top of page

Filozofi ndryshe


Filozofi ndryshe: Graviteti i shkelur i fjalës dhe rizgjimi ndaj tij

(Një ndalesë e thelluar tek „Paritet“ i Fatmir Terziut)

Bujar Kapllani


Fatmir Terziu u shoqërua gjatë jetës dhe punës së tij në një gjeografi të lëvizshme, me situata dhe insinuata të përfshira në mendime të ndryshme kohërash dhe njerëzish. Në rrethana të tilla dukej se të gjithë kishin mendime të qëndrueshme për të gjitha llojet e pyetjeve të mëdha. I interesonte se si ata e dinin atë që dukej se dinin, ose pretendonin se dinin. Kjo është ajo që do ta quante në jetë si një projekt me një pyetje epistemologjike. Pyetjet dhe divergjencat e mbledhura në jetën e tij e bënë dhe e mundësuan që të lexoj shumë gjerësisht dhe të mendohet dhe për librin e tij filozofik „Paritet“. Ka qenë një periudhë e gjatë studimore, ndërsa Terziu iu nënshtrua rifillimit të studimeve të tij në MB, me HND, BA, MA, MPhil dhe PhD, e studimeve të tjera të mëvonshme, ku thelbi nuk ishte thjesht për kapjen dhe përfshirjen në Filozofi..., por ishte përvoja më e gjerë, pas botimeve të shumta në gjini të ndryshme, e një lloj ekstaze intelektuale. Dukej se tashmë ai po e dërgonte vetveten plotësisht jashtë vetes. Kishte shumë gjëra që nuk i kuptonte, por kishte diçka abstrakte dhe të përjetshme që qëndronte në themel të të gjitha fenomeneve në ndryshim të botës. Kur lexonte atë që Platoni e përdori në fjalën "fantasmagoria", e cila është një nga ato fjalë që duhej të kuptohej, dhe ndoshta nga të paktat që kishte kuptimin e saj pikant, normalisht mendimi thellohej pos asaj që duhej të kërkohej e kërkohej mbi baza shkencore.

Më pas ishin të gjitha llojet e gjërave që nisën të krijonin thelbin e të bëheshin interesantë. Një nga gjërat në lidhje me filozofinë është se nuk duhet të hiqni dorë nga asnjë fushë tjetër, cilado fushë që është, dhe kudo ekziston një fushë përkatëse që i përket filozofisë, sikurse i citon dhe i shtjellon Fatmir Terziu, dhe ato natyrshëm janë filozofia e gjuhës dhe letërsisë, filozofia e politikës, filozofia e matematikës. Të gjitha gjërat brenda një kuadri filozofik. Dhe kuadrati në sfondin e trajtesës së një shoqërie në rritje e në zhvillim të ri, sikurse mbetet shoqëria shqiptare me udhët e saj të hapërndara nëpër caqe gjeografike, natyrisht kërkon një vëzhgim, një eksperimentim, një trajtim ndryshe, natyrisht duke bërë të mundur dhe formën dhe forcën e rilindjes së një debati të duhur intelektual. Me këtë vizion dhe qëllim autori vjen para situatës së projektit të tij të ri „Paritet“, që në thelb ka stacione të ndryshme trajtesash në formën e eseve, që kanë kënde të ndryshme vështrimi dhe qasjeje filozofike. Në këtë analizë ndalesa jonë është të japim një trajtesë të këtij projekti, tek i cili shohim një punë të madhe dhe të lavdërueshme të autorit.

1.

Eseja “Enkomiastika” na përcjell rrufeshëm një vegim të fshehur në vellon e antikitetit, në tentim për të kapur me një dorë rrënjën me frutin bashkë, trashëgimtarët e së cilës kanë kohë që i kanë veçuar. Graviteti i shkelur i fjalës, shkrimit dhe kuptimit të “vesës së mëngjezit” ka humbur nën shkeljet e forcave trupore në rënie të lirë për të kapur frutin ardhur nga lashtësia e rrënjëve. Përfituesit e këtij fruti komunikimi me shije lavdesh mbajnë nën këmbë “vesën” optikën e leximit që na shpënë veten në kohën kur lindën dëshirat e atyre që mbollën këtë pemë dhe mjetet e perdorura pprej tyre. Por ortodoksia e mendimit kanonik vjen e mbushur me lavde “enkomiastike” për t’i tretur tërë ato burime reale në “famën” e përfituesit. Pra mosmirnjohja për diktuesin e parë është evidente dhe harresa është e qëllimshme për ndëshkimin e atyre që nuk njohin përfituesit real të kulturave jetësore.

Fakti që “enkomium” është rrënja greke e fjalës, nuk do të thotë se edhe vendet fqinjë me të nuk trashëgojnë të njejta metoda komunikimi, që synojnë grumbullimin e lavdeve për patricët, feudët, borgjezët apo oligarkët e kohëve moderne. Kjo dëshmon se edhe mundet të ketë mbulesë të qëllimshme të historisë nëpërmjet përdorimit “enkomiastik” të komunikimit, gjë e cila dëshmohet edhe shqetësimin e platonit për çështjet morale të shkrimeve jo kritike.

Spontaniteti si element jetësor që buron nga ndjesia për rrezatimet e çastit jetësor në shkrime dhe krijimtari, siç edhe ishte rasti i “vesës së mëngjesit”. Spontaniteti përkundrejt Paturpsisë së shkrimeve “enkomiastike” është perceptimi jetësor dhe burimi i vlerave të shkrimeve që i japin kuptim dialektikave të përjetuara jo vetëm në këndvështrime objektive të qenieve në dallim nga njëra tjetra, por edhe vlerave subjektive të përjetuara vazhdimisht në ndryshim brenda frymës së njeriut. Ndaj edhe në shkrimet spontane ne lexojmë adhurimin për jetën, jo për sunduesit e saj. Por spontaniteti si adhurim trajtohet në këtë ese jo si racionalizëm erotik për të konsumuar gjithshka metafizike, por për të kuptuar “Pse”-të dialektike në ekzistencën e lirë të fenomeneve, nëpërmjet të cilave njohim dhe kuptojmë veten dhe ekzistencën tonë.

Spontaniteti e çliron njeriun e bën të lirë dhe shkrihet në dëshirën universale për të jetuar kohën, diçka seksuale për Frojdin, apo abstrakte për Hegelin. Ndryshe nga aparenca “lëkura” e objekteve dhe fenomeneve natyrore në rrjedhën spontane të tyre. Por shqetësimi i autorit rrjedh nga fakti se këta elementë jetësor janë shndrruar në “subjekte kontrolli social”. Pra “aduro” është strukturë e lavdërimeve “enkomiastike” që shpesh njeriut mund t”i mungojnë dhe të ndjehet i privuar nga të qenit i barabartë me të tjerët që lavdërohen në saj të dundimit të përfitimit të frutit të trashëgimisë. Pra adhurimi mund të jetë “për të ndëzur” si edhe e mbyll shkrimin autori, por ose për të ndjerë superioritetin social ose për tu shndruar i adhuruar në veprimet e tij “të lira” instiktive frojdiste apo abstrakte hegeliane në potenca ekzistence “të adhurueshme”.

