top of page

Fatmir Terziu: Pesë destinacione ndryshe midis të tjerave


Pesë destinacione ndryshe midis të tjerave nga Fatmir Terziu

 

1.     Destinacion

 

Udhëtimi është ëndërrimi i pagjetur.

Të ëndërrosh?

… është dhimbje e vetmuar

sa më larg, aq më afër kësaj kohe

udhëtimi mbetet një mision i pambaruar.

 

Asgjë nuk të mban për kaq gjatë

në fillim ëndrrat,

pastaj zgjimet,

ditët thurin hallin

dhe netët tresin mallin e thurrur,

koha kujdeset për udhën tonë

dhe pendohet për gjysmën e humbur.

 

Ne duhet edhe të presim, duke ëndërruar

vizionin e udhës që na frymëzon

udhëtimi është sharmi i një bote të brendshme,

pas kësaj dashuria që na bashkon

do të jetë udha e përjetshme.

 

2.     Rotacion

 

Dy pika shiu i ngrin Dimri

nën re për të soditur errësirën

dhe muzika e shiut

lajmëron me sakrificën e tyre një sezon të ri.

 

Pirgjet kremosin fytyrën

me nusërimin e Pranverës.

 

Lulet shkruajnë me rënien e gjetheve

trendin,

sekretin e Vjeshtës

sepse nuk e njohin më njëri-tjetrin.

 

3.     Liri

 

Zërat tanë janë streha jonë e vetme në udhën e pashkruar

le të hapim në fillim kapakët

pastaj le të thajmë një oqean me lotë

le të ecim,

le të udhëtojmë të lirë

t'i japim fund ndarjes në botë.

 

Pastaj le të shkruhet fundi i një beteje,

si Muri i Berlinit

mes meje dhe teje.

 

4.     Zanafillë

 

Le ta quajmë një art soditjen e trupit

një nevojë për një dritë të pastër,

një lindje fjalësh,

agimi i shpirtit.

 

Ne kemi nevojë për shtëpinë e butë me tymosje oxhaku.

Të ecim pranë mureve të saj në tokën e falur

nga stërgjyshi,

nga gjaku.

 

Ne vendosim që kjo është diku

mund të gjejmë atje strehim

dhe biem në flirt,

ne kërkojmë aty një kuptim,

në traditë.

 

5.     Mit

 

I përket lutjeve.

 

Një sy që mbyllet

një sy që kopjon

shijen e lotëve

fjalëve dhe ideve në sinkron.

 

Dhe kështu, kjo lidhje e pandashme

e ndjeshme,

ka nevojë për të folur, për të folur vetë,

për të rrëfyer veten, për t'i hapur udhën Tjetrit.

 

Ikja është një melhem dinak.

Ikja nuk është shpirti i saj binjak.

 

Ajo është një shprehje ndryshe

hap pjesën e panjohur të qenies

ikja është vetë kura,

e derdhur verdhoshe në një pellg drite

të skalitur nga lëkura.

11 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page