
(Arkiva e Fjala e Lirë, FATMIR TERZIU, e enjte, 04 Qershor 2009 21:51:00 GMT)
KAOSI DHE TYMNAJA
Kjo “tymnajë” del nga “oxhaqe” gazetash, TV-sh, radiosh, faqesh interneti, shoqatash, fletëpalosjesh deri tek “buletinet e kafeneve” e shpërndahet si traktet e dikurshme të orrigjinës…
Po të përdorim fjalën “Kaos” si një term teorik për një situatë relative në jetën e përditshme, padyshim nënkuptojmë një ndjesi organike që ndërthuret midis qenies njërëzore dhe gjithë organizmit të artikuluar në këtë situatë. Brenda anës teorike që mbart ky term ka detaje të tjera që lidhen me eksperienca pararendëse, me aktivizime të përmbledhura në definite logjike e të paramenduara. C.A.Mace, një analist i mirënjohur i kësaj fushe, në librin e tij “Cognition” shkon më tej kur thotë se “këtu ndoshta janë marrëdhënie midis kuptimit, ose përkimit me stimulin real të fjalës” (Mace; 1962:88).
Duke iu referuar këtij studiuesi nënkuptohet në fakt përdorimi ose ajo ndrydhje që krijohet mes kuptimit teorik të termit dhe tërësisë logjike që e shoqëron atë në tërë qenien e organizmit njërëzor derisa mbartet më tutje në mesin kolektiv të shoqërisë. Për më tej Joma Nazpary, në “Post – Soviet Chaos” thotë se midis anës logjike të këtij termi është ana tjetër që “eto bardak”, “Bardak, që në gjuhën letrare nënkupton Shtëpi Publike, është përdorur në mënyrë metaforike të shpjegojë kuptimin e fjalës kaos” (Nazpary; 2002:2).
Pra, midis këtij nocioni që buron nga realiteti i veprimit dhe pasojës së tij, dhe termit teorik “kaos” ka detaje të cilat në situata dhe problematika të ndryshme, krijojnë ndryshime argumentimi dhe analiza vështirëson vetë temin “kaos”. Këtu një kaos tjetër krijohet dhe ky është absurditeti i fryrë, ose tymnaja mediatike që fryn më së shumti “kaosin” për interesa politike, klanore, biznesi, privilegji, individualiteti, apo edhe interneti.
Kjo “tymnajë” del nga “oxhaqe” gazetash, TV-sh, radiosh, faqesh interneti, shoqatash, fletëpalosjesh deri tek “buletinet e kafeneve” e shpërndahet si traktet e dikurshme të orrigjinës… A duhet në fakt të shumëzohet teoria e “kaos”-it apo të tjetërsohet në “tymnajë mediatike”? Kur ajo ndodh sidomos në momente kritike, pasojat dihen. Më së shumti i ndihen vetëm viktima e “kaos”-it, …e ky është Populli.
KLUBET DHE TAKËMET E KLUBEVE
...Ende pa i dalë era e Rakisë së atij klubi, sipas planit të bërë e të sajuar shkoi të pijë Raki në klubin me zhurmë, në klubin plot me njërëz. Ai pinte dhe tregonte barcaleta. Ai tregonte dhe të tjerët qeshnin. Pihej dhe qeshej me të madhe. Zhurma e madhe mori dhenë. Erdhën dhe e stërmbushën klubin edhe njërëz të tjerë, nga rrethinat e vogla përqark. Pronari u tërbua. Bollëk. Pasuri. Paraja shkonte lumë. Arka nuk merrte më. Kjo gati gjithë natën e asaj dite, gjithë ditës tjetër dhe në tërë ditën e tretë. Natën e ditës së tretë në klub erdhi edhe stafi i klubit tjetër, vetëm pronari jo. Të gjithë po fitonin, me atë klub fitonin të gjithë. Dhe kur kjo mendohej kështu, aty nga mesnata, miku i largët filloi të urinonte klubin, madje s’la tavolinë pa urinuar. Njërëzit kaq e patën dhe ia mbathën. Nuk durohej era e urinës së tij…
Aty nga fillimi i viteve 90-të ndodhën shumë ndryshime. Ndryshimet u pasuan nga vetë ndryshimi i sistemit qeverisës. Këto ndryshime sollën mënyra të reja, sollën ekonominë e tregut edhe për ne shqiptarët. Por ardhja e ekonomisë së tregut ishte paksa jo në kohë për të gjithë. Të pakët ishin ata që e pritën me duar plot, se shumica që e priti me dy gishtat lart, nuk besoj se mund të kishte shanse t’a priste atë “me bollëk” siç e priti një pakicë që gati pesëdhjetë vjet e mbajti grushtin të shtrënguar lart. E ndërsa kjo pakicë iu vu në krye ekonomisë së tregut, përpos shanceve nga e kaluara, shumica e kënaqur nga fitorja e dy gishtave, të vetmen gjë që bëri në