top of page

Fatmir Terziu: VJESHTË DHE MARS, PA DIMRIN NË MES


VJESHTË DHE MARS, PA DIMRIN NË MES



VJESHTË

Nga Fatmir Terziu

 

Në Kopshtin e Bekuar para se të na zgjonte zëri,

pas  puthjes së parë që na zbuloi krejt ne,

në sy m'u mbështoll qielli, pothuajse i tëri,

e grisa, e copëtova të të mbuloja me re.

 

Aty e kuptova se ishim shumë pranë,

ndërsa gjithësia ishte ngjyrë e bruzët,

gjithandej shikoja vetëm Evë dhe Adamë,

koha po skuqej e bëhej palë me buzët.

 

E gjithësia shihte një ëndërr të gjatë,

kishte mbuluar gjoksin me xixlla flutur,

nata po zbërthente një fund të gjatë,

duke zbuluar mëkatin që të bën të lumtur.

 

Dhe nata ishte nga më të egrat,

kal i harbuar që s'e mbanin gardhet,

u turrëm por ngecëm tek ferrat,

kur dita filloi ngadalë që të zbardhet.

 

Sa gjethe do të duheshin të shkundnim,

të mbulonim turpin që na grisi ferra,

e ku ferra më në fund e lëshoi fundin,

turpi i përskuqur po dilte nga dera.

 

M'u duk sikur fatet shkruhen mbi gjemba,

thjesht konvencione të hershme pushkatare,

nëse humb mendjen të rivrasin nga brenda,

e ti thjesht hyn në harpën që luan me halle.

 

Hyn me përdëllimin e gjethes së venitur,

në tempullin e pritjeve që pulsojnë në venë,

ke shembur Kopshtin e Bekuar pa e ditur,

për të hyrë në stinën e njeriut modern.

 

Njeriu modern e zgjedh vetë stinën,

mjafton ti afrosh të paktën një tel,

me të dëfren lakuriq si natën dhe ditën,

është grisur vetë, si duhet asnjë ferr.

 

Dhe kështu në puthje shirrash të turbullta,

mbi eshtrat e një gjetheje pa emër thjesht,

prek lëkurën me buzët e lagura të buta,

mirë se na gjete, të shijojmë moj vjeshtë.

 

MARS

Nga Fatmir Terziu

 

Nesër do të zgjohem herët të ta përsëris,

e di si i dashuroja ditët e marsit dikur?

I rrethoja me verore si lulet rreth shtëpisë,

t'ua lidhja dallëndysheve kur bija gjumë.

 

Ndizja një qiri në kishën time të vetmisë,

i lusja dhe i përkujdesja sikurse sytë,

aq fort me zemër ia ngjyrosja poezisë,

marsi më dukej se s'kishte një të dytë.

 

E kështu vazhdoja të zgjohesha herët,

ditët e marsit ndrisnin plotë shandanë,

unë, si një Naim, në një dhomë të errët,

sa inat më vinte që s'të kisha pranë.

 

Veten e pyesja pse vetëm këtë muaj,

binte shi, s'po zbutej lëkura e stinës,

si ndjehet njeriu kur është i huaj,

kur hyn në ndonjë zemër tinëz?!

 

Aty mësova se bota është rregull,

plotë enigma me dyer të mbyllura,

me një perde lë jashtë çdo mjegull,

për të endur ëndrrat e përfjetura.

 

E kur endja bëhet dashuri si çadër,

me pikla nis të ujisësh bozhurët,

pastaj me një puthje krejt të pastër,

mëson pse marsi lind lule nga buzët.

 

Për këtë shkak ekziston çdo mars,

sepse je ti është edhe dita, dhe nata,

me ty merr nur argjendi mbi livadh,

prandaj marsi i bën ditët më të gjata.

 

 
 
 

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page