top of page

Fatmir Terziu: Çfarë po eksperimentohet mes mitit, legjendës dhe realitetit?!



Nga Fatmir Terziu

 

Nuk mund ta anashkaloj. Ditë e bukur, me analogji Dielli, me cipalin fundvjeshtak të hedhur krahëve, prezenca e bukurive natyrore në Parkun Kombëtar të Shebenikut është ngulmuese, rrënjëzuese dhe ndoshta në këtë rast kalimtare për tu rrënjëzuar më shumë në memorje. Si formëza të sajuara pos gëlltitjes dinake të reve, ngjyrania e pështjellës nduk dhe zhduk vetvetiu prezencën dhe qasjen e tyre. Qasjen e udhës ndryshe. Ecjen e qetë në asfalt. Ecjen e mesditës që është krejt ndryshe. Ndryshe në bukuri, ndryshe në njohuri, ndryshe në memorje. Dhe ti hesht thellohesh në kërkime dhe shtjellohesh me dije. Është diku gjetkë në kohëra vërtet një hije. Por ajo e së shkuarës? Po ajo e mëngjesit që ke lënë pas në Shkallë të Lunikut? Po ajo që ke shpëlarë në rrjedhë të pastër tek Çezmat e Llangës? Të gjitha kanë edhe mite…, përtej Fjalës! E përtej në vetëdije diku ende të gjitha mbesin hije nën hije.

***

Në këtë vizitë enkas mes memorjes, vendosa të pyes hijet se cili është miti i tyre. Miti i tyre? Më saktë miti i tyre i preferuar. I pyeta se cili mit mendonin se ishte më i madhi dhe ai që kishte një ndikim të madh tek ata. Më interesantja, miti që do t'i bënte të dëshironin më shumë. Disa hije thanë vampirë, disa thanë dragonj, disa thanë origjinën e botës dhe sigurisht, shumica prej tyre thanë mitologjinë e famshme të fqinjit jugor.

Dhe pyeta disa hije më të mëdha. Hije rrapash të mbira e të shkrira me gjendëgjindjen e tyre të ndjeshme. I pyeta, cili mit mendojnë se është gjëja më e pamundur të ndodhë. Cili është miti që nuk do të jetë kurrë i vërtetë kur tallja e dikurshme është një dhimbje, një sëmundje? Një sëmundje që koha ka bërë që e tërë zona të kalojë në zbrazje.

Dhe unë u befasova kur disa thanë se miti i tyre i preferuar ishte ëndrra e ikjes, ikjes, thashëthemit, e gjithë atij trendit me trendin e pistë të shtrydhur pikë-pikë, në rrënjët e tyre, natyrisht i ndjekur nga të qeshura pijanece, nga tallje mistrece, nga gjendje grindavece. Është harruar burri, është harruar guri. Është harruar miku, vëllai, komshiu dhe ustai. Është harruar patatja. Është harruar kultura e tradita e saj, por jo në çdo skaj…

***

E gjendja e fundit është ndryshe. Një bukuri e thjeshtë, një bukuri natyre. Një qetësi, një hijeshi. Një pastërti! E aty më lindi ndërmend ajo që vinte dikur nga shpurra. Sikur të ishte një mit, sikur të ishte trillim, sikur të ishte diçka që nuk është e vërtetë. Sikur të ishte thjesht vetëm një pshurrje. Pshurrje ideologjike. Pshurrje politike. E aty më rigrindej vërtet pshurrja. Pshurrje-kultura! Ai, ajo, ata dhe ato janë „gollo“ një nofkë e ftohtë, e urryer e një bote dhe e një kulture të palotë. E kotësia në të kotë. Tashmë është tjetër Botë.

Një tjetër botë rilind përditë. Pshurrje-kultura është një mit. Nuk është vërtetë. Nuk e besoj. Nuk po ndodh. Me sa duket, është thjesht një vepër fiksioni për disa koka. Me sa duket është një mit kur ndodh çdo ditë. Është një mit kur ua raporton atë dhe në vend që të pyesësh “A je mirë?”, pyetja e parë që do të bëjnë është “Çfarë kishe veshur?”.

