top of page

Fetah Bahtiri: "Ullmar Qvick  Albanolog Plus" 



Një libër i shkruar me përkushtim e dashuri për mikun - z. Ullmar Qvickun

 

Fetah Bahtiri: "Ullmar Qvick  Albanolog Plus"  monografi, Botues: Shoqata e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “ Papa Klementi XI Albani, Suedi 2025

 

 "Ullmar Qvick Albanolog Plus" nga Fetah Bahtiri është një libër që shqyrton jetën dhe veprën e njërit nga albanologët  dhe përkthyesit më të njohur suedez të shekullit të 20-të, z. Ullmar Qvick. Autori, me dashuri, me përkushtim pasion, na ofron një vështrim të hollësishëm mbi figurën poliedrike të z.U. Qvick, i cili, përmes përkthimeve, studimeve dhe kontributit të tij prej shkrimtari, përkthyesi, intelektuali dhe veprimtari të denjë ka ndihmuar në ndriçimin e çështjes shqiptare, në pasyrimin e letërsisë, kulturës dhe historisë shqiptare,  jo vetëm në Suedi por edhe më gjërë. Ai paraqet me kujdes dhe hollësi angazhimin e tij në  çështjen shqiptare në fusha të ndryshme kulturore, shoqërore dhe politike duke i trajtuar edhe këtu edhe hulumtimet e artikujt e tij qoftë nga fusha e albanologjisë, letërsisë  apo edhe nga fusha e kulturës dhe politikës që Qvick i ka shkruar me profesionalizëm dhe me dashuri e dashamirësi për Shqipërinë, për Kosovën dhe për gjithë shqiptarët. Autori i librit shtjellon me një stil të qartë dhe të kuptueshëm, me një gjuhë të pasur e të rrjedhëshme analitike e vështruese angazhimin e gjithanshëm tëe z. Qvick, punë e angazhim me përkushtim shumë vjeçar  që  e ka bërë atën jë figurë kyçe dhe shumë të rëndësishme për shqiptarët.

Një aspekt interesant i këtij libri është mënyra se si Bahtiri i çaset figurës së z. Qvick, duke e trajtuar atë jo vetëm si një studiues të shkëlqyer, por edhe si një person me një dashuri të thellë për muzikën, për gjuhën, për letërsinë, për kulturën dhe përgjithësisht për popullin shqiptarë. Autori vë në pah jo vetëm profesionalizmin dhe dijen e Qvickut, por edhe aspektet më njerëzore të tij, duke e portretizuar atë në hollësi si një individ që ka kontribuar në mënyrë të heshtur dhe pa shumë bujë në njohjen e kulturës, historisë dhe traditës shqiptare  tek populli suedez dhe më gjërë.


Duke u bazuar në materien që trajton ky libër e them hapur dhe pa asnjë hezitim se "Ullmar Qvick Albanolog Plus" është një libër i vlefshëm dhe i rëndësishëm që ndihmon edhe në pasqyrimin, në ruajtjen dhe në promovimin e trashëgimisë kulturore e shoqërore shqiptare.

Me një qasje profesionale, të angazhuar e të detajuar në hollësi,  Fetah Bahtiri ka krijuar një vepër që e nderon figurën e Ullmar Qvickut dhe që i ofron lexuesit një mundësi të pasur për ta njohur më shumë dhe më mirë  punën dhe kontributit të tij të çmuar e shumëvejçar, si një mik i madh dhe besnik i shqiptarëve, si krijues e intelektual, përkthyes e albanolog i pashoq.

