Fatmir Terziu: Venka Capa, vetvetja që flet bukur nga heshtja
- Prof Dr Fatmir Terziu
- 15 hours ago
- 5 min read

Poezia e poetes Venka Capa është një aspekt i strukur në kënde të sinqerta. Ajo hyn po aq e sinqertë në krijimtarinë e ditëve tona. E sinqertë por jo e izoluar. E sinqertë, por jo e vetmuar. Në fakt me të dyja, po aq dhe me sinqeritet nuk hyj në ndonjë përcaktim didakt, as nuk dua të nënkuptoj vetminë dhe izolimin e autores së kësaj poezi.
Venka Capa ka shumë miq. Pi kafenë ku pinë poetët në kryeqytetin shqiptar, madje ka pozuar dhe me poetin Xhevahir Spahiu, me poeteshën Fatime Kulli, me shkrimtaren Nexhi Baushi, apo dhe me të tjerë, po aq e sinqertë sa poezia e saj, po aq e thjeshtë. Ka shumë miq e bashkëpunëtorë letrarë dhe është bërthama dhe ushqyesi i çdo përpjekjeje të komunitetit të saj të shpirtit entuziast letrar.
Megjithatë, duke lexuar vargjet e saj, në përmbledhjet individuale me poezi ndër vite, e sidomos në tërësinë e tyre, të mbledhura në “Unë prek me frymë”, del qartë se poezia e saj është poezi plotë dimensione, është poezi shpirti dhe fryme. Është shumë e vështirë të gjesh, si në kohët e ngarkuara me poezi, ashtu edhe në kohët me publikime në rrjetet sociale, ndonjë lidhje farefisnore dhe pikënisje për poetikën e saj, është pothuajse e pamundur t'i përmendësh frymëzuesit, bartësit e ideve të saj, përveç frymës së saj, familjes së saj, shirtit të saj, dhimbjes dhe ndjesisë së saj, po aq dhe oportunitetit të besimit tek vetvetja, tej jeta. Në thelb, kjo është poezi që kundërshton përkufizimin e një dimensioni didakt. Për të mund të flitej shumë më në mënyrë apofatike, duke filluar nga ajo që nuk është, mbetet një model shpirti poetik që vjen nga thellësitë malore të origjinës së saj, Stëblevës, në zhurmën metropolitane të Tiranës së sotme.
Venka Capa jo gjithnjë flet në vetën e parë, jo gjithnjë flet për gjërat dhe njerëzit që do, por flet për vëllezërit, nënën, njerëzit, frymën e ngjyrimin e jetës që do dhe që është pranë saj, flet për të ardhmen, flet për miqtë e saj, flet për ngjarjet, heronjtë e ditëve tona, heroin Agim Desku, e të atyre të shkuara, flet për dimensionin jetik, i madh e i vogël, që ai ndodh çdo ditë, por kjo nuk është e ashtuquajtura poezi konfesionale, aq tipike për mjediset e njohura letrare, ajo është frymë e vërtetë poetike e një poetje të thjeshtë lirike.
Kjo lloj poezie nuk është poezi autentike, as ndonjë shenjë e poezisë autobiografike në vetën e parë. Ajo është diçka tjetër, ajo është e qartë, e pastër, e sintetizuar me spirt e me letër. Ajo vëzhgon dhe përshkruan njerëzit, natyrën, ngjarjet, por nuk është poezi përshkruese. Ajo tregon gjëra, por nuk është poezi narrative.
Kjo është poezi plot kthesa të papritura, me artikulim absolutisht jo standard, jokonvencional të fjalëve dhe imazheve, por në asnjë mënyrë, kjo nuk është poezi surreale, as e tipit postmodern, por një risi e qartë e një të vërtete që e shtjellon bukur teksa e ideon dhe e gjen. Shtylla e saj, boshti i ndërtimit të saj, është një metodë unike, thjesht marinë e rregullimit, zhvillimit dhe ndërtimit të materialit në poezi, dhe është absolutisht e saj dhe e dallueshme. Që në fillim, që nga poezitë e saj më të hershme, Venka capa mbetet sikurse ka titullin dhe vëllimin e saj “Unë prek me frymë”:
„Para teje
sot në këtë ditë të bekuar
Dua që orës së murit t’ia ndal akrepat
A të asaj
që tiktakon nën mëngën e këmishës.
Të vrapoj këmbëgjakosur te gurët e shkrepat
Për të dëgjuar
orën pranë këmbanës së kishës.
