top of page

Fatmir Terziu: Veprimi buron nga qenia


Veprimi buron nga qenia


Nga Fatmir Terziu

 

Në një periudhë dy a tre vjeçare, dymbëdhjetë a trembëdhjetë vjet më parë, Anton Çefa po ecte duke menduar në rrugën kryesore të qytetit ku banonte. Një i panjohur, por adhurues i librit dhe shkrimit të tij e ndoqi nga pas, i prekur nga ecja e tij disi ndryshe, me një qasje të figurës së tij të hollë, të vizatuar si kamxhik në murin e ndërtesave, e thurur me qëndisjen ultrangjyrosëse të neoneve. Ecte sikur shkelte mbi avull. Më pas ndjeu se çfarë do të thotë të shkelësh në avull dhe, i ngrohur nga lëvizja ataviste e gjakut, ndjeu diçka të strukur brenda mendimeve të tij si një shenjë gjithëpërfshirëse me jetë. Në një moment shtangu dhe mendoi nëse duhej ta ndiqte akoma. Shumë më vonë kuptoi se atëherë kishte ndjerë se mes këtij njeriu, të cilin e kishte lexuar disa herë, por që edhe e kishte dëgjuar të fliste për psikologjinë etnike të popullit shqiptar, po ndjente dashurinë e tij të parë ndryshe për popullin e tij duke e ngulitur në themelet e kujtesës së vlerave. Ngjyrat e zjarrta të atij leximi të largët psikologjik kishin filluar ta konsumojnë në mënyrë të pakthyeshme pasionin e tij pesëminutësh për autorin Anton Çefa. Ishte "student shqiptar", dhe ishte vetëm "katërmbëdhjetë vjeç", ndaj nuk e kishte idenë se në ritmin e pabarabartë të psikologjisë që kishte lexuar ndiqte një aritmi të poezisë plangprishëse ku i dukej se ishte vulosur një pasqyrë e përkatësisë së pashërueshme:

“Ata shushurijnë plepat e tyre nën yjet e vjeshtës.

Mendimi i shqetësuar, më brazdon ballin që më ngjiz.

a e dua, a e dashuroj një popull trim? Më thuaj, kush-kë?

Dhe ndjej se jam tërhequr në leximin e përjetshëm të psikologjisë”.

Të dyja tashmë, kishin dalë në një sprovë, por që kjo sprovë nuk e lejonte këtë "djalosh" të përkushtuar ndaj Leximit të ndalonte dhe ti jepte qetësi shpirtit. Thjesht me përkitjen e leximit tek realiteti dhe e vërteta në dy Sprova që kishte shkruar e publikuar Anton Çefa. Pjesa e parë: „Një sprovë e Psikologjisë Etnike të Popullit tonë“, botuar nga „Pakti“ në vitin 2012. Pjesa e dytë: „Një sprovë e Psikologjisë Etnike të Popullit tonë“, botuar nga „Botimet Fishta“ në vitin 2015.

E para, ose Pjesa e Parë e kësaj sprove u botua me rastin e 100-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë“ dhe e dyta si një vazhdim i së parës. Në përkushtim autori shkruan: „Ia kushtoj këtë vepër popullit tim që krijoi një kod etiko-moral të fisëm, në frymën e të cilit përfitoi një identitet të fuqishëm etnik, kushti kryesor i mbijetesës, edhe pse në kushte historike të pafavorshme“ (Çefa, 2012: 3). Dhe teksa ecte djaloshi shqiptar lexoi në sfondin e një ndërtese të vjetër „Age quod ages“ (Këtu: nga latinisht në shqip; Bëje mirë atë që bën“ dhe që nënkupton „Bëje mirë atë që ke në dorë“. Djaloshi pëshpëriti, por zëri shpoi disi veshin e Anton Çefës. Kaq u desh dhe ai menjëherë ktheu kokën andej nga erdhi ai zë pëshpërimë në latinisht. E ktheu kokën, por zëri humbi në turmë, e djaloshi i përskuqur në fytyrë ndërroi rrugë, duke u stacionuar në një Librari. Aty pikërisht e dinte se çfarë duhej bërë…

Këtë histori kalimtare, që zakonisht mbetet jashtë vëmendjes, sikurse ndodh që dhe libra të tillë, mjaft të rrëndësishëm, të mbeten diku larg leximit dhe vlerësimit, e ndoqa pasi e dëgjova gjatë një evenimenti letrar në Strugë të Maqedonisë së Veriut. E aty, sikurse më mbetet në zakonin tim, fiksova, dhe shënimet i nxorra pasi i lexova të dy librat. E ndërsa i lexoja librat djaloshi mbeti anonim, por dëshira e tij, dashuria e tij u shkri me një sinonim: Lexim! Lexim për psikologjinë etnike të popullit onë.


