
Pakkush mund ti lërë në harresë mjeshtrit e daulles dhe curles në Trebisht. Një fis i madh, që ka mbiemrin Kurti. Një rrënjë e gjatë që u gjend në dasma, gëzime familjare, fetare e sociale. Një rrënjë mjeshtrish që ishte një shkollë më vete. Një Universitet më vete… Kështu njihen të parët e të ndjerit Xhaferr Kurti, kështu ata të Beqir dhe Ymer Kurtit, e kështu dhe vetë ata të tre, që nderuan dasma e dasmorë, që nderuan breza në tërë këtë territor, në atë kohë e në këtë kohë. E kështu në këtë kohë ende zëri dhe mjeshtria e tyre është mbi këto vegla të dashura e të trashëguara me dashuri të madhe. Ndaj jo më kot thuhet ende se një daulle bie, një cyrle oshëtin, një i ri mëson këtu nga të parët e tij…
Daullja është një nga instrumentet më të njohura në muzikën popullore të një zone të tërë, e sidomos në Trebisht magjia e saj është e njohur nga shumë breza nën ritmin e të parëve të mjeshtrit trashëgimtar të magjisë së saj Rustem Beqir Kurti. Të ndjesh fuqinë, tingullin dhe ritmin që krijon është elektrizuese, po aq sa dhe vetë talenti që e ka ushqyer këtë dashamirës të saj, që në moshë të vogël! Kënaqësi dhe elegancë në transmetimin e kësaj tradite, vlere dhe fuqie absolute të ekzistencës dhe trashëgimisë që dëshmohej, dëshmohet dhe me shpresë se do të dëshmohet shekujsh nëpër dasma e gëzime.

Ndërsa më parë mjeshtrit e daulles dhe cyrles kishin si obligim të mësonin bijtë dhe nipërit e tyre, tashmë e ka në dorë Rustem Beqir Kurti ky njeri fisnik dhe i palodhur, i dashur me të gjithë dhe i respektueshëm pa kufi.

Unë e takova gjatë vizitës sime në Shkollën „10 Dëshmorët“ e Trebishtit me një kalë në dorë, gjë që më kujtoi se ata brez pas brezi ishin dhe mbetën edhe dashamirës të kuajve në veçanti dhe të punimit të hekurit.
Comments