top of page

Fatmir Terziu: Monografia e Prof. Dr. Mehdi Hysenit „Ilir Konushefci, hero dhe simbol i bashkimit“...


Monografia e Prof. Dr. Mehdi Hysenit „Ilir Konushefci, hero dhe simbol i bashkimit“ e përjetëson Heroin Ilir Konushevci

 

Mesazhet e Prof. Dr. Mehdi Hysenit në librit voluminoz kushtuar Heroit Ilir Konushevci janë diskurse më vete. Mosvendosja në vend e meritores së Heroit, për Prof. Dr. Mehdi Hysenin është gjymtim, poshtërim i dinjitetit njerëzor, degradim jo vetëm i vlerave patriotike e shpirtërore, por edhe i postulateve bazë të patriotizmit kur duhet të kuptohet qartë se liria nuk është thjesht një mbivlerë. Të dy konceptet shqyrtohen në një kuptim universal, njerëzor. Pikërisht për këtë idetë e autorit i kapërcejnë kufijtë e kombëtares për t'u bërë një simbol ndërkombëtar i luftës kundër tradhëtisë, mizorisë, kontradiktës, urrejtjes. Nga ideologjia e tij buron një frymë rilindëse, por nuk mbështetet vetëm nga shqiptarët, por edhe nga qindra kombe të tjera të shtypura, për qindra herronj të tjerë që vdesin me idealin e Lirisë dhe dashurisë për të qenë të lirë. Dhe është pikërisht fakti që autori arrin, me një numër të konsiderueshëm faktesh, të përshkruajë, por në të njëjtën kohë të dënojë edhe mjaft gjëra të tjera, e të lartësojë veprën e jetën e Ilir Konushevcit në dimensionin që e ngre atë në një botë të re.

Prof. Dr. Mehdi Hyseni në veprën e tij „Ilir Konushefci, hero dhe simbol i bashkimit“, deklaron dashurinë për atdheun - "Dua Atdheun fort" - dhe lirinë - "Vëllait tim, Motrës sime, Prindit tim, Familjes sime" ia kushtoj të gjithë angazhimin, pasi ai jo një herë por disa herë e bën preambulë thënien e Ilir Konushëvcit „Shqipëri e Kosovë-Nji“. Ai beson se publikimi dhe faktet që e ndihmonë publikimin janë dhe duhet të jenë një mjet aktiv propagandistik, një armë për veprim, po ashtu dhe memorjet për Heroin Konushevci, nga të afërmit, familjarët, shokët e idealit, bashkëluftëtarët, mësuesit e politikanët janë një gur themeli për mesazhin e qartë të një idealisti dhe të një luftëtari që kërkon të jetoj i lirë dhe që për lirinë e Atdheut të tij vendos dhe jetën. Nëpërmjet gjetjeve të tij, ai shpalos fatin e Heroit, përkushtimin e tij, autorësinë e tij patriotike në mesin e njerëzve, por dhe indiferencën ndaj fatit të tyre, demaskon mashtruesit dhe intrigantët, pritëvënësit dhe pritëngritësit, natyrisht dhe ata që janë armiq të lirisë. Autori duke hulumtuar thellë e ndjeshëm në të gjithë hapësirën vepruese shpreh ndjeshmëri për vuajtjet e njerëzve. Aty tregohen fajtorët për vuajtjet dhe pikëllimin e popullit të robëruar, për të cilin Ilir Konushevci me shokë u ngritën dhe u vranë.


