Librat më së shumti shkruhen me respektin që u takon shkrimit dhe trajtimit të librave. Me këtë respekt ka shkruar autori Qatip Mara edhe librin „Ikona e mësuesisë Leonidha Dhrami“ (2024), sikurse ai ka treguar këtë respekt edhe për mjaft libra të tjerë si historian, publicist, edukator dhe dashamirës i vetë shkrimit. Në këtë libër respektin autori e ka shumëfishuar. E ka bërë të tillë se ai ka përgatitur dhe ka botuar një libër për me dashuri të përkuhstuar. Kjo dashuri e tillë është për mikun e tij të mirë Leonidha Dhrami, që u largua vetëm pak kohë më parë nga jeta e tij.
Autori me këtë synim thekson „Leonidha Naqedhrami, përveçse një mësues model dhe i përkushtuar, me gjurmë të bukura në udhëtimin e tij të jetes, na ka lënë dhe një trashëgimi poetike, të denjë për të përfaqësuar vlerat e mirëfillëta të një poezie krejt të veçantë dhe elitare. Në hullinjtë e vargjeve, poeti hedh farë mirësie e dashurie, fokuson ëndrrat dhe zhgjëndrrat, pritjet dhe zhgënjimet, artikulon ndjesi, përjetime dhe vatra emocionale,që lëvizin në trajektore të një lirizmi spontan. Poeti Leonidha Naqedhrami është një poet elitar, që na ka lënë një pasuri të vyer të stilistikës, mjeteve shprehëse dhe mesazhimit poetik. Në poezinë e tij ka freski mali e deti, dallge e flladi, ka baticë e zbaticë, dhimbje e mallë, një modelim origjinal të shprehesisë poetike. Në librin me titull “I përveçmi”, të cilin autori ia dedikon të vellait, Andrea Dhrami, poeti përcjell imazhe dhe figura të gjalla, vizatuar me një penel të kursyer por mjaft shprehës, ku çdo ngjyre dhe impresion i veçantë është në unison të së tërës.“ Edhe po të mos e kisha lexuar më parë poetin në fjalë, sikurse dhe autorin e këtij libri, edhe po të mos i kisha takuar, natyrisht vetëm me këtë paragraf do të më mjaftonte të kuptoja thelbin e këtij përkushtimi, thelbin e respektit të shtruar e të shkruar në këtë libër. Nj përkushtim sa miqësor, aq dhe familjar, sa intelektual, aq dhe shoqëror, sa i përveçëm aq dhe për të gjithë.
E them këtë pasi ky libër është vërtetë i dedikuar dhe i përkushtuar bukur, por ai ka në thelb një material të gjerë e të bukur, të domosdoshëm për shumë e shumë të tjerë. Kjo pasi vërtet një kushtim libri është një shënim në pjesën e përparme të një libri që shpreh mirënjohjen, ose lidhjen e një autori me një person, grup, kauzë ose ide, por në këtë rast qëllimi shkon më tej sepse autori përdori dedikime për të treguar vlerësim për më shumë se ajo që e lidh me vetë procesin e shkrimit. Të gjitha këto në këtë libër nga autori Qatip Mara përdoren gjithashtu për të nderuar mësuesin, poetin, publicistin, njeriun e shkrimit dhe po aq edhe për të kujtuar një të dashur, sikurse ishte dhe mbeti në memorje e libra Ikona e mësuesisë Leonidha Dhrami, titull që mban vetë libri në fjalë.
Në një dedikim është zakonisht një rresht ose dy, por me këtë rast thelbi është më shumë se sa konteskti dhe ai është një libër. Kjo ndodh se autori, miku dhe krushku i tij, shprehet „Leonidha prek me duart e mendjes dhe shpirtit copëra kujtese të nbetura në shtigje kohe, i mbledh pika-pika dhe i kthen në rrëke poetike, duke na përcjellë kurba marramendëse të emocionit poetik. Duke ndjekur gjurmët e tij në kohë, poeti zbulon “udhët e humbura” në kohë të pakohë, ku i humbën ëndrrat në dimra të acartë, duke i rënë një nga një nga trasta e shpuar të mërgimtarit. Gjendjet dhe imazhet që përcjellin kredon poetike të Leonidhës janë në imazhe në formë mozaiku, që qenderzohen në maje te vektorit ideo-emocional. Me anë të metaforave të goditura, simboleve dhe trajtave të tjera të ligjerimit poetik, Leonidha krijon në poezitë e tij rrathë koncentrikë, ku priten dhe më tej fokusohen kujtesat dhe qasjet e poetit ndaj realiteteve që bën objekt të shqyrtimit poetik.“ (Po aty).
Me këtë libër autori, i njohur si historian dhe si publicist, por dhe një hulumtues i gjallë i veprave të gjalla, i autorëve dhe inte;ektualë me potencë, ka tre guar më së miri të gatuaj mesazhin e bukur dhe mjaft të domosdoshëm për brezat që të duan edukimin, shkollën, traditën, kulturën, gjuhën ebukur shqipe dhe pse jo dhe vetë vargun e ndërtuar estetikisht për të shkuar më lart në art.
Ju falënderoj me shumë mirënjohje i nderuar miku përveçëm profesor Fatmir Terziu. Me shumë respekte ju uroj jetëgjatësi me lumturi në familje dhe suksese në krijimtarinë tuaj të larmishme artistike letrare-filozofike që është një pasuri e madhe e kulturës kombëtare shqiptare. Krijimtaria juaj dhe veprimtaria atdhetare me Fjalën e Lirë është Diell mendor e shpirtëror për të gjithë shqiptarët. Pena juaj e artë rrezaton mirësi e dashuri për Shqipërinë,Kombin Shqiptar dhe për të gjithë shqiptarët që jetojnë nëpër shtete e kontinente. Ju jeni personaliteti shquar që bashkoni të gjitha zemrat e shqiptarëve për të forcuar dashurinë për atdheun e kombin shqiptar. Ju bëftë Dita NJËMIJË!
Me shumë respekte
Qatip Mara, North Carolina USA 06.12. 2025