Individualiteti si ajër shpreh rëndësinë e marrdhënieve të tij si “produkt i mirë” me rrënjët më të mira të traditave që trahëgon njeriu në kaosin e mpleksjes të rrënjëve të tija, si një simbolikë “bashkimi” social apo edhe kombëtar. Synohet shkuarja përtej njohjeve të komplikuara dhe opinioneve interpretuese. Pra autori këtu vlerëson rëndësinë e individëve historik që janë produkt i “vullnetit të mirë”, i trashëgimive familjare më qëndrime sociale e kombëtare pozitive në çdo periudhë ndryshimesh. Autori ngre shqetësimin e madh për mbrojtjen e këtyre individëve, të cilët mund të marrin fraktura nga e cila nuk është se dëmtohet ai, si individ, por e tërë shoqëria humbet nga vrasja apo thyerja e “vullneteve të mira”. Individi mbetet përherë “produkt i mirë”, nëse është i tillë, pasi atë e ridimesionon sjellj e cila është ADN-ja e pandryshueshme e tij.

Sjelljen autori e sheh, si; ‘konsensus së përgjithshëm jo kritik’, larg egocentrizmave, hipokrizive dhe mistifikimeve. Krahasimi metaforik, në semantika individuale të ndryshueshmërive ndërmjet “grurit” dhe “egjrës”, autori thjeshtëson thyesën e nënkuptuar të mendimit aritmetik, për dallimet mes tyre. “Egjëra” e të fortëve, e trimave, e të marrëve, e të panënshtruarve apo e të paprekëshmëve politikë e ekonomikë, nuk është gjë tjetër veçse një bashkësitë poshtëruese “e prodhuara për botën”, botën e të tjerëve, të cilët ushqejnë boshësinë e kuptimeve sociale dhe kombëtare, për të nxjerrë nga tregu i lirisë produktin e mirë “grurin”, për të dhyer mendimet individuale me ato të turmave keqpërdorura ndaj bashkësisë dhe bashkëjetesës.

Autori bën kinse po na ngre shqetësimin e lokalizuar në cilësinë krijuese dhe promovuese të letrave, si një paralelizim me tipologjitë e ekzistencës në komunitet. Burimi i tyre janë ontologjitë e poshtërimit në tharje mendore dhe strukturore të shtresave të palogjikë në bashkësinë sociale e kombëtare, duke e ilustruar zgjidhjen e problemev si një “sopatë” që godet mes “shkurrnajave”; - “si një kahje rreptësisht e sfilatur në një rrëmijë shkurrore të korijes së goditur pa mëshirë me sëpatë ku dominojnë ferrat dhe shkurret, të cilat mund të pastrohen, për shembull”.

Në paragrafin e tretë, ndjehet antiteza alegorike e të qënit “i çensuruar” me të qenit “i harruar”, është koha kur “produkti i lirisë së shkrimit” ballafaqohet me “produktin i vullnetit të mirë”. Pra, dikur turmat çensuronin individin e lirë krijues, ndërsa sot janë bashkësia e individëve të lirë që i shndrrojnë turmat krijuese në shkrime në pafundësisht të palexueshme, zhytur në harresën pa kthim.

Fatmiri e sheh këtë sfidë të “produktit të mirë” me “egjrën” si sfidë standartizimi, përcaktuar nga kriteret e të qenit “produkt i mirë”, “vullnet i mirë”, “grurë” para se të të jesh zotërues i “procesit prodhimit” të vlerave me anën e dorës apo kompjuterit... Ajri i krijimtarisë është individualiteti si qelizë përbërëse e ideologjisë.

Beteja që shkruhen në puthje“ … Në këtë ese, ndjehet përkatsimi i trishtë i paqtë “në park” të huaj, ku sillen rrotull luftëtarë “të çarmatosur” nga ardhur larg. Kore e bukës do t’i ndjekë ngado, mbase si në një garë kuajsh për ekzistencë apo si gjethet e shpresave të humbura që kërkojnë shpëtim në memorien e e mermertë e të ftohtë të vendit pritës. Emigrimi si krahasim shpendësh, që ndotin këto statuja-kultura si shtegëtarë që vrapojnë vajtje-ardhje nga nevoja për ushqim, “që i djegin në stomak”. Ky shtegëtim i “gjetheve” dhe i “shpendëve” përballë “shikimeve të kuajve” pritës të ngjason me “Betejën e Kalorësve”.

Figuracione se në këtë vend-park asgjë nuk ndryshon veç “cipës së bojës në stol”, ku ulen luftëtarët e heshtur të rradhës. Përshkrimi i të qëndruarit “qetë” në park, si një “lajkatim” i ofruar nga “kryepushtuesi i vjeshtës së parë”, si në dremitje dhe si një “gudulisje” lezetuese për t’u pregatitur në ikje drejt një udhe pa-kthim.

Në joshjet gjumëndjellëse të parkut emigrimi njësohet me shtegëtimin që shuan “grindjen sidromë në stomak”, por as edhe meloditë e botës moderne të ëndërruar si “takat gozhdë që ma bëjnë trurin shoshë”, po aq sa humbja interesit ndaj ndeshja mes bollëkut si “e një ketri që kacafytet me një kokërth të vogël dardhë”.

Ofrimi i “Kryepushtuesit” me mungesën e “etjes”, “grindjen sidromë në stomak”, “ketrit që kacafytet”, “takat”, “piskamat”, “të sharrat”, “mallkimet”, “burrat e jargavitur”, “tryezën e dominove”, “të zeza”, “të qara”, “parlamentar mend” e “pa-mend” është një paralajmërim se një pakt paqeje “në park” do kushtëzojë tjetërsime individësh. Një “fllad” mungesash e zbrastëtire ofrohet me “shpresat-gjethe” të kontrolluara nga “Kryepushtuesi i vjeshtës së parë”, si sinonim i transformimit individit të paqtë në park paralelisht me transformimit e një bote shpresah tashmë të rëna nga pema e ëndërrave të fikura...! pasi vetë ky “Kryepushtues vetëdorëzohet”, “përndiqet”, “infektohet”, “fryhet” e “s’ndihet”... edhe ai po bën pakt me “paqen” në Parkun e shtegëtimeve të fundit në mbyllje të ciklit sundues absolut!

“Era” është ajo tejmbushje e “Parkut të harresës, paqes dhe qetësisë”, e cila për t’u bërë pjesë e “vetëdorëzimit të Kryepushtuesit” nis e shfleton jetën e tij, në “gazeta”, për të lexuar copëza, shenja, thërrime, kothera e blogje jetësore. Në këtë bashkëjetesë të harresës me të shkuarën me interesimin ndaj “Kryepushtuesit” lind kuptimi i ligjit të ndryshimeve në “Librin e Madh” të jetës! Ky kuptim vjen nga njohja e shtresave jetësore të kategorizuara në; “minj”, “ketra” e “zogjtë e ikjes”, të cilët përherë e më tepër ndjejnë ardhjen e “flladit” të ndryshimit, apo edhe ankthin për “erën” që paralajmëron lindjen e një “Beteje Kalorësish të Rinj” të cilët do të ndryshojnë botën këtë herë në vendin e “Kryepushtuesit”.

