top of page

Filozofia e përsëritjes, një logjikë Hegeliane në poezi


Agim Gjakova

Filozofia e përsëritjes, një logjikë Hegeliane në poezi

(Me krijimtarinë poetike të Agim Gjakovës)


Dr FATMIR TERZIU


Përsëritja e një tingulli, përsëritja e një fjale, fraze, linje, ose vargu është një model bazë, një model veçorie dhe unifikimi që pajis poezinë e poetit Agim Gjakova me një sens komunikimi të veçantë. Në poezinë e tij kjo përsëritje që shpesh nuk është vetëm një burim i tingujve është bazë për ritmin dhe aliteracionin, po aq edhe për strukturën dhe kuptimin filozofik që poezia e tij ka. Përsëritja e një folje, jo thjesht si një veprim, por si një tendosje të kuptimit logjik na pikëlidh me logjikën Hegeliane, që përcjell një hapësirë të mjaftueshme tek poezia e këtij poeti shqiptar. Kjo lidhje mund të shihet në tre aspekte. Në aspektin e parë është përgjigja poetike. Në të dytin është pozicioni i fjalës; në këtë rast i foljes dhe vargut të ushqyer nga mbiemra dhe emra të përzgjedhur për të plotësuar logjikën. Dhe në të tretin është silogizmi (apeli logjik ose argumenti logjik) që ngjashëm është një teorizim i preambulës së Aristotelit tek “Origjina e ideve tona morale”. Daniel Brown (1997:189) në esenë e tij “Idealizmi i Hopkin (1884-1889): filozofia, fizika, poezia” shkruan: “shpesh përsëritja e saktë e të njëjtës fjale, apo përsëritja e sinonimeve që derivojnë mendime të ngjashme ose edhe të kundërta, shërbejnë për të përcaktuar dhe ndarë narativin në segmente poetike”. Kjo lloj përsëritje sipas teorisë së Brown është gjetur në zhvillim tek poetët e vargut të lirë. Kështu duke qenë se kjo përsëritje nuk ka asnjë lidhje me poezinë tradicionale, dhe njihet si një poezi e vargjeve model, natyrshëm e shton të veçantën dalluese të poetit Gjakova. Përsëritja e foljeve, si fillim në studimin tonë të poezisë së Agim Gjakovës, shihet si një tendosje që përpos ‘magjisë’ poetike të poetit krijon tre detaje që e sqarojnë veçorinë e kësaj poezie. Detaji i parë është funksional, i dyti ritmik dhe i treti lidhet me sinoniminë apo dhe me antoniminë e fjalës dhe sidomos të asaj që përsëritet për të rimbartur kuptimin në poezinë e tij.

PËRSËRITJA SI FUNKSION POETIK

Në poezinë “Gjakimi” shihet në vargun e dytë. Përbëhet nga katër folje me një përafërsi kuptimi, apo veprimi: “të varem, lëvarem, ndërvarem, kacavarem”. Vihet re mospërdorimi i presjeve pas këtyre fjalëve, që gramatikisht ndihen në pozicion të keqpërdorur, por që në logjikën poetike dhe filozofinë e Hegelit, natyrshëm kryejnë një funksion më të lirë logjik. Madje mospërdorimi i presjes, nuk është një element i dobishëm pauzdhënës në këtë përsëritje, ai kupton qartë aspektin e tij funksional. Një funksion që vjen nga leximi pa ndalesë, i menjëhershëm dhe derivues i këtyre katër foljeve. Ky funksion që del nga leximi i menjëhershëm prodhon derivatin e dytë, atë që në poezinë e vargut të lirë e lidhim me kuptimin e ardhur nga ritmi. Dhe më tej në lidhje të ngushtë me aspektin ritmik është edhe aspekti i ngjashmërisë dhe i kundërshtisë që vjen nga këto folje. Por në poezinë e gatuar nga poeti Gjakova nuk është vetëm folja si veprim që kryen këtë funksion. Të njëjtën gjë mesazhon kjo përsëritje tek poezia “Re-Qen-I-K ose I-K-Er-Qen”, ku roli veprues zëvendësohet me fuqinë shprehëse të mbiemrave: “…qelbanik, qereshtjanik, qerratanik”. Kjo përsëritje në këtë varg të lirë të poezisë së Gjakovës, përfshin paralelizmin (përsëritja si funksion poetik të një modeli të lartë) që vjen nga përsëritja e fjalëve dhe një numri frazash të rëndësishme. Kjo ndihmon për të dalluar këtë varg të lirë të poetit Gjakova nga të rëndomtët e shumtë në poezi (gjë që nuk është poezi tek ta). Në poezinë e lartcituar të Gjakovës, të shkëputur nga vëllimi i tij poetik “Guxo e vdis” (Pejë, 1998), këto përsëritje kryejnë mjeshtërisht funksionin e tyre logjik në vargun e dytë të poezisë.

