
Prof. Dr. Fatmir Terziu
Në disa raste, dhe jo në pak të tilla, një fotografi i kalon ato që thuhen rëndom se ka kuptimin e më shumë se njëmijë fjalëve. E para mjaftohet me atë çfarë në vetvete përbën gjuhën e fotografisë, ndërsa tjetra tek limiti, infiniti, gjuha që prodhon në fakt në mënyrë të pashterueshme. E tillë është dhe një fotografi që ka shpërndarë në rrjetet sociale Prof. Dr. Muhamet Hamiti, (Dumnicë, 12 shkurt 1964) profesor letërsie, shkrimtar dhe diplomat shqiptar nga Kosova, ish Ambasadori i parë i Republikës së Kosovës në Mbretërinë e Bashkuar, Republikën e Irlandës dhe në Zelandë të Re. Ndërsa e shikojmë me vëmendje këtë fotografi ndalemi në dy kohët që lidhen me vetë publikuesin e saj. E para koha që ka qenë zëdhënës dhe këshilltar politik i Presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugovës dhe e dyta, ajo me të cilën jemi njohur me të gjatë punës së tij diplomatike në Londër.

Në lidhje me këtë fotografi kemi shkëputur dhe dy mendime. I pari është përshkrimi që Prof. Dr. Hamiti i bën vetë fotografisë dhe i dyti i përket z. Isa Zymberi, një nga bashkëpunëtorët e Presidentit Rugova.
Prof. Dr Muhamet Hamiti shkruan: „ Fotografi me Presidentin Ibrahim Rugova gjatë vizitës së tij në SHBA në shkurt të vitit 1993. Këtu, në shoqërim të Presidentit bashkëpunëtorët e tij, Alush Gashi, Isa Zymberi, Shaqir Shaqiri dhe Muhamet Hamiti. Presidenti Ibrahim Rugova e ka pasë paraqitur para Administratës së re amerikane – Presidenti Bill Clinton e kishte marrë detyrën në janar të atij viti – Planin 10-pikësh për Kosovën që parashihte vendosjen e një protektorati civil dhe ushtarak në Kosovë si fazë kalimtare. Kjo gjë ndodhi 6 vjet më vonë, më 12 qershor 1999, kur u vendosën UNMIKU (OKB) dhe KFOR-i (NATO) në Kosovë. Këtë plan Presidenti Rugova e ka paraqitur edhe në Qendrën Karter (The Carter Center) në Atlanta, Xhorxhia (Georgia), të SHBA-ve. Kjo fotografi është bërë në Carter Center më 19 shkurt 1993. I pranishëm ka qenë edhe ish-Presidenti amerikan Jimmy Carter.“
Isa Zymberi: „Po më duket se kjo foto është shkrepur fill pas një pyetjeje, që e bëra, e cila shkaktoi edhe të qeshura. Bëhej fjalë për sovranitein dhe suksesionin e tij nga Serbia e Mali i Zi që kishin zgjedhur të mbeteshin në atë që quhej Jugosllavia e cunguar. Unë thashë se strukura e sovranitetit të përbashkët jugosllav ka qenë komplekse dhe ajo tashmë ka kolapsuar. Nëse, hipotetikisht, Serbia vendos edhe ajo të dalë nga kjo strukturë, a do të thotë kjo se Mali i Zi do të mbetej bartëse e suksesionit. Presidenti Karter u shpreh se me gjasë pati ironi në këtë pyetje... Kjo konferencë më kujtohet edhe për një gjë. Gjatë një pauze kur po merrnim ndonjë kafe apo pije freskuese, pjesëmarrësit krijonin rrathë të vegjël dhe bisedonin. Ti, Muhamet, që nuk i ndaheshe Rugovës dhe i ndihmoje me përkthim, e kishit pranë të venë (bashkeshorten) e Ulof Palmës së ndjerë, e cila i ishte drejtuar Rugovës me: "Nëse dëgjoj se ke hequr dorë nga rezistenca paqësore, nuk do ta fali kurrë." ... Kujtime këto të një kohe tashmë bukur të largët por shumë të frytshme.
Le të shpjegojmë, pse gjuha e kësaj fotografie shkon përtej, deri në infinit. E para, dhe më e rëndësishmja, fotografi të tilla nuk kanë vetëm rëndësi të madhe historike, por janë vetë historia në fjalë. E dyta, ajo bëhet më e rëndësishme, sepse publikohet nga personi më i besueshëm në këtë rast, i cili që nga viti 1991 deri në vitin 1999 ka punuar në Qendrën për Informim të Kosovës (QIK), si kryeredaktor i shërbimit në gjuhën angleze. Ai ka redaktuar dhe përkthyer në anglishte një sërë botimesh që QIK-u i ka bërë gjatë viteve të luftës së shqiptarëve të Kosovës për liri dhe pavarësi dhe natyrisht është dëshmitar i gjallë i mjaft fotografive të tilla, të cilat i bënë me fakte të vihen në shërbim të Historisë së duhur.
