E ndërsa e mbaj kohën përdore, sikurse më ndodh të kem fatin të më mbaj miqësisht përdore, nënshkruaj herë pas here me të korniza të thjeshta prore, që të mirëkuptohem, por dhe të mirëkuptohemi si pjesë e kësaj loje. (Fatmir Terziu)
Telajo Kraste
Me këmbët në Shkumbin
nën krahët e saj me pupla kumurish
humbi peshë me nëntë kilogramë
ajo sjell shtatoren e bukur,
çfarë të bëj i gjori sevdali
që nuk i punon peneli tani?!
Ulliri plak
Gropëzat e lëkurës së ngrohtë
mbi supet e tij.
Britma e një trungu të moçëm
dihama e një tisi të zbehtë nate
papritmas lakuriq
dhe papritmas një karakafte
brenga gotës shëtit gogël
dashuria në tavolinat e shkollës
dhe në një zemër që shëtit botën.
Preku nostalgjik
Çakiça nostalgjik zgjojnë portën
lart
në karabobe të fryra me mall të sosur.
Në pëllëmbën e dorës trillojnë bujarisht kohën
troku i tyre, si një ëndërr, albumi është vidhosur,
nuk lexohet,
aq përlotur kush e puthi
pengohet.
Me forcën e një poezie të ngushtuar në fjalë
ai zbret ngadalë krah për krah
fryhet nën prehjen e planetëve
thërrmohet,
penëprek, zemërdjeg, sygjerb,
gjithçka tolerohet…
Zilepsje
Si gërrhet qyteti nëpër bronke?
Çfarë sepete florrinjsh zbraz ajri
nga taka e ëndrrës që ju shihni kohë pas kohe,
cilat thashëtheme mund ti toleroni,
ngul një gozhdë në oqean,
kaq mund të ju vij në ndihmë. Kaq!
Tetor, 2024
Comentarios