top of page

FENIKSI ÇAMËRIA



Era e fortë e lirisë, së këtij mileniumi,

ka ndezur yllin e sinjalit të blertë:

Gjaku i martirëve të zgjohet nga gjumi,

Feniksi Çamëria të ngrihet nga hiri i vet.


Psherëtijnë eshtrat thellë, ndër varre,

bubullojnë kudo muret nën rrënoja,

oshtijnë rënkimet dhjetëravjeçare,

oxhaqeve me blozë, u ka ardhur goja...


Çelën lastarë trungjet e prerë të ullirit,

shpirtrat e nënave, kanë rindezur vatrat,

zërat e therur të foshnjave të gjirit,

shkundën pendët e Feniksit nga baltërat.


Osman Taka u ngrit, për vallen e vjetër,

në dosjen e krimeve, fustanella me dritë,

shpalosi vitet e gjenocidit, ndër grekër,

për të kërcyer i lirë, pa litar në grykë...


Bubulina bubulloi, përmes reve të zeza,

nga Gumenica në Filat e tej Paramithisë,

Lumi Kalama ka nisur, deri nga Preveza,

t’i këndojë me valë, këngët e trimërisë.


Gjin Bua Shpata e Mërkuri, heronj luftëtar,

pastruan shpatat, nga millet e ndryshkur,

dhe filluan, mbi gurët e Çamërisë së parë,

shekujve të shkuar, t’u kruajnë myshkun.


Hasan Tahsini i madh e Marko Boçari,

grisën thëniet e rreme, në faqet e historisë,

me prova shkencore dhe medaljone ari,

kërkuan emrin e vërtetë, të bijve të Çamërisë:


Haxhi Mehmet Dalani, shkuli emrin, Mihal,

ndërruar në libër, nga Kazanzaqi romancier,

duke thirrur, sa tundi shkëmbinjtë në mal:

Emrin çam, brez pas brezi, kam për nder!...


Dodona Pellazgjike, u zgjua nga shekujt,

dhe gjëmoi me zërin shkëmbor të rëndë:

në tempullin e mermertë, urdhëroi dishepujt:

Bijtë e Çamërisë të kthehen në vatanin tënë!


Bilal Xhaferri ka shkruar, në të qiellit rrugë:

Të gjithë muhaxhirët, strehuar në Veri:

ka ardhur koha të kthehemi përsëri në Jug,

Mirë se të gjejmë, o nëna jonë, Çamëri!...

16 views0 comments

Comentários


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page