top of page

Fatmir Terziu: Rrethi allasoj


Rrethi allasoj

Nga Fatmir Terziu

 

Dhe kërcyell, dhe fyell, dhe barritim, dhe … fjalë

Fjalë në një përrallë:

mbyllur e shtrydhur në një luledielli të vyshkur

pikturë e zhgarravitur në sheshin e shkelur me kohëra të etura

të dehura,

të lagura nga një hije shatërvani të mehur

në Kryeqytetin tonë të shtrenjtë

është fjala për dymbëdhjetë yje, ndoshta jo për ata të dymbëdhjetë

me dymbëdhjetë gozhdë,

që u shkulën në vitin njëmijë e nëntëqind e nëntëdhjetë

nga balli i lodhur i pallatit të Kulturës

në një rreth vicioz të shtrenjtë

që zbraz xhepat e taksapaguesit të shenjtë

(jo i vetmi rast që bën kontrast)

e zbritjen e dymbëdhjetë qarqeve që i priste një yll

që priti gjysëmshekull të ndërronte vend

pra,

faturën që ka mbi kurriz ky rreth vicioz për disa vjet,

(e përpiu kuçedra)

e fushata kërceu napoleonin,

Osman Takën, Malësinë, Tropojën, Labërinë,

të dymbëdhjetë ishin në valle,

me një firmë vetëtimë, për dollarët që lëvrinë,

jo për pensione, asistencë sociale,

askush,

madje askush nuk u kujtua fare,

ja pra ky shesh në këtë rreth të kësaj fushate të madhe

po vallëzon,

po e tjerr vallen… e ku ka halle?

Të gjithë,

ore të gjithë me këngën e Noizit

presin, e presin të shohin Europën e Madhe

pa e ditur se përtej nga ky rreth me të dymbëdhjetë

ka kodra, ka fusha, gryka, gërxhe e male,

pra,

pra një Shqipëri reale, një Shqipëri të vërtetë me mijëra halle…

një Shqipëri në nevojë

që kërcen me skenar vallen allasoj…



Përtej bukurisë në Grinuiç


 

Kam filluar të pëlqej agimet e vona

kur dalin nga kapota e terrinës

të më tregojnë si çelin manjolat

ndërsa mbaj një farë distance unikale prej etikës

me të cilën poetët e (zh)veshin nga bota

e vargut dhe metrikës

dhe i fusin në mendime të kota

gënjeshtarë të mëdhenj prej frikës

nga zbulimi i skutave ku ndehet errësira

magjia e prikës si risi

në hakmarrje të tilla,

mbush grushtat me shi të ri

për të bërë një pakt

me agimet e vona

si sytë e ditës që puthen në natë

kur mendja trazon manjolën e huaj

ripërsërit Bajronin e thua

„Unë nuk e kam dashur botën,

asnjë botë nuk më ka dashur mua…“

kështu kjo manjolë bëhet një hiç

përtej bukurisë në Grinuiç.



Comentarios


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page