top of page

Fatmir Terziu: Një tjetër lamtumirë


1.     Një tjetër lamtumirë

Nga Fatmir Terziu

 

Ka një kafshë mes një kodre dhe një fushe

nga zgjimi mbi rrënjët e një gjembi.

Kodra është me pluhur, e verdhë dhe thinjoshe,

shkurret strukin gjarpërrinj, gurët piqen në diell,

edhe përrenjtë po arratisen nga rrjedha e tyre.

Çdo gjembaç është një artefakt në këtë janar,

mbi të ka ngrirë buçitësi i fundit.

Lapsat kanë mbetur në faqen e papërfunduar të librit,

nuk shkruajnë, e as lexojnë më këtu,

por unë do të vazhdoj miq, si dhe më parë,

ti bëj karshillëk edhe këtij muaji të dimrit.

***

Fundja është ky një dimër?

Ju shkruani për dashurinë në një gjuhë të tretë

as e tij, dhe as e saj,

e jo më për dashurinë e vërtetë

me nëna e baballarë.

Shkrimet tuaja kanë emra nga varrezat e një vendi të largët,

i huaj në të huaj

ky dimër ka mbetur po aq i thatë dhe i lagët.

Lapsat mes librave, kapakëve të zbukuruar

varur si llampadarë të fikur.

Një engjëll agu të rregullon këpucët aty pranë,

por çfarë nxitimi për të ikur?

 

2.     Papastërti

 

Për të bërë të (pa)diturin sinqerisht,

gjithnjë e më shpesh përgjigjem me “nuk e di”.

E struk hermetikisht

në farmaci,

klinika,

fshesa, lecka, mbeturina,

bashkë,

asgjë nuk mbetet jashtë.

 

3.     Dita e QV-së

 

Në atë ditë vizitova një QV afër shtëpisë,

„Kopshti i fëmijëve Nr. 3“

dhe në rrugën e kthimit prej saj

këmbësorët kalonin pranë poezisë,

dhoma anash,

aneks sebepi, muhalebi,  

recetat e vendosjes së bebelinave.

Askush nuk shikonte nga vitrinat e hapura

ndaj heshtjes së ngathët,

gazetës së të nesërmes,

reklamës së ngjitur të tregut të afërt,

askush nuk kërcente,

por as nuk kishte ndonjë gjë për të vjedhur

përveç ndonjë sekreti të përbashkët,

si rrjeta e merimangës së përdredhur,

që ende i turbullon fjalët:

QV,

pa zë,

nën zë,

të nxë,

s'të zë…

sytë e hutuar shponin rrjetën,

dhe dora hodhi një letër të palosur në arkë-zë,

e zverdhur ende pret t'i ndryshoj jetën.

 

4.     Lakonike

 

E mbaj mend këtë lule,

vesën e saj si një lot nimfe,

petalet si një tantellë e paparë,

gjethet mullagë e zbehtë,

trupin lastar i mbarë

dhe rrënjët brenda një take të sheshtë.

 

Lulja si lule

nuk mund të përshkruhet kaq thjeshtë,

qartë dhe mizorisht

nëpër kafene e klube.

22 views0 comments

Comentarios


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page