top of page

Fatmir Terziu: Rroftë fluturakja, le të mendojë kultura!


Rroftë fluturakja, le të mendojë kultura!

Nga Fatmir Terziu

 

Të shtunën që kaloi isha i ftuar nga një grup poetësh të mbledhur në një diskutim poetik të cilësuar si një fillim i mirë për vitin 2024. Mjedisi, ku prezantoheshin poetë të ardhur në Londër nga kombësi e etnicitete të ndryshme ishte elegant. Ishte më saktë një ndërthurje e një mjedisi ku në dy anë të tij pihej dhe argëtohej dhe në një sallë tjetër të rezervuar më parë shfletoheshin letra dhe libra. Sakaq kurioziteti si ballkanas më bëri që të hyja e dilja thuajse në të gjitha ambientet e ndërtesës.

Në njërën prej dhomave të mëdha, dy ekrane të mëdhenj, ritransmetonin një shfaqje. Shfaqja më përfshiu në vorbullat e muzikës hyjnore, mes të cilave trupat e përsosur të balerinëve i pashë të fluturojnë si shigjeta në hapësirë. Fluturime dhe vetëm fluturime. Kostumet e kryeveprave dridheshin në ekranin e madh dhe me plotë ngjyra të gjalla nën dritën larushe të ndriçimit dhe të vëmendjes sime, edhe lëvizjet e kërcimtarëve ringjallnin përrallën pa fjalë, shpirtëronin mitin e dashurisë së pavdekshme!

Disa herë mu duk sikur isha gati të përplas duart me kënaqësi, por ndihesha i turpëruar që jam vetëm me admirimin tim fluturak në sallën e madhe, ku pihej vetëm soji i ndryshëm i birrave vendase dhe globale. Askush nuk reagoi sipas pritshmërive të mia, madje një zhurmë e bezdisshme bisedash pushtoi hapësirën me pamëshirshmërinë e tillë që njihet si zhurmëri shtëpiake. Loja e dhomës e kishte këtë risi, apo isha unë që kisha zëvendësuar diçka tjetër në sy?!

Mes filizave të dyshimit fillestar, emocionet e mia u ndrydhën nga tronditja që pasoi. Publiku i asaj salle vetëm në një moment ktheu kokën, dhe si me komandë, edhe unë i pashë se ata nxitën karakterin e magjistarit të lig, i cili ishte një nga interpretuesit më virtuozë në shfaqje! Si në një telenovelë, apo një tragjedi të lashtë greke. I keqi meriton një bombardim me vezë të kalbura dhe domate! Por jo, aty u duartrokit magjistari i lig dhe u harrua pija e secilit në tavolina.

Eh, fshiva sytë. I fshiva dhe një herë. Nuk mund ta besoja se isha në Londër. Mu duk ajo njerëzi e vogël, apo unë kisha mbetur thjesht një fëmijë. U shkunda dhe nuk e di pse fola me një nervozizëm me vete. Kur do të rritesh o njerëzi! Pse më gënjeu edukimi im patriarkal?

Në pasnajë të kësaj dhome, me atë nervozizëm, tipik ballkanas, dola në anën tjetër dhe shkova të pi një shampanjë në tarracë. Shoh pamjet e vendosura në sfond dhe fërkoj supet me mjedisin elegant. Një zotëri i veshur mjaft bukur më afrohet dhe nis një bisedë me mua për infektimin e dhelprave të egra që u afrohen kohë e pakohë kazanëve të plehrave në Londër, e më së shumti dhe në Londrën qendrore.

Personi është indinjuar nga mosveprimi i bashkisë, në fund të fundit, njerëzit paguajnë taksa, nuk mund të jetë kështu! I habitur, i kthej në njërrokëshe tiradën e tij të ashpër. Në kokën time ndërthuren pamjet e baletit, struktura e papërsëritshme e kryeveprës, por në sytë e tij të ngulur tek shampanja, shoh të ngulen dhe pishtarët e kompensatës që me sa e kuptova tregonin rrugën drejt së ardhmes së një shoqërie konfuze, dhe aty ndjeva se edhe dhelprat pa mendje kërcejnë mbi shirita të shtrirë, të harruar për natyrën e tyre të egër, të zbutur nga mbeturinat e qytetërimit.