ekonominë e re të tregut shqiptar ishte gjetja e një vendi pune në ekonominë e dërmuar. Hapja e ndonjë rostiçerie, qebabtoreje, kioske apo edhe dalja diku në tregun e lirë me ndonjë madh të marë hua tek romët që falë gjuhës së tyre dhe zanatit të hershëm tregtar, (ndoshta edhe nga indiferenca në kuadrin e lëvizjes së “Dy Gishtave”) po bëheshin “tregtarë të mëdhenj”, ishte padyshim "dhurata më e majme për ta". Disa hapën edhe lokale, kafene restorante… Në pak kohë, dhe vetëm në pak vite kafenetë flisnin zhurmshëm. Politika, puna, hallet dhe shumë zanate të tjera, pastaj lanë zyrat dhe iu kthyen kafeneve. Dhe kafenetë apo klubet si të tilla, ndoshta ngjashëm me “Klubin e Selanikut” të Çajupit, krijonin, emëronin dhe …, punësonin. Kafene e kaluar kafeneve! Kafene drejtorësh! Kafene "liderash", kafene "bosësh". Jep e merr me njëri tjetrin. Kioskë pas kioske. Njëri shiste e tjetri blinte, pastaj anasjelltas. Ai që gëzohej, gëzohej dhe ai që qante vazhdonte të qante, se zyrat s’kishin më "zyrtarë", s'vinin më "biberona", s'e “biberonat kaq e patën” (ndihmat nga jashtë), “se Shqipëria u deklarua po ecte me "patericat" e veta”…(?!) Këtu ndodhi edhe mërzitja. Këtu filloi krisja. U krijuan natyrshëm dy klube të mëdha. Të zotët e klubeve, në të dy këto klube donin klientë. Filluan të bënin plane të sajonin premtime, për të tërhequr edhe pjesën që s'kishte qenë kurrë më parë në klube. Se ata që dhuruan biberonat po vëzhgonin dhe padyshim shikonin sa vetë "u turreshin klubeve". Kështu duhej punë në këtë drejtim. Pronarët e klubeve vunë njërëz dhe metoda të reja e të vjetra në lëvizje. Madje sajuan edhe sharje e ofendime për njërën apo tjetrën palë. Dhe natyrshëm lindi edhe ajo që ndodhi dhe tregohet më pas…
Në njërin klub, atë anës rrugës që të shpie nga stacioni i trenit në një nga qytetet shqiptare, zhurma ishte shumë e madhe. Njërëz plot. Para (xhiro) sa të duash. Madje aty filluan të shkonin edhe nga ana tjetër e rrugës, të shkonin edhe nga Klubi matanë, që ndodhej diku në të majtë ose më afër qendrës së qytetit. Shkuan edhe romë, tregtarë,… edhe të huaj. Klubi u bë modern. Europian. Perëndimor. Askush s’donte t’ja dinte për të zotin e lokalit, askush nuk pyeste për të. As ai nuk pyeste për kënd. Në fakt ai nuk ishte pronari i lokalit, ishte emëruar në atë detyrë, s’e pronari kishte punë të tjera. Dhe të emëruarit, pra atij tip pronari, i duheshin para dhe jo emra. Dhe kështu Klubi tjetër natyrshëm s’kishte më gjallëri. Njërëzit po largoheshin prej tij. Pronari nisi të mendojë dhe të bëjë plane.
Një ditë në klubin e tij u ndal një vizitor i largët. Veshur mirë. I bëshëm, ngjante si një perëndimor. Pronari e priti mirë. E priti siç pritet një mik i largët. Hëngri e piu dhe plani u kurdis. Ende pa i dalë era e Rakisë së atij klubi, sipas planit të bërë e të sajuar shkoi të pijë Raki në klubin me zhurmë, në klubin plot me njërëz. Ai pinte dhe tregonte barcaleta. Ai tregonte dhe të tjerët qeshnin. Pihej dhe qeshej me të madhe. Zhurma e madhe mori dhenë. Erdhën dhe e stërmbushën klubin edhe njërëz të tjerë, nga rrethinat e vogla përqark. Pronari u tërbua. Bollëk. Pasuri. Paraja shkonte lumë. Arka nuk merrte më. Kjo gati gjithë natën e asaj dite, gjithë ditës tjetër dhe në tërë ditën e tretë. Natën e ditës së tretë në klub erdhi edhe stafi i klubit tjetër, vetëm pronari jo. Të gjithë po fitonin, me atë klub fitonin të gjithë. Dhe kur kjo mendohej kështu, aty nga mesnata, miku i largët filloi të urinonte klubin, madje s’la tavolinë pa urinuar. Njërëzit kaq e patën dhe ia mbathën. Nuk durohej era e urinës së tij…Klubi u zbraz shumë shpejt, ndoshta më shpejt nga sa u mbush më parë. Pronari dhe disa besnikë të tij mbetën vetëm. Harxhuan paratë të pastronin shurën e tij, të rikthenin njërëzit…, por njërëzit ishin mërzitur shumë me klubin.
