top of page

Fatmir Terziu: Sadik Metra, Prefekti dhe intelektuali me ide Perëndimore


Me pinjollin e familjes Metra në rrugëtimin e memorjes

Nga Fatmir Terziu

 

Në të njëjtën datë dhe në të njëjtin muaj, por me tetëdhjete e tetë vite largësi kohore u ndodha në dy pika ku lartësohet emri i një Njeriu të Madh dhe ku kryqëzohet rrjeta me hijet e një udhe në jetën e një intelektuali të veçantë. U ndodha në ballë të ish-Shkollës Normale të Elbasanit dhe në pragun e shtëpisë së djalit të ish Prefektit të Elbasanit, Sadik Metra, që shërbeu në këtë post që nga viti 1935 deri në vitin 1939. Në të parën, pra para ish-Shkollës Normale të Elbasanit, për të cilën kishte kontribuar financiarisht edhe vetë, sikurse dhe për Ujësjellësin dhe Elektrifikimin, për të rikujtuar tetorin e 1936-ës, kur ai nuk lejoi, që pas një vendimi absurd për transferimin e shkollës Normale në Shkodër, që të qëllohej mbi protestuesit dhe ai sfidoi urdhërin e Ministrit të Brendshëm të asaj kohe për të qëlluar kundër popullit të Elbasanit. Në të dytën, në pritjen qytetare të të birit Kujtimit, dhe zonjës së tij të nderuar Shpresës, për të rikujtuar kohën kur i ati nga internimi, do të lëshonte mes lotësh dëshirën, që emri i të birit të ishte Kujtim.

Selfie: Fatmir Terziu, Shpresa dhe Kujtim Metra në oborrin e shtëpisë Elbasan.

E kështu dy pika të rëndësishme udhëtuan në tryezën e vogël të shtëpisë së pinjollit Metra në Elbasan mes glikove të mikpriktjes së zonjës Shpresa dhe trokitjes së gotës së rakisë elbasanase me Kujtimin që provoi dhe sfidoi burgjet e Diktaturës, për hir të patriotizmit të ushqyer prej babait. Në këtë kohëqëndrim miqësor kohërat kurdisën orën e kujtesës dhe memorjes së tyre, por krenaria ishte e ligjshme, atdhetare, e ndjeshme, e bindshme, patriotike, dhe fisnike, sikurse ishte dhe mbeti rrënja e kësaj familje mes Matit dhe Elbasanit e më gjerë me Vlorën, ku Sadik Metra shërbeu si Prefekt, apo dhe me Zerqanin e Dibrës, ku shërbeu si mësues por dhe si zëvendës Prefekt në Krujë, Peshkopi, Lezhë, Zerqan, Shijak dhe Peqin.  Dhe kështu biseda shkon hap pas hapi, në një kohë që tashmë Kujtimi dhe Shpresa e ndajnë jetën e tyre mes një itinerari Shqipëri-Itali, ku jetojnë dhe punojnë vajzat e tyre të shkëlqyera.

 

Biseda për të njohur Prefektin Sadik Metra

 

Sadik Metra lindi në vitin 1884 në fshatin German të Matit. Ai lindi në një familje me një fis të njohur në krahinë. I vëllai i tij i madh Jakup Sabri Metra, ka punuar në Ministrinë e Jashtme të Turqisë. Ai ka qenë dhe Kadi (Gjykatës) në Teheran. Pas kësaj vjen figura e tij, që lartcituam si Prefekt e zëvendës Prefekt, në punëra e detyra të ndryshme dhe në detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Drejtësisë, në viet 1921-1925. Ai zotëronte gjuhët frëngjisht, bullgarisht, turqisht e serbisht.

Duke parë vlerën dhe talentin, zgjuarsinë dhe përkushtimin didaktik, Jakup Sabri Metra, vëllai i tij i madh, e tërheq fillimisht nga vendlindja e tij German e Matit, në Manastir ku ndoqi studimet e kohës në shkollë të mesme, dhe më pas falë rezultateve të lartë në Stamboll ku u diplomua në dy fakultete të rëndësishme, Pedagogji dhe Shkencat Politiko-Ushtarake. Jakup Sabri Metra, kishte titullin Kadi dhe ai ka qenë shumë kohë një nëpunës i nderuar i qeverisë Osmane. Ai është përpjekur shumë për Shqipërinë. Më 1890 me patriotin Petro Nini Luarasi dhe më 1894 me atdhetarin Naim Frashëri ka pasur lidhje të shumta. Ky zotëri, në kohën e luftës  së përgjithshme në krahinat e Pogradecit dhe Bilishtit është gjendur si komandat i ushtrisë shqiptare bashkë me ushtarët francezë. Pastaj për një kohë në vitet 1919-1920, Jakup Sabri Metra, është gjendur në Selanik si kryeministër i Shqipërisë, qeveri e formuar në ekzil.

Kur u kthye në Shqipëri ishte një intelektual i plotësuar, i mirëedukuar dhe mjaft i formuar. Detyrat që iu dhanë ishin në arsim, sikurse e cituam në Zerqan të Dibrës, pastaj Komandant ushtarak, nënprefekt, e më pas Prefekt deri në pushtimin fashist të vitit 1939. Në të gjithë rrugëtimin e tij intelektual dhe në të gjithë detyrat që mbajti ai u karakterizua nga ndërshmëria, që ishte boshti një familje të madhe dhe të tillë që nga rrënjët e saj në Mat. Sadik Metra si i tillë ishte armik i rrushfetit, vjedhjes, padrejtësisve, dhe mik i së drejtës dhe miqësisë së sinqertë, në themele të tilla u rrit dhe reputacioni i tij.

