top of page

Fatmir Terziu: PËRSE BETOHEMI


LEXO RRAHJET E ZEMRËS

 

Kaligrafia e vetme

që më pëlqen të shkruaj

kur më lexon

është ajo që zemra jote

dikton.

 

ÇRREGULLIMI I EMOCIONEVE

 

Në lëkundjen e momentit

emocionet u bënë neps.

 

Kur gjërat u vendosën

emocionet u strukën në thes.

 

Nuk i kam ngrënë kurrë emocionet e mia

i kam lënë pa ngrënë

më së shumti në darkë.

 

Ky është gjithashtu një

Çrregullim Emocional.

 

NGJYRAT

 

Nga të gjithë ngjyrat që kam parë

e kuqja, e bardha, jeshilja, bluja, e purpurta,

apo kur Zoti m'i ka sjell në hark

kam zhytur sytë në një libër me Fjalë të Urta,

por mendjen e kam vërdallë

sepse mendoj

se ngjyra

që dëshiroja

u krijua qëkur të pashë për herë të parë.

 

PËRSE BETOHEMI

 

Të paktën qëndro për këtë,

i pa-anë.

Pse themi dhe betohemi:

„për sytë e mi“,

kur gjithçka ndodh para syve tanë?

 

DEHJA

 

E panjohura pihet aty ku poezia ka ngri

atje ku (ri)krijimi

pi me shoqëri.

 

E kështu shfaqet aty ku poezia dehet me mendime,

dhe mendimi i tepërt

pi duhan me supozime.

 

Atje ku zemra mbush pije

deri në grykë

me „vargje plotë pëshpëritje“…

 

… dhe lag letrat

me poezinë e strukur në një varg

që vë në pikëpyetje

krijuesin e saj.

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page