Sepse fundi juaj ishte arsyeja, sipërfaqja juaj pa mëngë ishte ajo që u dha leje të të përgojonin, të të kontrollonin, të të ndëshkonin, të të bënin rrufe në një fletë të zhgarravitur. Dhe kur ndodh të jesh i lirë, ata do t'ju pyesin "A keni pirë?". Kur dikush ka hequr diçka që është e juaja pa pëlqim dhe ju do të fajësoheni. Sepse kishe veshur pantallona të shkurtra. Se fundja…, kishe pirë, sepse ishe vetëm jashtë. Është një mit kur ikja e lëngshme nëpër rrënjë hijesh është e lirë, por ajo që ndodh me hijen është sikur të jetë viktima më e vështirë.

Viktima e tillë ende vuan dhe vazhdimisht turpërohet. Është një mit kur bota mendon se burrat që pshurrin hijet janë burra të dobët, kur ata nuk mendojnë se hija e burrave është gjithashtu e rëndësishme. Dhe këtu ngatërrohen njerëzit.

***

A janë hije njerëzit? A kanë hije njerëzit? Do të ishte absurde të ngatërronim këtë me një përgjigje ndryshe. Do të ishte vërtet hata, se kur njerëzit vazhdojnë të bëjnë shaka, për diçka që mund të shkatërrojë jetën e dikujt tjetër. Me sa duket të gjitha këto gjëra nuk janë reale, këto gjëra nuk po ndodhin. Janë thjesht endja e një përralle.

Por si mund të mendojë një person se pshurrje-kultura është një mit? Ajo, pra pshurrje-kultura a nuk ekziston?

***

Nuk është si lufta e Trojës. Nuk është, sepse është shumë më kaotike. Shkatërron dhe vret njerëz. I lë njerëzit e këqij të fitojnë dhe viktimat të vuajnë. Nuk është si vampirët që nuk flenë dhe u duhet gjaku i njerëzve. Përkundrazi kjo është edhe më e rrezikshme se vampirët. Kjo normalizon diçka të rrezikshme. Diçka të tmerrshme. Dhe janë vetë njerëzit, njerëzit e krijuar hije nga hijet. Njerëzit që e bëjnë atë, që kontribuojnë në të dhe që nuk bëjnë asgjë për ta ndaluar atë?

Janë më keq se përbindëshat në mitologji. Dhe pse do ta quajmë atë një mit kur mësojmë diçka të mirë në mit? Kur miti na mëson diçka të mirë në jetë? Pshurrje- kultura nuk është një mit, pshurrje-kultura po ndodh kudo.

Ndodh dhe ne pranojmë. Ndodh me publikime. Me botime. Me mos vlerë…, ndodh dhe ne heshtim. Heshtëm dhe heshtim. Ndodh… ndodh. Kur ndez televizorin dhe sheh humoristë që bëjnë shaka me pshurrje-kulture, kur njerëzit e quajnë viktimën pshurrje-kulture, ata e njohin një pshurrje-kulture, kur njerëzit nuk i besojnë dikujt kur ai/ajo i raporton, kur deri më tani, pshurrje-kultura konsiderohet ende e pashmangshme.

Pshurrja-kultura nuk është një mit, pshurrje-kultura është e vërtetë, pshurrje-kultura po ndodh. Dhe thonë kjo është kultura! Ajo është pjesë e realitetit tonë postmodern, agravimit të gravurës së djeshme, në një formë më të ndjeshme, duke zbuluar e diktuar format gjenitale. A nuk është fatale?

