PRERJA E THONJVE
Nga Fatmir Terziu
Nuk e di pse më tremb „Astra“
në një ditë të tillë mbaj mend vizoren
pas çdo vringëllime mësuesi kërkonte duar të pastra.
Prerja e thonjve
ishte si një revan kuajsh me të katra
në klasën time të parë të shkollës fillore.
E diku në një vrimë të murit qëndronte „Astra“
brisku që kishte rruar mjekrat prore
të veteranëve me xhaketat me jaka
mbushur me gjokset plotë lavdi e fitore
me dekorata dhe medalje të trasha,
të cilët na flisnin kohë pas kohe,
për jetën e tyre në sakrifica e luftra,
e na mburreshin se si ua tregonin vendin thonjve,
me fjalë të urta.
E „Astra“ e kalitur në Çekosllovakinë e asaj kohe,
përdorej me qindra herë,
sa herë që vizorja e mësuesit ishte dënesa e thonjve,
për thonjtë tanë të paprerë.
Nuk e di pse më mbeti „Astra“ një model frike
kur pres thonjtë edhe sot ndjej dhimbje,
e njëjta vizore më shfaqet brenda syve
e ndjej si një goditje ritmike,
brenda një kohe disa ditore,
kur vjen prerja e thonjve.
MIDIS KËTIJ KUFIRI TË SHËNUAR ME LAPS
Sot është e shtunë. E diela na pret me grykën e shishes hapur
në pritje të dehjes tjetër nga vera Bourdeaux 2019.
Tryeza është një imitim shtëpie e lënë pa mbulesë,
gotat ushtarë të disiplinuar në trokitje,
gishtat prekin me kujdes,
trembëdhjetë soje të vëna në pritje,
e ti më shikon
pret që të vendos lule
diku në vazon që ka mbetur bosh në sallon.
Dera nuk pret ndonjë trokitje. E njëjta derë na siguron edhe kësaj dite,
era e parfumit patjetër e padukshme,
vjen nga ikja e lodhur e ndonjë çifti të panjohur,
ngacmon hundët tona me të njëjtën aromë
pastaj ikën, kapërcen jashtë në ajrin e ftohur.
Asgjë nuk kthehet pas,
as ora që duket se pedalon,
dhe mendja e gozhduar si në një dërrasë,
fluturon,
përhumbet dhe s'pret të diktojë se ku ndalon.
Jemi dremitur e bëhemi bashkë të dy me shkas
ëndrra është me metrazh të shkurtër e lexojmë „flash back“
vetëm kështu kuptojmë atë çast
e djersët bulojnë si llava në një vullkan
jemi zjarr,
zjarr,
kërkojmë të shohim sërrish ëndrrën si më parë,
është zgjim s'ka kthim pas.
Në të gjithë këtë zgjim është një fill,
ndahet me sy nën një kapak,
lexojmë ndërsa jemi të shtrirë,
mendja kërkon të gjej ndonjë mesazh,
sa shpejt që çdo gjë është e fshirë,
midis këtij kufiri të shënuar me laps.
A SHKULEN ËNDRRAT?
… shtëpia ka mbetur e thirrur në të shkuarën
vërtitet e sotmja për t’i bërë uratën së ardhmes
Gjithëgjendja sa herë pëshpërit me veten kur vjen Fjala
për të askush nuk ka ikur
as Im Atë vetë,
As nëna,
trishtimi s’duhet fshehur
loti nuk jep bereqet
kurse sytë vetvetiu mbrolin Qiellin,
e muret
sikurse halli dhe malli
vishen me drigëza të lëngëta
kërcet bulëza e damari nga balli
dhe hyn memorja
dita zbardhet menjëherë
(a shkulen ëndrrat?)
shamia shtrydh lumenj… edhe këtë herë.
U zgjova me nënën dhe babain!
…DHÉMBJET
Qenka e vështirë të përjetosh se si shuhen Yjet
e di çfarë trishti?