Aty ku ndodhesha, ekrani më i madh se i pari, po rishfaqte premierën e Liqenit të Mjellmave, që u zhvillua në Royal Festival Hall. I ngatërruar në mendime, por i trazuar dhe nga biseda për dhelprat e egra, paraprakisht ndjej se po shijoj festën shpirtërore të ngjyrave dhe muzikës, e cila, e kombinuar me finesën e valltarëve virtuozë, mendova se do të më mbajë gjatë në një orbitë ekstatike mbi qenien. Ata do të më kthejnë në ato kujtime sentimentale ku bota ishte interesante dhe e panjohur dhe spiritualiteti matej në kërkim të përsosmërisë. Dhe iki diku larg. Iki në vitet e mia të tjera. A ekzistojnë ato?! Sidoqoftë aty ku futet mendja, s'ka shekencë që ta shpegojë.

Tani bota është në këmbët e mia. Teksa kaloj nëpër turmën e mbushur plot, shumëgjuhëshe, valët e baticës së së cilës vërshojnë hyrjen e ndërtesës, një asociacion i çuditshëm lind në mendje. Ai ringjall një recital të harruar Komsomol, larg, diku në të kaluarën e disiplinuar të viteve të shkollës sime. Mes valëve të veshjeve elegante dhe parfumeve të shtrenjta sot, papritmas shfaqen pamjet bardh e zi të kujtesës. Më pas po vinte festimi i një përvjetori të komunizmit dhe grupi dramatik i shkollës sime duhej ta shënonte para publikut të qytetit me një aktivitet të duhur. Si recitues me zërin më të lartë, më caktuan të them poezinë më të gjatë. I tmerruar nga gabimi i rreshtave të mia pas provave dhe frymëzimeve të panumërta, e shtrëngova pishtarin e rremë të kompensatës me një zjarr të lyer me të kuqe në prapaskenë derisa u bëra blu. Kur erdhi momenti i paraqitjes sime bravuroze, nga ana tjetër e skenës, me një hap të shpejtë, marshoi shoqja e kursit. Ajo ishte partnerja ime recitale, me të cilën, sipas skenarit, duhej të ngrinim në një pozë, lartësinë e paarritshme të Flurturimit të Shqiponjave. Dhe pastaj, t'i drejtonim audiencës pishtarët tanë të kryqëzuar prej kartoni si shpata në zemër të përmbysjes ideologjike. Partnerja ime kishte vetëm një rresht, dhe ajo e dorëzoi atë me patosin e duhur:

- Ky pishtar po digjet!

“Edhe ky... po digjet ...” belbëzova me përulësi – pa mundur të kujtoja vërshimin e fjalëve me të cilat duhej të mbushja rrëmbimin e paqëndrueshëm të publikut që ishte i ngjeshur me të qeshura të urdhëruara. Ndalin lëvizjen! Prisja duartrokitje. Prisja… Por harrova që isha me gotën e shampanjës në dorë dhe isha ftuar për punë poezish në Londër. Ktheva kokën dhe pashë se shushurima e gotave që mbusheshin ishin më të interesuara se e gjitha. Bota po modifikohej për fluturimin e mjellmave në gotëra të tilla. Eh, punë kohërash, mjedisesh, interesimesh…

Nga ana tjetër profesioni im më gërryente. A po e kuptonte audienca e sofistikuar e Liqenit të Mjellmave në momentin e tanishëm shpërthimin artificial të ngërçit që dikur e shuaja me shqetësimin tim studentor? Të gjithë duken kaq të dendur në veshjet e mbrëmjes! E gjithë bota është e zbukuruar për festën. Fansat dhe ftesat fluturojnë në ajër si krahë finesë intelektuale, vështrimet fluturojnë sipër dhe si tollumbace me gaz ngjiten në dekolte dhe modele flokësh. Jam i sigurt dhe e di se nën pendën e lagur në këtë panair të kotësisë, në të vërtetë qëndron pritshmëria e madhe njerëzore për artin e madh! Se draperitë në modë prej mëndafshi dhe xhevahiresh janë vetëm një shprehje e jashtme e respektit për spiritualitetin, që tashmë ka hyrë thellë e më thellë në gotëra! Ne, ah ne mendjen tek pishtarët. Ku e njihnim këtë botë! Kështu jemi edukuar në atdheun tonë të largët. Tani e kuptoj sa të drejtë kishin që na mësuan një nderim të tillë, të paktën të donim artin. Dhe përsëri ngec. A e donim vërtetë artin?!