Duke shkuar më tej në poezinë “Deti” gjejmë sërish funksionin e mbiemrave në këtë rol. Tek kjo poezi mbiemrat “o i fortë, o i plotë, o i paanë, o i papranë”, veç rolit funksional të tyre që kryejnë i lexojmë edhe si pasuese të asaj që shohim edhe në aspektin me të cilin përsëritja e qëllimshme e fjalës “Humnerë-humnerë” apo e fjalës “fterrë-fterrë” të realizojë si një logjikë Hegeliane në tërë iniciativën e saj mjeshtërore të penës së poetit.

Përsëritja në poezi si një element tërësisht funksional gjen forcë shprehëse edhe në kombinacionin kundërshtues që poeti Gjakova realizon tek vargu i katërt i poezisë: “Pashpresa e varfëruar” me fjalët “cyt, shqyt, mbyt, zhyt sytë e ndytë”. Shkurt e me pak fjalë, ndryshe nga mjaft poetë të tjerë shqiptarë, Agim Gjakova, përdor tërësinë filozofike të fjalës në një fushëbetejë ‘kuptimesh’ duke u bërë kështu poeti që stilon fjalën poetike.

PËRSËRITJA DHE IMAGJINATA

Krahas përsëritjes me fjalë është edhe një lloj përsëritje që vjen nga mendimi në poezi. Poezi të tilla si “Linda me pupla” apo “Fillesë” këtë përsëritje e kryejnë me lidhjen e vetës së parë, vetës së poetit me ‘botën’. Në të parën poeti qëndron ‘para pasqyrës së Botës” dhe në të dytën përkundet ‘në djepin e botës”. Të dy këto poezi të shkëputura nga vëllimi poetik i Gjakovës “Saga flurore” (Prishtinë, 2008), janë një ligjësi interpretuese e këtij nocioni të përsëritjes si funksion logjik. Unë mendoj se kjo i sjell pikë më shumë poezisë, duke përdorur përsëritjen e fjalës, në këtë rast të fjalës ‘botë’, në dy poezi fikson në mendje më shumë dhe krijon një mesazh më të qartë nga krijimtaria e poetit. Por, nëse kjo bëhet më e vrazhdë, dhe tejet e përsëritur brenda një poezie, apo edhe një simotre të saj në një vëllim poetik, natyrshëm do të fillojë devijimin poetik, që është thjesht një rrugë për të shkatërruar në kuptim poezinë, pra nëse ajo, pra përsëritja e fjalës, është përdorur shumë shpesh. Gjithashtu, të njëjtat fjalë kur realizojnë përsëritjen e njëra - tjetrës në mënyrë të ngushtë, ose në një linjë e bëjnë poezinë të rri gjatë në mendjen e lexuesit. Pra kjo jep më shumë "pushtet" në poezi. Dhe këtë e realizon thuajse mrekullisht poeti, Agim Gjakova.

