top of page

Fatmir Terziu: Mësimi i shqipes në rrënjë në epokën e kulturës së librit komik


Mësimi i shqipes në rrënjë në epokën e kulturës së librit komik


Nga Fatmir Terziu

 

Në universitete dhe shkolla, nëpër Botë, studiohet greqishtja e vjetër, latinishtja, hebraishtja... Gjuha shqipe e re, dhe e vjetër, dialektore, krahinore, letrare, e metuar, gjuha e bukur e folur thellë në Kosovë, e shkëlqyer dhe mbajtur këndshëm në skutat e dashurisë së Maqedonisë së Veriut, në Mal të Zi, Kroaci, Serbi, Greqi e Turqi, e gjetkë, është thuajse ekzotike edhe në përditësi, edhe në disa ambiente shkruese, edhe në arsimin akademik... Atëherë, problemi është vetëm i yni. Ne jetojmë në një botë të dominuar nga reklamat. Sot në treg dalin me sukses produkte dhe kultura, madje edhe “shpirtërore” me vlera të dyshimta. Mendoj se e rëndësishme nuk është që të tjerët të na vënë re, por ne të deklarojmë një nevojë flagrante për VETEN! Le ta studiojmë atë, ta ndajmë dhe ta demonstrojmë me dinjitet para botës. Atëherë interesi për ne, gjuha jonë e lashtë, kontributi ynë në Evropë, do të vlerësohet, kërkohet dhe kërkohet, do të vlerëshet e do të studiohet, do të shihen rrënjët e saj të thella, e shumë të thella në gjuhësi, gjuhëformim e gjuhëëmbëlsi. Sepse kërkesa për dallim në botën perëndimore, e majmur nga konsumi, është e madhe. Ne kemi ende mundësinë të jemi më të mirët dhe të vlerësohemi.

Sa i përket gjuhës së vjetër shqiptare, pa hapur Fjalorët e ndërtuar gjithëformësh, që nga Androkli Kostallari e deri tek Prof. Dr Eshref Ymeri, heshtja do të mbetet, mund të them se e përdor si tingull në mësimet e letërsisë me miqtë e mi shqiptarë e të huaj dhe e vendoss theksin. Kur fillova të shfaq këtë metodikë dikush ra në heshtje me frikë. Dikush u bë gjithkush dhe “shau” dikë që nuk fliste si ai, por që shqipja e këtij të fundit ishte me rrënjë të thella në burimin e saj burues të rrënjës së saj të pavdekshme. Sepse ndonjëherë sugjerimi është përtej fjalëve të kuptueshme. Kur është amtare, gjuha bën mrekulli. Kjo është arsyeja pse shpërblimi më i madh është kur të vjen nga përkthyesit e huaj të Letërsisë shqipe në një kartë me gjuhën e bukur e të pakonsumuar shqipe. "Faleminderit që më bëtë të ndjej se kush ishte Pjetër Bogdani!" Për të ndjerë. Jam i sigurt se edhe miku im i huaj, anglez, e ka kuptuar lidhjen e gjatë gjuhësore dhe shpirtërore me paraardhësit e një gjuhe fine e të mjaltuar, pavarësisht nga moderniteti i sotëm depersonalizues.

Nëpërmjet punës së drejtpërdrejtë në një mjedis multikulturor dhe dygjuhësor, arrita të sjell përfundimin se letërsitë e largëta në kohë - antike dhe ata pak mrekulli në gjuhën e vjetër shqipe - kërkojnë përpjekje të mëdha në perceptim të materialit. Stili në të cilin shkruhen aktualisht tekstet e letërsisë së nivelit të lartë është vërtet akademik, lerar, stilistik, por i vështirë dhe i paqartë për t'u perceptuar nga të tjerët që vendosen në një realitet arsimor krejtësisht të ndryshëm, u nënshtrohen kërkesave të ndryshme në shkollat e ndryshme dhe, së fundi, por jo më pak e rëndësishme, pengohen nga gjuha e dytë mbizotëruese, në shumë raste, nga dialektet, fjalët e harruara e të përdorura rallë, dhe vetë gjuha e trazuar nga slangjet teknologjike e cila në masë të madhe ndrydh dhe varfëron fjalorin e pasur të gjuhës shqipe. Gjithashtu, lloji i kulturës së librit komik që dominon brezin e ri modern të globalizuar, në asnjë mënyrë nuk kontribuon në nxitjen e interesit apo dëshirës për të kuptuar diçka më të vjetër se dje. Vura re se nëse nuk bëhet ndryshim në aksesin e materialit edukativ, mund të dështojë shkaku i rrënjosjes së identitetit, të cilit i janë përkushtuar të gjithë kolegët tanë të shkollave brenda dhe jashtë vendit.

