Mes „Vegime“ tek Dr. Rahmi Tuda
Nga Fatmir Terziu
Një emër i madh intelektual, me formim të ndjeshëm pedagogjiko-akademik, Rahmi Tuda kohë më parë, në jetë aktive intelektuale dhe shkruese-hulumtuese të tij, pikërisht në vitin 1979 ka botuar me ndihmën e Klubit letrar „De Rada“ dhe „Qendra e Kulturës „Hivzi Sulejmani“ në Ferizaj, një libërth të vogël, por shumë domethënës me titullin „Vegime“. Në këtë libër ku thelbin kryesor e zë aforizma, ai thotë se „Aforizma është poezi e gjallë“. Kjo citohet si e tillë pasi atë e karakterizon veshja karakteristike figurative.
Midis të tjerave ai sjell në vëmendje Sami Frashërin, që shkroi „Emsal“, fjalë të urta ose aforizma në një libër të veçantë xhepi me 511 faqe që u përkthyen në gjuhën shqipe nga origjinali në turqisht vetëm në vitin 1970. Sami Frashëri shkroi në atë kohë sikurse e ndjente që të mund të lartësonte moralin e njëmendët dhe të parapërgatiste njeriun e asaj kohe që të mund të mundte të ligën. Po sjell disa:
Kalben njerëzit e ndërshëm aty ku lartësohen lajkatarët.
Fatkeqësitë e mëdha lypin zotësi të mëdha për t'i përballuar.
Nuk kërkohet ndihmë nga tigri për të shpëtuar nga qentë.
Ngurrimi dhe të menduarit gjatë, janë armiq të guximit.
Vdekja është një lloj gjumi i përhershëm; kur jemi gjallë, flemë sa më pak që të jetë e mundur, që të mos ta kthejmë në vdekje një pjesë të jetës sonë.
Duhet të shfrytëzohët mirë koha, sepse jeta nga koha përbëhet.
Pasuria është shërbëtor i të mençurit e zotëri i budallait.
Mos u shqetëso nga zemërimi i të drejtit, të kesh frikë nga heshtja e tiranit.
Ata të cilët bëhen vegël e mizorive të një mizori, janë më të liq se ai vetë.
Mos u tremb nga shuplaka e mikut, duhet të kesh frikë nga lëvdata e armikut.
Ai që rrit sorrën, me siguri një ditë ajo do t'ia nxjerrë sytë.
Dua të theksoj se autori i „Vegime“ ka bërë një punë të madhe dhe të vlerësueshme. Dr Rahmi Tuda - (1934 – 2003) ishte një shkrimtar shqiptar, mbledhës e studiues i letërsisë gojore, pedagog, bashkëpunëtor i jashtëm i Institutit Albanologjik në Prishtinë, anëtar i SHSH të Kosovës ( më parë ), kurse më vonë anëtar SHSHSH në Maqedoni, ka shkruar poezi për fëmijë e të rritur, prozë për të rritur e për fëmijë, drama, studime nga lëmia e letërsisë së shkruar dhe ajo gojore - aforizma, ese, trajtesa, artikuj, recensione, vështrime filozofike, punime kritike, kumtesa, artikuj etj.
Dr. Rahmiu si mbledhës dhe studiues i folklorit me kumtesat nga fusha e folklorit, ka marrë pjesë në simpoziume, sesione, tribuna e konferenca shkencore të organizuara nga Instituti Albanologjik në Prishtinë, në Seminarin Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare në Prishtinë dhe në Tiranë, në simpoziume shkencore siç është ai që u mbajt në Shkup në temën Shqiptarët e Maqedonisë (më 20 - 22) dhjetor të vitit 1991, në Konferencën Shkencore Ndërkombëtare në Sankt Peterburg (12-15.V.1997) etj.
Dr. Rahmiu lindi në Veleshtë të Strugës më 9 mars 1934. Shkollën fillore, Rahmiu e kreu në Strugë, kurse të mesmen, Shkollën Normale dhe fakultetin (filozofinë e thjeshtë) në Shkup. Magjistroi dhe doktoroi në shkencat filologjike në Universitetin e Kosovës. Si arsimtar, në Veleshtë punoi nga viti 1956-1959, kurse gjatë vitit 1960 (disa muaj) punoi në fshatin Dollogozhdë. Në periudhën 1962-1968, ligjëroi filozofinë dhe sociologjinë në Gjimnazin e Strugës. Nga viti 1969-1973 - profesor i filozofisë në Shkollën Normale “Zenel Hajdini” në Ferizaj. Gjatë vitit 1973 (disa muaj) ligjëroi filozofinë dhe logjikën në Gjimnazin e Ferizajt. Nga viti 1973 -1991 punoi si pedagog për delikuencë në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj. Në vitet 1993 e 1994, punoi në Gjimnazin e mëvetësishëm “Hajdar Dushi” në Ladorisht të Strugës, kurse me votat e popullit shqiptar të zonës së Strugës në vitet 1994 - 1998 ishte deputet në Kuvendin e Maqedonisë. Si njëri nga nismëtarët për themelimin e Universitetit të Tetovës, po në këtë periudhë (1994-1998), ushtroi detyrën e Dekanit në Fakultetin Filologjik, ku ligjëroi Bazat e filozofisë dhe Letërsinë popullore.
Librin e parë për fëmijë me titull, Kronika e stinëve, e botoi në vitin 1965, librin e dytë, Vallja e lumit, e botoi në vitin 1984, kurse Pulëbardhat fluturojnë (Vjersha dhe tregime për fëmijë - 2001), është libri i tretë ( për fëmijë ) i këtij autori. Rahmiu, botoi edhe veprat poetike për të rritur: Kah dita (1965), Juve ju këndoj (1971), Zgjime (1972), Me sytë e argusit (1993), Metafora e kurmit (2001), përmbledhjen me aforizma Vegime (1979), dramën, Dilema (1997), si dhe veprat shkencore folklorike: Vlerat estetike të poezisë sonë legjendare (1993), Çështje paremiologjike (1994) Vlerësime folklorike (1998) Larmia e disa formave dhe motiveve folklorike ( 2000 ),Përimtime (2001) etj.
Gjatë punës së tij, këtë shkrimtar dhe studiues shkencor që nga viti 1968 e deri në vitin 1986 Rahmiun e kanë ndjekur Organet e Sigurimit të Jugosllavisë dhe të Maqedonisë – për çështje politike dhe ideologjike (thuhet në Dosjen e Ministrisë së Punëve të Brendshme të RM). Katër herë gjatë punës së tij, strukturat moniste obskurantiste antishqiptare të ish – Jugosllavisë, Rahmiun e larguan nga puna. Në vitin 1968 e larguan nga arsimi (Gjimnazi i Strugës) për kohë të pacaktuar. Në vitin 1973 e larguan nga Shkolla Normale "Zenel Hajdini" në Ferizaj. Në vitin 1981 e izoluan për dy muaj në Lipjan dhe në Mitrovicë. Në vitin 1991 e larguan nga puna e pedagogut për delikuencë në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj. Rahmiu ishte aktiv në krijimtarinë letrare, artistike dhe shkencore. Ndërroi jetë me 31 mars të vitit 2003.
Vazhdon…
コメント