Do të doja
Të shtoja çastet kur të shijoja dashurinë. (Venka Capa; Në ditën e mirë të Kryqit)
Në këtë poezi nuk ka module të pavarura që përbëjnë tekstin, nuk ka fije narrative, nuk ka fraza aforistike që mund të izolohen dhe citohen lehtësisht. Poezia ndërtohet duke grumbulluar, grumbulluar fjalë, imazhe dhe situata dhe elementet funksionojnë vetëm në ndërlidhjen e tyre. Është një rrjet tensionesh në të cilat theksimet ndryshojnë vazhdimisht, dhe në këtë kuptim është gjithmonë pulsues, asnjëherë përfundimtar, ndryshon në varësi të mënyrës se si e shikon njeriu, dhe kështu jashtëzakonisht si një organizëm i gjallë:
„Statujë para pasqyrës,
Ngjethen rrudhat, thinjat shpirtërore,
Imazhi yt më përqesh,
Trëmbet në sy pasqyra…
Ciflat bien si gurë,
Hijes së dëshirave,
Shterpë…“ (Venka Capa, Pasqyra)
Ndoshta shembulli i parë dhe më i mrekullueshëm i metodës së poetes Venka Capa janë titujt.
Një studim i veçantë mund të shkruhet për mënyrën se si Venka Capa prezanton titujt, funksionin e tyre dhe komunikimin me tekstin. Shumë shpesh janë mjaft të papritura, në dukje të palidhura me trupin e poezisë. Ata shpesh përfaqësojnë fraza standarde, pa asnjë aspiratë për një kthesë dhe befasi poetike, tingëllojnë të përditshme, thuajse biznesore, të kërkuara banale, por është pikërisht mbivendosja e tyre mbi tekstin, leximi i tyre përmes dhe për shkak të tekstit që i bën të rezonojnë shurdhues.
Dy shembuj:
1. Njeriu Bosh
Hija e trupit më përndjek...
Kur dielli ka çastin e përndritjes,
Shpresa qesh nën buzën e vrarë,
Në dridhje kënaqësish të pajetuara...
Vështrimet si shigjeta të mprehta,
Thyejnë shkëlqimin në sytë e mi.
Në rrugë një zonjë e bukur,
Puthte me dashuri qenin e saj...
Afshi kundërmoj ajrin përreth...
Rruga zhvesh krahët e kthesës,
Unë var në degë të vështrimeve,
Përçmimin e njeriut bosh në shpirt.
2. Sytë dajtorë
(Variant)
Me sytëhedhur malit të Dajtit,
kundroj dremitje të qetuar…
Pudërlehtë i mbuluar
embëlsi dehëse të hedh’…
Pemët mantelbardhë
tejmiqesohen me zogjtë,
nën tinguj cicërimorë
ritmin melodiëmbël
këngërojnë…
Hapësira qiellësore tenduar
dritimin e saj tinëzisht,
Diell laguri prej rrezatimit
shtrirë në imagjinatën e ngrohtë
paqësisht…
Oh, borëbardha shpirtin
lutem të ma shkrijë;
trishtin e veluar syve të mi,
në besim ta kthejë
në ardhmërinë
time të menduar…
Titulli dhe teksti krijojnë pikërisht atë ndërlidhje të tensionuar të përmendur më parë; dialogu i vazhdueshëm e i pashtershëm mes tyre mundëson këndvështrime, lëkundje dhe ndryshime të reja në dritën e shqyrtimit të poezisë. Në të njëjtën kohë, vetë poezia ngarkon me peshë dhe thellësi të re përditshmërinë standarde të togfjalës së titullit, e bën atë të paqartë, e vë në dyshim, nxjerr të gjithë gamën e kuptimeve nga çdo fjalë e saj. Çfarë do të thotë „sytë dajtorë“ në këtë rast? Sinjali i njohur i alarmit që japin sytë, organizmi pamor i Njeriut, si pjesë e trajnimit për marrjen e masave parandaluese apo jo, a po mëson vetë alarmi, vetë alarmi që përjeton dikush i mëson diçka, a është pjesë e ndonjë procesi mësimor ekzistencial, sikurse „borëbardha shpirtin/lutem të ma shkrijë/trishtin eveluar syve të mi“ (Po aty).
Në këtë zgjerim dhe shumëzim kuptimesh në togfjalëshin e titullit, njeriu pyet veten edhe në lidhje me titullin e vetë këtij libri: çfarë është “Unë prek me frymë”? Një hapësirë e zemrës, që ruan dhe shfaq të bukurën dhe të rëndësishmen, apo është një galeri miniere ku gërmon në errësirë, duke mos ditur se çfarë do të hasësh? Apo janë të dy në të njëjtën kohë dhe po aq të fuqishëm?
Duke përmbledhur, mund të them në mënyrë deklarative se poezia e poetes Venka Capa është heshtja që flet më shumë se të gjitha, ndoshta dhe vetë distanca e ndërlikuar shpirt-mendje për të udhëtuar midis titullit dhe tekstit. Dhe hapja e përfundimit, e cila mbetet e hapur ndaj një hapësire të gjerë mundësish për të kuptuar dhimbjen e bukur që thellon mendimin: „Mblodha flokët e dhimbjes,/Peshqesh për pikëllimin!“. Urime Venka Capa!
Comments