top of page

Fatmir Terziu: „Sa mas dore më ke lanë…“


„Sa mas dore më ke lanë…“

Nga Fatmir Terziu

 

Para disa orësh rastësisht kalova në Londër afër një restoranti ku dëgjova të këndohej shqip. „Sa mas dore më ke lanë…“ më shkundi menjëherë në thellësi dhe u ndala duke i ngulur sytë përtej xhamave. Sytë depërtuan më në thellësi dhe pashë njerëz që gëzonin, festonin, këndonin…Festonin në mirëfillin e tyre ndoshta një gëzim familjar, por në tërësinë e këngës ata bëheshin palë me popujt dhe etnicitetet e tjera që festojnë në Londër identitetin e tyre. dhe në raste të tilla Mustafa Bodini i pavdekshëm më riktheu me këngën e tij në gojën e festuesve me atë që shkruan miku dhe kolegu im elbasanas Eduart Hoxholli, kur kishte dëgjuar të këndohej kjo këngë nga i ati, dhe më pas ti thoshte gjithë „isharet“: „Kanga është jeta, që me muzikën e saj mban gjallë njeriun. Mos e trishto kurrë loçkën e zemrës! Mësoje dhe këndoje këtë këngë para vetes, pa e dëgjuar korbat…“ (Hoxholli, 2009: 7; „Këngët e një zemre“ ASD Studio). Nuk dua të ndalem më tej tek „korbat“, është një temë më vete, por sa popuj e festojnë identitetin e tyre si ne? Sepse çfarë është një gjuhë nëse jo një shprehje e shpirtit të një populli, e gjallë në shkronja, në tingujt e shenjtë të fjalës?

Pikërisht aty ruhen mesazhet e së shkuarës dhe ato testamente të përjetshme të spiritualitetit që shpesh i harrojmë, të mbytur në zhurmën e komunikimit global. Në fillim ishte fjala... Sa janë zgjedhur të ndriturit për të na kujtuar atë? Mjafton kjo rastësi që të kuptosh thelbin se pikërisht „një ndër tri kolonat mbi të cilat qëndron identiteti i këngës popullore qytetare të Elbasanit përkrah Ustat Isuf Myzyrit dhe Leksi Vinit, Mustafa Bodini, … i dha këngës gjelbërimin dhe gëzimin…ku jeta dhe vdekja hedhin valle mbi fatin-gur“ (ibid).

E premte, 21 Qershor 2024. Londra. Ky restorant shqiptar është i mbushur me të ftuar të cilët përshëndesin njëri-tjetrin me “Gëzuar … ” dhe këndojnë… shqip. Prej vitesh tashmë, në kryeqytetin anglez kënga shqip jo në pak raste të emocionon dhe të mirëpret me stigmën e saj të bën të emocionuar. Po ndjen një shfaqje të paharrueshme, në të cilën janë përfshirë absolutisht të gjithë. Ambienti dhe dekorimet shkëlqejnë në ngjyrat e kuqe të kostumeve popullore, që kanë veshur një grup fëmijësh të moshave të ndryshme, disa akordojnë instrumentet, dhe disa përsërisin pa frymë rreshta dhe vargje. Dy videokamera janë drejtuar drejt tyre si sytë para provimit të madh në shkollat ku mësojnë, me të cilin viti shkollor duhet të përfundojë me sukses edhe këtë pranverë. Ka diçka rilindëse dhe ekstatike në atë moment pritjeje para nisjes. Sikur skena e paharrueshme është ringjallur në një botë tjetër, me skena e kostume të tjera, për të na bindur se “kënga e Bodinit“ do të ekzistojë gjithmonë përderisa shqiptarët flasin dhe duan gjuhën e tyre. Dhe përderisa ka dikush që t'ua mësojë këtë dashuri.

Dhe këtu ka një arsye tjetër për të bërë këtë pikëvështrim më transparent. Ata që këndojnë nuk janë nga Elbasani, por nga një qytet tjetër shqiptar nga Kosova. Dhe ata kështu këndojnë dhe shprehen se me këngët e Elbasanit ata janë rritur në vite…Ata kështu kanë krijuar dhe këtë risi dhe me fëmijët e tyre.