Poeti e krijon këtë përsëritje nëpërmjet njohurisë së tij, aftësisë personale dhe imagjinatës së tij. E gjitha kjo imagjinatë është "një përsëritje e përcaktuar në mendjen e poetit dhe krijon një lidhje të përjetshme që ka aftësi të veprojë në krijimin e pakufishëm të nocionit poetik, me anë të imagjinatës së përsëritjes si nocion filozofik" dhe ka aftësi të bashkojë me veten si akt fjalën, se akti është misioni i të gjitha imagjinatave që vijnë nga mendje të tilla. Por, imagjinata merr dy forma: konceptin fillor të imagjinatës, të "pushtetit të jetesës dhe kryerjes së rolit si një ‘agjent’ në perceptimin e njeriut, duke e transmetuar atë si një kod për të gjithë" (shumë e njëjtë si teoria e Kant e "transkedentimit të unitetit të vetvetes"), që e bën ndjesinë tonë një klauzolë të përgjithshme tokësore, duke infiltruar nga simbioza jonë jetike dhe hapësira e jonë me realitetin rrethues, nëse ky ekziston, dhe nocionin e fjalëformimit poetik, duke nënkuptuar aftësinë e filozofosë së fjalës në këtë “botë”, si një botë, dhe "të fjalës në këtë botë si imagjinatë" me anën e së cilës dyfishon riskimin logjik të poetit duke u sjell në botën artistike, që simbolizon botën e vërtetë në procesin jetik.

PREAMBULA ‘MAGJIKE’ DHE MITI

Poezi të tilla si “Akuarel me njeriun” dhe “Loton gjithësia” janë një filozofi më vete. Një filozofi që del nga kuadraturat tipike të poezisë moderne dhe flirtohet me diskursin e ekzistencës. Ky diskurs që ndërlidh filozofinë Hegeliane, natyrshëm ka një pikëtakim me kodin dhe dekodimin e Stuart Hall, si një arsye për të kuaptuar tërë këtë filozofi të Gjakovës. I prirë për të sjellë të renë me anë të fuqisë dhe pushtetin artistikt fjalës, poeti është një mjeshtër që duket, jo vetëm në risinë e tij të veçantë të përsëritjes si filozofi tipike e tij në poezi, por edhe me gjuhën e veçantë të vargut. “Akuarel me njeriun” nis si një preambulë magjike. Është një mal i dehur që fërkon sytë që në marëdhënien propozuese të ambientit natyral vjen si një metaforë që vishet me sensin e njeriut që puth, dhe në këtë rast ‘duke puthur nusen mjegull lumturohet’. Pikërisht këto janë vlera që risjedhin mjeshtërinë e dritëhijeve që hershëm shkrimtari ynë i gjeti në mesin e një qyteti. Këto gjetje autoriale, për të filozofuar me doktrinën ‘natyrale’ dhe me arsyen e njerëzores, natyrshëm kalojnë nëpër brazdën e teorisë së Roland Barthes që e sheh mitin tek fjala. Dhe këtu natyrshëm mes poezish të tilla si “Ciu…”, “Dielli e gjarpri”, “Bisedë me lumin”, “Promovim letrar nga të huajt në Shqipëri”, “Pesë dollarë” etj., fjala e poetit Gjakova nuk vjen nga miti i ricikluar i teorisë së Barthes, por nga miti i fjalës së Gjakovës që prodhon jo vetëm mitin e bukur të fjalës, por edhe filozofinë e saj.

