtypëse. Gjithsesi, kur ndodhesh përpara Ariut, duhet të jesh i përgatitur mirë qysh më parë. Dy qenie për jetë a vdekje janë përballë njëra-tjetrës. Ulërima a Ariut është e frikshme. Përpiqet të të shqyejë , të të bëjë copa-copa. Ndërsa ti, kur të hapësh pikën maksimale të klithmës, duhet të fillosh të ulurish më shumë se Ariu. Atëherë ndodh habia: Ariu tkurret, mblidhet, shtrihet para këmbëve të tua dhe i pushon zemra. Kjo e fundit ndodh një në njëmijë, por ndodh...”

Në tërë këtë paraqitje të shkurtër të krijimtarisë së shkrimtarit shqiptar bie në sy ajo që A. A. Burger paraqet tek “Metodat e analizës” (1994: 35-95) botuar nga Sloan & Pearce në Nju Jork. Më saktë është ajo që ndeshet siç e theksuam edhe më lart në treshen autor-lexues-analizë. Nga kjo lidhje e ndërsjedhtë e teorisë me krijimtarinë e këtij autori mund të theksojmë se kur analizojmë përmbajtjen e prozës në rrugë komprehensive, në rrugë më pak pronë të subjekteve dhe metodave seleksionuese, apo edhe tradicionale, natyrshëm del parësore psikoanaliza dhe ajo që Burger e quan përdorim i esencës së fiktioves dhe simbolikes përpos teorisë së Lakan. Kjo mënyrë apriori dikton nevojën e përkushtimit të metodave sistematike, ku sot ajo më shumë se çdo gjë shikon në detaj duke cekur semiotikën, strukturializmin, diskursin analitik, analizën kontente dhe pjesë-punën e (ri)latuar me teorinë e psikoanalizës. Kjo definohet në teorinë e Anders Hansen, Simon Cottle, Ralph Negrinë dhe Chris Newbled. Në këtë hapësirë lidhjesh teorike esencialisht plotësojmë të domosdoshmen që gjejmë tek krijimtaria e Turtullit e cila sipas Bernard Berekson kuptohet tek “Analiza e përmbajtjes në komunikimin e kërkimit brenda tekstit të prozës” të realizuar që në vitin 1952. Interpelacioni (afrim-largimi i kontekstit me stilin e autorit) duket si një arsye tjetër parë në këndvështrim. Është i tillë se Turtulli në aspektin poetik është disi më dialektik me fjalën. Ndërsa në krijimtarinë e tij në prozë ai paraqitet si një kornizë letrare ku ideja, fjalia e shkurtër dhe mesazhi shihen kapje të veçanta. Po të mbesim tek interpelacioni, largimi dhe afrimi i mesazhit depërtues shpjegohet me ndihmën e përshkallëzimit, një kapje e ndjeshme e tërësisht poetike e këtij autori.

Duke përfunduar

Mes lidhjes dhe analizës psikoanalitike, narrativi dhe fjalia e autorit Kristaq Turtulli, fitojnë një pushtet vazhdueshmërie në shërbim të mesazhit, që e bën dhe e detyron lexuesin të ndjek rrugën e nisur dhe të mos e braktisë atë, pra të flak librin. Kështu autori siguron një stil të tijin me të cilin komunikon lirshëm dhe shumë thjesht, por tërheqës ama. Turtulli nuk parapëlqen humorin apo shpotinë, sepse ai e realizon këtë sfidë me anë të fjalës së tij filozofike, hera-herës të drejtëpërdrejtë, të sinqertë, realistike, domosdoshmërisht tipologjike. Dhe për të ndërtuar më shumë në lidhje me këtë ne premtojmë vazhdimin e kësaj analize…, ndoshta edhe me atë që kemi analizuar tek romani i tij “Tulipani i Koresë”, që për mendimin tim, ka qenë një nga pikat më të larta narrative të shkrimtarit shumë produktiv Kristaq Turtulli. Për shkrimtarin tashmë nuk ka munguar dhe nuk mungon kritika dhe fjala e Tjetrit, por natyrshëm duhet dhe vlera dhe vlerësimi i një krijimtarie të tillë.


38 views1 comment

1 comentario


Invitado
16 nov

Shumë e për lumë...!

Me gusta

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page