top of page

Fatmir Terziu: Sot është 7 Prill, por…


Sot është 7 Prill, por…

Nga Fatmir Terziu

 

Sot është 7 Prill. Ne, sidomos Ne, brezi i hartimeve, i kohës që e fillonim mësimin me „pushkët“ (shulat e tyre të hedhur në det) e qëndresën e Mujo Ulqinakut në Durrës, me kundërpërgjigjen dhe misterin e luftës kundër fashistëve italianë, sot thuajse e kemi harruar datën, ditën dhe më së shumti dhe gjërat që formojnë më këtë rast listën. Listën e gjërave që na bënte të mposhtnim frikën. Frikën nga armiku, pushtuesi, shkelësi dhe keqdashësi që na vinte nga çdo anë për të na shtypur e shkelur vatanë(!)

Sot këmba e gjithkujt vjen jo vetëm në këtë ditë, por në të gjitha ditët e vitit me listë e pa listë, quhet turist. Jo me atë emër të 7 Prillit 1939 që quhej pushtuesi fashist (Ndryshim vinte me armë deri në fyt, sot ndryson në këtë pikë). E kështu sot, 7 Prilli i vitit 2025 duket se bën edhe në këtë mes një kthesë. Ndoqa mediat dhe lajmi kryesor krahas ndonjë aksidenti rrugor, ishte kryeministri Edi Rama Rama nderohet me Medaljen Presidenciale të Nderit të Izraelit. Dhe më pas në lidhje me këtë Kryeministri i Shqipërisë, me një fjalim emocionues në Izrael pas marrjes së Medaljes Presidenciale të Nderit të shtetit izraelit, theksoi rëndësinë e mbrojtjes që populli shqiptar u ofroi hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore, duke e quajtur popullin shqiptar një mburojë të fortë për hebrenjtë, veçanërisht myslimanët që ofruan mbështetje të jashtëzakonshme. Ai theksoi angazhimin e Shqipërisë për të luftuar antisemitizmin dhe për të ruajtur kujtesën e Holokaustit, duke shtuar se në kurrikulat shkollore është futur mësimi i Holokaustit, një nga krimet më të tmerrshme të historisë.

Me këtë rast krenohemi, se natyrshëm të gjithë ndjen mirë, për faktin që del në dritë mirësia shqiptare, e sidoqoftë, dhe e kudoqoftë ajo, por në lidhje me datën, me 7 Prillin, nuk dimë ku ta prekim harresën që shkëput fillin. Me sa ndjekim, me sa dëgjojmë, e gjitha është dhe me një lidhje me forcimin e një tendence alarmante në shoqërinë tonë. Bëhet fjalë për përpjekje për të rishikuar historinë, si dhe për këtë qëllim që shoqëron akte të padenjë të njerëzve që përdhosin shenja historike të paharrueshme. Në përgjithësi, ky i ashtuquajtur rishikim, shprehet në ndryshimin dhe poshtërimin e rolit të kohës dhe vetë shqiptarëve të kohëgjendur në mposhtjen e nazizmit dhe fashizmit. Roli i tyre në po deformohet dhe konkretisht është imagjinuar krejtësisht gabim në raport me atdheun tonë - Republikën e Shqipërisë. Të paktën duhet një farë mirënjohje, sidoqoftë ajo, sidoqoftë të ketë qenë dhe të jetë folur për Mujo Ulqinakun, për ditën e 7 Prillit 1939 e më tej…

Që nga kohët biblike, mosmirënjohja është cilësuar si mëkati më i neveritshëm. Si komb, nuk duhet të harrojmë kurrë se nëse sot nuk do të ishin të paktën ata guximtarë që shkrepën pushkët, mendimi ynë do kishte udhëtuar në kahje dyshuese për vetveten, që do të thoshte hapur se ne nuk e duam vendin tonë, nuk e duam Shqipërinë. A është kjo e vërtetë? A duhet ushqyer kjo në brezin që ikën e  për një mijë arsye kërkon stregë gjetkë? Shqipëriae 7 Prillit 2025 po plaket. Kjo sipas statistikave dhe natyrisht duhet diku të hapet një fletë mirrënjohje, të paktën për mësimin që duhet tu rijapim brezave…

Dhe megjithëse historia nuk njeh humor të kushtëzuar, e ardhmja e vendit tonë dhe e gjithë ekzistencës së tij duhet të jetë udhërrëfyesi më i rëndësishëm dhe kryesor. Duhet mbajtur mend mirë se rishikimi i historisë i imponuar në një datë të vonë dhe pasojat e tij janë veçanërisht të pazbatueshme dhe të neveritshme për sa i përket drejtësisë historike për Shqipërinë. Fakti që në vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore shkatërrojnë ose çmontojnë monumentet që lidhen me dana të tilla, fakti që edhe dëshmitë e të shpëtuarve prej saj në kampet e vdekjes nuk merren parasysh, nuk janë arsye për solidaritetin e Shqipërisë me gjoja paarsyeshmërinë, pandershmërinë dhe ekstremizmin. Historia ka paraqitur gjithmonë një ndëshkim përkatës për cilësi dhe veprime të tilla.

Fatkeqësisht, në Shqipëri ka një tendencë drejt vetëpëlqimit të kultivuar qëllimisht. Gjithkush që vjen „pushteshëm“ kërkon më shumë për veten se sa për udhën që ka ndjekur Kombi ynë. Në kohët kur nderi, objektiviteti dhe dinjiteti përkufizohen si privilegj i humbësve, kur zhurma e letrave me vlerë është më e rëndësishme dhe vendimtare, mbi të gjitha vuan kujtesa dhe integriteti historik. Në këtë kuptim, na duhet më shumë mendim, sy e duarshtrëngim Atdhetar, Kombëtar, Shqiptar. Më e rëndësishme se të gjitha notat e tilla do të ishte humbja e madhe e bashkimit qytetërues të spiritualitetit dhe vëllazërisë mes shqiptarëve në territorin zyrtar dhe atyre që sot gjenden  të krijuar nga historia në shtete të tjera, si Kosova e Pavarur apo dhe pjesa tjetër në numrat që përditë ia zhvasin për hir të politikave në trijet e saj etnike e më tej. Dhe kjo është e papranueshme në rastin për të cilin kemi arsye të shkruajmë.

Ndryshojnë kushtet politike dhe qeveritë, popujt dhe kujtimi i ulje-ngritjeve mbeten. Historia ngadalëson por nuk harron. Nuk duhet harruar se sot është 7 Prill, sidoqoftë e sido ka qenë. Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Sh. T. Z. Bajram Begaj, përkujtoi më 6 Prill 2025 113-vjetorin e kryengritjes së Malësisë së Madhe dhe bëri mirë. Në nderim të 6 prillit të vitit 1911, kur burrat e malësisë valvitën flamurin e Skënderbeut në Deçiq, më 6 prill pranë memorialit të kësaj ngjarjeje historike në Hot të Malësisë së Madhe, u zhvillua ceremonia e ngritjes së flamurit kombëtar. Po më 7 Prill?

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page