
Prof. Dr. Fatmir Terziu
"Gjergj Kastrioti Skënderbeu"
"Mjeshtër i Madh"
„Ajo“ do të festoj 90 vitet e saj në 25 tetorin e këtij viti. 90 vitet e saj i përkasin një jete ndryshe, një jete me aromë ndryshe, me oksigjen ndryshe. Një jetë e tërë në të nëntëdhjetat e saj me rrudha ndryshe, me zëra ndryshe, me rregulla ndryshe, me mesazhe ndryshe, me disiplinë ndryshe. Një jetë e tërë nëntëdhjetëvjeçare qëkur i zoti i saj e dhuroi me gjithë zemër për të qenë kryeqendra e një qyteti që e ka merituar emërtesën e saj, zërin e saj, forcën e saj, shpirtin dhe zemrën e saj. Dhe e tillë sot, ajo godinë e dhuruar nga Nazif Baholli, që njihet si patriot i madh dhe përparimtar, mban ende kostumin e saj më të bukur të dedikimit në një udhë të tillë jetike, të pavdekshme dhe shumë diskursive, që nisi nga dhimbja për humbjen e të birit, Qemalit, nxënës në Liceun e Korçës, i cili humbi jetën në moshë të re dhe që në përkujtim të të birit, Nazifi, si patriot i madh dhe përparimtar mendoi të ngrinte në Elbasan një vepër kulturore, bibliotekë publike, duke i vënë emrin e të birit. Si e tillë, ajo ka emrin më të bukur në Elbasan: Biblioteka Publike „Qemal Baholli“. Në të nëntëdhjetat e saj ka pritur e përcjellur me mijëra e mijëra njerëz, lexues dhe miq të librit, nxënës e maturantë, studentë e doktorantë, intelektualë e leximtarë, krijues dhe talentë, të Tjerë, dhe padiskutim drejtues dhe punonjës të përzgjedhur të saj.

E ndërsa historiku flet, janë thënë e janë shkruar shumë e shumë artikuj, fakte dhe shkrime për të, në gjithë udhën e saj nëntëdhjetëvjeçare ata që e mbajëtn të disiplinuar në disiplinën e saj, dhe që e ngritën akoma më lart emrin meritor padyshim janë emrat e drejtorëve të saj ndër vite: Ibrahim Laçi (1934-1938); Mahmud Bordi (1938-1947); Ilo Ballto (1947-1948); Qemal Murati (1949-1951); Qamil Çelirama (Çela) (1951-1957); Behexhet Çerma (1958-1959); Agron Frashëri (1959-1960); Haki Mahmutaj (Tepelena) (1960–1962); Eleonora Topuzi (Shehu) (1962-1964); Thanas Konomi (1964-1966); Naxhije Gjorga (1966-1968); Fatush Vyshka (1969-1971); Mynever Zaimi (1971-1972); Shpëtim Karaj (1972-1976); Besa Simitçiu (1976-1984); Pranvera Dulja (1984-1991); Kujtim Bevapi (1991-2000); Drita Cankja (2000-2015); Aida Gashi (2015-2022); Manjola Hatellari (2022 e në vazhdim).
Nga ajo që është shkruar për të mësojmë se Biblioteka “Qemal Baholli” është përuruar më 21 korrik 1935 dhe gjithashtu ajo është ndërtesa e parë institucionale në shtetin shqiptar, sot institucion bibliotekë, qendër kulturore kryesore e komunitetit dhe një qendër e rëndësishme studimore e kërkimit shkencor. Biblioteka ruan dhe koleksionon trashëgiminë kulturore të shkruar të popullit shqiptar në përgjithësi dhe komunitetit elbasanas në veçanti. Biblioteka ka një karakter të dyfishtë, shkencor dhe publik. Është qendër e depozitimit dhe ruajtjes së botimeve shqip, qendër bibliografike kryesore e komunitetit, qendër studimi në fushën e bibliotekës dhe shkencës së informacionit për bibliotekat e shkollave dhe bibliotekat e qarkut, qendër për edukimin bibliotekar dhe trajnimin profesional të komunitetit, qendër e katalogizmit për publikimin e librave të komunitetit në Elbasan, qendër e shërbimit të fondit albano-balkanologjik, hyrja e lirë në informacionin e shpejtë të internetit për të gjithë përdoruesit pa dallim, qendra e digjitimit të vlerave të rralla. Biblioteka organizon aktivitete të shumta përgjatë vitit në bashkëpunim me Bashkinë e qytetit. Ndër vite janë organizuar takime me autorë të ndryshëm për të promovuar veprat e tyre në bibliotekën e qytetit.

