
Italiani Bellori e nxorri në skenën perëndimore për herë të parë kuptimin e saktë filozofik të fjalës “Natyrë”. Në vitin 1695 në një përshtatje të Dryden kjo fjalë kapërceu pragjet Perëndimore. Kështu kjo fjalë mori tekstin e saktë të mirëkuptimit filozofik. Mori dy kuptimet e saj. Kuptimi i parë i saj, sikurse njihet ai viziv, pamor, u saktësua pasi ky kuptim ishte i drejtëpërdrejtë, dhe nuk kishte të bënte me artifica. Kuptimi i dytë e lidh atë me formën, që vjen nga arti.
Pra sikurse dihet tashmë, në filozofi, "natyra" mund t'i referohet si botës natyrore, ashtu edhe vetive dhe shkaqeve thelbësore të gjërave, ndërsa "filozofia natyrore", ose "filozofia e natyrës" është studimi filozofik i universit fizik, shpesh i konsideruar si një pararendës i shkencës moderne. Po në art me cilën filozofi e kuptojmë natyrën dhe natyralen?
Piktori duhet të pikturojë atë çfarë poeti “këndon” (krijon), dhe vice versa (anasjelltas). Ky postulat u fiksua dhe mbeti një ligjësi që kur lindi libri i Du Fresnoy’s. Për vite me radhë bota e artit ndoqi udhëzimet e De Arte Graphica. Të gjitha perceptimet artistike, kishin bazën tek ky udhërrëfim piktoresk të poezisë:
“Ut pictura poesis erit; simulesque poesi/
Sit pictura; refert par aemula quaeque sororem/
Alternatque vices et nomina”
Që do të thotë:
“poezia e vërtetë tregon fuqinë e piktorit;
piktura e vërtetë imiton talentin e poetit;
motrat rivale, të dashuruara me famë të barabartë
ndryshojnë zërinn dhe emrin e tyre.”
Duke parë rrugën e diktuar dhe të krijuar nën diktat dhe që mbahet si traditë vazhduese apo shkollë e “treshes poetike” shohim se edhe ajo që ishte dhe mbeti piktoreske ka sitën e saj. Kjo sitë edhe pse duket e bëhet e padukshme dhe e pakuptueshme është mjaft larg nga efekti mbi poezinë e pikëpamjes piktoreske, që duhej të gjurmohej në përafrimin gradual të peizazhit të përshkruar. Monizmi mes socrealizmit krijoi një unionizëm ideologjik, që u konvergua në direktivë.
Poezia dhe piktura e hershme dhe ajo e Rilindjes ishin të lira nga ky unionizëm ideologjik, i cili u bë një derivat tregëtar i moralit të kohës. Poeti dhe piktori nuk e vendosën atë që ndjenin, por atë që ua diktonin (gjithnjë sipas direktivave).
Asnjë edukim artistik nuk ishte i nevojshëm para se kontakti i tij me realitetin të vlerësohej. Dhe ky perceptim i drejtpërdrejtë duhet të tregohej vetëm për të theksuar pjerrtësinë e poezisë së figurës së deleguar nga instancat e diktaturës. Shkurt konfuzion i artit. Konfuzion i vetë poezisë.
Pastaj ku mund të flitej për realitetin e natyrës? Natyra duhej të ishte e qeshur dimër e verë. Se kështu e donin direktivat... se kështu e donte... vetë natyra e asaj kohe diktatoriale.
Le pastaj të shkohej tek Aristoteli? Ajo që Aristoteli e kishte shestuar për botën e artit, forca imanente që punon në materialin refraktar të materies drejt përsosjes më të lartë të formës, ishte fshirë me gomën e madhe të moralit komunist. Natyra duhej të qeshte si vetë e qeshura e fryrë dhe sfumuar e Njeriut të Ri.
E kështu natyra e fiksuar nga Bellori që në 1695, ende nuk është natyrë në tërë dimensionin e saj filozofik të artit dhe krijimtarisë poetike shqiptare. Ende është në një shtrat që lëkundet midis mjaft “shkollave” të kohërave ku shkeli dhe ku fluturoi me nallane druri. Kjo si në rastin e kalimeve klasore të Shqipërisë, që kurë nuk arriti të bënte atë që bënin të paktën fqinjët e saj, por ngeci fort tek direktivat e veta me shtetin e diktaturës së proletariatit.
Comments