Autori na thjeshtëzon, na ideon (‘Edin’ fjalë sumere – kuptimi ‘thjeshtë’) kureshtjen njerëzore në një femër të zakonshme, e cila duke lidhur flokët “xhufkë” çdo mëngjes, pyet nëse do të “vonojë beteja”? Kjo, për të, është çështje kohe, pasi “flladi” dhe “era” janë bërë palë me “Kryepushtuesin”. “Jo më kot kanë ardhur zogjtë aty afër syve, në park”, autori hutohet, parandjen rifillimin e fenomeneve të “harruara” atje larg në “Fushë Betejën” e vendit prej ku u largua. Përsëri do nisë një betejë të re ekzistencializmi. Autori ndjen se ndodhet “në këtë park, që mes të tjerave u është hapur mëdysh të gjitha betejave, sikurse dhe kësaj të fundit me maskë”

... e gjithë thjeshtësia e kuptimit të “betejave” si vazhdimësi dhe pafundësi vjen si atmosfera e paqtë e “Parkut”, si “Kopshti i Edenit”. Mbase edhe për vetë kuptimin hebraik të emrit “Eden”, si luks e kënaqësi në “parkun e paqtë të harresës”..., si në një parajsë lirie e demokracie. Por autori pasi ka shijuar “pemët e jetës” në këtë park a kopësht, nis edhe shfaq interes për të njohur se ku ndan e mira me të keqën në këtë “Park”. Ndaj autori nis e ndjehet si protagonist dhe kërkon të kuptojë shkakun pse “Era” e ndryshimeve përherë del si “një lukuni e bardhë nga ferra”, na dëshmon se po “shndrrohet” vetvetiu në Satana, duke u zvarritur “si një gjarpër në park” dhe ashtu si “Kryepushtuesi” i’u dorëzohet, përtej ndjenjave të “kënaqësive të paqme”, ndjesive mbi “sekretin e këtyre betejave”, që ndjekin pas vazhdimisht e pafundësisht njeriun e lirë dhe demokracitë...?! Autori Adam “zbulon të vërtetën”, ndërkohë që Eva, “femra me flokët lidhur xhufkë”, pyet çdo mëngjes “nëse do të vonojë beteja” mes të mirës dhe së keqes, ndërkohë që ndjehën në turp si “Shtegëtari i përjetshëm”, ashtu edhe “Kryepushtuesi i vjeshtë së parë” bashkuar në “puthjen” e mosbindjes satanike të sistemeve politike karshi njëra tjetrës, në beteja frontale të së mirës me të keqen ! Kalorës që (për) puthen!

Borlog“… Autori me semantikë dhe huazime krahasuese të diplomacisë populiste dhe spontane, synon të ngrejë vetëdijen e lexuesit, duke na shpënë larg në Fillipine, diktatura anarkike e Paqësorit. Këtë na e bën të mundur nëpërmjet zhargonit “Borlog”, përdorur si kryetitull të esesë, mbasi në një hulumtim të fjalës mund të arish shpjegimin e e mundur n ë Filipine ku “Borlogu” shpreh gjendjen e shoqërisë “në gjumë” ose “i përgjumur”. Ndoshta kjo shërben për të treguar shkakun e ulje ngritjeve në “kulturën e integrimit” të ngjashëm me ekzistencën në “kaos” diplomatik në aksione politike të ngjashme me proceset e rrëmujshme të krijimtarisë në art, në makth, stres dhe bujë.

“Gjumi” dhe “përgjumja” shfaqen si loja “borlog” i këmbimit të “Ne-zotërinjve” sot me “Ata-shokët” dikur dje.

Kjo lojë të “Ne” përherë në rreshtin e parë me “Ata” të tjerët pas është një lojë fasdë politiko-diplomatike me qëndrime të dy fytyrshme, në kuptimin klasik, si ndëshkues dhe eliminues të demokratizimit shoqërisë dhe integrimin kulturor.

“Borlogu filipinas” është tashmë “Borlogu ballkanas”, si një xhungël me ligje që “flenë gjumë” dhe ligjvenës “të përgjumur”, si instiktet e kafshëve të egra në xhunglën e “tregut”, i cili kërcënon të ardhmen e fëmijëve, të cilët duhen shpëtuar, si edhe konfinalizohet shqetësimi i autorit.

Këta kafshë të egra “në gjumë” ose “të përgjumur” janë ATA “shokët” Zylo që i lëpiheshin sistemit në diktaturë dikur, por që sot janë NE “zotërinjtë” e botës së re demokratike, ku tashmë lëpirja ndaj pushtetit nuk shpërblehet me benifite ofruara nga diktatura dorëlëshuar, por kanë statusin e të ndarit të pasurive mes tyre me vullnet të lirë nën “Borlogun” që ka nënshtruar masat dhe njerëzit e lirë.

Ky është “pakti” që kanë bërë këta “NE” dhe “ATA”, pra më të pafytyrët “shokë-ATA” janë në pakt me më të pafytyrët tashmë “zotërinjtë-NE”. “ATA-shokët” duhet të flenë gjumë, ndërsa “zotërinjtë-NE” duhet të shfaqen të përgjumur e në dilema demokracie dhe anarkie diplomatike me komunitetin ndërkombëtar. Ky është “Borlogu” të lëvizësh në zvarritje si gjarpri në gjirin e popullit tënd, i cili josh “Adamin” të bëhet “Evë”, një kulturë integrimi hemafrodite ku “gay-t” janë e radhmja e bashkëjetesës “NE-ATA”.

Çnatyrëzimi“… Interesant është fakti se në esenë “Çnatyrizimi” autori kapet te shansi i fituar natyror i njeriut dhe shoqërive të cilat akoma nuk janë bërë pjesë e “zhvillimit” dhe “qytetërimit” modern si edhe shpikjeve robotike, të cilat nuk janë bërë akoma një realitet absolut për “njeriun e lidhur me natyrën”.

Njeriu i lidhur me natyrën në shoqërinë tonë të mbetur pas, rebelon ndaj çdo ndryshimi që e shkëput nga natyra. Por kjo është veç pjesa komike e qëndrimeve të tyrre, pasi ata janë produkt i deformimit të politikave qeverisëse, të cilat e anashkalojnë dhe e nënvleftësojnë natyrën, duke e kthyer vetë qytetarin në element të pavetëdijshëm drejt “evolucionit”, i cili tinëzisht e nxjerr jashtë natyrës qytetarin rebelues ndaj sistemeve, si një domen ku nis e zhvillohet loja me natyrën, nëpërmjet ndryshimeve sociale, të cilat e shtyjnë njeriun drejt betonizimit, drejt “mburjes” së pavetëdijshme në shkrepje teknologjike të fiksimit në memorie të kornizave urbane ku i ka ndrydhur koha. Pas çdo shkrepje fotografike njeriu ndjehet i shkëputur nga ekzistebca “organike” me natyrën. Njeriu shqiptar është shndruar në një kohë jo-organike dhe pa-organizim me natyrën!

Ndofta edhe “Çnatyrizimi” është një “Borlog” raportesh në gjumë të dixhitalizuar me përgjumjen kohore të njeriut pa-vetëdije!

Autori emërton esenë “Dozimi”, si kalim rrethanash me shpërdorim të kohës, zhveshur nga morali dhe imagjinata krijuese përshtatur me ndryshueshmërinë natyrore. Në këtë dozim shpërdorues të diellit njerëzit shfaqen të pafuqishëm në fantazinë krijuese dhe të dhënë pas instiktit atrofizues të imagjinatës. Kjo pafuqi e instinktit e zhyt qytetarin shqiptar në mërziti që kompesohet me pjesmarrje politike mes ditëve me diell, veprim i cili nuk gjen justivikim ndaj edhe qytetarët shndrrohen në një shoqëri apatike.