Më duhej të rilexoja leksionet e tua të Jetës
të kuptoja ku mbetet shpirti,
edhe kur shtirem se s’ka ikje për hir së vërtetës
më duket sikur vjeshta është zëvendësuar nga dimri
gjethet nuk bien si zakonisht në shtator
ngricat dridhen ndryshe nga timbri
kur pas ditëve të fryra nga gjerbjet
sytë kanë zënë filli
të mësohen me dhémbjet…
… edhe dhimbjet papritur janë përveshur
të risjellin buzët në të qeshur.
PSE KEMI FRIKË TË MARRIM ATË QË DUAM?
Duke kërkuar
një psherëtimë në errësirë,
fryhet e kaluara mbi buzët e lodhura
si një fantazmë, dhe rishtas nikoqiri
i mendimeve të dashuruara mbledh (pa)ditshëm,
pazgjidhjen.
Nata shikon dhe lëshon vegimin
teksa e ndjek
(jo thjesht vendimin)
kujtimet zhbirojnë një jetë.
Ethe me mjegull, ditët e zverdhura të vjeshtës
për planet, nxitjet, premtimet e shenjta,
copëza të sinqerta fëminore,
për të ëndërruar se mund të kishte mbetur e njëjta.
Në këtë ekran të mbuluar nga zvetënia
ne përplasemi nën dritën e ditës,
me lukuni, xhelozi, urrejtje, ambicie të fryrë
pa zbritur një mendim të pjekur nga koka
kemi humbur rrugën në errësirë.
Pse sytë tanë të ndritshëm sjellin mendime kaq të errëta?
Pse kemi frikë të marrim atë që duam?
Një psherëtimë në errësirë.
Përtej lëkurës së ftohtë në sheshin e virgjërisë
si zjarri, kjo dëshirë e pashprehur
midis çarçafëve pëshpëritje e koduar. Gishtat si spango,
ndihem i saj, më mjafton së paku,
ajo ndjehet e imja,
ndërsa ne kërkojmë në errësirë
së bashku.
Këtë ajër do ta ndajmë të gjithë natën,
në pasion, me energji,
duke kërkuar shkas, një çmenduri
për t’a lëshuar, të zgjidhet nga miti për mrekulli.
LOJË GËRSHETASH
Mos më thuaj nuk m’i pikturove ti,
ceparakthi mbi gjethe vjeshte,
këta gërshetëza të vegjël,
trokëllima e pikjes së ballukes,
mori lulshkronjën tënde të butë,
si një pështjellje ere,
s’qenka floku yt,
por ai i një legjende.
E ndjeva mallin për gërshetin tënd,
shije e mbetur nga përkëdhelja tinëz,
ku dora në Uandëll Park,
skicon gërshetat e tua nga larg,
një duzinë gjethesh flijohen në varg,
karshillëk për dimrin në prag,
të dhurojnë ngjyrën e radhë,
për flokun tënd mërdhacar.
Mes flokut skicuar këtë herë,
zbulova lëvizjen e gjërave përreth,
ndjeva dimrin që troket në derë,
stinën që flokë të bardha hedh,
e mbi gërshetëzat e tu të vegjël,
u bëra shuk një pendël.
Dhe thirra në ndihmë syzet,
si kaledoskopë mes syrit dhe trurit,
mes malishtash yshtej,
si nyja në mes të drurit,
art më vete krehëri ku krihej,
balukëzi yt i fundit.
Floku i ngjeshur si një ledh,
një korijëz e kredhur në mish,
i përhumbur syri lodhet teksa bredh,
lë pas një shenjë mbi iris,
ajo tufë rresh shikimit ia ndjell,
natën e murme tis.
Mos më thuaj se është lojë,
ardhja jote e flashkët,
gërshetëzat e tua me bojë,
më bënë dritë dhe natën,
duke puthur baluket në ballë,
lashë përgjysëm fjalën,
e papritur zgjova këngën,
për gërshetin tënd në ëndërr.
Ëndërrimi i flokut ka krahë ëngjëlli,
që rri si çadër mbi kokë,
është një rreze dielli,
që zbret nga qielli në tokë,
sa herë që ka dhembje shpirti,
gërshetëzat të zgjojnë,
dhe në mes të dimrit,
një zjarr i veçantë të ngroh.
Comentarios