top of page

Fatmir Terziu: Në një kënd urimi për ditëlindjen e ...

Updated: Aug 19



(Në një kënd urimi dhe meditimi për ditëlindjen e Profesorit të respektuar Hysen Ruspi)

 

Nga Fatmir Terziu

 

Që në fillim të herës ngrej gotën për ta trokitur në këtë ditë për ditëlindjen e ish mësuesit të anglishtes në disa shkolla të Matit, dhe ish gazetarit të ATSH-së, Hysen Ruspi. Është urim për mikun, kolegun, e bashkëemigrantin. Është urim në emigracion…, ndaj si i tillë ka një peshë më të shëndoshë e më të madhe sfiduese për vetë atë që mbart në vetvete. Së pari ecim bashkërisht mes mjergullës dhe shihemi sikurse ndodh të shihet njeriu në raste të tilla. Së dyti kapërcejmë malet që mbesin perceptime dhe udhët që trashen në ecjen tonë moshore. Ja që ndodh e treta e vërteta, ne jemi emigrantë, dhe në emigracion kemi më shumë gjëra që na bashkojnë se sa ato që na përcjellin në mjegullën matanë. Jemi vëllezër, jemi shqiptarë… jemi miq të gjendur në këtë skalion me të ikur e të gjallë. Jemi në një udhë…

Në një udhë ku mjegulla e dendur e tymosur na përpiu me oreks flokët tanë të zinj. Në një udhë kur vetëkuptojmë se kur një person është i trishtuar, ai pranon të jetë i zhytur, të paktën për një kohë në pakohën e tij. Dhe kur zgjohemi nga mërzitja e nga qejfmbetja kujtojmë se ka ikur dhe ai. Për të pastruar të gjitha ato copa të thyera në shpirtin e tij, duke fshehur rrënojat e botës së tij të brendshme nga shikimet e llojit të tij, duke kërkuar copëza me të cilat do ta gjykonte një udhë ndryshe ne qëndrojmë në përshpirtjet tona. Dhe kujtojmë se do të jemi dhe mijëra vjet në këtë tokë, pa e kuptuar ndonjëherë se ne bashkëjetojmë me dhimbjen. Pikërisht në dhimbjen nga e cila mendoni se po vdisni, por në të vërtetë po mësoni ringjalljen.

Kështu që unë dhe ti e lamë mjegullën të na ngjitej me thinjat dhe ne ecnim nëpër të pa qëllim, nuk kishte rëndësi nëse shkonim përpara apo prapa, majtas apo djathtas. Ne thjesht morëm pjesë në kaosin e nisjes sonë të pavetëdijshme për të jetuar, për dy arsye jetike, shoqërore, demokratike, familjare, personale… Por ne u ndamë së gjalli me njerëzit e gjallë. Dhe kur ngremë dollitë kujtojmë ikjet dhe mendja e dhimbja për ta na sillen si meteorë vërdallë.

Tashmë e kemi kuptuar se takimet me njerëzit të cilëve u detyrohemi ndriçimin tonë të brendshëm nuk mund të mbarojnë sa jemi gjallë. Herët a vonë, na vijnë vazhdime, përmes të cilave kontrollojmë me shpirtrat e afërm përpara se të hedhim hapin tjetër drejt vetvetes.


Ne po buzëqeshim…

Ne nuk pimë duhan…

Ne i tregojmë njëri-tjetrit shaka.

Kolegët tanë numërojnë në drejtime... bashkë me ta urojmë më të mirat në familjet e të gjithëve.

Pason një trokitje në grup. Bardh e zi, gota kristal me ndezje të arta, urime mbi gotë të kristalta e të pastra. Gëzuar! A kanë rëndësi më vitet?

Kornizat nëpër të cilat kalojnë vitet dhe në ato ku kalojmë ndërsa emigrojmë ditë pas dite, natë pas nate dhe mëkat pas mëkati në kohën tonë të panjohur të mbetur janë një astar në shtysën e xhaketave tona. Është mirë që vjen e nesërmja dhe ne kemi një shans të jemi përsëri të pafajshëm, injorantë, të pazbutur, të egër, të lirë, por shokë e miq të mirë. Të afërm në shpirt me vazhdime në hapin tjetër për veten tonë derisa të mësojmë të ringjallemi përmes emigrimit. Kjo le të vlejë për fëmijët tanë, për brezin e dytë, të tretë e më pastaj…

Sot Gëzuar Hysen Ruspi, gëzuar ditëlindjen Profesor Hysen Ruspi!

1 view0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page