RRETH-CIKLI JETIK NË POEZI

A nuk është kështu tek fjala e poezisë “Guxo e vdis”? Poeti Gjakova përdor ritmin e kësaj fjale që del nga miti i tij filozofik i fjalës “emigrant demokratik, magjik, zëremik, nevrik…” për të sintetizuar rreth-ciklin jetik në poezi. Më tej me poezinë “Bumerang” ku fjalët “kozmopolit, kozmoligan, kozmomjeran” prodhojnë mitin e fjalës ashtu ndoshta siç ndodh edhe tek poezia “E parafundit për Hënën” me fuqinë e fjalëve-folje “vërvitem, vetërritem, vesitem, venitem”, ku filozofia e lindje-jetë-vdekjes, nuk është thjesht një rreth jete, por një diskurs më vete. Një diskurs që ftillon më së shumti atë që Kant sugjeron. Në teorinë e tij ne edhe pse dimë dhe e diktojmë të keqen, sidomos të keqen që na afrohet nga rrethanat natyrore, prapë ne aktualisht nuk jemi të frikësuar prej saj. Sipas Kantit kjo ndodh sepse njeriu në momente rreziku, kurë nuk shpie ndër mend fundin, por sjell si parësore kënaqësinë e çastit. Kështu është edhe me poezinë e poetit Gjakova. Në rreth-ciklin jetik asgjë nuk është e frikshme, veç diktimit nga fuqia e fjalës për një fund që katapultohet njerëzisht nën pushtetin e fjalës, në rolin e përsëritjes. Është përsëri, pra ajo që Kant e thekson se eksperiencat nuk mund të jenë një kënaqësi, në se përfituesi i tyre nuk ndjen një risk praktik. Ngjashëm me këtë është edhe Roland Barthes tek “Miti sot” që thotë: “vëmendja e përqëndruar në këtë rast është motivuar për tu përshkruar si një sinjal i një historie individuale” (Barthes, 2000:125). Duke parë këtë motivim nga teoria e Barthes, shohim edhe detajin tjetër të veçantë të poezisë së Gjakovës. Poezia e tij është një lloj fjalimi ritmik, një lloj kompleksi fjalësh që nënkuptojnë shumë me një racionim fjalësh dhe rregullash gramatikore, duke prurë praktika të reja dhe motivuese me diskurse të ndjeshme. Stuart Hall thotë: “objekti i këtyre praktikave është kuptimi dhe mesazhi në formën e sinjaleve të transmetimit të një organizimi specifik, ngjashëm me shumë forma të komunikimit apo të gjuhës, nëpërmjet operimit të kodeve me një zinxhir sintagmatik të diskursit”.

TEORITË DHE BINARËT LIDHËS

Duke përfunduar këtë studim paraprak të poezisë së poetit Gjakova, parë në këndvështrim ndryshe, duhet theksuar se elementi filozofik që vjen nga përsëritja e fjalës mbetet një arsye e shëndoshë që fuqizon këtë krijimtari. Sakaq kuptohet si në poezinë e tij, po aq edhe në teorinë ndërlidhëse, se përsëritja është një term qendror në veprat e shumë filozofëve modern, duke përfshirë Nietzsche (Niçe), Kierkegaard, Adorno, Deleuze, Hegel dhe Derrida. Ndikimi apo më saktë modelimi i përsëritjes nga Agim Gjakova është një shtysë më e vendosur teorike për të kuptuar diskutimin filozofik. Dhe ky diskutim filozofik i përsëritjes tendoset nga kuotimi teorik dhe filozofik i Platos, për kuptimin e përsëritjes si reminishencë ose një rikujtesë e njohurive ekzistuese të Fedos, Menos dhe Felibus, tek teoria e Deleuze që është rreth ‘përmirësimit’ të përsëritjes si një ‘forcë aktive […] që prodhon diferenca’ (Fjalori filozofik; Deleuze:223). Në termin filozofik ‘diferenca në përsëritje (1968), Deleuze diskuton konceptin e Nietzsches (Niçes) për ‘kthimin e përjetshëm’ si ‘fuqia e fillimit dhe fillimi i përsëritur’ (Deleuze, 136). Me këtë teori Deleuze i kundërvihet Frojdit në teorinë e tij të psikoanalizës me të cilën ai përsëritjen e cilëson si frenuese të gjërave (Deleuze, 224). Por secila nga këto teori duhet kuptuar si një lidhje, dhe jo si një kundërshti, si lidhje të afta për të rregulluar kontekste të ndryshme dhe të natyrshme në politikat e tyre të vlerësimit. Brenda binarëve të këtyre teorive natyrshëm ndjej edhe kontekstin teorik të përsëritjes që ushqen më së shumti poezinë e Gjakovës. Një ushqesë e kësaj përsëritje më së shumti vlen edhe për të parë diskutimin e saj në lidhje me shpjegimin e Deleuze dhe kuptimin e mendimit filozofik të përsëritjes në poezinë e Gjakovës, si një mundësi të menduari logjik.


49 views0 comments

Commentaires


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page