Autori materien e këtij libri që është edhe më shumë se monografik e ka shtjelluar në  12 kapituj: rë cilëve ju paraprinë një parathënje dhe të dhënat faktografike për Suedinë për të nisur pastaj me kapitullin “Personalitete të njohura suedeze të angazhuara për çështjenshqiptare të Kosovës” duke vazhduar me biograinë, veprimtarinë dhe me  punimet kërkimore të U. Qvikut. Vazhdojnë më tutje dy kapitujt “Ligjërata profesional, politike e shoqërore dhe veprimtari në shërbim të shqiptarëve” dhe kapitulli i gjashtë “ Në përballje me kundërshtarët e shqiptarëve, debate me shoqata e individë serbë”. Në kapitullin shtatë jipen  vlerësime dhe shkrime për U. Qvikun, pastaj vjen një kapitull me intervista të Ullmarit, si dhe interesimi dhe aktiviteti i Ullmarit në fushën e radios dhe inteteresimet e tij për pullat postare dhe për insektet duke përfunduar me kapitullin dymbëdhjetë “ Opinione për Ullmar Qvickun”. Libri mbyllet me një përfundim në tr gjuhë shqip, suedisht e anglisht, me shënimet për autorin dhe përmbyllet me fjalën e fundit të Ullmar Qvikut në dy gjuhë suedisht dhe shqip.


Pra, libri "Ullmar Qvick Albanolog Plus" nga Fetah Bahtiri është një vepër që e kalon kufirin e një monografie tradicionale duke sjellë një trajtim më të gjerë e më të thellë të figurës së gjithanëshme të U. Qvickut, i cili nuk është vetëm një individ por edhe një krijues,përkthyes e studiues i zellshëm dhe shumë i rëndësishëm, i përfshirë dhe me ndikim në lidhjet shoqërore e  kulturore ndërmjet Suedisë dhe Shqipërisë, Kosovës e gjithë shqiptarëve kudo qofshin ata. Nëpërmjet këtij libri, autori i jep lexuesit një pasqyrë të gjerë për të gjitha angazhimet dhe kontributin dhe e tij të rëndësishëm parë edhe në kontekstin historik e shoqëror që padyshim ka ndikuar shumë dhe denjësisht në njohjen, në ngritjen  dhe në forcimin e miqësisë në mes të popullit e shtetit suedez dhe në mes shqiptarëve qofshin ata në trojet shqiptare, në Suedi apo edhe gjetiu në diasporë.

Një nga aspektet interesante të librit është para kapitulli që e nis libri ku autori sjellë jo vetëm shënime  faktografike e shumë të rëndësishme për Suedinë, por i përmend edhe disa nga intelektualët, krijuesit e politikanët suedezë që kanë pasur një marrëdhënie tepër miqësore dhe shumë  mbështetëse e përkrahëse ndaj shqiptarëve dhe çështjes shqiptare në përgjithësi.

Një tjetër dimension i veçantë i librit është fokusi në fëmijërinë dhe rininë e herëshme  të Ullmar Qvick, i cili, ashtu si edhe shumë studiues të tjerë, ka pasur një periudhën e formimit intelektual që ka ndikuar në zhvillimin e interesave të tij për radion e për muzikën, e më pas për gjuhën dhe kulturën shqiptare. Bahtiri ofron një analizë të kujdesshme mbi mënyrën se si interesat e Qvickut për muzikën shqipe kanë evoluar dhe janë lidhur me pasionin e tij për shqiptarët për gjuhën dhe për albanologjinë. Ky kalim nga një pasion muzikor në një fushë të thellë njohjeje e  studimi të gjuhës e kulturës shqiptare është një aspekt që e bën personazhin kryesor të këtij libëri shumë të veçantë.

Një aspekt shumë interesant dhe i rëndësishëm i librit është trajtimi i përkthimeve të Ullmarit, duke u nisur nga përkthimet e herëshme të tij deri në ato më të reja nga shqipja në suedisht, por herë-herë edhe nga suedishtja në shqip.  Bahtiri i kushton vëmendje të veçantë përkthimit të literaturës shqipe në suedisht, proces ky që ka ndikuar në zhvillimin e tij si albanolog dhe përkthyes. Duket qartë se përkthimi  për Qvickun nuk ishte vetëm një akt profesional, por një mundësi për të hyrë më thellë në letërsinë, në krijimtarinë dhe në shpirtin e kulturën shqiptare.

