
(Një vëzhgim studimor për poezinë e Vehbi Skënderit)
Hyrje
Kjo ese nuk synon të ripërsërisë apo të rilexojë ato që kanë thënë e stërthënë për figurën, personalitetin, apo krijimtarinë e Vehbi Skënderit. As në linja të tjera ngjashmërie nuk do të zgjatem të theksojë për detaje të vogla, veçse të shtrojë arsyet dhe lidhjet në këtë prekje të kësaj figure, që ka lënë mjaft krijimtari për brezat. Më tutje nuk dua të zgjeroj këto arsye, pasi nuk është ky synimi, por të theksoj se një talent i tillë që mbajti gjallë “moshën” krijuese deri në ndërrimin e jetës, është padyshim një fakt që duhet konsideruar jo thjesht si i tillë në jetën e tij dhe tashmë në memorjen mes letrave dhe rrëfimeve, por si një model referimi për ritmin poetik në një situatë të re poetike.
Si shkas nga memorja
Vehbi Skënderin për herë të parë e kam dëgjuar nga rrëfimet e kushëririt të babait tim, Gjezair Terziu, kur ai rrëfente për kohën e tij partizane në radhët e Çetës së Dibrës, që komandohej nga Haxhi Lleshi. Rrëfimet e tij për luftën e viteve 1941-1944, ku ai ishte inkuadruar sillnin herë pas here qetësinë e kujtesës për ata të cilët i kishte patur në krah me plagë lufte. E njëri që ai kujtonte gjithnjë ishte pikërisht Vehbi Skënderi, emrin e të cilit më pas do ta ndjeja teksa u ndesha me poezinë dhe leximin e saj.
E më shumë do të forcoja lidhjen me krijimtarinë e tij mes bisedave, shënimeve dhe materialeve që më afroi në kohën kur isha gazetar i “RD”-së, i mirrënjohuri, Bedri Myftari. Dhe kështu e vetmja kafe ishte ajo që pimë me poetin Vehbi Skënderi, teksa unë kërkoja të bëja një intervistë me të për gazetën “Fjala e Lirë”, që atëherë botohej në Elbasan nën drejtimin tim. Në atë kohë ai fliste pak dhe vetëm kërkonte që fjalët e tij të shkruheshin drejt, pa “devijime e lustrime”.
Mbaj mend nga ajo intervistë që zuri thuajse dy faqet e brendshme të gazetës, se ai kujtonte dhe mbante ende shënimet e poezisë së tij të parë që e kishte botuar në vitin 1947. Poezi e cila, sipas fjalës së tij, ishte brazda dhe ugari ku u mbollën frute të tjera, të shumta e tejet të arritura.
Ai mban në memorjen dhe arkivën kulturore shqiptare një vëllim të madh pune krijuese, por edhe mjaft libra të tij janë në Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë. Librat e tij të shumtë më pas nisën me “Vjersha” (1958); “Fletë nga Ditari im” (1964); “Vjershat dhe poemat e Drinit” (1969), “Vazhdim i një bisede” (1971), “Vdekja e Ofelisë” (1971), “Shqiponja e Vermoshit” (1972), “Përsëri mëngjes” (1973), “Vjersha dhe poema të zgjedhura - Kolana e poezisë shqipe” (1973), “Kumbojnë vitet” (1983), “Nxitoj” (1987), “Bëjmë sikur” (1995), “Hëna e vjedhur” (2000), “Zvicra Shqipëria ime” (2004). Ndërsa për çmimin e fituar në vitin 1966 do të ishte përsëri Bedri Myftari ai që do të më sillte në vëmendje, duke më kujtuar se “Vehbiu ishte fitues i Çmimit të Republikës për vëllimin “Fletë nga Ditari im”, vetëm dy vjet pas botimit të tij”. Librin me poezi të botuar në Prishtinë, “Vdekja e Ofelisë” do ta merrja dhuratë nga të afërmit e të ndjerit poet dhe shkrimtar me emër, që ishte dhe redaktor i librit të botuar nga “Rilindja”, të paharruarit Rrahman Dedaj, teksa hulumtoja për studimin tim rreth krijimtarisë së Vehbi Skënderit. Dhe së fundi librin e tij “Mirëmëngjes, Shqipëri: lirika të një tetëdhjetëvjeçari” të botuar nga “Omsca-1” në Tiranë do të ishte vlerë t’ia shtoja bibliotekës sime.
Ana poetike
Ajo që dua të veçoj nga krijimtaria e Skënderit është ana poetike e tij, pikërisht këndvështrimi me vënien në këndvështrim një pyetje që ka të bëjë me veçorinë e poezisë së tij, parësinë e hapësirave alternative që nuk janë thjesht rrokje të tilla të dukshme për ritmin poetik. John Kinella, nga Universiteti Fordham në SHBA, na vjen në ndihmë kur thekson se “ritmi nuk është unik në poezi, dhe një pjesë e shkruar me ritëm nuk është gjithnjë poezi, ose poetike, por kontrolli i qëndrueshëm dhe i rregulluar dhe dislokimi i ritmit është pranuar si një nga blloqet e themelimit të poemës.” (Kinella, 2002: 133).