Zotëria i dhelprave fshin me një leckë këpucët që i shkëlqejnë.

- Zotëri - e ndërpres qetësisht - çfarë mendoni për këtë spektakël të mrekullueshëm?

Shpresa ime është ngritur në një kulm, besimi im te njerëzit varet në balancë.

- Oh - përgjigjet menjëherë pisllëku i përsosur - ne pamë disa efekte speciale të shkëlqyera, apo jo? A e keni vënë re tymin në finale, duhet të ketë qenë shumë e vështirë të nxirreshin mjete të tilla piroteknike në një vend të tillë! Të paktën ky ekran i madh na dha mundësinë… Dhe ndaj veten në copa të tjera. Nuk jam më në gjendje të qëndroj me shampanjën në dorë. Kthehem tek dhoma tjetër e vogël. Aty ku mendohet të filloj poezia. Dhe nis të numëroj jo më prezencën por diçka tjetër…

Një...jam mirë, ...dy...jeta është e mrekullueshme..., tre...shpirti po largohet nga trupi im dhe po shkon të ankohet te Krijuesi i tij Hyjnor..., katër... jo shpirt ndihem shkëlqyeshëm,... pesë... janë ato ankimet për dhelprat e egra që infektohen nga kazanet e plehrave atje..., gjashtë...kam pushuar së menduari, por ekzistoj...

Poezi, poezi, poezi, si po shkojnë këto gjëra?! A e keni dëgjuar thënien moderne se nëse doni të shihni një shfaqje në Teatrin Bolshoi, duhet të shkoni në Londër?

Nëse nuk e keni bërë, dijeni se ndërthurja globale e kulturave tashmë i ka shtrirë kufijtë si shirita gome mbi territorin e kontinentit dhe mbi ta popujt evropianë po kërcejnë me entuziazëm. Si në atë lojën tonë të diktuar nga edukatoret kur luanim lumturinë e madhe të fëmijëve më të lumtur në botë, kushdo që kërcen në nivelin më të lartë është fituesi. Që në vitet e mia të hershme, kam vënë re diçka shumë të rëndësishme, ai që shtrin shiritat, ai përcakton fituesit. Dhe nëse kërceni shumë lart, do të kuptoni se ajo e Fluturimit të Shqiponjave mund të degjenerojë në një mendim për infektimin e dhelprave të egra në kazanët e mbushura nga mirëqeniet që peshojnë mbi shputat tuaja, të cilat mbeten të dukshme vetëm për lojtarët në tokë.

33 views4 comments

4 Comments


Natasha Limaj

Në këtë stad që është shoqëria njerëzore sot , interesi për luks, ka boshatisur shpirtin njerëzor, duke e bërë atë, as ta ndjej dhe as ta kërkoj ushqimin e tij Artin!. Ky fenomen derdhet natyrshëm nga pena juaj profesor!.. Kënaqsi që ju lexova !.. Suksese në prurje të tjera !..

Like

Pajtim Xhelo

E veçant;, e bukur, domethenese !

Like

Qazim Shehu

Nje nderthurje e bukur e koherave,dicka qe sillet ne kujtese dhe gjen pasyrim ne nje cat tjeter dhe koha qe ecen dhe krijon ngjashmeri ne nderdije e jashte saj.Nje proze refleksive shkruar me ritem e me kulture.Urime!

Like

Sakip Cami:

E lexova me nje fryme E rilexova Ne te shkuaren gjeta edhe vehten time Edhe sot ndonse jam 70 vjec jam ne lufte me vetvehten Bota leviz me hapa vigane Po ne ? Po une? Te pergezoj miku im per kete tregim jetesor dhe kuptimplote dhe jo vetem per kete por per gjithcka ke arritur Suksese Suksese Suksese Shendet Shendet Shendet Miresi

Like

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page