top of page

Fatmir Terziu: Zgjimi mbi petale u ngjan largësive


Rruga me laps

Nga Fatmir Terziu

 

Linda. Dhe gëzimi u bë një festë më pas

kështu nxituan duart gjyshi dhe gjyshja

më vunë poshtë jastëkut sende, letër dhe laps.

Kaq. Por kur të zgjohesha ishte „frika“

cilën prej tyre do të prekja më parë.

 

Zgjimi. Dhe sytë e mia u pushtuan nga ata,

Gjyshi: duke pritur një foshnjë të prekte diçka,

Gjyshja: „është një traditë e vjetër dhe jo një shaka,

sipas kësaj përcaktohet rruga që fëmija ka“.

 

Disa rrugë ishin shtruar pashkruar nën jastëk,

dhe unë, një foshnjë, që duhet të qëlloja,

fatin e asaj rruge të strukur në atë bollëk,

ku dukej sikur gjilpërën në kashtë do kërkoja

por syri padyshim nuk ma kishte bërë tërt.

 

Dhe kësaj tradite i erdhi më pas fundi,

gjyshi nga gëzimi gjyshen e puthi,

kur pa duart e mia të preknin lapsin,

pastaj u kthye dhe u lut me lotë tek muri,

rrjedha tashmë e kishte ndryshuar fatin.

 

Këto e mjaft të tjera si rrëfenja e ninulla

i mësoja ngadalë e ngadalë nga gjyshja,

por kur u rrita dhe më rinohej fytyra,

i mësova nga gjyshi kur me të flisja.

 

Unë tani i ktheva ato pshërëtima në varg

natyrisht me një memorje që u struk me laps:

disa sende, një letër, një laps mbetën larg

dhe unë mendohem kur kthej kokën pas,

sikur të ndodhte prapë cilën rrugë do të ngas?

 

40 gradë celcius

Nga Fatmir Terziu

 

Të kujt janë hijet që bien në këtë shesh

më duket sikur e di,

por ndërsa për ata po hesht,

hijet e tyre nuk mund ti fsheh.

 

Bula e djersës që i rrëshqet trupit,

shishja me ujë dhe hija tej gurit,

turfullojnë si një kal i lidhur me zinxhir

në mes të trurit.

 

Kali i tund këmbanat e parzmores

me sa kuptoj kërkon ndihmë,

dhe ja kaushi i bën vend akullores,

mes masës së shkrirë.

 

Sheshi është një lëmë e madhe,

gjithkush kalon e shkel me këmbë,

mbjell hijen në vend të një fare,

dhe pastaj e përtyp nëpër dhëmbë.

 

Vetëm hijet e kuajve hedhin valle,

në një mjedis kaq të gjerë,

maskojnë pëllitjet me falle,

e kështu harrohet vapa në verë.

 

Sheshi është i gjerë më deh,

unë kaloj dhe s'dua ta le,

por hijet e kuajve zhyten thellë,

mendimeve që s'më lënë të fle. 

 

Zgjimi mbi petale u ngjan largësive

Nga Fatmir Terziu

 

Ia trazoj me sy nuancat trëndafilit,

në udhën e tij të skuqjes së petaleve

dhe s'e fsheh

yshtjen e zjarrtë të prillit.

 

Era e tij më deh!

 

Gjithmonë e kundroj lastarin që kolovitet

dritëplotë, zemra ime,

e kuptoj, në shumë gjuhë përpëlitjen

e zjarrtë të syve.

 

Shëtis veten në kopshtin tënd,

t'u gjej yrnik të ri poezive,

jam po në atë kënd, po në atë vend

ku u hedh ujë syve,

më tremb!

Zgjimi mbi petale u ngjan largësive.

 

Përrallë e vjetër

Nga Fatmir Terziu

 

Sa herë që kthehem në shtëpi është një pellg.

Gjerbjet e kanë fryrë në vjeshtë,

e kanë ngrirë në dimër,

e kanë shkrirë në pranverë,

dhe ja kur kthehem të çmallem thjesht,

duhet ti hedh sytë edhe mbi atë pellg,

dhe ju miqtë e mi e merrni me mend,

sa gazeta ka ngrënë ai vend,

e ato si gjithë gjërat treten vetvetiu,

shpëton ndonjë e shkretë,

fundja kur ia mësyn veriu.

 

Është i zënë gjithnjë ai pellg,

sikurse faqet e atyre gazetave,

që qëndrojnë të ngjeshura si në një rrjesht,

duke pritur të tregojnë mes rrjeshtave,

për ato që hyjnë e dalin nga një vesh:

lajmet e ditëve të harruar,

(pellgu u ngjesh, përralla mes resh)

nëse duheshin lexuar. 

30 views0 comments

Comentarios


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page