Përse Berisha është i entuziazmuar më shumë se sa besimi në fitore
Me staturën e tij të njohur, por dhe të munguar në mjedise të tilla politike për disa vite, në Berlin, në Kongresin e 37-të të CDU, si një Profesor që përgatitet të hyjë në festën e provimit final të një Universiteti prestigjioz, Lideri i Opozitës shqiptare, Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Sali Berisha, mund të mos jetë i dikurshmi, që rrëzoi murin e diktaturës më të hekurt në Europë, të quhet i rinuari, që pret të rikthehet në këtë sallë pas 11 majit si Kryeministër i Shqipërisë.
Por krahasuar me forcat e shfrenuara të kaosit që kanë karakterizuar politikën shqiptare vitet e fundit, besimi i dukshëm i Prof. Dr. Sali Berishës është ndoshta pasuria e tij më e fortë elektorale. Një shtrëngim i përzemërt duarsh me Kancelarin e ardhshëm të Gjermanisë, njeriun më të fuqishëm të Europës, Friedrich Merz është dëshmi se në politikë, kaotikja nuk është gjithmonë e keqe. Berisha po shfrytëzon disponimin e votuesve që janë të dëshpëruar qartë për t'i dhënë fund çmendurisë së një korrupsioni galopant, që gëlltitet esëll në mëngjeset e qeverisjes së ngrysur të Kryeministrit Edi Rama, kur një masë e madhe e ish-zyrtarëve të kohëqeverisjes së tij janë në duart e SPAK. Vetë Berisha shkruan në statusin e tij social: „34 vite më parë, Kancelari Helmut Kohl do ishte Kryeministri i parë që do të takoja ne Bon! Ogur i bardhë për fitoren e opozitës!“
Në të njëjtën kohë që Kryetari i PD-së ishte në Kongresin e 37-të të CDU, një grup deputetësh të PD-së dhe Kryetari i Bashkisë së Hasit, ishin në mesin e demokratëve të Londrës për të folur hapur në lidhje me procedurën e regjistrimit dhe me votën e tyre të domosdoshme për zgjedhjet e 11 majit 2025.
Shumë nga demokratët me të cilët folëm në fokus grupe thanë se [Deputetët] ishin të besueshëm, por ndoshta besueshmëria është ajo që na duhet tani, më tha një nga drejtuesit e demokratëve. Ka sigurisht rraskapitje nga kaosi në situatën e kohëzgjatur të PD-së në Opozitë dhe një ndjenjë e përgjithshme se politikat nuk kanë fund, shton ai, por demokratët si këtu në këtë sallë dhe atje ku ata kanë kontaktet e tyre e kanë të qartë detyrën e tyre në këto zgjedhje.
Pyetja tani, ndërsa Berisha shkon në një stad tjetër, është nëse kaotikja e një kohe të shkuar do të vazhdojë të paguajë dividentë, apo nëse do të fillojë ta pengojë atë, duke e shndërruar këtë ridalje në skenën fituese si sfidë dhe realitet.
Në pamje të parë, situata me të cilën ndodhet PD e Berishës, duket se nuk është më në kontrast të plotë me atë që ishte dhe që është në Shtetet e Bashkuara, ku Presidenti Trump po përpiqet të stabilizojë me forcën e tij kaosin e krijuar nga administrata paraardhëse kundër një mase të gjerë politikanësh, përfshirë dhe sjelljen e njohur ndaj Kryetarit të PD-së së Shqipërisë, po dhe në këtë sallë, pra të Kongresit të 37-të të CDU, ku Berisha nuk ka takur një lider të djathtë, por me dhjetëra.
Ditë më parë, disa zëra nga qendra e djathtë publikuan një memorandum që analizonte situatën e ndikimin fitores së Trump dhe thoshin se ato përfaqësonin një "fitore të mundshme të kompetencës së pamëshirshme", duke e mbajtur fushatën e të Djathtëve si një model për liderët e tjerë të djathtë, që gjithnjë përballen me kaotikët e krahut të majtë.
Megjithatë, kjo forcë e rinovuar e Berishës nuk vjen thjesht nga kaotikja dhe situata korruptive e së majtës shqiptare në pushtet, përkundrazi, bëhet fjalë për diçka më të thellë, për premtimet e thyera dhe besimin e thyer të vetë Edi Ramës, për shërbimet publike jofunksionale dhe faturat e larta të shërbimeve, për braktisjen e Shqipërisë nga të rrinjtë, për një etje kolektive për ndryshim. Bëhet fjalë për një zhgënjim të fortë nga politika e majtë, edhe pse fasada e ramës është duke lyer përditë e më shumë mediat me një shtresë fallco, e që përditë e më shumë gërryehet dhe nxjerr në pah ndryshkun korruptiv. Vala e baticës që po përfshin situatën e Rilindjes mund të mos jetë aq e ndryshme nga vala kundër Partisë së Punës në vitin 1992, por fitorja e demokratëve kësaj radhe është e dukshme, edhe pse ka shumë partiza të reja nëpër këmbë, por që në fakt nuk afrojnë asgjë edne, përveç fjalëve dhe togfjalëshit „Partitë e vjetra“.
Koha ka treguar se pak politikanë janë aq të aftë në formësimin e narrativës sa Berisha, dhe ai mund të tregojë lehtësisht mbështetjen publike për PD-në dhe të votës masive të emigracionit, që barazohet me numra të konsiderueshëm e përqindje të prekshme, dhe t'u thotë atyre: "Juve, ju përzunë, juve ju detyruan të ikni në emigracion”. Dhe në zona të caktuara kur dihet se kohët e fundit edhe raportet tradicionale janë prishur, mbetet syri dhe vëmendja e demokratëve. Lufta për mandatet parlamentare në zona bastion të PD-së si Shkodra e Kavaja, ka filluar të nënkuptohet qartë, sikurse dhe shpresa tek vota e demokratëve në emigracion. Mesazhi është i qartë dhe mirëkuptohet nga situata që merr frymëzim nga fitorja e Donald Trump.
Megjithatë, PD tani do të duhet urgjentisht të fillojë të bëjë përpjekje për të përmirësuar e saktësuar atë që duhet tu thotë votuesve të saj, veçanërisht në ato pika që vitet në Opozitë i kanë lënë të braktisur, në mënyrë që të mos humbasë shpejt besimin e tyre. Kjo është një sfidë e madhe duke pasur parasysh faktet shtrënguese që duket se po dominojnë këtë fushatë, për shkaqe që dihen e që mbeten në hamendje. Sidoqoftë pyetja përse Berisha është i entuziazmuar më shumë se sa besimi në fitore, mbetet ende enigmë e madhe, ende pjesë e një fushate të hapur e të kushtueshme kësaj radhe.
Profesor Fatmir Terziu, si një intelektual erudit dhe njohës i thellë i realiteteve brenda Partisë Demokratike, ka bërë një analizë të shkëlqyer të veprimtarisë së saj në këtë periudhë parazgjedhore.
Eshref Ymeri
Kaliforni, 04 shkurt 2025