“Apatia pushimeve” mes diellit të shpërdoruar shndrrohet në një paralelizim të “apatisë politike” shpërdoruar nga kulte jo-organikë. Në këtë kontekst autori “na detyron” të kuptojmë se “apatia” është një detyrim për të punuar dhe plotësuar funksionet jetësore. Kjo pafuqi e qytetarit shqiptar, për të ri-kthyer vlerat natyrale të vendit, na shfaqet si një “cinizëm politik” prej autorit, si një protestë “hakëmarrëse” ndaj “ATA-shokët” dhe “zotërinjtë-NE”, ndaj “Çnatyrizimit” dhe “Borlogut” gjumë vënës të qytetarit të ltë kthyer në “mall tregu” tashmë në Shqipëri. Autori ndjen dhimbje për qytetarin e shndrruar në mall me dëshira të pa-plotësuara në nën-vetëdije ose të plotësuara me pa-vetëdije. Ky shpërdorim tallës i qytetarit trajtohet si “mall” i nën-vetëdijes dhe i pa-vetëdijes. Politikat e trajtojnë pushimin dhe lodhjen si një stacion mrekullish në “kohët me diell” të elitës shqiptare.

Vetë “koha në diell” është një “dozim” i tepruar që e bën lidhjen me natyrën më tepër instiktive se sa një mundësi “organike” për të ndryshuar bashkë me një natyrë që ka stinë të ndara qartësisht.

Je nga ai Ardhe!“ Ndjenja e rikthimit tashmë është ëndërra e të “ikurve”, si një psherëtim që i mërthen malli per rrënjët çdo fundjavë, si një thellësi lagushiane nën fshehtësin blu të vetmisë më e thellë se vetë dashuria për jetën dhe surprizat. Një psherëtirë reale, trajtuar si “ëndërr” tejlodhëse përtej punëve të përditëshme.

Atdheu është e vetme pikë e sigurtë ekzistence në tehun që ndan “ferrin” e vetmisë dhe “parajsën” e armëpushimeve mes natës dhe shkëlqimit të yjeve...autori në këtë kullesë të mendimeve kozmike ndjen vetminë e tij të orkestruar si një istrument i rradhës midis kapërcimeve kohore dhe mbishtresëzime sociale, “skllavëruar” nën ritmin e muzikës të lexuar në impulse ndjesore për të jetuar jetën, por nën vuajtje të”ëndërrave” të paplotësuara, si andej “ferrit” dhe këndej “parajsave”

“Je nga Ai Atdhe”, na ofron një shteg kthimi në Atdhe, nëpërmjet shikimit të tij, vazhdimisht, ndjesive për të dhe kuptimit për jetën atje. Autori bie në gravitetin “katarstik” të ndjenjës, si një “skllav-instrument” lëshuar forcës së fatit, të cilin e ndjek larg me ndryshimin e tij. Kjo është lëshim dyfish, lëshim armësh në tokën e “ëndërruar” dhe lëshimi vetes në thellësinë e “ëndërrës”, përjetësisht me notat e shpirtit në trupin-instrument lirie midis “ferrit” dhe “parajsës”.

“Rrënja” është objekti që e ysht lëvizjen krijuese të autorit, në çdo mendim, përtej çdo gjykimi dhe përmbi çdo fakt jetësor apo nën trill të jetës pa skaje të mbyllura në segmentin e historisë, ku përherë lexon ndryshimin ndërmjet dy pikave thjesht në kohë tek „Ferment lokal“. Ku njëra pikë mbetet pas e dyshuese dhe tjetra lëviz në largim entuziast. Këto “pika” fermentohen pa i llogaritur si “emra” apo “vepra” antikiteti, duke i shtrirë më në thellësi “rrënjët” e “retë” e mendimeve filozofike të Aristofanit. Në këtë thellësi që ndehet si kohë ndërmjet “reve” anarkike dhe “rrënjëve” despotike të kulturave sheh lindjen e një cilësie të lartë të jetës, aty ku bashkohen brezat, “reja” dhe “rrenja” konsumojnë përllogaritjen, arsyetimin dhe organizimin e intelektit, si përgjegjësi sublime ngritur mbi fermentimin e kohërave pambarim dhe përherë në ndryshim kulturor.

Fushata!“ Ngurtësia e marrdhënieve politike e shkaktuar nga synimet e veçanta, paramendimet, spontaniteti dhe pakuptimësia e “përkushtimeve” përulëse ndaj individit.

Fushata bredh si pakuptimësi në salla, rrugë, shtëpi e sheshe si një pandemi, duke u kthyer në “dhimbje globale”. Koncepti i zhdukjes së sigurisë së jetës, që buron prej këtyre fushatave me premtimin e “dyerve të sigurta” i lë njerëzinë përjetësisht me problemet e “bravës së derës”. Një metaforë brilante mbi mashtrimet që krijojnë fushatat për individët me dyer të sigurta”! Nga ana tjetër , përballë, në dyert pa “bravë” ndodhet në mur “sopata” e sarkazmës që ngrihet mbi këto dyer mashtruese të fushatave.

Eseja “Gërryerja” nis nga Fundi Historisë?, ku na ofron një “pikëpyetjen” si heqjen e kufive në mendimin politik. Mund të vendosim pikëpyetje në një fjali mendimi, e cila mund ta kthejë në avokimin e të kundrës që jemi duke shprehuir. Një Laburist shpreh gjykimin kritik për një mendim konservator, por pikëpyetja në fund të kritikës na bën ta shohim me pozitivitet mendimin e kundërt me tonin. Kur “argumenton se vetë liberalizmi ka filluar të ngjasojë me tiraninë...”, apo “një shoqëri, që nuk i shërben interesave kolektive”, apo “liberalizmi që ka dështuar nuk është e gjithë tradita liberale, por një radikalizim bashkëkohor i idealeve specifike”. Fatmiri mbron idenë se” një demokraci e mirëfilltë përpiqet të pajtojë interesat e deleguara në një zgjidhje të negociuar bazuar në lidership dhe pjesëmarrje popullore”, apo edhe se “demokracia mund të jetë antidota e liberalizmit individualist, që ka pjellë katër demonët e saj...oligarkisë, demagogjisë, anarkisë dhe tiranisë”.

Për të mos kaluar në pikëpyetjene se mos shkatërrohen elitat, Fatmiri na përcjell mesazhin, se; “përfshin krijimin e një jete të përbashkët rreth parimeve dhe praktikave të përbashkëta, që kërkojnë të balancojnë lirinë me vëllazërinë, barazinë me reciprocitetin dhe traditën me modernitetin”.

Tek eseja “Guri i qoshes, i themelit”, Fatmiri me metaforën e “gurit” na ofron alegorinë njerëzore, në tipa e karaktere socialë, ku më i rëndësishmi është “guri i qoshes” apo “i themelit”. Fatmiri mjaft bukur ndërton simbolika të qarta me sinonimin e tyre, si gjeografi, si origjinë me “gurin e themelit”, ndërsa “guri i qoshes” është mendja dhe aftësia e lartë individuale njerëzore, “lidershipi” i aktivitetit ndërtues mund të themi. Fatmiri nën-prek idenë e gurëve të nënçmuar, alegoria e individittë refuzuar “humbës”, i cili mund të kthehet në një “gur” qoshe apo themeli, në situata reale të ndryshuara në sistemet e ndërtimit social pasardhës.