Por ajo që është shumë e rëndësishme në Bibliotekën Britanike ku mbahen arkivat e librave në miliona kopje ndodhet dhe një botim shumë i rëndëishëm i dy autoreve të tij, që njëkohësisht kanë drejtuar, dhe njëra drejton ende Bibliotekën Publike „Qemal Baholli“ të Elbasanit. Është fjala për librin-studimor prej 141 faqesh „Biblioteka Publike "Qemal Baholli" dhe historia e saj, 1934-2014“ (Tiranë, „Onufri“ 2014) me dy autoret Drita Cankja dhe Manjola Hatellari, i cili hyn sipas statistikave të leximit në këtë bibliotekë, për kategorinë përkatëse në njëqindëshen e parë të librave me këtë risi. Kjo tregon se udha e mbarë nëntëdhjetëvjeçare e kësaj godine të dhuruar me shpirt e me zemër ka tashmë një lidhje të madhe edhe në kënde të ndryshme të botës, pikërisht në Metropolin Britanik, ku tashmë janë dhe mbi 200 mijë shqiptarë anembanë Britanisë së Madhe. Një fakt tjetër që vjen nga „Trove“ arkivat bibliotekare në Australi me librin „Kontributi i atdhetarëve elbasanas në shtypin e kohës: (Bibliografi shqipe e anotuar e periodikut të viteve 1883-1944), (2012) po me autore Drita Cankja dhe Manjola Hatellari e shton akoma më shumë respektin për këtë udhë në këtë tematikë, duke e bërë diskursin që nisi në ditën e dhurimit të godinës në fjalë në një diskurs jetik e të pavdekshëm të udhës së saj në memorjet e brezave edhe nëpër botë. E themi kështu, se bashkë me titujt e këtyre librave, me emrat e respektuar të këtyre autoreve udhëton memorjeve në botë edhe emri Biblioteka Publike „Qemal Baholli“ Elbasan.
Sot kjo udhë nëntëdhjetëvjeçare nën emrin „Biblioteka Publike „Qemal Baholli“ natyrisht funksionon edhe si një koleksion jo vetëm në libra e dokumente, në arkivën e saj reale dhe dixhitale, por dhe si një koleksion që nuk ka për qëllim vetëm t'u japë brezave „Fillin e Arianës“ për t'i udhëhequr ata nëpër historitë komplekse dhe ndonjëherë kontradiktore, rrugën e bibliotekave shqiptare, por edhe për t'i nxitur në drejtime të reja kërkimore në fushën e tyre, në të cilat ka edhe shumë „fusha të bardha“, përmes duke ndryshuar në thellësi dhe shtrirje studime mikro dhe makro analitike të bazuara në arkivat dhe faktet e mbledhura me kujdes për kulturat tona, shpresoj që me kalimin e kohës jo vetëm do të plotësohen, por do të nxirren përfundime të reja dhe përmbledhjet e rolit të tyre si univers shpirtëror i brezave të ndryshëm epokave. Unë i besoj brezit të ri të shkencëtarëve me shpresën time se, me rezultatet e kërkimit të tyre të frytshëm, ata do të krijojnë parakushtet e nevojshme për të shkruar një histori të plotë të fateve të tilla të lidhura me librin dhe Shtëpinë e tij emërmadhe në Elbasan e më gjerë dhe do përvijojnë dhe mbrojnë me më shumë argumente këndvështrimet e pranisë së tyre në një këndvështrim më të largët. Urime nëntëdhjetë vjetorin „Biblioteka Publike „Qemal Baholli“! I kalofsh shekujt dhe u mbetsh përjetësisht brezave që do të ta lartësojnë emrin tënd më shumë e më shumë!
تعليقات