Më duhet të theksoj që autori trajton jo vetëm aspektet intelektuale të jetës së Qvickut, por indirekt bën një reflektim të rëndësishëm mbi mënyrën se si intelektualët e mirëfilltë mund të ndihmojnë fuqishëm në ndërlidhjen dhe në zhvillimin e marrëdhënjeve midis kulturave e gjuhëve, popujëve dhe vendeve. Pra Bahtiri e trajton punën e Qvickut jo vetëm si përkthyes e albanolog, por edhe si një intelektual që ka krijuar ura të qëndrueshme miqësie e mirënjohjeje ndërmjet dy popujëve, dy gjuhëve e dy kulturave shqiptaro - suedeze. Trajtimi i kësaj dimensioni të punës së frytshme të  Qvickut është shumë i rëndësishëm edhe në përhapjen e kulturës shqiptare jashtë kufijve etnik të tyre.

Një tjetër pjesë e rëndësishme e këtij libri  është trajtimi i  pasionit të Ullmar  Qvickut jo vetëm për letërsinë, por edhe për radion për muzikën dhe për filatelinë, tri fusha që mund të duken të ndryshme, por që janë të lidhura me pasionin e tij për kultivimin e njohurive dhe për përhapjen e kulturës por që padyshim e kanë kompletuar personalitetin e Ullmarit si një intelektual i cili nuk e kufizonte veprimtarinë e tij në një fushë të caktuar, por i shfrytëzonte mundësitë që i jepnin këto disiplina për të pasuruar njohuritë dhe për të ndihmuar në ndërlidhjen e njerëzve, popujve, kulturave gjuhëve dhe vendeve.

Në përgjithësi, "Ullmar Qvick Albanolog Plus" është një libër që në mënyrë të detajuar e me mjeshtri  portretizon figurën shumëdimensionale të një albanologut të shquar Ullmar Qvick, duke e trajtuar atë nga këndvështrime të ndryshme, duke iu referuar edhe një rrjeti shumë të gjerë prej miqësh e bashkëpunëtorësh që shtrihet në shumë vende, përfshirë këtu Suedinë, Kosovën, Shqipërinë dhe në gjithë diasporën shqiptare.

Autori u kushton vëmendje dhe i trajton me kujdes të veçantë edhe opinionet e autorëve shqiptarë, të cilët kanë pasur mundësi ta njohin  më përsëafërmi veprimtarinë dhe personalitetin e U.Qvickut apo edhe të bashkëpunojnë e bashkëveprojnë ngushtë me të, në fusha të ndryshme.

Prandaj  vlerësimet, mendimet dhe përshtypjet e intelektualëve shqiptarë, të cilët jetojnë në Suedi, Shqipëri, Kosovë dhe në diasporë për punën dhe kontributin e U. Qvickut e pasurojnë ehe më shumë këtë libër.

Edhe vlerësimet, opinionet dhe kujtimet e  këtij rrjeti miqsh dhe bashkëpunëtorësh  për Ullmar Qvickun e pasurojnë librin dhe e portretizojn ë edhe më mirë gjithë figurën e këtij si përkthyes e studiues të njohur në fushën e albanologjisë, por edhe si një person që ka ndërtuar lidhje të qëndrueshme dhe të thella miqësie të qëndrushme me individë, me shoqata  e me grupe të ndryshme shqiptarësh në traojet shqiptare dhe në Suedi.  Gjithashtu, Bahtiri trajton rëndësinë e përkthimeve të Qvick-ut nga shqipja në suedisht dhe si ky proces ndikoi në formimin e tij si albanolog dhe përkthyes. Qvick, përmes përkthimeve të tij, i dha mundësinë lexuesit suedez të njihte më mirë letërsinë dhe kulturën shqiptare, duke pasuruar kështu literaturën suedeze me pasuri të reja.