Më tej, duke qenë anëtar i redaksisë së revistës Filologji të Fakultetit të Filologjisë, natyrisht gjuha me të cilën ai e ka shoqëruar është mjaft efikase në këtë pikë. Prof. Dr. Muhamet Hamiti, i cili më herët ka qenë anëtar i redaksisë së revistës Seminari të këtij Fakulteti dhe që nga fillimi i vitit 2024, anëtar i redaksisë së fushës së letërsisë për projektin afatgjatë Enciklopedia Shqiptare, ndërmarrje e përbashkët e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës dhe e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, natyrisht ka dhe përbën peshën specifike të gjuhës së dokumentimit të tillë.
Prej të gjitha këto sa cituam më lart, dhe vetë faktit të saj historik, publikimi i kësaj fotografie e bën edhe më të pasur në shprehitë që jep ajo, po ashtu dhe në rrethanat me të cilat ndërtojmë dijet rreth saj, për vetë faktin më sublim, të thelbit përcaktues të saj, pavarësisht kush e lexon dhe si e lexon, dhe madje edhe nga cili kënd e vështron atë.
Leximi i detajuar i kësaj fotografie, pa ditur atë çfarë ajo ka fiksuar, me vetë atë që është ëprshkruar më lart, natyrisht na shpie tek figurat 'kryefjalë“ të saj. E, para figurë, ajo më qëndrorja, figura e të ndjerit President Rugova, natyrisht na jep me një bindje të thellë jo vetëm atë që ishte, mbeti dhe vazhdon të mbahet mend i tillë, natyra e vëmendshme, e drejtë, e sinqertë, e gatshme të prek edhe cipalin e humorit me gjuhën e vetë trupit, pa pasur nevojë të flasë. Tjetra, ajo e krahut të djathtë të tij, Prof. Dr. Muhamet Hamitit, na jep vërtetë pikën më nevralgjike të intelektualit të vëmendshëm, të kujdesshëm e të gatshëm për të thënë mospajtesën, qoftë dhe me shakanë, apo momentin e përafërt. Natyrisht kemi dhe qasjen e treshes tjetër, por kjo le të mbetet një pikë më vete. Sot më ngacmoi, gjendja dhe qasja e fiksuar e Prof. Dr. Muhamet Hamitit, personit diplomat dhe intelektual që kam njohur nga afër në Britani të Madhe.
Prof Dr Muhamet Hamiti në të gjithë momentet, takimet, prezencat dhe bisedat ishte intelektual, i thjeshtë, i qartë dhe i sinqertë. I prerë në biseda dhe i drejtë. Asnjëherë nuk ka bërë kompromis me idetë dhe bindjet e tij. Asnjëherë nuk ka bërë rolin e të papajtuarit me atë që ai ka pasur si qëllim rruge të vendosur e të drejtë. Më kujtohet një moment. Një moment nga puna ime si Kryeredaktor i gazetës së Komunitetit Shqiptar, gazetë që drejtoja dhe botoja në atë kohë në Mbretëri të Bashkuar. Ishte një takim dhe fjalën e mori vetë ish Ambasadori i parë i Republikës së Kosovës. Foli dhe në një moment nuk e kisha ndjekur nga afër Fjalën e tij. Kur e publikova gazetën në print, artikulli kishte një lapsus. Amabasadori Hamiti e lexoi dhe ai i lexonte të gjitha, e kishte parë mospërqasjen, fjalët që nuk kishin dalë nga goja e tij dhe kërkoi menjëherë takim. „Dua përgënjeshtrim!“ – na tha. „Edhe pse më lavdëroni, edhe pse janë fjalë ndoshta mjaft të mira,…, por unë nuk i kam thënë dhe nuk dua ti meritoj…“. Por ai kurë nuk e mori derën në krah, vetëm se mua personalisht më krijoi bindjen e një intelektuali të drejtë e të vendosur në një rrugë sikurse mendon vetë.
Më pas kur ai do të largohej nga shërbimi Diplomatik në Londër iu organizua një takim publik festiv përcjellës ku mora natyrisht edhe unë pjesë. Aty kam shënimet e mia në Ditar të fjalës sime, midis të tjerave: „Ju do të largoheni i nderuar Ambasador, por pyetja është sa herë në shekuj vijnë e bëhen Diplomatë si Ju, Diplomatë të vërtetë…, ndaj do të dëshiroja që Koha të zgjohet më shpejt se shekujt, dhe të ju shoh Ju President!“
Yorumlar