Sadik Metra ishte kundër pushtimit të Italisë Fashiste. Për këtë ai u burgos për 6 muaj në Tiranë. Në vitet 1940-1942 e internuan në Ventotene të Italisë. Në moshë të madhe regjimi komunist e arrestoi më 29.05.1951. Fadil Kapisyzi, hetues dhe titullar i Hetuesisë relatonte se ai nuk ka pranuar akuzat, por në kohën e tij si Prefekt në Vlorë, akuzohej pa baza se ishte rekrutuar si agjent i francezëve, italianëve, belgëve, anglezëve dhe amerikanëve. Ai u akuzua se kishte dijeni dhe për Hamit Matjanin, pasi mendohej se ishte biseduar për të në shtëpinë e tij. Ai ishte mik i Ahmet Daklit, ish Kryetar Bashkie në Elbasan, dhe Komandantin e Xhandarmërisë, Gjush Deda, ku të tre patën fatin e keq. Sikurse dihet tashmë, Sadik Metra vdiq në spitalin e burgut, Ahmet Dakli u vetëvra, dhe Gjush Deda u pushkatua.

 

Vështirësitë jetike të familjes Metra

 

Të pesë vitet e një kalvari burg dhe internim, e detyruan familjen Metra të shtrëngoj shumë veten në aspektin financiar. Miqtë nuk e lanë të përfundonte keq. Që nga Vlora e Kruja, Dibra e Mati, dashamirësit e tij ishin gjithnjë pranë familjes. Por kjo u sfidua në kohën e komunizmit. Edhe pse e urreu fashizmin ai nuk mori pension, se ishte pushtetar i Zogut. Familja u detyrua të përtypte vetveten kur regjimi komunist e dënoi me 7 vite burgim për agjitacion e propagandë. Ai ishte në moshë më të madhe se të dënuarit e tjerë, dhe megjithatë e përballoi atë dënim, derisa ndërroi jetë në vitin 1955 në spitalin e burgut Tiranë, pas një infektimi me TBC, duke mos pasur sot një varr që të përkujtohet nga trashëgimtarët dhe brezat e tjerë, pasi ai u varros në varrezat e Bamit më 10.07.1955, me prishjen e të cilave humbi varri, sikurse i mjaft të tjerëve që vdiqën në kryeqytet.  

Pas kësaj e shoqja, punoi më kazëm në dorë që të përballonte jetesën dhe ushqente familjen. E kalvari vazhdoi. E bija e tij më e madhe mbeti e ve, pasi rregjimi urdhëroi pushkatimin e të shoqit, Irfan Majuni. Në vitin 1969 u dënua i biri, Kujtim Sadik Metra, për të njëjtin motivacion, por më qartë sepse Kujtimi kishte mbajtur Proklamatën e Pavarësisë, që ishte Programi i Festimit të 25 - vjetorit të vet-qeverimit Kombëtar, të cilin i ati e kishte mbajtur si të shenjtë. Proklamata iu gjet Kujtimit pas kontrollit që i ishte bërë shtëpisë nga regjimi komunist. Hetuesi kishte thënë atëherë: „Kur ky të punoj për kthimin e regjimit të tij, do të deklaroj me këtë Proklamatë se ai ka qenë i biri i Prefektit, që e mbajti gjallë atë.“ Kujtimi pra u dënua me katër vite burg, por falë tij tashmë Elbasani e ka Proklamatën e Pvarësisë që u nënshkrua dhe në 25 Vjetorin e Pavarësisë.

 

Rruga me përkushtim jetik – por me fatin tragjik


Një fotografi e viteve 1937-1938 që vjen nga ceremonia e ujit të pijshëm në Elbasan, paraqet nga e majta në të djathtë figura intelektuale dhe patrotike, Ibrahim Hastopallin, kryetarin e Bashkisë, Ahmet Dakli, Prefektin Sadik Metra, Gjush Deda, Komandant Qarku, Rrapush Demeti, Hysen dakli, Pjetër Ndria, arkëtar, Çefo Fico, inxhinier, Shefqet Stringa, Beqir Rusi, Jovan Ademi, inxhinier, Petrit Dakli, e të tjerë. Sadik Metra ishte një nga iniuesit e këtij projekti dhe disa të tjerëve si godinat e Normales, dega e Rendit, dhe mjaft të tjera.

Sadik Metra, kur ishte Prefekt i Vlorës, ka qenë me një mendim intelektual perëndimor, gjë që flet me me fotografitë me admiralin britanik Thurn, Vlorë 1934, apo dhe me të tjerë britanikë të asaj kohe. (Revista „Minerva“, gusht-shtator 1934)


Pse u zgjodh Sadik Metra Prefekt

 

E habitshme, e mistershme, por e besueshme se është fakt. Fisi Metra ka qenë në hasmëri me fisin Zogu. Hasmëria vinte nga një sherr me gjyshin e fisit. Por më pas, sikurse dihet Mbreti Ahmet Zogu që kishte kulturë të lartë Perëndimore edhe në këtë sherr ndërhyri me taktin e tij të madh e human të shlyerjes së gjakmarrjes. Ai kishte vendosur të bënte paqe me këtë fis dhe e emëroi të mirëshkolluarin Sadik Metra Prefekt. Këtë e bëri duke biseduar me vëllain e tij të madh, që kishte shumë autoritet pas kthimit nga Teherani si Gjykatës.


Vazhdon së shpejti…

 

 

143 views0 comments

Comentários


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page