Nga kjo gjetje unë dua të hyj në brendësi të poezisë së Skënderit, e të rizgjojë një ndjenjë interesi studimor të zgjeruar për këtë autor dhe për poezinë etij. Duke hyrë kështu në detaje të poezive si “Thuaja Hënës” rrokjet shihen sigurisht të veprojnë me një zhvendosje apo stres të paqartë brenda linjës, në fjalë të tjera mund të skanojnë me saktësi matematikore mendimin dhe mesazhin e autorit dhe janë në gjendje të përcjellin tek lexuesi një uniformimetet tipologjik të shpërqëndrimit momental, duke rivënë në pyetje kryesoren: “Kur ke diçka për të më thënë -/diçka që nuk të shqitet e s'e mban dot për vete,/që s'avullon si shiu e si bora nuk tretet/E ngado që të ikësh pas të ndjek këmba-këmbës./Trokit në Hënë! Thuaja Hënës!”
Më tej prozodi letrar kam inormalen e poezisë moderne dhe mendimi kalon ritmikisht tek një rrjedhë që pasohet deri në një timbër: “Kur të bezdisesh nga një grigjë halle,/Mos u besosh as ëngjëjve as djajve/As gurëve e sendeve reale/E s'ka njeri që të çliron nga dhembja/Dhe nga Verdikti i Akullt i së Thënës :/Prit sa të vijë mbrëmja. Thuaja Hënës!” Këtu shohim një aspekt të quajtur “suprasegmental” dhe aspektet suprasegmentale Skënderit i bëhennë mënyrë rigoroze në vargje arsye ritmike: “Kur ke një plagë, nën ije, që djeg sa të than pështymën/Dhe të mundon çdo çast, të zë si varri frymën;/Diçka që i ngjan tymit e mjergullës së një dite/Ku ngatërrohen lëmsh: zbavitje e cfilitje”.
Në disa poezi të tjera të Skënderit ne gjejmë diferenca ndërmjet rrokjeve të stresuara dhe atyre në formëzime të lehta. Gjuha varion nga ndryshesa. “Ndez miliarda qirinj në xhami e në kishë” ndoshta është më efikase në këtë qasje: “Ti kaq sa ishe grua ishe dhe lule shege./Ros’e lumenjve t’egër dhe shkrepëtimë rrufeje./Posi rrëkel’e shpejtë ike edhe u ktheve./Me fluturimin e bletëve në Malin e Sherbeleve./Si kambanat festive në Bazel një të diele./Ike edhe u ktheve!” apo edhe tek “Xhelozia” ku “Një flokëverdhë helvetike, ndoshta shumë më e re se unë,/çdo ditë kalendarike bën për Qenin Zhyl Vern dy ditë pune.” Dhe më tej forcohet duke argumentuar se “Kjo mrekulli 24 karat që bën t’i ndrijë dy orë larg ngjyrë e lëkurës/Magjeps çdo kalimtar posi Lulja e Ujit mbi Liqenet e Lurës.”
Konsistenca metrike
Këto duken si argumenta solide e tejet të ngurta madje në konsistencën metrike, për respektimin e ritmit të gjuhës shqipe të bukur. Në këtë bukuri të artit të fjalës, Skënderi mjeshtërisht pozon dhe sjell fatin e ritmikës në një ritëm analitik e model. Me këtë funksion janë edhe poezi të tjera si “Shkallët”, “Orët e minutat, si këmisha të ngushta fëmijësh” etj. Me këtë ritëm ai tentoi edhe mes shkrimit të tij, qysh herët kur dallonte dhe ndëshkohej për festonet e tij tek “Hosteni”. Natyrisht ajo që pasoi me fejtonin “Klubi i të qetëve ose Klubi i të lumturve”, nuk do ta linte pas në harresë vitin 1967-të, as edhe vitet që pasuan më pas, pasi pikërisht “Klubi i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve” i asaj kohe, duke qenë një vegël në duart e PPSH-së nuk do ta linte në ritmikën e tij. As gjyqet nuk u kursyen, as heshtjet, as internimi, dhe as djegjet e librave të tij, por të gjitha këto forcuan atë veçori tek arti i fjalës së tij, parësinë e hapësirave alternative që nuk janë thjesht rrokje të tilla të dukshme për ritmin poetik, por ritme që flasin me forma të përkryera poetike.
Dhe kështu nga puna e Skënderit ne mund të themi se ritmi duhet të konsiderohet si një kategori perceptive e jo si pronë e punës së artit. Ritmi sipas Eva Liljas, mund të klasifikohet sipas tri parimeve, ritëm serial, ritmin vijues dhe ritëm dinamik, tri grupe themelore të cilësive që shtrihen në sistemin e vargëzimit. Dhe të gjitha këto janë padyshim në poezinë e Skënderit.