Bahtiri në këtë libër sjellë edhe përkthime të përzgjedhura të Ullmar Qvickut, të cilat përveç si ilustrime të këndëshme të librit, janë të rëndësishme për të kuptuar më mirë kontributin e tij në fushën e përkthimit. Pa asnjë dyshim puna e Qvickut si përkthyes ka pasur një ndikim të madh në prezantimin e letërsisë dhe kulturës shqiptare në Suedi dhe më gjerë.

Një nga veçoritë më të dallueshme të këtij libri është pasurimi i tij me ilustrime, fotografi dhe dokumente nga më të ndryshmet, të cilat e pasurojnë përmbajtjen dhe ofrojnë një pamje të “gjallë” autentike dhe të prekshme të jetës e punës dhe krijimtarisë së Qvickut. Përmes këtyre fotografive dhe materialeve të tjera, qofshon ato opinione, poezi artikuj a vështrime, lexuesi mund të shohë më qartë botën në të cilën lëvizi Qvicku, lidhjet e tij me intelektualët shqiptarë dhe angazhimi i tij i gjithanshëm në përhapjen e kulturës shqiptare. Ilustrimet dhe dokumentet e përfshira në këtë libër ndihmojnë të krijohet një lidhje më e drejtpërdrejtë me figurën e tij, duke e bërë librin më të afërt dhe më të kuptueshëm për lexuesin.

Për lexuesit po edhe për studiuesit më duhet të përmend edhe një fakt të rëndësishëm që sjellë ribotimi i monografisë “Ullmar Qvick Albanolog Plus”. Ky ribotim është i përpunuar dhe i plotësuar në mënyrë të kujdesshme dhe ofron një trajtim më të plotë, më të hollësishëm dhe më të thellë të jetës dhe veprës së Ullmar Qvickut. Duke krahasuar këtë ribotim me versionin e tij të parë, është e dukshme se Bahtiri ka arritur të thellojë dhe pasurojë përmbajtjen, duke shtuar edhe elemente të reja që kanë të bëjnë me aktivitetin dhe kontributin e Ullmarit në këtë dekadën e fundit deri në ditët e sotme.Këto elemente të raja e bëjnë përmbajtjen e librit edhe më të pasur edhe më aktuale, edhe më të gjallë… duke u bërë kështu një pjesë e rëndësishme dhe e integruar mirë në këtë ribotim. Kështu pra, përkthimet, dokumentet dhe ilustrimet e shumta, së bashku me thellimin e analizave dhe shtimin e informacionit të ri, këtë botim të ri e bëjnë  një vepër edhe më të vlefshme për studiues dhe për lexues. Ky libër si i tillë  pa asnjë dyshim është një vepër e rëndësishme dhe gjithëpërfshirëse, që nuk ka vetëm vlerë  dokumentare e shkencore, por gjithashtu kontribuon në mënyrë të veçantë në pasqyrimin e marrëdhënieve shqiptaro-suedeze, për më shumë, direkt apo indirekt luan një rol të rëndësishëm në pasqyrimin e gjithë historisë së mërgatës shqiptare në Suedi.

Kështu, unë me plot të drejtë konsideroj e konstatoj se libri “ Ullmar Qvick Albanolog Plus” është një kontribut  shumë i çmuar, me të cilin Fetah Bahtiri i bën nder jo vetëm mikut tonë të madh z. Ullmar Qvick,  por dhe gjithë komunitetit tonë në Suedi dhe më gjërë.

Një nga kontributet më të rëndësishme të këtij libri është evidentimi i marrëdhënieve shqiptaro-suedeze, si dhe i rolit që Ullmar Qvick ka luajtur në promovimin e kulturës shqiptare si dhe rëndësinë e mërgatës shqiptare në Suedi, duke e paraqitur këtë si një komponent të rëndësishëm të historisë së shqiptarëve jashtë atdheut. Libri sjellë në pah edhe arritjet e intelektualëve, krijuesve letrarë dhe artistëve shqiptarë që jetojnë punojnë dhe krijojnë vlerat e tyre letrare, kulturore, artistike e shoqërore në Suedi, duke kontribuar kështu në jetën kulturore dhe intelektuale të vendit, në marrëdhëniet miqësore shqiptaro-suedeze dhe në historinë e mërgatës shqiptare në Suedi.