Ajo që mbetet mbreslënëse në ndërtimin e simbolikave, janë gurët “e mëdhenj” dhe “të vegjël”, ku “të mëdhenjtë” mund të skaliten dhe përpunohen si edhe personalitetet njerëzore, por edhe “të vegjlit” mund të organizohen në një sistem funksional brenda strukturave sociale. Ajo që admirohet në këtë ese është vlerësimi i eksperiencave njerëzore, simbolizuar me “gurët e përdorur dhe rezistentë”, ata personifikojnë individin njerëzor të qendrueshëm.

Ndarja e shtresave shoiqërore me metafora të “themelit”, “fasadës” dhe “çatisë”, duke relativizuar vlerën e “gurit qoshes” që nis e ndërton ndërtesën sociale prej themelit në këndet e çatisë. Dhe në fund autori shprehet ; “Këto do të jenë ujëra për të lundruar me kujdes, në mënyrë që të sigurohemi që e drejta për privatësi, një gur themeli i një shoqërie të lirë, nuk është shkatërruar”.

Eseja “Historia kulturore” hedh idenë se të huajt mund të nderojnë flamurin e një kombi vetëm nëse vlerohet thënia; “Dihe se historia kulturore sjell në jetë një kohë dhe vend nga e kaluara”. Pra kjo është diçka reale për kombin shqiptar, ndaj edhe – “Analisti turk Ahmet Cakar ka shpalosur flamurin shqiptar në një emision televiziv turk përpara miliona shikuesve anembanë Botës”.

Eseja “Hobi” mbart disa ide, tashmë të familjarizuara në frymën e protestianizmit lidhur me punën si “hobi” (si kënaqësi), si sarkazëm dhe filozofi në mbajtjen e një “sopate”, për të “kursyer” nevojën për marangoz. “Hobi” shpreh një kënaqësi formale dhe një aftësi për t’u vetëpunësuar. Fatmiri sheh se “hobi - është vetëm shkëmbimi i aftësive të specializuara që e mban të gjithë mekanizmin që shkon në radhë të parë tek interesi, se sa tek xhepi”. Intersi lidhet me produktivitetin dhe imagjinatën krijuese, që duhet të mbajë larg “teprinë në mendime” dhe “konkurime”, ku nuk mebetet amator pa u përfshirë, për të “vetëzhdukur” aftësitë e specializuara, cilësinë dhe kënaqësinë për të prodhuar. Fatmiri shkon më tej, duke nën-prekur se “shkurtimi i imagjinatës” jo vetëm e privon njeriun e specializuar nga “gjendjes krijuese të këndshme”, por edhe ju “refuzohet liria”, aq sa ata nik mendojnë më për të, duke ju nënshtruar kushteve jetësore pa lumturi.

Tek eseja “Integrimi i konsumatorit”, Fatmiri shënon mendimin se në komunikimin e sotëm nuk i jepet rëndësi “pasurimit të një gjuhe” por “shtimit të etiketimeve”, duke e ilustruar me standartizimin e fjalës “kokë” në normativat kuptimore filozofike e sociale ; “kokë-bosh”, “kokë-buall” dhe “kokë-bucelë”.

Eseja “Jashtë statikes”, ndjen se të përshkruan ekzistencën si e ndjen, se të përshkruan ekzistencën si një relativizim objektiv ; “Duke shkuar në origjinën e saj, një “qenie” është çdo krijesë e gjallë, nga një person deri tek një insekt, virus”.

Autori e sheh ekzistencën si ; “vetë-prezencë” - kur shprehet se në të ardhmen do të themi jetuam në kohën me Covid-19, si një relativizim i fatit objektiv për të jetuar, njësoj si edhe virusi përpiqet të ketë fatin e tij mbi njeriun subjektiv.

Eseja “Jetos”, edhe këtu si në esenë “Jashtë statikes” , Fatmiri na bën prezent rëndësinë e të jetuarit objektiv, pamvarësisht nga preferencat subjektive të të jetuarit midis dy paradokseve: “senesimi kulturor i parakohshëm”, në të cilin individët jetojnë më gjatë, por quhen të vjetër në moshat e hershme; dhe (b) “dëshira për të qëndruar i ri”... ku secila prej tyre lidhet me kalimin e kohës “të jetosh” ose shkurtimisht, siç ju thirret të moshuarve “jetos”.

Eseja “Poezia këngë e tokës arbnore”, na shpie Guri dhe zjarri si simbolika të “frikës” dhe “pasigurisë”, në jetëudhën e trevës së Gollobordës, krijuar nga qytetërime kaluar mbi to dhe shkuar përtej tyre. Golloborda, si alegori gjeografike e morale, veçse digjet si “gur”, ndërsa “zjarri” përvëlon ndryshimin e botës së qytetëruar. Në këtë kontradiktë sheh që gjuha e të parëve bëhet “plot mëkate”.

Kjo rrëfenjë e Fatmirit mbështetet mbi gjenialitetin krijues të simbolikës së “gëlqeres” që prodhohet nga “guri që digjet” dhe “zjarri që përvëlon” dhe “tymi i zi” me “bardhësin”, që ngordh mikrobet dhe ndriçon muret e ndërtesave, si shenja të qytetërimit. “... gëlqerja që vinte nga alegoria poetike e djegjes së gurit dhe tymit të zi, në lutjet e kryepriftit kallogre tashmë krijonte emrin tek i cili mblidhej Jeta, Njeriu, Familja”. “Guri” simbolizon gjeografinë, moralin, familjen dhe inferioritetin femëror të përvëluar nga “zjarri” mashkullor i pushtuesit dhe historitë plot lakmi e mëkate në qytetërimin e ardhur nga përtej maleve të krahinës Gollobordës.

Një betejë e brendshme e autorit ku ndeshet prifti kallogre i së kaluarës me ndjeshmërinë simbolike të një poeti modern në ditët e sotme, mbi bashkëjetesëne “gurit” dhe “zjarrit”.

Eseja “Kamjallë”, ofron frymën e kompleksuar të lëvizjeve të memories, për t’u ndarë me të kaluarën si “kohë”, duke seleksionuar “funksionet” e nadara të veprimeve të ndryshme të cilat mbartin me vete “mitin” e së panjohurës dhe “tjetërsimit”, e të shërbyerit, p.sh. ose si ushqim për kafshët, ose për zjarr plehrues, nëse ilustrohet me mbetjen e “kamjallës” (kashtës grurit) në arë. Natyra e tjetërsimit lidhet me distancimin e aspekteve kryesore, që renditen në kohë si mundësi objektive e ekzistenciale. Tjetërsimi i fenomeneve dhe veprimeve në kohë, ndihmon, sipas autorit, të mësohesh të mos frikësohesh në ekzistencën e ngjarjeve objektive, duke u njohur me mitet kryesore që akoma ekzistojnë për plotësime funksionale, në varësi me mitin e dobishmërisë dhe me aftësinë kontrolluese të njeriut ndaj këtyre proceseve të maskuar “në ngjashmëri” rituale dhe ciklike, përsëritur në kohë, si thelb që lidhet me “mitin” dhe “origjinën”. Kjo bëhet më e thellë simbolikisht kur lexojmë se autori universalizon “ngjashmërinë” e korrjes së fushave me bar me debilimin e lëkurës njerëzore, duke na shfrenuar imagjinatën mbi ekzistencën objektive të botës si “gjallesë”.