Dhe për këtë na vjen ndihmë vetë autori që thotë „Për lashtësinë e psikologjisë sonë etnike mund të flasim vetëm në mënyrë relative, pa qenë në gjendje ta shënojmë me tregues të saktë kohorë.“ Dhe për ta bërë më të saktë shkojmë më tej: „Sistemi i vlerave etike që dëshmohet tek këngët e kreshnikëve është ngjizur dhe konsoliduar në një kohë më të hershme se janë sajuar ato. Kreshnikët flasin dhe veprojnë simbas kanunit të lënë trashëgim prej të parëve. Ky system vlerash i takon një shoqërie matriakale. Argumente të tjera lashtësie janë: vënia në një plan të njëjtë kohor të përbërësve etnopsikologjikë a). me elemnte e shtresime etnokulturore të mendësisë njerëzore mitologjike (ndorja); b). me dukurinë e metamorfozës së njeriut në kafshë a në ndonjë send të pajetë (nderi); c). me dukurinë e ringjalljes së njeriut dhe ngritjes së tij nga varri (besa). (Çefa, po aty). Çabej ka shkruar: “Polis është ideja bazë e jetës politike te grekët, te ilirët është gens” (fisi, sqarimi nga, A. Çefa; 2012: 35). Sipas tij „Edhe ky lloj kohëzimi relativ e ka njëfarë kuptimi për lashtësinë e idesë në fjalë. (ibid)

Duke shkuar tek leximi i sprovave të tij, ndjekim njohjen e psikologjisë etnike, mendimet e kripura të Branko Merxhanit, thelbin arketipal të strukturës etike, impulset etnopsikologjike të Koliqit, e deri tek marrëdhëniet burrni-nder. Për këtë autori na thotë se „Tiparet kryesore të psikologjisë sonë etnike janë: vlerat e larta morale, d.m.th. përmbajtja e saj e fisme, origjinaliteti i padiskutueshëm, lashtësia arketipale dhe njësia etike etnike. Është e qartë që lidhur me lashtësinë, mund të flasim vetëm në mënyrë relative, pa qenë në gjendje ta dëshmojmë atë me tregues të saktë kohorë“.

Ndërsa lexon më tej psikologjinë etnike të këtij autori si dëshmi të origjinës ilire të popullit tonë, por dhe atë që vjen nga botëkuptimi i Kanunit tonë dhe të drejtës romake, kultin e të parëve, apo dhe krenarinë si veti të ligjshme të psikologjisë shqiptare, kupton më thellë se me këto dy sprova ke shkelur një udhë sa të lashtë, dhe aq të pasur, aq edhe të fuqishme për të folur e sprovuar me fakte realitetet psikologjike etnike të nëpërkëmbura, apo dhe të mohuara. Të dy sprovat të shpien tek një lexim i pastër. Ky lexim në vetvete është dhe një zierje kujtimesh sipas një recete unike nga njohuria dhe aftësia shpeguese diadakte e Anton Çefës.

Duke lexuar sprovat e tilla kupton se e gjitha është atje. Në fund të dëshmisë dhe në fillim të ekzistencës sublime. Është e tillë si një koncept psiko-pedagogjik i popullit tonë për diturinë edhe kur ajo për arsye të ndryshme është plotë pluhur, zëra dhe fytyra. Ndonjëherë nënkuptoj një burim të ndryshkur nga i cili më kërcen shpirti sa herë që bie nga trishtimi dhe kur gjej kumtin e lirisë dhe të bashkimit të Mbretit Gjergj, që ende na pengon nga skutat errëta dhe na tërheq duke na lënë në vend. Për të gjitha ato që kam lënë pas ndjej të lexoj dinjitetitin që është psika e njeriut që i njeh dhe i vlerëson vyrtytet e veta. Dhe lart në hiç ngjitem për ta populluar me kujtime paralele etnopsikologjike mes gjetjes dhe arsye së autorit në të dy sprovat e tij.

Memorja ime nis e zgjohet mbi pluhurin kozmik të poezisë popullore dhe ndjesia ime fillon me një vlerë të vyer tradite bardhë e zi në psikikën e sotme. Triniteti i mirësjelljes, solidarësisë, dhe krenarisë - nga vetia e ligjshme e psikologjisë etnike, vetia fisnike, dhe deri te dëshmia e një shpirti human që karakterizon popullin shqiptar anembanë. Simbolika e ndërgjegjshme, e disponueshme vetëm për ata që duan të kthehen tek vetja mbetet një dëshmi tjetër tek këto sprova që natyrisht kanë brenda tyre dhe idealin kombëtar dhe „kostumin“ kombëtar, edhe pse diku mbetet një pikëpyetje Sizifi, ose Shqipëria dhe fati i saj i rrokullisur, në një dilemë që ndoshta ka kohë që kumbon: Lindje apo perëndim? .

Qëndrova pranë mendimeve të djaloshit anonim, preka me gisht të ftohtën e ujtë të Drinit, mata gjatësinë me saber dhe shkopin e prekjes së dallgëve ia dhashë një busti të një patrioti shqiptar që të futej në oborrin ku janë dhe buste të tjerë me një identitet të dyfishtë ballkanas si një Neandertal që kafshon krahun për të shijuar gjakun e tij. Dhe aty ndjej ende leximin ndryshe në murin ku shfaqej trupi në ecje e në mendim i autorit mes fasadave që shkruajnë latinisht „Agere sequitter esse“ që do të thotë „Veprimi buron nga qenia“.

59 views1 comment

1 Comment


Guest
Nov 23

Lame Fandi

Nuk kisha lexuar ndonjehere me kujdes kaq te madh nje shkrim te kesaj natyre si ky i sotmi, nga ti, i dashur Fatmir. Theksova kujdesin , po nuk theksova kryesoren per mua: kenaqesine qe perftova nga kthjellimi me nje proze te bukur i te gjitha gjerave qe, ndonese tejet shkencore , vijne nepermjet nje rrefimi me terheqje te forte poetike. Shkence dhe magjepsje letrare, pasuruese te kultures se kujtdo qe te lexon. Dhe sa te dashur e konkret ta ben Anton Cefen dhe mendimin e tij. Pergezime pa fund.

Like

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page