top of page

Fatmir Terziu: Një "dhimbje" ndryshe përtej një rrëfimi publik


Një "dhimbje" ndryshe përtej një rrëfimi publik

Prof Dr Fatmir Terziu

 

 

 

Luna Defrim Methasani solli të dielën e 14 prillit 2024 jo pak emocione në ekranin televiziv të së „Dielës shqiptare“. E lindur nga dashuria, e gatuar tek dhimbja, e tullur tek edukata prindërore, aftësia, oratoria dhe bukuria e fjalës, ajo që u tha nga ajo vajzë shqiptare, ajo që u duartrokit dhe u lotua nga salla, por që u emocionua nga mijëra të tjerë kishte në thelb atë që nuk ndodh aq shumë shpesh. Nuk e prezantova, se më duket e tepërt, ajo vajzë me emrin Luna, pa shpjegimin se është e bija e gazetarit të mirrënjohur sportiv të televizionit, Defrim Methasani, e ka bërë vetëprezantimin meritor duke rikrijuar një identitet të vetin, duke na dhënë një mundësi të shohim jo thjesht përtej dhimbjeve, por të kuptojmë atë që unë e kam quajtur Diksursi i Bukurisë së Dhimbjes.

Ndonjëherë ndodh thjesht kështu. Ju hapni televizorin dhe përtej ekranit është dikush që duket se e keni njohur gjithmonë, edhe nëse nuk e kishit idenë se si dukej, se si është, se si ka qenë, se si është prezantuar. Një shpirt i veshur me një trup vetëm për të materializuar aftësinë e njerëzillëkut, fjalës së goditur, të mençur, dhe të humanizmit që jeton vetëm tek njerëz të tillë përgjithmonë. Dhe aty nënkupton.

Do ta kujtoj gjithmonë atë ditë të vështirë. Do ta ristrukturoj atë që më thuhej nga bluzat e bardha. Do ta … dhe jeta vazhdon. Dielli po binte në xhamin e fryrë të dhomës sime. Nuk munda të ndaloja kur pashë mrekullinë sepse isha në rrjedhë të mendimeve. Rrjedha e mendimeve në këtë rast funksionon pa të meta në neutralizimin e mrekullive. Mezi arrija t'i shikoja dy vrimat e rrumbullakëta në stendën e qelqtë të kupës qiellore, të mbushura me lule vertikale të xhunglës së mendimeve, liana elektrike të një prapaskene hyjnore të pakuptueshme. Yjet më shikonin në mënyrë konspirative. Qarku më i shkurtër me dritëza engjëllore po hynte e dilte në jetën time. Pastaj shkova për të bërë mesazh me lotët që i kisha sfiduar në sy të prindërve, babait tim të dashur, gazetarit dibran të talentuar e të përkushtuar Defrim Methasani dhe nënës sime që edhe pse nuk e mbaroi dot arsimin e lartë në kohën rinore, bëri sakrificën të mbaronte arsimimin në mjekësi e të bëhej një infermiere e dalluar, por dhe një nënë model për mua, pra Lunën që po flet, Blertën dhe Rinën, pra dy motrat e mia.



Dhe kur ndodhesh në këtë mesazh të vrullshëm lotësh, gjëja e parë që të vjen është ajo që lidhet me mundin dhe përkushtimin e prindërve që të rrisin tre vajza, ndërsa njëra tashmë është në kufirin midis jetës dhe vdekjes, pra është diagnostikuar me kancer. Dhe gjëja tjetër është kurimi, çmimi i madh i tij, ushqimi, paraja, përditësia…Këtu nuk ka më dialog. Dialogu përhumbet në labirinth, se është i tillë. I tillë se, historikisht, ai ka një trajektore të gabuar, dhe deri më sot kjo trajektore nuk ka dialog mes dhimbjeve dhe pasojave të tyre! Mrekullia e harmonisë retrospektive nuk ndodh. Dhe për këtë ne të gjithë vuajmë. Nga mishngrënësi i parë tek vegjetariani i fundit. Njerëzimi mosmirënjohës është ulur, një foshnjë e vërtetë me dhëmbë që sapo i mbijnë, përballë tasit me qull të hollë të çmuar dhe që fishkëllen si një këlysh ujku i papjekur ndaj kohërave ku në lojë dalin sprovat e nënndodhjes mes prindërve dhe kohërave që humbasin në sfidën e dhimbjes së madhe, dhimbjes së pacientit, dhimbjes të tij të shqetësuar. Këto mendime ikin dhe fshihen shpejt…

Dhe kujtesa nuk implantohet. Dhe zhduket si ajo mrekullia, e cila i shfaqet në heshtje vetëm atij që beson në të. E mrekullia kishte ndodhur në fakt, përpara se të niste kjo sprovë për Defrimin, që tashmë nuk mbante dot lotët për të bijën që përballej me fatin e saj me kancer. E kishte nisur këtë vrull dhe mrekullia e kishte bërë me emër ish mësuesin e talentuar të Kulturës Fizike, në një fshat të Dibrës, që sfidonte spartakiadat e një kohe të hekurrt dhe bënte mrekulli në një fat tjetër që nënshkruante ëndrrën e Defrimit, familjar, baba, dhe që zëri i tij do të pushtonte falë talentit, oratorisë dhe aftësisë edhe ekranin e TVSH-së. E kishte sprovuar dhe udhën e gjatë nga Peza me bicikletën e tij që të mbante nderin, konkurencën dhe „luftën“ e bërrylave thjesht si sprova në zhdukje e sipër në mjediset e televizionit shtetëror të asaj kohe. Dhe ndaj nuk u ndala shumë tek sfida tjetër, ajo që tregoi dhe rrëfeu mjaft bukur Luna. Një vit pas kapërcimit të një sprove tejet të vështirë me shëndetin, Luna doli në ekranin e televizionit për të rrëfyer jetën e saj, të familjes dhe mbi të gjitha sakrificat e një prindi model si babai i saj, gazetari i mirënjohur Defrim Methasani. Guximi, vendosmëria e ndershmëria janë ato mesazhet e forta që mësuam nga historia e Lunës. Emri i mirë që ka ndërtuar ndër vite dhe familja e shëndoshë është pasuria më e madhe që Dëfrim Methasani ka dhe ky është një super model frymëzues për të gjithë!

Nuk u ndala më shumë pra, se nuk dua më ti përsërisë lotë të tjera Defrimit dhe familjes së tij, (Luna tashmë e ka hedhur pas dhimbjen falë Zotit dhe mjekëve), por ama nuk mund të lë pa shtuar atë që ndjeva dhe nuk u tha tek Cili është mesazhi që ka për të? … nuk kishte thjesht ai që ndoqa një emision, por një mision që Ardit Gjebrea, sikurse citoi vetë Defrimi e ka kthyer si të tillë që në lançim. Ndaj dhe në fund vetë Methasani hyri në mes të dy protagonistëve, Arditit si drejtues emisioni dhe Lunës si mesazhiere, për ti bërë në rolin e një gazetari sportiv, më shumë se protagonistë, fitimtarët e atij emisioni tejet të bukur e mjaft emocionues.

64 views0 comments

תגובות


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page