Eseja “Klinai“, procedon rrethana materiale parashikuese që shpien në rezultate krijuese të artit. Humbja e kuptimit fizik të gjerave, duke shikuar lart, drejt qiellit, është mundësia për të llogaritur mendimet të lira, në një proces kompozicionale në gjendje qetësie horizontale, pa ndjesinë fizike që provokojnë përballjen ekzistenciale të krijuesit me realitetin e shënuar në krijimin artistik. Arti është një proces ku artisti shtrihet si në një shtrat, ku hulumton dhe viziton botën e tij të brendshme, për të përshkruar, shpjeguar dhe kombinuar idetë krijuese në art. Fatmiri shprehet për origjinën dhe historinë e kolltukut e divanit të sotëm, dikur të emërtuar “Klinai”; “Klinai ishte krejtësisht i përshtatshëm për qëllime të përtypjes së rrushit, pirjes së verës, shkëmbimit të mendimeve filozofike dhe takimit të të dashuruarve të mundshëm”. Mesazhi i kësaj eseje e shtyn lexuesin të kuptojë se përshtatja dhe zbatimi i formave “klinike” të shërimit të sëmundjeve fizike bazohet në përpjekjet e artit për të ofruar “qetësinë” mendore në eksplorimin e ideve dhe mendimeve në botën shpirtërore të njeriut.

Eseja “Koherencë dhe Kohezion” i përmbahet me fanatizëm dhënies së porosive për krijuesit e rinj, të cilët duhet të ruajnë koherencën – “Kur hulumtoni, vetëm hulumtoni. Kur shkruani, vetëm shkruani. Kur redaktoni, vetëm ndryshoni”, pasi kohezioni është një arritje e madhe, si do të shprehesh edhe vetë Ernest Heminguej – „Ne të gjithë jemi çirakë në një zanat ku askush nuk bëhet kurrë mjeshtër“.

Eseja “Komoditet dhe ... Komitet”, vë theksin se të vepruarit me kulturë nuk është “komoditet” por “art”. Kultura trajtohet si komoditet vetëm në marrdhenie tregu. Ajo që tërheq vemendjen kjo ese është se kultura ka një përmbajtje dhe harmoni me vetveten, përtej komoditetit “për të qenë i paprekshëm”. Njerëzit në praktikën jetësore reflektojnë kulturat midis tyre, por jashtë harmonizimit të tyre brenda vetes, ata bien në mosmarveshje ndërmjet tyre, duke mos aprovuar shkaqet dhe motivimet e brendshme individuale të burimit të këtyre kulturave si vlera komode në komunikim.

Por autori ngre një shqetësim të madh, se në paaftësinë për të aprovuar motivimin e kulturës së tjetrit, bëhet prezent “kulti politik” i kontrollit të individit nëpërmjet kulturës, duke e ndryshuar kulturën nga një “komoditet” individual në një “komitet” kontrolli - “... që të gllabërohet dhe qeverisja e vetvetes”, nëpërmjet normativave që tjetërsojnë standardin kulturor të “komoditetit” në standarde të kontrollit klinik të mendjes – “... në një pavion ku rolin e kanë bluzat e bardha, të të vënë në gjumë, të të shkundin nga gjumi dhe të të mbyllin gojën nga “dhimbja” mentale”. Pra “komoditeti” shndrrohet në “komitet” kulturor, duke zbatuar kontrollin e kulturës me goditje dhe keqtrajtime. Individi e humbet lirinë kur humbet “komoditetin” e qeverisurit të vetvetes, por për lehtësimin e komoditeteve të “dhuruara” i është nënshtruar kontrollit të “komitetit” nën kultet politike. Kjo simbolizohet me thënien e plutarkut - “Meqenëse i pabesi rrethon të drejtin, për këtë arsye drejtësia shkon e shtrembër”.

Eseja “Komoditeti dhe akomodimi”, bashkë me estë e mëparshme, vjen e komplikohet në lëshimin e kontureve të qarta rreth idesë mbi “komoditetin”.

Autori synon të prekë “marrdheniet jetë-përshtatje” të individit nëpërmjet shndrrimit e “dëshirave” si kriter të demokracisë dhe “përshkrimin e rregullave të ekzistencës njerëzore” si normë standartizuese për t’u “akomoduar” me lirinë ideologjike dhe sociale. Sipas analizës së mendimit, autori na qartëson se komoditeti i sistemit të kaluar komunist “të jetojmë me thjeshtësi, të bëhemi sa më të thjeshtë”, shndrrohet në kapitalizëm me moton marksiste “në shoqërinë borgjeze fuqia e punës është bërë një mall në të cilin pas kësaj fuqizohet fuqia e punës”. Pra primare bëhet “puna” dhe “akomodimi” pas punës, si “formav të jetës shoqërore të orientuar drejt fitimit”. “Komoditeti dhe akomodimi”krijon varësi dhe lidhje në termin “bëj jetën, unë një jetë kam”, duke u larguar nga “thjeshtësia” dhe “fuqia e punës”, për të e vlerësuar si “mall” i lidhur me “fitimin”, vlerësuar nga “diferenca midis punës dhe vetë jetës është markuar si një normë në mendjen e njerëzve”

Për autorin “zelli, angazhimi poltik, social e pak të lidhur me ndonjë interes personal” i përkasin të kaluarës “me të jetuarit në thjeshtësi”.

Për t’a mbyllur me fjalët e autorit ; “Nga ana tjetër, akomodimi dhe komoditetit nuk duan më të ngjasojnë me punën në asnjë mënyrë. Pse?! Me sa duket, kjo është një formë e re, që dikush të mund të funksionojë më me efektivitet më pas”.

Eseja “Kompleksi” vjen nga shikimi i Fatmirit mbi një artist nga këndvështrimi “shoqëror dhe kulturor”, nga ku kupton se jeta dhe estetika e artit janë vlera spontane, që formësohen bashkë me “komoditetin” kulturor të artistit. Fatmiri analizon krijimtarinë dhe atriubon vlerat individiuale bazuar - “në ligjin e pronësisë intelektuale ku talenti nuk është një shkas, por një shtysë e diskursit në aspektin shoqëror dhe kulturor”.

Eseja “Kultura pështirjes” mbetet tek dyfytrësia intelektuale e lidhur me paranë, por që i ndihmon esencialisht në lidhjet dhe ndërlidhjet e varësisë kulturore ndërmjet tyre. Marrëdhënie të cilat ndihmon në fuqizimin e mashtrimit nga vetvetja dhe nga vetë jeta. Mashtrimi është i dëshiruar, pasi afron kënaqësi të shpejta bazuar tek instikti i munguar, bazuar në dëshirën për t’u larguar nga e vjetra, nga moda e pafrytshme më. Kjo nevojë për t’u vetëmashtruar e shpie të vjetrën në harresë e përbuzur nga përfituesit materialistë, ndërsa ajo që mbetet prej të shkuarës është ideologjia.

Eseja “Kungarja e demokracisë” bën simbolikë të “kulmit të çatisë” ku mbështetet “kungarja” si lidhje e sigurtë e trarëve të çatisë me kulmin e saj, për bashkimin dhe lidhjen e qosheve të ndërtesës. Një kontekst piramidak jo si sundim por si lëvizje, si ekuilibër dhe si qëndresë në shtëpinë e përbashkët të demokracisë. Kungaret mund të ngrenë ndërtesën e së mirës dhe të së keqes, ashtu si kuptohen të mirat me kulmet e tyre ideologjike, ashtu mund të kuptohen edhe kungaret e së keqes me “majën” e tyre. Eseja “Kuqalash/e” vjen si vazhdim logjik i esesë “Kungarja e demokracisë”, duke i emërtuar kungaret e ndërtesës së vjetër si “kuqalashe”.

