
Një përkujtimore e merituar për Prof. Abdyl Kajanakun
Prof. Dr. Fatmir Terziu
Festa e mësuesit po afron dhe Bashkia Elbasan, pikërisht Qendra e Artit dhe Kulturës, në bashkëpunim me Bibliotekën „Qemal Baholli“ dhe Qendrën e Formimit Profesional, po organizojnë një ekspozitë personale familjare, dhe promovimin e librit „Intelektuali i qytetarisë Elbasanase“ shkruar nga i talentuari Eduart Hoxholli dhe kushtuar Prof. Abdyl Kajanakut. Festiviteti organizohet më 10 mars 2025, ora 11: 00 në sallën qendrore të Bibliotekës „Qemal Baholli“.

Kështu ky festivitet i merituar ka një rrjedhë të veçantë ndër vite. Kanë kaluar disa vite nga koha kur i biri Fation A. Kajanaku, do të shtrëngonte duart me ish Kryeministrin e Shqipërisë së asaj kohe Prof. Dr. Sali Berisha, ish Ministrin e Arsimit dhe Shkencës Prof. Dr. Myqerem Tafaj dhe me disa intelektualë të tjerë, përfshirë dhe Prof. Dr. Liman Varoshin, ish Rektor i Universitetit „Aleksandër Xhuvani“ ndërsa merrte në duar dekoratën e lartë që i akordohej Profesorit „Abdyl Kajanaku“, „Mësuaes i Merituar“ dhe i dekoruar me Urdhërin "Naim Frashëri" i Artë.

Akademiku, Prof. Ylli Popa ndër të tjera shkruan: ... "Prof. Abdyl Kajanaku, intelektuali i qytetarisë elbasanase... Më dt.25.11.2009, në 100 vjetorin e shkollës Pedagogjike “Luigj Gurakuqi”, (ish Normalja) Elbasan, dekorohet (Pas vdekjes) nga Presidenti i Republikës, Z. Bamir Topi, me: Urdhrin "Naim Frashëri" i Artë. Me motivacionin: "Personalitetit të nderuar të arsimit kombëtar që me përkushtim dhe profesionalizëm kontribuoi në zhvillimin dhe pasurimin e tij me vlera didaktike dhe ide pedagogjike moderne dhe progresiste".
Po kush ishte intelektuali i shquar Abdyl Kajanaku? I martuar me Hatixhe Domi-Kajanaku, të bijën e Sulë Domit, dhe motrën e Prof. Mahir Domit, natyrisht ai do të kishte udhë me ngritje zbritje në jetën dhe profesionin e tij. Por puna e tij e shkëlqyer natyrshëm i kishte kapërcyer të gjitha dhe me një aftësi që niste herët.

Pasi merr mësimet e para në shkollën Plotore dhe mbaron Normalen e Elbasanit, do të fillojë karrierën e mësuesisë. Shumë shpejt emërohet drejtor arsimi në Durrës, pastaj në Elbasan. Pas një përvoje të mirë, në pak vite si mësues, në vitin 1939 fillon studimet e larta në Institutin „Zhan Zhak Ruso“ për psikologji e pedagogji në Zvicër. Pasi kthehet në atdhe në vitin 1943, fillon punë në Ministrinë ë Arsimit si inspektor për degën pedagogjike.
Më pas do të jetë mësues në shkollën Normale Elbasan dhe në Liceun e Korçës. Për të punuar më tej për 12 vjet në shkollën Pedagogjike Shkodër. Do të rikthehet përsëri në Normale dhe në Institutin e Lartë Pedagogjik në lëndën e psikologjisë dhe të pedagogjisë, që u hap në Elbasan, për të qëndruar deri në daljen e tij në pension.

Kudo që punoi, në shkolla të mesme apo në Institutin e Lartë Pedagogjik, do të shquhet për profesionalizëm, për pasion e përkushtim në detyrë, duke përcjellë për gjithë ato vite një emër të nderuar të mësuesit, metodistit e didaktit dhe mbi të gjitha të qytetarit shembullor. Ishte udhëheqësi kryesor i pedagogjisë praktike, njihte mirë problemet e shkollës fillore dhe të mesme, ishte iniciues i futjes së metodave të reja në shkollën Ushtrimore.
Kudo që punoi, në Tiranë, Durrës, Gjirokastër, Korçë, Shkodër e Elbasan, përcolli emrin e mësuesit dhe qytetarit elbasanas të nderuar për breza të tërë. Për autoritetin pedagogjik të konsiderueshëm, ai mbajti leksionin e parë në përurimin e Institutit të lartë Pedagogjik Shkodër, më 1shtator 1957.
Në revistat shkencore të kohës ka botuar studime për probleme të psikologjisë dhe pedagogjisë. Është shquar si përkthyes duke dhënë informacion nga pedagogjia bashkëkohore Perëndimore, kryesisht në revistën "Normalisti". Ishte zotërues i disa gjuhëve të huaja.
Abdyl Kajanaku, si punëtor i devotshëm i shkollës elbasanase dhe asaj kombëtare, meriton vlerësimin e lartë jo vetëm se ngritën, së bashku me kolegët, themelet e shkollës shqipe, por mbi të gjitha, shpirti i tyre atdhetar e demokrat dha dritë për alfabetin dhe shkrimin e shqipes së sotme.
Commentaires