Të krijosh një botë të tillë për fëmijët e bashkatdhetarëve të dikujt në territorin e huaj është një mision apostolik. Të flasësh dhe të mësosh në gjuhën amtare në vorbullën gjithëpërfshirëse të Gjuhës Botërore, në të cilën mijëra thekse të identiteteve të mëparshme kombëtare trokasin si rrënojat e anijeve të fundosura, është një guxim që nuk është i natyrshëm tek njerëzit. Vetëm një model i tillë që ka ndërtuar durim dhe qëndrueshmëri, butësi dhe mirëkuptim, mprehtësi dhe besim në punën e lavdërueshme, është në gjendje të rezistojë dhe të rezistojë.... Njerëz të tillë janë të kohës, të rrethanave, të joparagjykimeve dhe të johezitimeve, nuk janë pjesë e situatave të tjera të të tjerëve. Në emër të fëmijëve tanë, botëkuptimi i dobët i disave, i atyre që shmangin gjuhën amtare, është i privuar nga traditat dhe rehatia, nga fëmijëria shqiptare dhe gjuha shqiptare.

Kur mungon mikrokozmosi i Atdheut, dikush duhet ta ndërtojë, nëse duhet nga asgjëja ose nga mbeturinat e kujtimeve të tyre. Letër për germë dhe rresht pas rreshti në qëndisjen shpirtërore të Shqiptarisë.

Njeriu i tillë i lirë, natyrisht ai me ndjenjën Kombëtare, e kupton se identiteti ushqehet në këtë mënyrë, se çdo botë e vogël shqiptare fillon me një këngë, mëe një poezi, me një rrëfim, qoftë edhe me një përrallë, ku e mira mposht të keqen, ku toka amtare është më e bukura dhe rendi mposht kaosin e errësirës së huaj. Kështu, në mendjen e këtyre fëmijëve të veshur me kostumet kombëtare, rilind atdheu shpirtëror, ajo toka e shumëpritur ku i pret njerëzit e tyre, ata që i duan dhe kujdesen për ta. Atë lloj atdheu që ata vetë mund ta ndërtonin vetëm për shkak të besimit se është vërtet e mundur. Dhe ky besim fillon me këtë rastësi festive në Londër, në rastet të tilla, fëmijët dhe brezat që lindin në këtë metropol të trazuar nga gjuhët “edukojnë” dashurinë atdhetare me traditën e bukur të ushqyer nga prindërit e tyre të emocionuar me idenë e vendit të tyre të ëndrrave.

Dhe këtë herë, në një kortezh të larmishëm festiv, bukuria e fjalës shpërthen me këngët e Bodinit në Londër, një rrëmbesë e shkathët në valle dhe më tej tingëllojnë këngët e pavdekshme të trevave shqiptare. Me një këmbëngulje rilindëse, çdo pjesëmarrës në këtë festivitet rikthen në emocion në gjuhën shqipe pasurinë e të parëve. Askush nuk anashkalohet. Të gjithë inkurajohen, duartrokiten, vërehen, vlerësohen. Ngazëllimi i tillë, ringjall shpresat.

Unë shikoj shpresë dhe gëzim pas xhamave në fytyrat e djemve dhe vajzave, në sytë e nënave dhe baballarëve të tyre. Dhe pyes veten nëse ata e kuptojnë fuqinë e pamasë të zgjimit modern. Persona të tillë janë ngjashëm si mësuesit dhe mësueset e shumtë në shkollat ​​plotësuese  jashtë vendit, të cilët i shpëtojnë nga pyetjet e tmerrshme të shumë bashkatdhetarëve tanë në mbarë botën për fëmijët e tyre të lindur, që flasin të huaj: - ABC -në tonë, bij dhe bija, kush e ka shkruar? Këngët tona kush na i ka mbrujtur? Hesht për një moment, se ndjej të mbetet e pakontrolluar kënga e Bodinit dhe brenda meje oshëtin pa u ndalur: „Sa mas dore më ke lanë…“

22 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page