Eseja “Lindpisi COVID-19”, na tërheq si metaforë ndryshimi në dilema skeptike prej Kungarejesh në Kuqalashim dhe më pas në Lindpisje. Ndoshta autori kërkon në dialektikë e portave metafizike drejt një jetese më të mirë por duke “e mohuar vetveten” në përpjekjet dragoniane të parardhësve duke mbijetuar me “shpatë në dorë”, për të vazhduar në mohimin e vetvetes për një “Europë të vërtetë” dhe për të përjetuar zhgënjimin në identitet përballë portës së re me “lindpisje” në Covid-19, duke u nështruar fatit në përballjen me ndryshimin e pafund të “detyrave të shtëpisë. Autori i kthehet kujtimit të fëmijërisë kur ëndërronte shtrirë në brendësi të shtëpisë së tij me “çati të hapur”, si një nostalgji për t’u kthyer në shkallët e identitetit brenda vetes, për të jetuar jetën e vërtetë. Atë jetë bazuar në “kungarjet” e të pareve të tij.

Eseja “Mahnitja” na përshkruhet si rrjedhojë e proceseve metafizike të transformuara në ide, mendime e përjetime të thella shpirtërore, që rrisin forcën e ekzistencës dhe mendimit njerëzor. Madje nëntema e ovid-19, vjen në koherencë të sfidave njerëzore për mbijetesë, e cila konkludon me fuqinë përfytyruese të imagjinatën për të lexuar pamjet e padukshme të një “bote virusale”. Këtu buron mahnitja “imunitare” e një bote që ndeshet skutave të së mirës dhe të së keqes.... askush nuk bën dot “foton” e rradhës, tashmë leximin e bën inteligjenca e njeriut që prodhon imagjinatën mahnitëse, ndryshe nga “vetëmahnitjet” 3-D të pushteti materializuar në Facebook, të cilë e përdorin teknologjinë si “virus” trukimi të qelizave jetësore, nga ku buron imagjinat dhe forca e pashtershme njerëzore.

Eseja “Natyrisht” duket sikur ndjek kuptimin e “imagjinatës” mahnitëse natyrisht dallueshëm nga pamjet natyrale të fotografimit të sjelljeve njerëzore. Pra fabula ndërtohet në imagjinatën njerëzore, ndërsa bëmat dhe karakteret natyrale janë fatalitete jetësore “vetëmahnitëse”.

Eseja “Supozimi” vazhdon e ndjek diferencat mahnitje-vetmahnitje, imagjinatë-kinema dhe natyrisht-natyrale me kontradiktën interpretim-supozim. Autori shtjellon unitetin e imagjinatës së natyrshme me përshkrime natyrale në interpretime, por edhe kontradiktën ndërmjet imagjinatës dhe përshkrimeve supozuese në qëllime tjetërsuar, si shkëputje në dykuptimësinë relative të një vepre letrare e artistike.

Eseja “Përkthimi për Homerin” memorizon nderimin dhe mirënjohjen e studjuesit Petro Zheji me logon simbolike të Homerit, i cili mishëron lartësinë interpretative të unifikimit të imagjinatës mahnitëse të natyrshme me përshkrimet vetëmahnitëse natyrale në përkthimet e tija letrare. Eseja “Virgjili dhe leximi i Homerit” evidenton karakteret e natyrshme njerëzore të sintetizuara nëpërmjet imagjinatës së shkrimtarëve gjenialë si Homeri e Virgjili në leximin e përshkrimeve të personazheve të tyre. Njëkohësisht autori tregon lidhjen e trashëgimisë kulturore në folklorin shqiptar ku spikat natyrshmëria e mendimit sintetizues të karakterit të tyre, por i pasuruar me pëshkrime natyrale të dallueshme sipas veshjeve të krahinave ku këndohen rapsoditë dhe balladat folklorike.

Eseja “Ndërvarje” shfaqet ndërvarja kulturore nërmjet karakterit tregëtar, si mall, pamjes estetike dhe romantizmit politik.kjo ndërvarje e shikuar si rrobat e zhubravitura në makinën larëse. Një paralele me këto rroba janë ngjashmërisht institucionet tona ligjformuese dhe zbatuese. Një ndërvarje kjo që sjell dështime dhe kërkon ndëshkim të tyre njëkohësisht. Por nga ana tjetër kjo për autorin mund të jetë në dilema eksperimentale frutdhënëse si eksperienca nvëzhguesit e procesit kulturor në Shqipëri, pra ndërvarja kulturore duket të ketë karakter trafikues-tregëtar. Përballë kësaj ndërvarjeje ekziston frika e përgjithshme ndaj ndëshkimit.

Eseja “Negociatat” na përcjell si dhimbje shqetësimin për pastrimin e gjuhës shqipe nga fjalë të huazuara që e kanë tejkaluar ndikimin kohor në përdorimin e tyre, mbi bazë konventash dhe negociatash të ndikuar nga “dialektika barbare” e kulturave të imponuara me forcën e ushtrive pushtuese. Fatmiri i referohet teorisë së Ferdinand de Saussure, i cili e shikon gjuhën si një sistem shenjash, ku fjala ka kuptim mbi natyrën e objektit apo mendimit që ajo përcjell në njerëz me origjinë gjuhësore dhe kulturë të përbashkët, që shfaqet si negocim në përdorimin e fjalës për çdo rast unik.

Eseja “Nënshtrim” shtrihet si një lindje dhe ëndërr e dëshirave njerëzore, të cilat përtej ndjesive dhe emocioneve hapen hiearki të pafundme vlerash ku me to mpleksen edhe ifeologjitë dhe botëkuptimesh njerëzore. Pikërisht , në këto marrdhenie lind edhe nënshtrimi i “hobit” hobet dhe pasionet e atyre që individëve të fortë ekonomikisht dhe politikisht, të cilë ushtrojnë kontrollin ndjenjave dhe kënaqësive të lira njerëzore. Këtu autori sheh edhe kalimin e detyrueshëm të “hobeve” në argëtime dhe tallje, nëpërmjet nënshtrimit të detyrueshëm të tyre ndaj atyre që përcaktojnë rregulla dhe ligje për veprimtarinë e tyre. “Nënshtrimi” në këtë ese është një shtjellim paralelizues me lirinë e rinisë dhe komuniteteve artistike, të cilët priren të lënë misionin e tyre sesa të ju nënshtrohen detyrimeve eksentrike të kohës, si “nënshtrimi është para, është angazhim, është rrogë, është punësim, shkurt është listë vote, është listë për deputet, për zyrë, për pushtet…”. “Nënshtrimi” shfaq edhe rrënjët dhe shkakun e emigrimit të rinisë dhe elitave kombëtare.

Eseja “E lotëbotëshme”, vjen si një rrëfim enigmatik, porse në fund të saj shfaqet pasoja: “Njeriu ishte në ikjen e tij të lotëbotëshme…”.

Eseja në faqen e pare fluturon me metaforën e origjinës, si simbolika tretur në kohë parardhësish. Në këtë origjinë “pylli” simbolizon trashëgiminë e gjallë njerëzore dhe “përshpëritjet” simbolizojnë historinë e shkruar dhe gojore të të pareve të fisit dhe krahinës nga vjen prejardhja e autorit. Autori është product i “largëikjes” nga rrënjët, si një filiz e fidan i atij pylli. Në faqen e dytë, Fatmiri na ofron konceptin e zvarritjes në kohë dhe hapësirë, nëpërmjet “zvarritësi të vogël tokësor” si simbol i pritshmërive metafizike të dukjes dhe të shfaqjes, dhe nëpërmjet “zvarritësi misterioz” si simbo i ardhmërisë nga thellësia tokësore ku janë besuar fatet e “pyllit” njerëzor si edhe fatet “përshpëritjeve” historike, si ekuivalencë e ndërgjegjes njerëzore.

