![](https://static.wixstatic.com/media/a48dbc_dcfdd85dd6834b34b3900e2ce59c67bb~mv2.png/v1/fill/w_980,h_1225,al_c,q_90,usm_0.66_1.00_0.01,enc_auto/a48dbc_dcfdd85dd6834b34b3900e2ce59c67bb~mv2.png)
Nanurisjet
Nga Fatmir Terziu
Kur këndoi për dashurinë – gjyqi u mbyll
dhe gjykatësi ngriti sytë nga Kodi Penal.
Dritarja e mbyllur u çel si një trëndafil
kapi rastësisht buzët një petale e gjallë
dhe ja ku ishte
në gjyqin e poetëve të shënuar me germa të kuqe
për shkak të vdekjes së tyre të detyruar
dhuratë e duartrokitjeve të një turme
(sepse kishte harruar për të dashuruar!).
Kur foli për dashurinë – salla u shua
dhe muret u mbushën me korda vokale.
Projektuesi i godinës hyri me një preventiv
shihte ndryshesën me shije të lëbyrtë
nga libri i evolucionit dilte një tjetër Darvin
në atë sallë nuk kishte më fjalë
sytë i kishin ngrirë lart,
vetëm dritarja hapej e mbyllej pa mbarim,
e ata e quajtën mëkat,
e Gjykatësi e cilësoi pallim.
Kur heshti për dashurinë – bota u ngrys
dhe vargu u kthye në një çmendinë.
Pastaj u ndez një qiri në murin e heshtjes
e heshtja u lut pambarim,
dashuria të lartësohet edhe përtej vdekjes
në këtë godinë është e pamundur të jesh ligj
e që nga ai moment nanurisjet iu kyçën vetvetes
pranuan matufepsjen e shpallur me ofiq
edhe për të qenë i çmendur duhet ti bindesh heshtjes
duhet të kthehesh në hiç.
Kur u zgjua për dashurinë – qielli u skuq
toka ishte kthyer një kalendar me një datë më 14 shkurt.
Comments