top of page

Fatmir Terziu: Spajkorja në ankand


  1. SPAJKORJA NË ANKAND


 

Lagjja Spajkore ka gjysëm shekulli që është në ankand!

Projekti: një foto-projekt i vitit 2068-të

ka mbetur në xhamin e berberanës së mbuluar me gazetë.

Shpallja: një dopio e mbushur, e përzier alla-Daj Sifi

poshtë banakut me modën kaçurel,

(nuk është sekret po ua them: ponç portokalli, fernet)

Shija: vjen me takat e holla me numër tridhjetë e tetë,

ndërsa sfida ime bredh mbi statujat nudo të Parkut londinez,

kë të zbuloj, kë të fsheh?

 

E ndjej Spajkoren të më gërvisht si përherë

mbështjell me pak racion,

mbuluar mbi një fetë bukë të lagur me pak sheqer,

si ritual mitik që më bekon,

e unë vazhdoj, ec në Regjents Park serbes,

e kam pranë atë që më cicëron.

 

E kam pranë dhe jam me fat. Jam me fat.  

Porta e saj është e hapur. Edhe pse jam larg.

Spajkorja është me mua, shëtit dhe pëshpërit me yjet atje lart

vishet me modën alla-beton, bën make-up,

i ngjyen ballkonët, si thonj të gjatë,

e lë pluhurin e gurëve të shkulur në sokak diku në asfalt,

s'ka baltë.

Është një zonjë që vishet me art për një palë

dhe një zonjë e ulur me kartën e pensionit të parë

duke pritur pranë Arkës së Kursimit

që mban mbi xham projektin për ankand.

 

Shënim plotësues dhe sqarues: Spajkorja (Spahikore) është një nga lagjet e vjetra të Elbasanit. Në vitin 1980 ajo u fut në projektet e kohës për ta zgjeruar vijën e quajtur të verdhë. Daj Sifi ishte një emër ikonik i lidhur me „Bufe“-në e lagjes për disa vite. Berberana mbahet mend për lulet e saj të mrekullueshme që kishte në brendësi dhe për fotografitë e bukura në xhama e mure.


  1. HIRI I BALLAKUMES

 

Të gjithë qeshim në vetën e parë

pas fetës së bukës me sheqer e pak ujë.

Kapërcejmë albumet, (Pyesim heshtjen!?)

e u tregojmë nipërve, mbesave kohërat pa bujë,

a ka gojë heshtja? Pos heshtjes mburremi me ballakumet!

E të gjithë sytë që përqëndrohen të dëgjojnë

këtu në gjeografi tjetër, mes Kitkat-eve në Londër,

duart e gjyshes, nënës e motrës që nxitojnë,

i krahasojnë primitive me ndonjë lodër.

E kështu ne ikim të prekim hirin e humbur,

drutë që mbushën me prush mangallin në mes të dhomës,

të eksperimentojmë mbi memorjen e zhdukur,

e të tregojmë me postmodernitetin e kohës,

se si të ringjallim traditën e bukur.

 

Sheqeri është përpara, miell-misri i imët, gjalpi dhe trazimi

ka një mungesë të domosdoshme por të humbur,

lexojmë nëpër shkrime, shikojmë në Youtube,

askund nuk gjendet ai material mjaft i duhur,

hiri i druve të prerë në korijen e pastër s'është më kurkund,

e ne duam të (ri)bëjmë si dikur ballakume,

por prapë s'e kuptojmë s'e çkemi humb,

po zhduket tradita sikurse po shuhen edhe ato pak kujtime.

 

Ena s'është më prej bakri. Dhe nga lodhja përdorim makinën

çdo Ditë Vere kur trazojmë me indiferencë brumin,

para syve të tjerë mallkojmë papushim klimën…

 

Gjyshet nga bardhësia vizitojnë ëndrrat. Lekturojnë për hirin e imët,

kur sitej prej duarve tona me këna edhe këngët e zgjasnin rimën!


  1. KARAKAFTJA, NUSËRON NË ELBASAN

 

Karakafja ka sy, sy të bronxtë në botën e saj lulore

del nën ullinj, aty ku gjen paqe në shpirt,

e ëmbël, e butë - e butë, në trup, në gjethe, në grim,

në gjuhët që e lakojnë përditë – shqip dhe latinisht,

në libra me poezi, në tregime me sqimë,

Ditës së Verës enkas me ballakumen bën flirt…

Është lulja e të dashuruarve ardhur nga memorjet

që shfletojnë librat, që mbushin fletoret.

 

E shoh teksa ngjizet në Ullishte, shkurt-mars,

me tufat e mimozave padashje hyn n'maraz,

nxënës të shkollave, të dashuruar në Elbasan,

hera-herës e kërkojnë ti gjejnë ndonjë farë,

ta mbjellin në lulishte, ta kenë akoma më pranë,

por Zoti i ka dhënë lirinë, - lirinë e paparë,

të qëndroj pranë ullinjve, jo prej tyre e ndarë…

 

Radhëherë e gjej në ndonjë pikturë, a ndonjë kalendar

karakaftja ka sy, me sy nusëron, nusëron e pafjalë,

„iris tuberosa“, - kjo lule me një mit të paparë

nusëron, e nusëron, në fakt vetëm në Elbasan…



Shënim: Poezitë janë shkëputur nga vëllimi poetik në përgatitje, „Çakiça në Ditë Vere“

30 views2 comments

2 Comments


Guest
4 days ago

Shpresa Fundo Gjergji

Sa e bukur, gjithe metafore! Urime per keto vargje plot jete! Faleminderit prof. Fatmir Terziu qe jeni gjithmone prane lexuesit me tematika te ndryshme e shume interesante! Respekte!

Like

Guest
4 days ago

Fahri Dahri

Vlerësime për Elbasanin. Qytetin e kulturës dhe personalitetet e saj të shumtë në përhapjen e dijes. Një qytet-burim i pashterur për krijimtari dhe urtësi. Kam qenë me fat që kalova 14 vjet jete aktive në atë rreth. Ju përshëndes profesor Fatmiri, trashëgimtar i denjë i kulturë dhënies.

Like

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page