Kjo metaforë duket sikur pulson brenda kornizës demografike dhe etnografike, si metaforë, por në të vërtetë ajo kapërcen simbolikat muzeale dhe shkon drejt përjetimeve aktuale sociale dhe politike të proceseve transformuese në dekadat e fundit. Kjo mbetet e nënkuptuar. “Krimbi Mistershëm” shfaqet si Mesia që do shpëtonte “pyllin” (popullin) dhe “pëshpëritjet” (historinë) nga “milingonat”, të cilat filtrojnë një dualitet të puntorisë së palodhur, por me teknologji të kostueshme në jetën e pyllit. Kjo bëhet më bindëse me anë të stilit të integruar të metaforave simbolike me jehonën e tyre në konkretësinë sociale e politike të turmave në protesta, kafene, rrugë, midisje, takime, parlament, kuvend e qeveri.

Në faqen e tretë eseja fokusohet në qëllimin e “Krimbit të Mistershëm”: “Cili ishte qëllimi i tij?”. Autori kërkon gjenezën e këtij krimbi atje tek “njerëzia e tejngopur” në “një plazh të madh” ku mes lakuriqësisë krimbi merr bekimin dhe një “Libër” autentik e “me kapakë të ndryshkur”, i cili të kujton kodikët e vjetër fshehur mes themelesh të vjetëruara, me fletë të zbardhuara prej mykërave të kohës, por që duhej shkruar sipas urdhërit të gjakut të krimbit gjetur lakuriq mes një plazhi (!?). të duket si një paralele e avangardës së fundit të artit shndrruar në politikbërje globale në një vend të vogël si Shqipëria.

Politika e ndërtuar si “gravurë e lakuriqësive” ngre tensione ekzistenciale të politikës shqiptare, ku vetë “Krimbi shpëtimtar” mund t’i hajë rrënjët e drurëve njerëzor në “pyll”. Me këtë paralelizëm metaforash fatmiri na ka paralajmëruar për atë çka është duke ndodhur në politikën shqiptare vitet e fundit. Autori na shpie edhe më tej se shqetësimi ka lindur nga trashëgimtarët e “Librit” (testamenti politik, religjoz dhe ekonomik) se mos ky vetë i ha këto rrënjë pabesisht në lakuriqësinë e tij të palexueshme mes kërcimeve të lumtura dhe i buzëqeshur... në lakuriqësi, ndaj edhe e specifikojnë karakterin e tij si; “Krimbi i Mistershëm i Gravurës”, si simbolikë e një “zëri të çartur krimbor” i cili nëpërmjet një “Vege” (partnere e seksit të kundërt) ngre tymnaja modernizmi snobist, që tërheqin vëmendjen e puntorisë (milingonave) së hutuar, për të shpëtuar “pemën e vjetër” (fisi, trashëgimtarët e pushtetit dhe privilegjet ekonomike). Dialogu me “Vegën” është kuptimplotë se si “krimbat” parazitarë qartësojnë botkuptimin r tyre përçmues ndaj shtresave punëtore, siç janë simbolizuar me “milingonat marangoze”, porse duheshin ngazëllyer me “recetat” e tij mbi djegjen dhe tymosjen e gjetheve politike të mëparshme, si një lojë e rrezikshme në “gojën e ujkut”, pasi “mbrojtja” e pemës nga “milingonat marangoze” e shndrronte atë në sundues të rrënjëve nga ku do niste ta hante qetë-qetë me krimbat e tjerë nga “plazhi i madh”.

Në faqen e pestë, eseja na prezanton “harenë” e gjithë gjallesave të “pyllit”, si simbolikë e karaktereve dhe natyrave njerëzore të cilat shqetësëhen për rrënjët e pemëve në “pyll”, por natyrën naive të tyre përballë “tymit”, që simbolizojnë paranë dhe anarkinë spontane të aleancave sociale dhe politike, ku milingonat, harabelkat dhe çafkat bashkohen në heshtje “recetave me tym” të krimbit. Këtu autori na qartëson se “tymi” (paraja dhe anarkia) trullos edhe elitat e ditura, duke na treguar se si “Pema e Mençur” u përul dhe përkëdheli “Krimbin e Mistershëm të Gravurës”, i cili u zgjua me mjekër të zezë dhe të rilindur nga “tymi” i gjetheve të djegura përgjatë gjithë natës së hareshme mes parasë dhe anarkisë sociale.

Dhe vetë krimbi ndjehet “magjepës dhe pikant”, aq saqë gjithë të mençurit e “pyllnajës” u theeluan në studimin e vlerave të “krimbit” dhe shtimin e tyre nëpërmjet klonimit politik të “tymit”. Dukshëm autori na ka ndërtuar një paralele të fortë metaforash mbi aktualitetin e dhjetëvjeçarit të fundit në atdheun e tij të largët, Shqipërinë “e lulëzuar”.

Në mbyllje të esesë, autori na përcjell dy mesazhe tronditëse: E para, Bashkësia Ndërkombëtare dhe institucionet e saj, simbolizuar me “Udhëzuesja e Shpatës së Padukshme”, ndjehet e lumtur që “tymi” ka mbuluar jetën dhe historinë e një vendi (Tymi e kishte mbuluar Pyllin e Kohës dhe Pëshpëritjeve) dhe se eksperimenti i kryer nga “Krimbi i Mistershëm i Gravurës” mund të përdorej edhe në vende të tjera, për të krijuar iluzionin e begatisë, ndërkohë që krimbat parazitë hanë rrënjë dhe zhdukin pa u ndjerë “pyje” dhe “përshpëritje” njerëzore.

E dyta, fakti që në këtë eksperiment ka nisur e mungon njeriu, i cili largohet nga ky “tum” me lotë në sy dhe dhimbje në shpirt, siç edhe mbyll këtë analizë filozofike dhe historike autori: “Njeriu ishte në ikjen e tij të lotëbotëshme…“

Kjo ese do guxim ta strukturosh, po aq sa edhe kërkon guxim ta zbulosh të vërtetën, fatkeqësisht e papranueshme nga “harabelat, çafkat dhe lepurushët” e jetës politike në Shqipëri! Eseja “Normal i ri” inkludon një shqetësim që lind në ndryshimet e sjelljes në të ardhmen prej shoqërisë.

Në këtë libër janë mbi treqind ese që kërkojnë vëmendje të veçantë. Natyrisht një analizë e tyre kërkon më shumë kohë, më shumë vëmendje, por që me këtë rast mendoj që të lihen në këndin e vëzhguesve të tjerë, në atë që më shumë lexues të kualifikuar do të kenë mundësinë të shprehin mendimin dhe bindjen e tyre. Duke thënë më tej se mjaft nga esetë e këtij libri janë një trajtesë e re, e parë në një kënd ndryshe, sikurse është dhe qëllimi i këtij projekti, për të prurë një risi të re, natyrisht në këndvështrimin një filozofie të përditshmërisë në këndin e sotëm të transformuar shqiptar.

78 views0 comments

Comentarios


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page