Thjesht "Unë jam një bletë" primordiale, “Bleta shqiptare” e Mitkos e shkruar në Egjipt, ose vetëdija për gjuhën e tyre amtare si gjuha më e vjetër e shkruar në Evropë do të mbeten koncepte të panjohura dhe të huaja për shqiptarët më të rinj, të nënshtruar ndaj asimilimit kulturor agresiv dhe gjithnjë e më të suksesshëm. Prandaj vendosa të ofroj në vëmendjen e përgjithshme për disa sharrës të pafytyrë të gjuhës së bukur e të mrekullueshme që shkruhet e flitet nga shqiptarë dhe intelektualë të jashtëzakonshëm në Kosovë e pjesë të tjera, një sistem i gjerë e i domosdoshëm për letërsinë e mbajtur në sepeta të shëndosha shekujsh, të mbledhur në një udhë të gjatë me pushtues e pushtime nëpër këmbë. Në këtë mënyrë, pa dhimbje dhe me sukses, ne mund të rikuperojmë në vetë përmbajtjen tonë, veçanërisht shqiptare atë që e bëjmë ose e bëjnë të tjerët pis në të. Kjo nuk është në asnjë mënyrë një çështje e thjeshtimit të materialit, natyrisht, një zgjerim i asaj që dikur në Shqipëri quhej Mbledhja e Fjalëve të Ralla. E theksoj sërish se dëshira ime është të ndihmoj në arritjen e aksesueshmërisë dhe nxitjen e interesit për një letërsi të tillë karakteristike si shqipja e vjetër, e harruar dhe e lodhur nga shumë praktika të quajtura të domosdoshme. Një opsion i tillë është vërtet i nevojshëm për të arritur dhe përmbushur standardet evropiane për gjuhën shqipe, për këtë pasuri që sa vjen e mbushet me fjalë të huaja.

Por mos të harrojmë edhe një fakt. Pos pyetjes a mësohet anglishtja në perspektivë historike në shkollat e mesme në Angli?, mund të dalim në një fakt tjetër debatues. Jo. Fatkeqësisht për ta. Edhe mësimi sistematik i gramatikës është i rrallë, duke lënë boshllëqe të mëdha në nivelin arsimor të brezave të tyre. U trondita kohët e fundit kur m'u desh të "përkthej" vargjet e Romeos nga tragjedia e Shekspirit "Romeo dhe Zhuljeta" në anglishten moderne për një studente angleze, pasi as prindërit e as mësuesi nuk mund t'ia dilnin dot. Gjuha angleze është jashtëzakonisht e pasur. Por kjo, mjerisht, dihet për pak njerëz. Përdorimi i saj global si gjuhë botërore, ose e biznesit i ka rrëmbyer në masë të madhe fuqinë e saj të pamasë. Është vërtet turp që mjaftojnë vetëm treqind fjalë për t'i kaluar në jetën e përditshme. Kjo ndodh edhe me gjuhën tepër të bukur dhe të larmishme shqipe, apo jo? Është mirë të kujtojmë se pas sot, bota nesër mund të dalë edhe më e varfër në trashëgiminë e saj gjuhësore, dhe mund të mbetet vetëm tek Fjalori „Oxford Albanian-English“ (1998-9).

