top of page

Fatmir Terziu: „Përjetësi“ çel rrugën poetike të re të Mira Hankut



 

Po nisemi bashkë me vëllimin poetik të parë „Përjetësi“ në rrugën poetike të re të Mira Hankut, por po shkelim në fakt në rrugën e saj të vjetër që nisi të shkruaj e të bëj letërsi që në rini. Dikur në poezitë e saj, të mbajtura për veten dhe për të sinqertën e saj letrare,

e bënin atë një poete të guximit rinor. Është e bukur sot me vëllimin poetik përpara teje, të botuar nga „Muzgu“ i Mark Simonit  të flasësh për një poete të tillë bashkëkohore dhe të ndjesh tërë atë udhë që në fakt ajo e bën publike disi në një kohë tjetër, më të largët nga fillimet e saj poetike. Kjo është krejt e pritshme për një krijuese që bëri emër me romanin e saj të parë „Meri“ dhe që është fituese e disa çmimeve të bëj emër dhe me këtë përmbledhje poetike.

Është pak të thuash se ajo mbajti shpresa të mëdha krijuese që krijimtaria e saj të mos mbetej e papërfunduar, e pabotuar në libra, sepse tashmë e dimë që ajo ka rrugë të madhe për të bërë. Mira Hanku në fakt shkruan poezi që menjëherë marrin njohjen më të lartë. Nuk është ekzagjerim të thuhet se ajo është një nga poetët e tilla, që mund ti quajmë modeste, të strukura në sinqëritet dhe thjeshtësi, por që në fakt sjellin gjithnjë risi dhe në krijimtari. Patosi i guximshëm i poezisë së saj tashmë po gjen rrugën drejt zemrave të lexuesve të saj. Në korin e përgjithshëm të poeteve që botojnë me vonesë, zëri i saj tingëllon mjaft origjinal dhe i veçantë. Leximi „Vjeshtë“-s është një udhëtim i veçantë diskursiv, që nis me „e lagësht me shi e me re“ por që përfundon e konkludon me „mbas shiut vjen dielli, thonë qëmoti/si Feniksi nga hiri jeta ringjallet/nga plisat e dheut lindin filiza/nga trungi i kalbur të tjerë lisa“ (Poezi fituese ne Konkursin „Aquila D'oro; Itali, 2022)  

Dhe kështu poetja e vëllimit „Përjetësi“ sapo ka nisur të na tregoj ne, bashkërisht me ne dhe lexuesit të saj, se ajo brenda një rrugëtimi të gjatë të jetës ka parë dhe ka përjetuar shumë, ka udhëtuar në shumë rrugë, është ndeshur me fate të ndryshme. Poezitë që ka përmbledhur në këtë vëllim na përshkruajnë imazhin e një artisteje të talentuar që e lidh ngushtë jetën dhe poezinë e saj me shtysën premtuese dhe shpesëdhënëse të brezit të ri. Çfarëdo vlerësimi që u japim, çfarëdo dobësish që gjejmë në to, poezitë e saj mbartin patosin e ndërtimit jetik dhe shpallin me zë të lartë vlerën jetike të poetes. Kjo i bën të gjitha poezitë, rrugët jetike të vetë poetikës së saj, mjaft të afërt me ne dhe u jep atyre një vlerë të veçantë duke e futur enkas në një udhë të ndjeshme me poezinë bashkëkohore. Me fjalë frymëzuese, Mira Hanku kap emocionin e njerëzve, ndjen pulsin e zemrave të tyre të trazuara, u hap udhët nga vetë ëndrrat e tyre, jeton me emocionet e tyre. Prandaj, tek poezitë e saj, mendimi dhe ndjenja e tyre depërtuese, janë sfida dhe diskurse jetike, që na shoqërojnë në punën tonë të përditshme dhe na thërrasin për guxim të ri. Mira Hanku tregon me këtë „përjetësi“ se mbetet një poete në kuptimin më të mirë të fjalës, dhe të gjitha poezitë e saj për jetën tingëllojnë të guximshme, mobilizuese dhe tërheqëse, sikurse është poezia e saj „Nënës“: „Nënë, kam ardhur të shoh.../Para meje, pak bar dhe një fotografi./Nga fotografia më buzëqesh ëmbël/Duket sikur në krahë do të më shtrëngosh/ Si atëherë kur isha e vogël,/Kur më përkëdhelje/Dhe me zërin tënd të ëmbël “T‘keqen mami”, më pëshpëritje.“

Mira Hanku flet shumë shpesh për të ardhmen, por shumë pak për të kaluarën e saj. Në poezinë e sotme, Mira Hanku i përket atyre që kanë krijuar herët, por që botojnë vonë. Ka një biografi të shkurtër, por intensive në krahasim me kohën kur ajo ka qenë në heshtjen e saj të sinqertë. Në të vërtetë, Mira Hanku hyn në një gjeneratë që u rrit në një kohë jashtëzakonisht të rëndësishme dhe dinamike. Ajo përjetoi mbi supet e saj të brishta ankthet dhe dhimbjet e emigracionit, të cilat kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në shpirtin e saj, që tashmë i konverton në vargje, risi, tematika, poezi. Poezia „Shtegtarit“ na e bën  të qartë këtë: „Flas me ty/Që në shpirt ke stuhi/ Dhimbja dhe dëshpërimi/ Ta bënë zemrën hi/Jeta me lot buzëqeshjen ta fshiu/ Të shporri nga vatra/ Në errësirë të shtiu“.

Në këto poezi të Hankut, shohim se udha merr një vibrim të vërtetë jetësor kur ajo lidhet personalisht dhe drejtpërdrejt me udhën krjuese, kur njeh dhe zbulon romancën e të resë, të besimit në dedikim, dritësi, fjalë, dashuri, filozofi, e të tjera e të tjera, që kalojnë herë nga Fshati i Gjyshes, e herë nga Një copëz jete.

Duke përfunduar mund të themi se poezitë e vëllimit „Përjetësi“, ose më saktë të pesëdhjetë e një poezitë e këtij vëllimi janë një kronikë prekëse e një udhe pa emërtesë fizike, por që njihet nga lexuesi, e një udhëjete që lexohet nga të gjithë, e një diskursi tipologjik që merr pjesë lehtëisht gjithkush. Në çdo varg të këtyre poezive, digjet përkatësia e poetit në jetën e përditshme, besimi i saj në vetë udhën që një ditë do të ketë vërtetë një stacion të dëshiruar. Është e nevojshme të theksohet se, pavarësisht të gjitha kthesave dhe përmbysjeve të jetës dhe rrugës krijuese, Mira Hanku mbetet vetvetja, kjo shihet dhe sedërton tërësinë e diksursit krijues të saj që prek pastërtinë e mendimit, që nuk shkel mbi më të shenjtat dhe më të dashurat parime, të cilat i prek dhe mbetet gati duke i kënduar me një entuziazëm dhe forcë shpirtërore. Në poezinë përmbyllëse të „Përjetësi“ poezia „Ç’mu kujtua“ duket mjaft qartë dhe thelbi i kësaj që cituam më lart: „Ç’mu kujtua për një çast/Fytyra jote e përmalluar;/ Tek dera qëndroje pa fjalë/ Çfarë mendoje në atë çast, këtë kurrë nuk ma the//por sytë të tradhtuan/buzëqeshja jote, dy fjalë përcolli.../ Të dy mbetem pa folur/Në shpirt të përflakur, të lumturuar...“.

תגובות


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page