top of page

Fatmir Terziu: Vlerat e kohës në librat e Sherif Bllacës



 

Kur u njoha për herë të parë me Sherif Bllacën, mendova se kishim çdo gjë të përbashkët me të. Ai shëmbëllente një ndjenjë familjare dhe qytetare, intelektuale, me të cilën u bë boshti i bisedave rreth të cilave rrotullohej gjithçka, Atdheu, ngjarjet, njerëz dhe angazhime.

Kështu, biseda gjente lehtësisht një gjuhë të përbashkët me tjetrin, qoftë për shkak se kishte një kuriozitet të thellë dhe të sinqertë për botën, që shkon paralelisht me poezinë. Ishte poezia ajo që na bashkoi në vitin 2005. Vite më vonë, përpiqeshim të kthehemi dhe të flasim për jetën para, gjatë dhe pas ndërsa lexoj përmbledhjen e tij të parë me poezi që në thelb ka shtëpinë, prindërit, familjen, Atdheun, dashurinë dhe respektin njerëzor.

Qëndrimi në Britani të Madhe i mësoi më shumë për lirinë dhe pavarësinë, ashtu sikurse ëndërronte kur duart i bëheshin gjak nga qepja e këpucëve në kohën kur e kishin internuar në Shkup të Maqedonisë së Veriut, në ish-Jugosllavi. Dhe nëse vende dhe kultura të ndryshme luajnë një rol të rëndësishëm në jetën e Bllacës, qyteti i Pejës është i një rëndësie kyçe për poezinë e tij. Në kohën kur u shkrua teksti [në libër], ndjente një lidhje të fortë me botën rreth tij, me qytetin, me dashurinë e familjes apo dashurinë që nuk ndodhi. Dhimbja e përvojave të rinisë ishte e fortë, dhe u shfaq lehtësisht, por edhe kaloi lehtësisht. Bota ishte një vend shumëngjyrësh që i solli emocione të stuhishme dhe bëri jehonë.

Duke u ndalur te tekstet në librat e tij, fillojmë me listën e gjatë të tematikave të preferuara, më pas marrim ritmin për të kaluar gjuhën që duam të zotërojmë, por askush prej nesh nuk e di, për të pikturuar një portret imagjinar të muzës duhet vrull pa moshë, dhe të ndalet tek muza jetike kur të vijë koha për... tema të tjera, sikurse ndodh me librat e tij.

Sherif Bllaca e ka shtuar aritmetikën e botimeve të tij. E ka vendosur në rreth pesë libra. Me peshën intelektuale të viteve ai tashmë ka librat nën siglën e tij. Por ai mbetet modest. Mbeti Njeri. Dua të them që në fillim se modestia dhe sinqeriteti i njeriut shihet qartë në thënien e hapur të Sherif Bllacës. “Unë nuk jam as poet, as shkrimtar, por një dashamirës që dua me vargje të shprehë dhimbjen, dashurinë dhe mallin nga këto pozicione ku jam”, - shprehet ai. Kështu është shumë lehtë të udhëtosh në këtë modesti mes vargjeve të tij, që sjedhin po atë sinqeritet dhe domethënie në gjuhën shqipe të ruajtur pastër në sepetat e shtrenjta të traditës dhe kulturës së familjes së tij Pejane. Duke lexuar e njohur mirë këtë traditë dhe përkushtim të hershëm të Bllacajve, natyrshëm lehtësohesh dyfish. Njëherazi prej karakterit të Sherif Bllacës dhe për së dyti nga krenaria që shijon në këtë oxhak të pasur qytetar, kulturor dhe patriotik shqiptar. Kjo gjendet edhe në strofat e tentuara poetike të Sherifit, shihet edhe në mesazhin e vëmendshëm e domethënës shpirtëror të njeriut që gjendet i gatshëm në mes ndjenjës, lotit, pikës së djersës dhe rrudhjes mendore për të përcjedhur dashamirësinë e ndjenjën njerëzore tek tjetri, tek brezat. Kjo lloj krijimtarie synon një marëveshje të heshtur dhe shtjellon deri në detaj forcën e karakterit të njeriut në imigrim që pushtohet nga mijëra probleme të jetës që e rrethon. E këtu është pikërisht ky varg që vjen në ndihmë ashtu duke sfidur tërësinë rrethuese.

Në mjaft poezi të Sherif Bllacës, zë vend e tashmja dhe shqetësimi i saj, e shkuara lakohet dhe latohet në stilin popullor dhe e ardhmja është një sfidë në mesazhin e tij të dobishëm. Poezitë e tij “Ajo është bujare”, “Në pranverë”, “Dielli dashuron”, etj kanë një lidhje tepër të ndjeshme me këtë harmoni kohore dhe me stilin e traditën popullore të vargut. Sherif Bllaca ka një arsye të qartë që e gjen forcën e mesazhit tek vetja, tek personalja dhe jetikja. Ai është një ndërlidhje historike që kapërcen emocione dhe dhimbje, një dëshmitar i shumë rrjedhave politike dhe Kombëtare dhe për të flamuri, Skënderbeu, Kombi, Peja dhe tërë Kombi janë simbole zemrash, jo thjesht zgjedhje simbolike për të shprehur dashurinë, dhimbjen dhe ndërtuar mesazhin e tij.

Në leximin kronologjik të vargut të Bllacës shihet një grumbullim vitesh, një magazinim idesh dhe njohurish që shpërthejnë në kohë, vend dhe hapësirë të gjetur. Ai di të fiksojë të mirën, të dënojë regresiven dhe të urdhërojë një ndjenjë për progresiven. Në këtë hapësirë vargu i tij kapërcen disa barriera, që shpesh duken në trajtëformim, gjuhë, strukturë e ligjësinë poetike. Edhe pse ndodh dhe shihet qartë se deridiku është një modesti krijuese jashtë ligjësive, vlerat e krijimtarisë së Bllacës, janë në nivel, pasi ai krijon për të vlerësuar ndjenjën dhe jo për të krijuar të veçantën. Bllaca sjell në mesin e lexuesit atë që ndjen dhe atë që mendon, ndaj edhe pse diku shfaqen mangësi ai ka vlera mesazhi, vlera që duhen parë e vlerësuar mirë.

Unë nuk do të nxitohesha të lartësoja krijimtarinë e Bllacës, por as t’a nënvlerësoja atë. E thënë troç, në këtë sfidë autori ka fytyrën e vet, ka fjalën e thjeshtë, ka një hapësirë që mund të lexohet nën pushtetin e vargut të lirë, nënn ndjenjën e fjalës shqipe të shprehur nga zemra dhe autorësia e lotit dhe dhimbjes në imigrim.

Krahas kësaj poezitë “Nënës”, “Ibrahim Rrugovës”, apo mjaft figurave të tjera historike dhe patriotike dhe po aq ato familiare kanë një stil tipik që flet shumë, dhe me pak punë kapin nivele të lexueshme.

Kështu poezia e Sherif Bllacës të bën të ndjehesh mirë, të bën të ndjesh frutin e një njeriu që përkushtohet dhe shkruan pa bujë. Ai natyrshëm e ka një arsye. Dhe ajo mbetet tek Njeriu! Mbi të gjitha aty janë edhe vlerat e kohës në librat e Sherif Bllacës.

59 views0 comments

Comentários


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page