Fatmir Terziu: Të të lë të flesh, apo të të zgjoj Elbasan?
- Prof Dr Fatmir Terziu
- 2 days ago
- 3 min read

1. Këshilla për të zbritur një kanarinë nga kënga
Nga Fatmir Terziu
Sa shumë dua të kuptoj lartësinë e kësaj kanarine,
sa shumë kohë më duhet të zgjohem me ëndrra,
me idenë se kam ngritur laboratorin,
një gjë e vogël përmbys botën nga brenda,
dhe skllavërohet e bie në këmbët e mia,
gjithë altruizëm,
pret se si shtrohen pentagramet,
më tej notat e skllavërisë së merimangave
në një pemë,
vetëm kur ngrihet një llavë e brendshme,
djeg kohën në korrin e oazit solemn,
(edhe pse Globalizëm)
një ndërtim i ri malli në formë të verbër
livras me sy e ia zbret nga retë fisëm,
këngët nëshkruajnë një kronikë të vjetër,
më lër të të dua,
dashuritë janë njësoj në letër!
2. Tretja shkruan poezi me sy
Ka raste transparente në varg,
mendimi pështillet si letër cigareje
poshtë ritmit të shushurimës një burim i patharë
nuk fshihet…
…burimi i dashurisë më hap një shuplakë
për të shuar mall,
në fund të fundit,
si melodia e përhumbur e gotës në buzë
ndërsa imiton shtrydhjen magjike të rrushit,
këngën,
nën këmbë të tilla të ndezura prush
që burojnë edhe më bistakët në rënkim të ëmbël
me gjithë atë lëmsh që më bën dush,
nxitoj të mbledh nektarin me ty
tretja e mendimit në trup
shkruan poezi me sy.
3. Të të lë të flesh, apo të të zgjoj Elbasan?
Nga Fatmir Terziu
Të gjitha janë rrugë që vëzhgohen nga Hëna
kurse e imja një roje vigjilente e syve të tu për të parë,
tokë, det, oqean,
mure ciklopike dhe madje dhe bedena
ku dhe orët më të fuqishme gabojnë në matjen e kohës
dhe për nurin tënd buqëqeshin të dorëzuar mbi akrepa
ndërsa unë i rrotullohem 360 gradë botës
për ty rreh më fort zemra.
Lart në Kullën e Sahatit mblidhen të gjitha
zbardhja ka mbetur perdja e pritjes
kurse kjo udhë po lodhet duke i mbajtur krahëve
sekondat e mëditjes…
… edhe matjet e kohës kanë ngjyra
nga sytë e tu tek sytë e mi ka kaq shumë kuptimi i pritjes
ka kaq shumë ngjyrime sa nuk mjafton drita
dhe malli vazhdon të rrëmojë përtej dijes
hapësirave makute që zbulon dita
kur shkëput mëdyshjet e fijes
që të qëndrojnë si shall i pluhurtë në qafë,
të të lë të flesh apo të të zgjoj Elbasan?
4. Të lexova në xhamin e ndotur nga pluhuri
Përse të pashë të përfjetur në xhamin e ndotur nga pluhuri,
Ty ustain e gurit që mban duart qelibar,
Ty Mjeshtrin që ke lindur me çekiç, plumbçe e mastar,
Ty Njeriun e Shekullit që ke ngritur Kullën më të Lartë,
Ty Njeriun, Familjarin e paparë,
Ty të përhumburin më të madh në këtë hartë…
… Unë të lexova shikimin
Londra mbi Tamiz lëshoi një lot të paparë
sapo përmbyti trishtimin
me një fjalë,
statujat u përkulën të të shihnin në ballë,
hodhën një shikim të lodhur indiferent
mbi kallo, mbi rrudha, mbi damarë,
pastaj të mbuluan ngadalë
e të lanë të zgjoheshe vetë.
5. Kur statujat lakuriq zbresin nga mitet
Nga këtu rrugët maten me milje. Kilometrat
i kam lënë si shenjëza të një kohe tjetër
me mëditje
dëgjoj lajmet sikurse i dëgjon Presidenti Trump
disa pëshpëritje,
e ndoshta Kryeministri i vendit tim „Thumb Up“
në Podkastin e tij të kësaj dite
pas ardhjes së Chris LaCivita
ndjen ndonjë dridhje
ndërsa fshesa hyn thellë të pastroj si dukur
shkallët e Avgiasit nga zbutësa kapitali e krokodile
ndërsa vazhdon sezoni i turizmit të mbahet strukur
në hedhje rëre, në profile,
ku statujat lakuriq zbresin nga mitet,
të promovojnë kapitalizmin shqiptar që rritet.
VAZHDOJNË…
Comments