Në klubin tjetër kishte filluar festa. Plani ishte realizuar me sukses. Klubi kundërshtar u zbraz. Njërëzit ndejtën ca kohë jashtë klubeve, por kur panë se hynin një e nga një të rrinj në klubin tjetër edhe ata nuk nguruan. Fundja njërëzit janë njërëz. Dhe klubet për njërëz janë. Zoti na ruajtë që aty të hyjnë edhe kuajt!
Klubi, dikur i zhurmshëm, jo vetëm që s’kishte më zhurmë, por gati po rrënohej. Paratë ishin sosur. Pak para të mbetura nga ai mishmash pijanecësh s’bënin punë më për t’a mbajtur atë në këmbë. Por një ditë… Ah ajo ditë. Pronari i lokalit të zhurmshëm takoi rrastësisht urinuesin e lokalit të tij. E ndërsa urinuesi u tremb se hakmarrja do të kryhej mbi të, pronari i vuri dorën në shpatull dhe e ftoi për kafe. Ata biseduan gjatë. Mësohet që urinuesi të ketë thënë: “Ju më bëtë të jem i tillë. Unë vetëm një punonjës isha. Punoja për veten, familjen dhe Kombin në bazë të ligjeve. Ju më quajtët armik. Ju më përzutë rrugëve…”. Por pronari i mençëm, duke e kuptuar se ku ishte faji nuk foli më. Vetëm i premtoi se rruga e nisur nuk do të kthehej më prapa…
Pas ca kohësh urinuesi kaloi andej nga lokali ku nisi kjo histori. Pronari i lokalit filloi të qeshte me të. Bënte me gisht, tregonte urinuesin në sytë e të tjerëve, frekuentuesve të rrinj të klubit dhe tallej e tallej. Urinuesi mbante inatin të fshehtë. Edhe ai vetëm qeshte. Shumë të rrinj paguanin dopjo raki që ai të rrëfehej për atë që ndodhi, për urinimin e tij në klubin tjetër… Dhe ai trego e pi. Trego e pi. Ndejti gjatë e gjatë. E sërrish të qeshura e tallje. Tallje me lot në sy. Zëra të çakërdisura pushtuan tërë vendin. Klubi po dëfrente! Urinuesi kishte humbur ndjesinë. Pija e kishte mbërthyer. Dhe, ashtu siç ishte hoqi pantallonat dhe bëri urinën pastaj edhe nevojën aty në mes të klubit. Era pushtoi tërë klubin, rrethinën e tërë vendin. Njërëzit ia mbathën sërrish. Edhe ai klub u zbraz. Të dy klubet në fakt ishin në hall për një kohë të gjatë. Disa njërëz e kuptuan shpejt se fati i klubeve s'duhej lënë ashtu dhe filluan të rikthehen. Një pjesë, thuhet se mendoi ndryshe, ndoshta duke krahasuar dy bëmat aksidentale nëpër klubet e tyre... Dhe natyrshëm klubet rikrijuan raportet e tyre. Rikrijuan dhe risollën vazhdimësinë e një rruge të këputur në mes nga plane të qëllimta.
Tani pas disa vitesh, thonë se të dy klubet kanë probleme të tjera. Thonë se janë kurdisur edhe plane të tjera diku në një klub të mbetur nga moria e takëmeve të ish-klubit të mëparshëm, ku urinuesi bëri aktin e tij të fundit. Thonë se përpos problemeve që kanë, ende kërkojnë "njërëz të mençur", dhe jo më për të plotësuar numrat e duhur ose "për të prishur planet shkatërruese e të pakuptimta", por për të shpëtuar vendin nga kaosi, që thuhet se kryhet e fryhet nga një grusht i mbetur apo qejfmbetur, ndoshta ende nga ajo kohë "grushtash lart". Takëmet e klubeve njihen. Qejfmbeturit dihen. Ata dihet se janë disallojësh në fakt. Ata janë aty. Janë aty edhe kur ndodhen gjetkë. Ata duhet t'i vetëkthehen klubit që i takojnë, se "era e dikurshme" tashmë ka ikur, dhe s’duhen lejuar të krijohen erëra të tjera, tashmë të dëmshme jo vetëm për klubet por edhe për klietët e tyre. Pronarët e zgjuar dinë të bëjnë zgjidhje të zgjuara.
Commentaires