Njëri nga këta krijues që jeton e vepron në Suedi është edhe autori, përkthyesi dhe studiuesi Fetah Bahtiri, i lindur më 11 tetor 1943 në fshatin Lisicë, komuna e Mitrovicës, me banim Uddevalla të Suedisë që nga viti 1991.

Ai ka përfunduar shkollën fillore dhe gjimnazin në Mitrovicë dhe ka studiuar në Fakultetin Filozofik dhe atë Juridik në Prishtinë. Gjatë karrierës së tij profesionale, Bahtiri ka punuar në fushat e arsimit, si mësues, profesor, asistent për folklor në Institutin Albanologjik të Prishtinës, drejtor shkolle, jurist dhe përkthyes. Ai ka kontribuar gjithashtu në gazetari dhe ka shkruarartikuj dhe  studime shkencore.

Në vitin 1991, Fetah Bahtiri u shpërngul në Suedi, ku ka punuar në arsim si mësues i gjuhës shqipe dhe si koordinator për integrim në komunën Uddevalla, ndërkohë që ka zhvilluar një aktivitet të pasur letrar dhe kulturor. Ai  është bashkëthemelues i Lidhjes së Arsimtarëve Shqiptarë në Suedi dhe i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI Albani”. Gjithashtu, ka marrë pjesë në aktivitete të shumta kulturore dhe letrare, duke u angazhuar për ruajtjen dhe promovimin e kulturës shqiptare në diasporë.

Fetah Bahtiri është autor i mbi njëzetë titujsh veprave letrare, dokumentare dhe veprave të përkthyera. Nga veprat e tij më të njohura janë “Këngë për Zaden”, “Rrugëtim i dashurisë”, “Miku i madh i shqiptarëve Ullmar Qvick” dhe “Monolog në mërgim”. Përveç librave, Bahtiri ka botuar edhe shumë artikuj shkencorë dhe është përfshirë në shumë antologji.

Për veprat dhe kontributin e tij, Fetah Bahtiri ka marrë çmime dhe mirënjohje, për angazhimin e tij të palodhur në fushën e kulturës dhe arsimit. Ai jeton dhe vepron në Suedi, duke vazhduar të kontribuoni në fushat e shkrimit, përkthimit dhe leksikografisë.

Libri i tij që po e promovojmë sot "Ullmar Qvick Albanolog Plus" është një libër që e kalon kufirin e një monografie të zakonshme, duke ofruar një përshkrim të pasur dhe multidimensional të jetës dhe veprës së albanologu të shquar  z Ullmar Qvick, i cili ka dhënë një kontribut të madh, jo vetëm në përkthimet e në  studimet për kulturën shqiptare, por edhe në ngritjen e urave të miqësisë ndërmjet dy kombeve.

Botimit  dhe ribotimit të një libri i gëzohet padyshim çdo autor e bashkautor, çdo krijues e çdo lexues… Edhe për mua ky libër është një gëzim i madh, sepse edhe unë  me kontributin tim jam në një farë mënyre pjesë e gëzimit të daljes në dritë të këtij libri, aqë më tepër jam i i lumtur që në këtë libër janë përfshirë disa nga krijimet  dhe vlerësimet e mia  autoriale për mikun tim -  z. Ullmar Qvikun.

Krejt në fund të kësaj fjale  promovuese për librin "Ullmar Qvick Albanolog Plus", autorit  të saj i uroj shëndet dhe shumë suksese të reja, ndërsa librit  rrugëtim të mbarë tek lexuesit.

 

Janar 2025

                                                                                                         

25 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page