Monografia „Ilir Konushefci, hero dhe simbol i bashkimit“ e ndan veteveten jo thjesht në kapituj dhe fotografi, por në minidiskurse efektive që e shohin betimin dhe kthimin e mundshëm fitimtar edhe pse Heroi nuk është gjallë, por se ai ka lënë rrugën e hapur, të pastër e të bekuar dhe tashmë ai është i bekuar dhe nga trashëgimtarë, sikurse është dhe vajza, të cilën nuk pati mudnësi ta përkëdhelë sa duhet kur ishte e vogël e sot është një punnjëse e shkëlqyer e Drejtësisë në një vend të bekuar Perëndimor. Libri voluminoz „Ilir Konushefci, hero dhe simbol i bashkimit nuk është vetëm një udhëtim në rrugën e Heroit, nuk është vetëm një kalim nëpër një fshat, përsëri në një rrugë, në rrugën e përjetshme të Ilir Konushevcit, por një bulevard i gjerë ku udhëtojnë memorjet, kujtimet, vlerat, arritjet, përkushtimet, dedikimet, realitetet e një hapësire të madhe Kombëtare që mbetet si një model dhe simbol për bashkimin e shumëdëshiruar Kombëtar. Në këtë pikë të gjitha vizionet bashkohen në një. Kështu fitohet imazhi i Udhës së lavdishme. Kjo rrugë përvijohet nga detaje konkrete dhe piktoreske, por dhe nga probleme që natyrshëm lindin që në frymëzimin e parë të Heroit e deri në fatin e tij të jetës. Në shumicën e mesazheve, memorjeve dhe fakteve, rruga fillon në fëmijëri, rini, shkollë për të kaluar përmes gjithë hapësirës shqiptare dhe për të përfunduar në atdheun e dashur të tij, ose më mirë në vendin e përkushtimit, drejt të cilit po shkon patrioti i bindur në vetvete.

Ato që përshkruhen nga memorjet e atyre që e njohën Ilir Konushecin karakterizohen nga vizioni i “rritjes” shpirtërore të heroit. Në tërësinë e penës së Mehdi Hysenit, Heroi është i sigurt për vendimet, për përkushtimet, dhe për tërë sakrificën e Lirisë në kuptimin e jetës dhe vdekjes. Koncepte të tilla si liria, lufta dhe vdekja heroike nuk pasqyrohen në të si kalimtare, por ato mishërohen edhe nga malli për dashurinë amtare. Në kujtimet e vëllait të tij, motrës së tij, familjarëve të tij vihet re një gradim diksursiv në qetësinë shpirtërore të heroit. Dashuria e tij për atdheun bëhet më e fortë, duke e ngritur mbi pjesën tjetër të masës së diskurseve të tjera.

Prof. Dr. Koço Danaj në parathënien e këtij libri mjaft të rëndësishëm thekson: „Merita e veçantë e Mehdi Hysenit në këtë libër filozofik, politik, patriotik, individual është harmonizimi i të gjithë këtyre nocioneve dhe, për këtë arsye në këtë libër e gjen dhe, duhet të gjejë veten e tij çdo shqiptar në emigrim, apo në mëmëdhe, i vendosur deri në fund të jetë një “Ilir Konushefc” apo i dyzuar nga kënaqësitë e jetës personale.“ (Danaj; Tiranë, më 31 janar  2023; Instituti i Prognozave Politike Rajonale, Tiranë).

Për më tepër tashmë libri meton që në fillim se „Shqiptarët kanë të drejtën të pohojnë se paqja reale në rajonin e Ballkanit, stabiliteti real dhe jo ai i karakterit të protektoratit, do të vendosen duke riparuar padrejtësinë ndaj shqiptarëve. Prandaj, edhe ky libër  është një ofertë për paqe, stabilitet, progres dhe mirëqenie që u ofrohet fqinjëve të shqiptarëve dhe bashkësisë ndërkombëtare. Përgjatë një shekulli shqiptarët kanë derdhur aq shumë gjak sa do të mund të ishin bashkuar 5 herë. Epopeja e fundit quhet UÇK. Tani,  shqiptarët  kanë zgjedhur   rrugën e paqes, të demokracisë dhe të dialogut. Të mos e pranosh këtë ofertë paqeje, stabiliteti dhe progresi, do të thotë se mendon të kundërtën dhe se përgatitesh për të kundërtën. Do të thotë se në vend të Pëllumbave të Paqes, preferon akoma shigjetat e Luftës.“

