Fatmir Terziu: NJË LUFTË PËR BISHTIN E CIGARES
- Prof Dr Fatmir Terziu
- 2 days ago
- 3 min read

KRYEQYTETI ËSHTË POEMË E ÇUDITSHME!
Nga Fatmir Terziu
Shfletoj gjeografi, mbështjell kryet me poezi lirike,
librat hapen dhe mbyllen në orë të caktuara
Kryeqyteti është poemë e çuditshme
mbushet, fryhet, si një varg i stërmundimshëm
kalon në fletën e bardhë, pastaj në kapituj
dhe pastrohet pa e kuptuar nëpër një sitë,
që funksionon vetëm për të ikur
me një tëhodhje të dyfishtë.
Ulem aty ku kollonat luajnë me kulturën kukafshehti
(mos kërkoni që pena ime të thotë se është diçka e panjohur)
nuk e mohon këtë lojë as vetë kryeqyteti
sa kohë pirg dhe kullë shfaqen si një hije në errësirë
një herë nga loja e një herë nga sikleti
nuk duhet të dish asgjë më shumë është më mirë,
sepse këtë s'e di as vetë Profeti.
Nga misteri deri tek lutjet që lë pak më tutje mileti
se si mund të të shpoj me majën e minaresë ky ag' kur ende është pa gdhirë
kam frikë se dhe Skënderbeu kërkon syze për së vërteti,
sa kohë qielli afrohet e largohet mbi Dajt gjithçka është strukur
ç'marrëzi e hollë kalon nëpër pore
dergjet si tis në një ngrehinë të bërë pluhur.
Heroi vetëhedh hiramin si mbi një ngrehinë
i mbuluar nuk mund të lexoj asnjë varg të shkruar me këtë rast
veç i merr frymën gjith' ç'ndërtoi ndonjë i çmendur
që vetveten masakron pa asnjë shkas.
Pas kësaj e shoh kryeqytetin sikur të ishte ndonjë Hydër
duke e çmendur pra, vetë poetin
i cili asnjëherë nuk mundi t'ia përfundoj atë libër…
… ndaj poeti vazhdon të shkruaj risinë e përditshme,
herë e sheh kryeqytetin si një Nastradin të varfër,
herë i mbetet në varg një poemë e çuditshme,
kur vesh në zyra pallton e pastër…
DUALITET
Unë flas për heshtjen
që të kuptoj thellësinë e zhurmës.
Ushqej mendjen nëpërmjet vibrimit të botës sonë
sepse vetëm brenda midisjes,
dhe heshtjes
mund të gjej kuptim tek diskursi i lëvizjes.
Përjetësisht marr frymë në majë të penës
sepse vetëm atëherë di të vlerësoj
cipalin e heshtjes
duke qenë një mburojë për të,
të tjerët i mbaj brenda vetes.
Ndjej me përmbajtje shkrimin e heshtur,
kështu që kur sfidohet heshtja e heshtjes
kurrë
nuk shtyj arsyen e të pasurit,
paqen mes vetes.
Dhe kur i mbyll sytë për të pushuar
nuk dua të perceptoj parajsën
por thërras heshtjen
për të parë realitetin që hasëm
kështu që kur zgjohem nga ky projekt
mendoj vetëm për fantazinë
jetën që jetohet në dualitet.
Ndonjëherë tentoj të shoh me një sy
dhe provoj përkoren me syrin tjetër.
Ndonjëherë krodhem me një pamje mjekërrore
në udhën e ndjekur prej mjeshtrit, profetit
shoh pjesën e dualitetit.
Dualiteti është historia e jetës së secilit
ai që ka mësuar të lexojë konflikte të tilla të brendshme
jeta është një shaka për të
të shkruash mbi konfliktet e brendshme është unike,
kjo është e vërteta e jetës
prandaj dualiteti është jeta,
dashuria brenda vetë ekzistencës.
Duke u marrë aq shumë me gjuhën figurative,
nuk mund të mos vërej sa njerëz
kufizohen në Mythos, ose Logos.
Mit apo logjikë. Simboli ose arsyeja. Burri dhe Gruaja.
Shumica janë të njëanshëm ndaj njërit
dhe largohen pakuptuar nga tjetri;
është e pamundur të kesh një ekzistencë të ekuilibruar
nëse përqafon njërën dhe mohon tjetrën sy më sy:
Nëse dikush nuk arrin të respektojë dualitetin,
dualiteti do ta ndajë njëshin në dy.
Rruga drejt shpëtimit përbëhet nga të dyja këto stile të mendimit:
Të kërkosh vetëm njëshin do të thotë të dënosh veten jo pacifist
përtej realitetit të qëllimit,
Darvinizmi social autosegregacionist.
NJË LUFTË PËR BISHTIN E CIGARES
Dhe unë kam luftuar,
që atëherë jam veshur si luftëtar!
Linda,
u rrita,
s'e dija se duhet të luftoja,
prita,
lexova
të kuptoja se ç'ishte Troja,
Helena,
më yshti ta perceptoja.
Meqenëse s'e dija se çfarë ishte,
po luftoja mes tymit,
që shpërtheu në rrugën e syve të mi
nga mushëkëritë e shokut tim të bangës
kur ai mendoi se mësuesi ishte përhumb
(për hir të kohës)
kërkoi leje të pinte duhan në banjot e shkollës.
Unë po perceptoja përhumbjen e mësuesit tonë,
mes gishtave që stilonin nikotinë
por nuk e shtija nëpër mend deri vonë
pse quhej pirja e duhanit krim.
Unë po luftoja kundër errësirës së shokut tim
dhe përhumbjes së mësuesit që vriste kohën
në tërë atë tym
kur e kuptova
Trojën,
Helenën
dhe se ajo luftë ishte një gjoja,
përse duhej prapë të luftoja?
Por unë atëherë,
ia mbusha mendjen shokut tim me një poezi
me një varg që hynte nga dera e dilte jashtë dritares
e ndërsa shkruaj sot pse mendoj as vetë s'e di
e gjitha ishte një luftë për bishtin e cigares!
Comments