Poezia e vëllimit „Oaz dashurie“ e poetit Miltiadh Davidhi përcjell „të vërteta të perceptueshme", që mbesin në kërkim të një paradigme alternative, ku theksi dhe konnteksti nga realiteti shpesh struk thellë në metafora dhe figura komplekse artsjellëse imazhet tradicionale, vetë metaforat dhe simbolet që hedhin dorën ndaj përditësisë si dhe vlerave, praktikave dhe dimensioneve të vendosura për të imponuar parimet dhe konceptet e reja dhe të domosdoshme në jetëpërditësi dhe në varg. Nënteksti i poezisë, dhe duam ta vendosim theksin të tillë se poezitë e poetit lushnjar, janë si një model, si një grup dhe si një funksion, prandaj e mbajmë në njëjës, dhe për ta vazhduar, pra poezia e këtij poeti, pranon modifikimin në kundërvënien kulturore traditë-aktualitet. Kjo analizë synon të eksplorojë pikat ku vizioni i poetit për dashurinë dhe jetën konvergojnë dhe ndryshojnë tek krijimet e përfshira në këtë vëllim poetik. Autori ka shkruar dhe shkruan ende me bollëk për dashurinë dhe jetën.
Poeti Miltiadh Davidhi vjen me këtë vëllim të bukur poetik, pas një sërë veprash që fillojnë nga viti 1996, e që përkitazi janë „Rosa që bleu tapet“ (Fabula, 1996); „Fabula të reja“ (1999); „Parajsa Danteske përballë Ezopit plak“ (Poezi dhe Fabula) (2001); „Ujëvarë Hëne“ (Poezi, 2008); „Bregu i ferrparajsës“ (Roman, 2010); „I njëjti zë njeriu“ (Poezi, 2011); „Nyja e vdekjes“ (Novelë, 2014); „Globi mbi fije bari“ (Poezi, 2014), „Duke ecur në rrugica ajri“ (Prozë); „Në humnerën e pafund të një krimi“ (Tregime); „Në kopështin e dashurisë“ (Novelë). Ai ka dhe disa krijime, botime dhe publikime të tjera pasi jeta e tij shkruese dhe aktive mes shkrimit ka filluar që kur ai botoi poezitë e para në gazetën lokale “Shkëndija” kur ishte vetëm 18 vjeç. Ky autor përfshirë në antologjinë poetike ”Lotët e virgjër” botuar nga Prof. Dr. Fatmir Terziu dhe i paharruari Agim Mato, ”Në historinë e letërsisë shqipe për fëmijë” shkruar nga Astrit Bishqemi, si dhe në antologjinë me tregime botuar nga shtëpia botuese „Ada“.
„Oaz dashurie“ e poetit Miltiadh Davidhi është botuar me një përkujdesje të bukur grafike dhe estetike nga „Botimet Nacional“ dhe ka dalë në drirtë për lexuesit në vitin 2017. Kështu shtatë vitet që kanë pasuar në një sfond të gjerë kanë përcjell tek lexuesi edhe mendimin e Faslli Halitit që shprehet pas leximit të vëllimit „...Çdo poezi e librit tënd është një ngastër, vatër, plot kallinj poetikë, ku rreshtat, rrokjet, sintagmat, ngërthejnë mendime, ndjenja, emocione, tone të moderuar, gjendje shpirtërore, gjetje origjinale kolombiane, zbulime zonash të pasura poetike, në thellësitë e të cilave ruhen brilante e plot gurë të çmuar, ende të pa eksploruar.“ (Haliti, F. 2017). Është lexuar dhe ajo që ka shprehur Visar Zhiti, pra e shprehura qartë se „...Në poezinë (e Davidhit) ka natyrë, frymëmarrje të saj dhe duket sikur poeti që zgjohet brenda … merr nga fryma e natyrës duke i dhënë nga e vetja dhe prej kësaj përzierje duket se krijohen peizazhet përreth.“ (Zhiti, V. 2017) Më tej Klara Kodra shprehet: „Poeti spikat për koncizitet dhe për parapëlqimin e figuracionit mbi detajin. Ai di të zgjedhë figurën, apo rrjetin figurativ që shpreh idenë e poezisë, tepër shprehëse. (Kodra, K. 2017). Për poezitë e Davidhit janë shprehur dhjetëra e dhetëra krijues e studiues.
Kështu mbi dyqind poezitë e „Oaz dashurie“ natyrisht e kanë merituar atë që është thënë e atë që do të thuhet me siguri, pasi janë në një rrugë të mbarë, ose më saktë sikurse nënkuptohet nga vetë titulli i poezisë së këtij poeti ato janë edhe „Të njëjtat petale lulesh“, por që qëndrojnë çelur gjithnjë në bimë, e jo të rrëzohen përtokë.
Duke e parë në këtë këndvështrim mund ta themi se ai është poeti që i hyn denjësisht grupit aktual të poetëve lushnjarë dhe natyrisht është dhe një zë dashurie në hapësirën dhe kohën e duhur në letërsinë lushnjare e më gjerë të dashurisë. Është interesante që qasjet e tij realiste nuk janë aq të thjeshta sa duken në një vështrim të përciptë nga një lexues, sikurse ndodh tek poezia „Sot do të shkoj në Kishë“ ku poeti shprehet qartë dhe saktë, në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe reale: „Zot im, ti që je/Det dashurie plot valë/Mbase jam pak me vonesë,/E nuk jam shumë fetar,/Por, të lutem, më falë!“ (Davidhi, 2017:9). Përdorimi i tyre, i simboleve, dhe imazheve është shumë i planifikuar dhe i qëllimshëm, duke i dhënë poezisë së këtij vëllimi tiparet e saj unike në aspektualitetin e saj.
Dashuria e poetit është përditësi, por dhe simbolikë në kontekstin e saj sublim. Kështu poezia „Në ditën e Shën Valentinit“ është dhe mesazh, patjetër dhe art: „Është dita e dashurisë/Së vërtetë,/Jo e dashurisë Platonike/Dhe e dashuriçkave.“ (Po aty). Në këtë vëllim duhet theksuar se larmia e temave, tematikat dhe nënqasjet tematike kanë një diskurs të veçantë, një arritje e mirë e poetit, për të realizuar poezi të mirë dhe të lexueshme. Shkurt tek ky vëllim ka vlera dhe rezultate pozitiviteti e cilësie, që e bëjnë vërtetë vëllimin poetik të Davidhit një vlerë me „Oaz dashurie“.
Comments