Duke udhëtuar me këtë lajtmotiv në Monografi kuptojmë se „Shqiptarët janë duke formuluar një  Kod të Ri Etik në marrëdhëniet me njëri-tjetrin, një kod të ri politik, që do të thotë se, para se të jesh pjesëtar i kësaj apo i asaj partie politike, je shqiptar. Një Kod të Ri Fqinjësor, duke mos lejuar më përbuzjen apo racizmin  ndaj askujt.“ Lidhur me këtë vjen „Shprehja aq e përhapur: - “Oh sa mirë me qenë shqiptar”! që sipas monografisë „Nuk është romantizëm, apo folklorizëm, por një ofshamë gjëmëmadhe, një kundërvënie dhe, një mbrojtje ndaj dhunimit të qenies nacionale dhe të paqes nga dikush apo nga disa fqinjë dhe segmente fqinjësh. Shqipëria Etnike është një Nocion progresiv civilizues evropian. Ndërsa bashkimi i shqiptarëve është një garanci për stabilitetin e vetë Evropës ku bën pjesë.“

Të njëzetë e gjashtë kapitujt e librit, marrëdhëniet e lidhjeve etike dhe qasjet estetike të mesazheve vizive, po ashtu dhe mbi pesëqind faqet e kësaj Monografie e bëjnë Heroin Ilir Konushevci, një Përmendore më shumë në tërë Lavdinë dhe Udhën e shkruar me gjakun e Lirisë, të cilën Prof. Dr. Mehdi Hyseni natyrisht me një bindje të thellë, më një dashuri të madhe Kombëtare, me një njohuri të trashëguar dhe patriotizëm po të tillë e sheh si nëj dhuratë për brezat dhe tërë Ardhmërinë shqiptare.


Monografia citon zërat më të dalluar. Brenda një kapitulli të veçantë janë përfshirë disa vlerësime  të akademikëve të njohur patriotë shqiptarë: Prof. Dr. Fatmir Sejdiu (Presidenti i Parë i Republikës së  Pavarur të Kosovës/17 shkurt 2008/, demokrat dhe pedagog i mirënjohur shumëvjeçar i Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës; Prof. Dr. Vjosa Osmani (Presidente e Kosovës); Prof. Dr. Skënder Kodra (i burgosur, i persekutuar, i përndjekur dhe i dënuar politik nga UDB-a serbojugosllave;  i mërguar në Amerikë që nga vitet ’70 të shekullit XX; pedagog universiteti dhe kryetar i Akademisë Shqiptaro-Amerikane të Shkencave dhe të Arteve të Nju-Jorkut); Prof. Dr. Muhamet Pirraku, veprimtar shkencor  shumëvjeçar i Institutit Albanaologjik dhe i Institutit të Historisë në Prishtinë, Historian i njohur, autor i disa veprave me temë historiko-politike mbarëkombëtare të bashkimit kombëtar dhe të Shqipërisë Etnike; Prof. Dr. Eshref Ymeri, anëtar i Akademisë Shqiptaro-Amerikane të Shkencave dhe të Arteve në Nju-Jork, SHBA; autor i disa librave me karakter Kombëtar e më gjerë, Prof. Dr. Mehdi Hyseni, nënkryetar i Akademisë Shqiptaro-Amerikane në Nju-Jork, SHBA, analist dhe publicist politik për pavarësimin e Kosovës dhe për bashkimin e saj me Shqipërinë Etnike (1990-2023); Agim Vuniqi, mbështetës i pavarësisë së Kosovës dhe i luftës çlirimtare të UÇK-së, analist dhe publicist i dalluar politik, ekonomik dhe diplomatik, si dhe Rrok Dedvukaj, patriot dhe veprimtar  shumëvjeçar në shërbim të kauzës së lirisë së Kosovës, si dhe të bashkimit kombëtar dhe të Shqipërisë etnike; i dënuar politik nga regjimi segregues i Malit të Zi (2006-2009), aktualisht është kryetar i Organizatës “Shqiptarët e Bashkuar” në Detroit të Michigenit  të SHBA-së e mjaft e mjaft të tjerë.

Duke përfunduar sqarojmë se Monografia „Ilir Konushefci, hero dhe simbol i bashkimit“, është e vetmja e këtij lloji, e kompletuar me sqarime e shpejgime, fakte dhe referenca e me një bibliografi të pasur, sikurse dhe me fakte e dimensione faktike të marra nga burime reale. Ky libër është dhe mbetet një vepër e domosdoshme për një Hero të vlerës së madhe, sikurse ishte dhe mbeti Ilir Konushevci.

   

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page