Vëzhgimi në poezinë e Skënderit na ka detyruar që të gjejmë një mundësi të përafaërt interpretimi ku për metrikën gjatë dekadave të fundit pikasin studime të bëra nga Mikhail Gasparov (1996), Reuven Tsur (2008) dhe Richard Cureton (1992). Gasparov ka themeluar sistemet e vargëzimit, Tsur është themelues i metrikës njohëse, dhe Cureton ka arritur të bëjë dallimin në mes të parimeve të ndryshme të ritmit. Brenda poezisë së Skënderit unë shoh një perspektivë njohëse të ritmit poetik në lidhje me të tre këto gjetje.
Konkluzion
Poeti Vehbi Skënderi tregon gjëra me vargje, rimon, por poezia e tij nuk është poezi narrative, nuk emërton, por emeton. Kjo poezi e këtij poeti, është poezi plot kthesa të papritura, me artikulim absolutisht standard, konvencional të fjalëve dhe imazheve, por në asnjë mënyrë, kjo nuk është poezi abstarkte, apo surreale. Shtylla e saj, boshti i ndërtimit të saj, është një metodë unike, thjesht marine e rregullimit, zhvillimit dhe ndërtimit të materialit në poezinë rimuese, dhe është absolutisht e tij dhe e dallueshme, që në fillim, që nga poezitë e tij më të hershme, mjaft e kuptueshme.
Në këtë poezi gjithnjë ka module të pavarura që përbëjnë tekstin, por nuk ka fije narrative, nuk ka fraza aforistike që mund të izolohen dhe citohen lehtësisht, por që japin mesazhin artistik plotësisht. Poezia e poetit si e tillë ndërtohet duke grumbulluar, akumluar fjalë, imazhe dhe situata dhe elementet funksionojnë vetëm në ndërlidhjen e tyre mesazhdhënëse. Është një rrjet tensionesh në të cilat theksimet ndryshojnë vazhdimisht, dhe në këtë kuptim është gjithmonë pulsues, lirik, autentik, asnjëherë përfundimtar, ndryshon në varësi të mënyrës se si e shikon njeriu, dhe kështu jashtëzakonisht si një organizëm i gjallë.
Ndaj e mirëkujtojmë si të gjallë me këto fjalë në varg: Në prehje paqësore, ti tani je,/Nën poezinë e mbrëmjes plot yje./ Udhëtimi yt këtu ka arritur në fund atje,/ Pusho në hir poet,/ ku rrjedh lumi i qetë.
Nadire Buzo
Pezia e Vehbi Skenderit, percjell shume dashuri kulture dhe art te madh. Nepermjet shkrimit te F. Terziut nder te tjera mesova se e paskam patriot. Jam krenare per kete. E dua shume poetin dhe poezine e tij edhe per miresine, modestine dhe estetiken qe ka brenda. Faleminderit!
Elida Buçpapaj
I nderuar Fatmir Terziu, ju jam shumë mirënjohëse për këtë vëzhgim studimor kushtuar veprës poetike të babait tim Vehbi Skënderi, për kujtimet dhe mbresat e përkujtimet aq të bukura dhe aq të ndiera për babain tim, për figurën e tij, për mjeshtërinë me të cilën ai endi atë magji të bukur e të mrekullueshme, që është poezia. Mjerisht, ndaj veprës poetike të babait, një ndër më të plotat, më të pasurat dhe më të përkryerat e poezisë moderne shqipe, është bërë një padrejtësi e madhe gjatë regjimit komunist, por edhe gjatë tranzicionit, kur letërsisë sonë vazhdojnë t'i këndojnë mbi kokë të njëjtat kukuvajka që përcaktonin hierarkinë e figurave të saj. Vëzhgimi juaj, nisur nga një këndvështrim krejtësisht bashkëkohor,…
Hysen Kobellari
Respekte per poeti e shquar lirik, gorarin e deruar Vehbi SKENDERI !
Skënder Mehmet Buçpapaj
I nderuar Fatmir Terziu, kritik dhe letrar i njohur, i është qasur me shumë seriozitet dhe në mënyrë shumë skrupuloze poetikës tërësore të veprës së Vehbi Skënderit, nëpërmjet teknikave veçanërisht të parapëlqyera dhe të veçanërisht të suksesshme të poetit, duke u ndaluar tek disa nga momentet më të përshtatshme për t'u vënë në qendër të interesimit studimor. Mendoj se qasje të tilla janë të frytshme dhe paralajmërojnë për një frymë të re në mendimin kritik dhe përgjithësisht në mendimin estetik shqiptar. E përshëndes Fatmir Terziun për këtë studim vërtet të vyer.
Perparim Hysi
Ai nuk ka qenë Vehbi Skënderi, por Vehbi Sheqeri!