Dua të theksoj se ne jemi krenarë për kulturën tonë të vjetër. Të gjithë ata që shkelin në tokën shqiptare, sidomos kohët e fundit me projektin turistik, e njohin atë. Ky është një fakt, por ka një tjetër – ata nuk na njohin sa duhet, ne ende jetojmë nën hijen e kulturave të tjera. Unë dua të shtoj gjithësesi sot ne jemi edhe kulturalisht jopopullorë në botë. Fatkeqësisht, hapësira jonë mediatike vendase është e infektuar me aktualitete të shëmtuara dhe vulgare, gjë që nuk lejon pasqyrimin e arritjeve të jashtëzakonshme të kulturës shqiptare në mbarë botën. Në Shqipëri, sindroma e vendit të vogël na pengon të ndërgjegjësohemi për veten si një territor shpirtëror.

Dhe, më besoni, në kushtet e globalizimit, ky territor shpirtëror shqiptar tashmë është i madh. Për shembull, sa prej nesh patën rastin të mësojnë për triumfin e "Talentët e zërave shqiptarë" disa kohë më parë në Londër? Një audiencë e madhe, në zemër të kryeqytetit anglez, u ngrit në këmbë dhe këndoi në ekstazë performancat e këngëtarëve tanë unikë. Fjala është për të kënduar një isopolifoni, në shumë dialekte (trashëgimtarë, meqë ra fjala, të specifikave të së njëjtës gjuhë të pasur shqipe për të cilën po flasim), pa asnjë shoqërim muzikor. Vetëm zëra dhe gjuha shqipe.  Ka shumë shembuj, por fatkeqësisht nuk raportohen në vendin tonë, në Shqipëri. Të bllokuar në imtësi, shumë nuk mund të besojnë se ne jemi të njohur me veten tonë më të mirë. Atëherë pse shajmë gjuhët që kanë rrënjë të thella në popull, pse shajmë kulturën tonë të lashtë, pse…pse nënqeshim kur dialektet përdorin rrënjëisht dhe tradicionalisht „q“ dhe „ç“ në fjalë të ndryshme ndryshe, por natyrshëm? Le të bëjmë më të mirën për Gjuhën e vjetër, gjuhën më të lashtë të një populli që me gjuhë ka mbetur gjallë!

10 Comments


Guest
Apr 08

Petrit Malushi

Bukur dhe saktë profesor Fatmiri. Është për të ardhur keq që institucionet, të cilat e kanë për detyrë mbrojtjen e gjuhës janë indiferente në ketë drejtim. Mediet e shkruara dhe elektronike, apo edhe tekstet shkollore vazhdojnë të mbushen me fjalë të huaja të panevojshme.

Like

Guest
Apr 08

Zylfie Gervalla

Një shkrim jashtëzakonisht i bukur dhe shumë i duhur aktualisht , vërtetë gjuhën tonë të bekuar shqipe çdo ditë me më shumë e cungojnë, unë mendojë se edhe në shkollat shqipe kanë filluar ta lënë "pas dore" gjuhën e mirëfilltë duke e kompenzuar me fjalë të huaja, një ide shumë me vlera nga ana e jote prf. Fatmir Terziu, që me çdo kusht ta ruajm dhe kultivojmë gjuhën tonë të bukur shqipe. Respekt punës së juaj të artë...

Like

Guest
Apr 08

Valbona Ahmeti

Më pëlqeu shumë ky shkrim, po gjuha shqipe është një nga gjuhët më të vjetra. Po ku janë studiuesit e fushës së Albanologjisë?

Respekt për idenë dhe penën tuaj Fatmir Terziu

Like

Guest
Apr 08

Ildije Xhemali

Që me titullin e këtij artikulli-thirrje për t'i dalë të keqes përpara ju tërhiqni vëmendje për vlerësimin e ASAJ gjuhe që na kanë trashëguar brezat dhe që e kanë ndriçuar Intelektualët të studjohet të ruhet dhe të mos asimilohet në të ardhmen nga gjuhët e tjera gjoja moderne.

Urime Urime Profesor Fatmir Terziu!

Like

Guest
Apr 08

Enver Memisha

Urime i dashur Fatmir. Si gjithnje befasues.

Like

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page