***

E na duket se ne po çmallemi, me të cilën duhet të përballemi. A jemi të dehur?! A jemi të pirë?! Atëherë, çfarë të bëjmë me gjërat që nuk na sjellin asnjë të mirë? Për gjërat që dëmtojnë realitetin tonë? Ne bëjmë gjithçka që mundemi për t'i ndaluar, për t'i shkatërruar, për t'i shtypur. Dhe kjo duhet të ndodhë me pshurrje-kulturën, duhet të ndodhë tani. Nuk është një humor i tillë televiziv, narrativ, apo… prezervativ, një mit i tillë, që na duhet këto ditë. Edhe këto ditë po ia bëjmë marifetin vetë lojës me larushinë kulturore e 'copy-paste' të bojës. Nuk është si Lufta e Trojës!

Është analogjia e vonuar e diellit? Analogjia e Diellit i referohet momentit në librin e gjashtë, në të cilin Sokrati, pasi u nxit nga Glaukoni për të përcaktuar mirësinë, propozon në vend të kësaj një analogji përmes një "fëmije të mirësisë". Sokrati zbulon këtë "fëmijë të mirësisë" të jetë dielli, duke propozuar që ashtu si dielli ndriçon, duke i dhënë aftësinë për të parë dhe për t'u parë me sy me dritën e tij, kështu ideja e mirësisë ndriçon të kuptueshmen nga e vërteta, duke i shtyrë disa studiues të besojnë se kjo formon një lidhje të diellit dhe botës së kuptueshme brenda sferës së alegorisë së shpellës.

***

Shpella?! Aty hija është dhe mbetet e padukshmja. E fshehta. Në psikologjinë analitike, hija është, ose një aspekt i pavetëdijshëm i personalitetit që egoja e ndërgjegjshme nuk e identifikon në vetvete, ose tërësia jonë amorfe. Jashtë kësaj është e vërteta. Është rruga, është jeta. Ja sytë e besojnë, këmbët e shkelin, duart e prekin. Gjithë rruga dikur e masakruar, sot është e asfaltuar. Gjithë jeta përtej izmit, tashmë i dedikohet punës, investimit dhe turizmit.

Ky i fundit tashmë ka bërë mitin e dikurshëm të prodhimit të patates në këtë zonë një hapësirë më të madhe, më në formë. Qindra turistë vendas dhe të huaj vijnë, shijojnë dhe pushojnë pa frikë edhe këtu në Shebenik.

Dhe për të gjithë që duan ta dinë deri në matricë, ky është Parku Kombëtar i Ekosistemit Shebenik – Jabllanicë. Ai shtrihet ne verilindje të vendit tonë, në kufijtë e administrimit pyjor të Librazhdit. Me vendim të Këshillit të Ministrave ai është shpallur Park Kombëtar me vlera të larta ekoturistike, në përshtatje me konventat ndërkombëtare për shtimin e sipërfaqeve të mbrojtura.Parku ka një sipërfaqe të përgjithshme prej 33 927, 66 ha, ku pjesën kryesore e zënë pyjet, pastaj kullotat, tokat bujqësore e ato joprodhuese, shkëmbore, si dhe trojet. Ai shtrihet brenda këtyre kufijve: Në veri (Rrethi i Bulqizës): Pika e takimit të rrugës automobilistike Librazhd - Steblevë me rrugën Librazhd- Dorëz, ura e lumit Rrapun, pranë fshatit Zagosht, shkalla e Lunikut, fshati Llangë, Fushë Studën. Kufiri verior ndjek rrugën e fshatit Borovë, përroin e Zallit të Klenjës, ndërpret rrugën automobilistike Steblevë – Klenjë dhe pika kufitare Shkëmbi i Shqipes... Në lindje Republika e Maqedonisë së Veriut (Jabllanicë), Shkëmbi i Shqipes, vijon përgjatë kufirit shtetëror, maja e Raduçit (2 081 m), Qafa e Kruqit (2132 m), Shpella e Ariut (2 030 m), Qafa e Kokelit (1883 m), Maja e Kurorës), Maja Varri i Marikës, Maja e Kallkanit, Qafa Rinas (1 404 m). Në jug (Komunat Rrajcë, Qukës, Hotolisht, Qendër): ndjek kurrizin dhe rrugën për këmbësorë, në drejtimin Qafa e Policës (Maja Kyqi Mjet), kalon te Qafa e Gjashtë Lisave, ndjek rrugën për këmbësorë, maja e Skurës. Në perëndim (Komunat Lunik e Steblevë), zbret kurrizin, ndërpret lumin e Bushtricës, vijon në maja e Trestenikut, maja Varri i Plakës, ndjek rrugën këmbësore për në fshatin Bozgarë - Kokrevë, ndërpret përroin e Hotolishtit, ngjitet kurrizit, kalon përgjatë rrugës Dorëz - Librazhd, deri te pika e takimit me rrugën automobilistike Librazhd – Steblevë.

***

Dhe kjo rrugë tashmë është e shtruar. Vendi është zbukuruar. Njeriu është rilindur, është rizgjuar. Shkon pikëtakon Troftën e Borovës, investimin e Çim Gollit, e përcillet e asfaltuar deri në Ostren. Më tutje, më tutje, projekti i rrugës ende flen. Më tutje, në anën e mbetur në letër ndodhet një pamje tjetër. Po aq e lashtë, po aq e bukur dhe e vjetër. Një rrugë e shkatërruar, e harruar, e larguar…, dhe të duket sa larg dhe aq pranë, edhe pse aty ka një Doganë. Është një Doganë që të ysht, në një rrugë të asfaltuar nga fshati Xhepisht, në Republikën e Maqedonisë së Veriut, në fshatin me tre lagje Trebisht, të Republikës së Shqipërisë. Por nga Ostreni i Madh në Trebisht rruga e makinës të trisht.

Aq më keq në këtë Doganë ka vetëm një orar. E në këtë orar nxitojnë kush dhe cili të kaloj më parë. E aty nuk kanë të drejtë të kalojnë sigurisht ata që nuk kanë lindur në Trebisht, apo dhe nga fshatrat pranë. Pra aty ka një Doganë? Por për cilët anë? Për çfarë?

Trebishtasit shkojnë blejnë ushqime në Dibër, si në verë e në dimër. Madje të vjen keq tashmë dyfish fshati nuk ka më dele, lopë e bagëti, dhe të thonë se shkon në Maqedoni të Veriut të blej mish.(?!) Madje kur bëhen dasma nuk ka më salla. Ata shkojnë e bëjnë dasma sigurisht një orë e kusur larg në Viçisht? Pra aty ka doganë, ka disa pijetore për burra, ka shkollë të madhe dhe emërmadhe sigurisht, por që të duket se në këta tridhjetë e ca vite sigurisht askush nuk ka vënë të paktën një gisht. Kjo e fundit nuk është mit. Nuk është as hije dhe e bëjnë me sqarimin me bindje. Është me sa duket ende një gravurë nga shpurra, kur atje prodhohej dhe eksperimentohej pshurrje-kultura. Sidoqoftë diçka është tretur, diçka është mbetur. Diçka po ndërtohet, diçka po rizgjohet. Po a mund të më thotë dikush se me atë zonë të bukur, përveç zbrazjes masive, çfarë po eksperimentohet?

21 views1 comment

1 Comment


Guest
Nov 10, 2024

Nuk do apostrofoj këtu njohuritë-begatinë e tyre deri enciklopedike të z. Terziu. . Ka ofruar deri tani mjaftueshëm prova sa për certifikim. Do apostrofoj squetsinë vërojtuese dhe zotësinë konkluduese të tij për fenomenët shoqërore, për lëngatat e saj, për pasojat që gllabrojnë, vërtetë të thëna me një gjuhë metaforash jo aqë të përceptueshme e të kuptueshme nga lexuesi, por fare të qëlluara. Kjo metafora e tij ,,pshurrje kulture" jo që është vullgare por, është një atak i qëlluar dhe fare konstruktiv jo vetem që ,,pshurrë kulturen" e me të morbidizon të kundërten e sajë, por-tek e vë në spikamë rënien e saj, me nervozizem alarmon nevojen për zgjim sa të mëparë. Por, identifikon dhe gjërat se ka gjëra që kanë…

Like

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page